ERRU i çjerr maskën ujsjellsave/ Mbi 63% e ujit nuk paguhet dhe 27% vidhet. Mungojnë matësat, faturimet afrofe dhe çmime të larta

649
Sigal

 

Nivele të larta të ujit pa të ardhura e të ujit që humbet në rrjet, si dhe faturime afrofe për konsumatorët. Kjo është situata që paraqet Bilanci i Ujit për vitin 2019, i publikuar së fundmi nga Enti Rregullator i Ujit. Referuar dokumentit, “Uji Pa të Ardhura” rezulton në nivelin 63.82%, me tendencë të lehtë përmirësimi krahasuar me vitin 2018. Në vitin 2013, vit në të cilin është hartuar për herë të parë një Bilanc Uji për sektorin, ky tregues ka qenë në vlerën 69%, pra tendenca e përmirësimit të tij vazhdon të mbetet historikisht me një ritëm mjaft të ngadaltë.

Ndërkaq, rreth 63% e ujit që prodhohet humbet në rrjet, teksa humbjet administrative përbëjnë 54% të humbjeve të përgjithshme, gjë që tregon mbi domosdoshmërinë imediate të përmirësimit të menaxhimit nga stafi kyç i shoqërive UK. Sipas raportit, prezenca e lidhjeve të paligjshme dhe eliminimi i tyre prej shoqërive mbetet ende emergjente, pasi sasia e ujit që humbet nga vjedhjet arrin në 27.2%. Gjithashtu, të dhënat tregojnë se sasia e ujit të faturuar në të gjitha kategoritë e konsumatorëve është rreth 36.18% e sasisë së ujit të prodhuar, çka bën që nga totali i sasisë së ujit të prodhuar,vetëm 73% e tij faturohet i matur ndërsa pjesa tjetër faturohet afrofe.

Një tjetër problem përbën edhe matja e ujit të prodhuar, niveli i të cilit arrin në 52%  Ky tregues, gjatë vitit 2019 ka patur tendencë rënie në nivelin 2%, ndërkohë që që sipas ERRU-së mungesa e matësve në pikat e prodhimit të ujit mbetet akoma një problem evident i pazgjidhur. Në fund të raportit, Enti Rregullator jep një sërë rekomandimesh për shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve, duke theksuar nevojën për instalimin e  ujëmatësve.