Mustafa Koçerri: Dëshmi të gjalla të miqësisë shqiptaro-izraeilite

202
Sigal

 

Përjetësohet miqësia midis familjes shqiptare Koçeri dhe Solomoni nga Israeli       

 

Po bëhen afro 100 vjet miqësi midis familjes Koçerri  nga Vërmiku i Kurveleshit dhe asaj Solomoni nga Israeli. Hapat e para të kësaj miqësie janë hedhur nga Jakup Koçerri dhe Jakov Solomoni, pas kthimit të Jakupit nga kurbeti, nga Argjentina. Po cila është historia e shkurtër e kësaj familje hebreje nga Israeli? Për të mësuar më shumë për këtë familje, djali i kësaj familje Samiko Solomoni  na tregon:-Familja jonë prej 4 – 5 breza kanë jetuar në Vlorë. Babai i gjyshes së Samikos e kishte mik Ismail Qemalin. Ai e ka ftuar Ismail Qemalin në shtëpi për kafe kur banonin në Skelë. Gjyshja e tij Eftimia  i ka servirur kafen dhe Ismail Qemali i është drejtuar duke i thënë: Paç uratën bija e babait. Gjyshi i Samikos, Jakov Solomoni është marrë me tregëti. Ka pasur dyqan këpucësh dhe në kohën e Italisë u bë tregëtar manifature. Pas çlirimit të Shqipërisë i gjithë malli i dyqanit të Jakovit, të gjitha topat e stofrave që kishte,erdhën dhe ja morën partizanët me një makinë dhe në fund i lëshuan një dokument ku shkruhej se kur të kemi para do t‘i japim. Më pas jo para që s‘morën, por as edhe një lekë nga gjithë ai mall që ju mor. Kjo bëri që ai të vinte maraz në zemër dhe shumë shpejt vdiq. E shoqja e tij mbeti me 5 fëmijë të vegjël, ku me vështirësi të mëdha  po i rriste, duke blerë gjysëm litër qumësht dhe i hidhte edhe gjysëm litër uji pasi nuk i ushqente dot. Kur fëmijët u rritën ata filluan të punonin vetë. Si njerëz të zgjuar dhe me inteligjencë njerëzit e familjes Solomoni pas çlirimit kanë kryer detyra të rëndsishme në administratën e shtetit shqiptar. Pepe Kantozi, djali i dajos së babait të Samiut, ka shërbyer si kuadër në MMP (ministria e Mbrojtjes Popullore).Vëllai i tij Miko Kantozi ka qënë drejtor i ALB turizmit të Shqipërisë. Vëllai tjetër Moisi Kantozi ka kryer detyrën e Drejtorit të thesarit të Shtetit pas çlirimit të vëndit. Po kështu edhe prindërit e Samikos kanë punuar në tregëti, ku do të theksoja babanë e Samikos, Mojzen, i cili shquhej për shakatë, humorin dhe komunikimin me njerëzit. Në dreka apo darka kur shtroheshin në shtëpinë tonë, apo edhe në shtëpinë e tyre, ai e pinte rakinë me rregullat e zakonet e Labërisë dhe deri atje sa të mbante edhe këngën kur këndohej-labçe. Nëna e tij, Zhaneta Solomoni një grua dhe nënë e dashur ishte një rrobaqepëse shumë e mirë. Të gjitha porositë që kishte për të qepur babai im Kasëm Koçerri vetëm te Zhaneta i besonte. Babai i Samikos në moshë të re ka luajtur futboll sulmues me skuadrën e Flamurtarit. Samikua mban ment emërin e njërit  nga futbollistët e Flamurtarit atë të Leko Labovitit.

Vetë Samikua pasi kreu shkollën e mesme në gjimnazin Halim Xhelo, vazhdoi studimet e larta në Fakultetin Ekonomik në Tiranë në vitet 1974 – 1978. Pas përfundimit të studimeve ai emërohet në detyrën e revizorit në SMT të Vlorës, ku punoi deri në vitin 1985 dhe nga viti 1985 deri në vitin 1991 punoi në ndërmarjen pyjore Vlorë, me detyrë kryetar i degës së financës, detyra, të cilat i ka kryer me korektesë dhe përkushtim. Pas vitit 1991 u riatdhesua familjarisht në Israel ku jeton edhe sot. Martesa e Samiko Solomonit me Elena Grabovën me origjinë nga Sevasteri i Vlorës, në fillim kishte vështirësi, pasi ata i përkisnin dy feve të ndryshme, asaj myslimane dhe hebreje. Por gjyshi nga babai i Elenës foli me prindërit e saj dhe i sqaroi ata. Ai tha se unë e njoh gjyshin e djalit. Ata janë familje shumë e mirë dhe kjo lidhje do të bëhet! Dhe ashtu u bë: ajo u bë realitet.

