(KUJTIME NGA NIKO LIGORI ME RASTIN E 75 VJETORIT TE LINDJES SE DRITERO AGOLLI)
Dritëro!
75 Vjetori i Lindjes po na afron. Unë e kam 17 ditë pas teje. Ndoshta jam i pari që, para kohe, ta uroj: Festofsh edhe 100 vjetorin, shëndet, lumturi familjare, pena të mbetet kurdoherë e mprehtë…!
Je i pari devolli, që të njoha në vitin 1948, ku së bashku, në një bankë e klasë, filluam e mbaruam pedagogjiken.
Kurdoherë bashkë kemi qenë, n’ato vite të vështira, të vitit të 4-t të Çlirimit, të zjarrta, por t’arta: Në studim, në mensë a dhomën e gjumit, në shëtitje, piknikë a në shfaqjen e komedive – “Pas vdekjes”, “Zbuluesi” etj. Sa kujtime kemi për Gjirokastrën tonë, si vendlindje e dytë, e cila na dha “çelësat” e rrugës së jetës. Atje në qytetin e gurtë, që për ne qe “universitet”, u arsimuam e diplomuam, ndaj përulemi me respekt e falënderim ndaj atij “universiteti” e profesorëve tanë të paharruar.
Në Gjirokastër vajtëm të “përzhitur” nga flakët e luftës, ku ende aroma e barutit dhe e tymit të pushkës partizane, kundërmonte tej e përtej Malit të Gjerë. Na priti e përcolli Çeço trimi dhe Dy Heroinat.
Atje në Argjiro, krahas miqësisë, në ato kushte të vështira e që i përballuam plotësisht, “zumë mullën me supë e bukë misri”. Për ne konviktorët, ngrohtësia Gjirokastrite, ishte kurdoherë e dukshme…
Dhe më fal Dritëro, e zgjata pak, por për Gjirokastrën e shkollën tonë nuk çmallem dot, mallin e kam ortek, ndaj dua të shkruaj e të flas vazhdimisht. E di, brezi ynë si u mbrujtëm: i mirë, i pastër, i dhembshur, që m’e mirë në botë qenka për ne vendlindja, përfshi dhe Gjirokastrën, jemi siç e thua ti ne vargjet e poemës “Devoll, Devoll”….
“Dhe ky plis,
ngaherë ish i fortë,
shkoi n’Europë,
brodhi në Azi,
Po kudo,
nga flokët,
gjer ne thonjtë,
mbeti Devolli” ….”
Ndoshta, po të jemi shëndoshë e mirë, në vitin 2008, do t’i vemi qytetit të Gurtë, për të festuar 60 Vjetorin e shkollës sonë pedagogjike, ku në krye të “valles” jemi ne që e nisëm, jemi matura e parë.
Në kuadrin e ditëlindjes, të dhuroj si surprizë:
1 – Një tufë vjershash, sipas “arkivit” të kujtesës sime që për mua kanë vlera të shumta.
2 – Shkrimi “Të faleminderit, Agolli ynë”, që mbështes intervistën në tënde në “Shekulli”, dt. 03.03.06 për aktin kriminal të zhvarrimeve të Përmetit.
Tiranë, shtator 2006.
Me respekt, urimet më të mira,
Niko Ligori
Miqve Sevo – Agolli…
Biseda Sevo – Agolli
ca kujtime seç më solli…
Të dy ishin Partizanë,
Të rinisë – veteranë.
Në ato vite të zjarrta,
I njohu Gjirokastra,
Dhe me penat e “Bekuar”
Shumë libra kanë shkruar…
Dhe tani në pleqëri,
Punojnë si në rini
Ata janë popullorë
“Thesar” jan’ për çdo kohë…
Për dy miqt’ e mi të rrallë,
Nuk mjaftojnë këto radhë
Duhen volume seri,
Kanë emër n’histori!…
Niko Ligori
Tiranë, 13 Tetor, 2004
Shënim: Isha me Sevo Tarifën kur ky e uronte në telefon Agollin për 73-vjetorin e lindjes. Biseda e tyre më ngacmoi e frymëzoi për thurjen e këtyre vargjeve ….
Ramis Harxhi
Aksionit Asimzenelas – 1948
Pas dorëzimit të Flamurit në emër të shtabit të luftës kundër karkalecit në fushën e Valaresë – Gjirokastër, Poeti recitoi këtë poezi:
Tarifa dhe Profesori1
Gaqo Veshi e Agolli,
Me shokë shumë “sulmuan”
Karkalecin e rrëzuan.
U shpëtua Bujqësia,
Të ketë bukë njerëzia
Ju flamuri u dhurohet…
Aksioni, mos harrohet ….
