Grabitjet në Rinas/ Shtyhet sërish gjyqi në Apel, avokatët nuk marrin përsipër mbrojtjen e të pandehurve

362
Sigal

Shtyhet sërish seanca gjyqësore për dosjen e bujshme të grabitjeve në Rinas në dhjetor të 2015 dhe shkurt 2017.

Shkak janë bërë avokatët kryesisht, të cilët kanë refuzuar mbrojtjen për të pandehurit e dosjes.

Për çdo seancë gjykata e Apelit ka vijuar me aplikimin e gjobave për avokatët kryesisht, të cilët refuzojnë mbrojtjen e tyre.

Dy avokatët e caktuar së fundmi, në seancën e ditës së sotme janë gjobitur me 50 mijë lekë të reja dhe 100 mijë lekë të reja.

Procesi gjyqësor ka ngecur në konkluzionet përfundimtare dhe më pas pritet vendimi.

Shkalla e Parë e ish-Gjykatës për Krime të Rënda i ka dënuar të pandehurit me 107 vite në total. Dash Kupa 27 vite burg, Ernest Kupa 26 vite burg, Neim Avdylaj 26 vite burg, Fatjon Xhyliu 21 vite burg, Dritan Sinani 20 vite burg dhe Aleksandër Murataj 19 vite burg. Dy bashkëpunëtorët e drejtësisë, Ditjon Memlika dhe Admir Çerpja janë dënuar me nga 8 vite e 6 muaj burg.

Të pandehurit akuzohen për 2 grabitje të parave të bankave që transportoheshin drejt Rinasit, në Dhjetor 2015 dhe Shkurt 2017 si dhe të një banke të nivelit të dytë në Tiranë në 13 Shkurt 2015.

Sipas prokurorisë, që ka zbardhur rolet e të pandehurve në këto grabitje, Admir Nikaj (Murataj) ishte kreu i grupit kriminal.

Ai akuzohet për “Vjedhje e bankave” më shumë se njëherë, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” në formën e grupit të strukturuar, “Krijim dhe pjesëmarrje në grup të struktuaruar kriminal”.