Me pushtimin e Shqipërisë nga gjermanët, gjyshi i Samikos si miq, që ishin, i kërkon ndihmë gjyshit dhe babait tim për të marrë në shtëpinë e tyre, për ta strehuar e ndihmuar djalin me nusen e tij, Mojze dhe Zhaneta Solomoni, për t‘i shpëtuar kapjes dhe persekutimit që mund t‘u ndodhte nga nazistët gjerman. Kuptohet kërkesës së tyre ata ju përgjigjën pozitivisht, sepse nuk kishte si të ndodhte ndryshe: Kur miku ka nevojë, kur ai është në hall, atij duhet t‘i përgjigjesh e t‘i gjendesh duke e ndihmuar! Gjatë kësaj kohe babai kishte marrë tokë me sipërmarrje në fshatin Beshisht të Vlorës, që në kohën e Italisë. Ai organizon marrjen e djalit dhe të nuses së tij me një njeriun e tij të besuar. Personin me dy kuaj e lë te ullishtat në kodër dhe vet shkon nëpër rrugica në shtëpinë e tyre ku ata po e prisnin. Atyre u është dashur të udhëtojnë 3 – 4 orë. Pozicioni i shtëpisë ku rrinte babai, por edhe ajo ku rrinin Mojsia dhe Zhaneta ishte në një faqe kodre, çka mundësonte shikimin dhe kontrollin e njerëzve të ndryshëm, por edhe të ushtarëve të huaj. Falë edhe marrëdhënieve të mira, që kishte babai me banorët e këtij fshati të vogël nuk u mundësua tregimi i strehimit të tyre nga kjo familje e Labërisë. Në përfundim të luftës gjyshi i Samikos, Jakov Solomoni i afron një sasi të hollash mikut të tij Jakup Koçerrit për nderin e madh që i kishte bërë, ndërsa nëna e tij Zhaneta Solomoni heq nga dora orën prej floriri për t‘ia dhënë babait tim Kasëm Koçerri duke i thënë:Këtë merre të paktën si shënjë kujtimi nga ne. Por si Jakupi edhe Kasëmi nuk i morën, duke ju thënë se ne jemi miq dhe nuk u ndihmuam për të na shpërblyer. Ndihma e dhënë për këtë familje hebreje në këtë moment të vështirë për ta, bëri që kjo miqësi të forcohet edhe më shumë, pas çlirimit të vendit. Të dy palët i gjëndeshin dhe respektonin më shumë njëri –tjetrin, jo vetëm sa ishin prindërit e të dy palëve, por edhe sot ne fëmijët e tyre në gjurmët e tyre po ecim. Për kontributin e dhënë ndaj popullit hebrej shteti i Israelit kishte vendosur për të dekoruar Kasëm Koçerrin më 9 qershor 2022. Për realizimin e këtij dekorimi nuk mund të lë pa përmendur edhe ndihmën e dhënë nga ana e Zotit Samiko Solomoni deri sa ajo u bë e mundur. Për të marrë pjesë në këtë ceremoni dekorimi vet Samikua me gjithë nusen dhe vajzën erdhën posaçërisht në Shqipëri.