P.S 1) Profesori – Vangjel Kostaqi
Dritëro Agolli – R. Harxhit
(Pasi e falënderoi për dhënien e Flamurit, i “qëndisi” këto vargje):
Ramis Harxhi në mes tonë,
si n’aksion e në shkollë,
Të kemi anëtar nderi
Në shkollën “Asim Zeneli”
Bejtexhi e vjershëtor,
Ne të kemi “Profesor”
Je poet si një rubin
Je për neve frymëzim.
Profesorët me radhë
Me në krye Basho Thomanë
Të thonë : Koleg – Poet
Siç thot’ i Gurti Qytet.
Ramis Harxhi
Urime – Asimzenelasve (1949)
Urime – Vitin e Ri
Gëzuar në çdo shtëpi
Bashua e Vehbi Bala,
Kanë talente të rralla…
Agolli “Lule” e parë,
E plot të tjerë me radhë
Un’e e Sevua si të ftuar
Ndjehemi të gëzuar.
O Basho të kam zili
Që më je si djal’ i ri,
Je gojëmbël, shend e verë
Dimër s’ke, veçse pranverë…
Profesor Vehbi Balës
Që vjen nga an’e anës,
I urojmë – lumturi,
Sa më shumë poezi!…
Asimzenelas, si veri,
Shpirtin na e përtëri…
Dhe Ramizi bejtexhi
Në mes tuaj “Djal’ i ri”!…
Shënim: Kjo poezi u recitua nga autori në mbrëmjen e Vitit të Ri të Gjimnazit e Pedagogjikes tonë.
Atje u dhanë dhe çmimet e një konkursi letrar. Të parin Agolli, të dytin Alqi Jani me tregimin “Nënua plakë” dhe të tretin Kadareja…
Ramis Harxhi
Poezi – Kushtim
Vjeshtë, 1948
Sevua nga Mashkullora
Me rinin’ ia bëri fora,
Ësht’ në krye të rinisë
Ndër të mirët e Shqipërisë.
Miku im Vasil Dalani
Partizani – veterani
Ësht’ mësues në Bularat
Përhap dritë në çdo fshat.
Mistua prej Humelicë
Është një rreze dritë
ABC – n kudo mëson
Rininë e arsimon.
“Profesorit” nja dy fjalë
Diturin’ e ka si pallë
Histori – kur ligjëron
Dhe bilbilit ia kalon…
Ju që doni bejtexhinjë
Mos ja harroni shtëpinë
Me “vargje” do t’u qeras
E nga pak, do t’u ngalas.
Agollin vlerësoj shumë,
Që vjershat i ka si lumë.
Nami i tij shpejt do dalë
Si shkrimtar përmbi shkrimtarë…
Dritëroi ka shumë shokë
Që ata i do me “kokë”,
Oparaku1 e ka mik,
Kolonjari2 e ka nip.
Nga Vendlindja mendjen, sytë
Gjirokastra ësht’ e dytë
Këtu merrni Diturinë,
Këtu filluat Rininë …
Poet Harxhi midis tuaj
Është mik e jo i huaj,
Le ta dijë pleqëria,
Harxhi s’ndahet nga Rinia…
P.S:
1) Profesori – V. Kostaqi
2) Oparaku: G. Veshi
3) Kolonjari – N. Ligori
Shënim: Atë ditë të bukur vjeshte ishim ulur në sofatet e sheshit të Çeços, nën hijen e Rrapit, D. Agolli, G. Veshi e N. Ligori. Drejt nesh erdhën e u ulën S. Tarifa, V, Dalani, N. Andrea, V. Kostaqi dhe bejtexhiu R. Harxhi, i cii, pasi na tha se ishim në zyrat e rinisë për punët e rinisë, (Sevua i pat thirrur për një konsultë), aty për aty sajoi vargjet e sipërme për secilin nga ne.
Agolli thuri për Harxhin këto vargje:
Bejtexhiu si përherë,
Midis nesh na sjell pranverë
Mëndjendritur, je behar,
Je si yll në Lapidar.
Vargjet tende okatar
Nuk peshohen me kandar,
Ajo jan’ margaritar
Për brezat janë thesar…
Të gjithë u nisëm drejt Qafës së Pazarit, me biseda, shaka e qyfyre. Kur arritëm atje, dikush iu lut Dritëroit që të recitonte vjershën e vet: Për Malin e Gjerë dhe për vullnetarin e një aksioni – Kriston.
Dhe Agolli i recitoi ato. Unë mbaj mend vetëm këto vargje të tyre:
“… Në rrëzë të Malit të Gjerë,
Një jetë prej Cubi kam bërë…”
dhe
“… Shihni Kriston si po ecën,
fët e fët e gjithë gas,
Torbën krahut e ka hedhur
Batanijen e ka pas … ”