Pas përfundimit të ceremonisë në Presidencë, për nder të familjes së Kasëm Kocerrit, për kontributin  e dhënë për shpëtimin e dy prindërve të tij Mojze dhe Xhaneta Solomoni. Samikua djali i tyre, shtroi një drekë, ku mernin pjesë të gjithë të ftuarit e familjes Kocerri në këtë ceremoni dekorimi. Dreka kaloi në një atmosferë të këndshme dhe  tepër miqësore. Ajo shërbeu për të njohur më mirë e më nga afër vlerat e larta të kësaj miqësie. Nga zoti Samiko u tregua çka ai kishte dëgjuar e mësuar nga prindërit e tij, por edhe njohjen që ai kishte për familjen e Kasëm Koçerrit. Unë vija shpesh në Babicë, u shpreh ai midis të tjerave në këtë drekë, dhe kur ikja për në Vlorë, nënë Haxhireja bashkë me vajzën e saj Atikën më përcillnin deri larg shtëpisë së tyre, Por Samikua kishte kohë që më kishte kërkuar mua kur të vija në Shqipëri  do të më çosh në Beshisht, në fshatin ku ishin strehuar prindërit e tij. Dhe ashtu u bë. Më datën 10 qershor familja Solomoni të shoqëruar familjarisht nga unë, bashkëshortja ime Violeta, vëllai i madh Qesari si dhe djali i motrës Rigers Ribaj shkuam në Beshisht. Atje kishte dalë për të na pritur djali i mikut të babait, Murteza Shurdhi, një burrë i thjeshtë, por bujar dhe mikpritës. Pasi u takuan me njeri tjetrin, Murtezai doli në një pozicion nga ku dukej vëndi ku kishte qënë shtëpia ku kishte jetuar Kasëmi dhe dy miqtë e tij hebrej. Ja- ja atje tregonte Myrtezai,… atje ku duken ato dy lulet e mëdha, janë lule të veçanta të mbjella nga beu e të prura nga Italia. Si burrë zakoni e me tradita atij nuk i erdhi mirë, që nuk e kishin lajmëruar se do të vinin kaq veta dhe të shoqëruar edhe më gra. Dhe përgjigjia e mysafirëve ishte se ne kemi ardhur për vizitë, për t‘i treguar mikut nga Israeli vëndin se ku ishte shtëpia dhe çka ai dinte për familjen Koçerri. Komunikimi dhe mikpritja në familjen e Murteza Shurdhit me origjinë nga Bolena e Kurveleshit bënë që mysafirët të mbeten të kënaqur duke shprehur fjalët më të mira për ta dhe premtuar se do të vijmë përsëri për t‘u takuar.

Pas largimit nga Beshishti familja Solomoni shkon për vizitë në shtëpinë vëllait tim  Qesar Koçerrit dhe më pas të gjithë qëndrojmë për drekë në shtëpinë time, ku në të dy këto shtëpi pritja dhe respekti i njeri tjetrit ishin sa miqësore dhe vëllazërore.

Për nder të familjes Solomoni, e cila kishte ardhur posaçërisht në Shqipëri për të marrë pjesë në ceremoninë e dekorimit të Kasëm Koçerrit, me pjestar të kësaj familje, familja jonë Koçerri më datën 11 qershor, organizoi një drekë. Takimi dhe dreka kaluan sa këndshëm aq edhe me emocione. U kujtuan dhe u nderuan prindërit e të dy palëve, ashtu si e ka zakon Labëria edhe me gota rakie. Me vlera ishin tregimi si nga Samikua ashtu dhe të pjestarëve të familjes Koçerri për ngjarjet, për jetën e prindërve të dy palëve, të cilët nuk jetojmë, por vlerat e larta morale të tyre bëjnë që ata të mos harrohen e të respektohen më shumë në vite.Në mënyrë të veçantë këto tregime të historisë të këtyre dy familjeve kishin vlera më shumë për të rinjtë për të mësuar konkretisht prejardhjen dhe origjinën e tyre, për kontributin e këtyre njerëzve dhe lidhjet miqësore, pa interes dhe me dashuri e respekt reciprok. Drekën e bëri edhe më të gëzuar dhe emocionuese, prerja e tortës për nder të ditëlindjes së vajzës së Samikos dhe Elenës, Ana e cila edhe pse u emocionua, me të gjithë pjesëmarrësit shprehte dashuri dhe përqafime. Ditët e qëndrimit në Shqipëri të kësaj familje hebreje të nderuar dhe të respektuar, shërbyen për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona sa miqësore aq edhe vëllazërore. U kënaqëm të dy palët. Në përfundim të largimit të tyre, për në Israel, na erdhi keq dhe u ligështuam. Por mendimi se do të flasim dhe takohemi përsëri na qetëson dhe gëzon për vazhdimin e kasaj miqësie me vlera të larta njerëzore.