Inxh. Xhafer Murseli: Nëntoka dhe mbitoka ku jetonë Kombi shqiptar e mbushur me “flori” por shqiptarët këtej Drinit dhe matanë Drinit, jetojnë në skamje dhe varfëri

Thirrje publike për shtetin amë Shqipërinë, Kosovën, institucioneve më të larta shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, kryetarëve të kuvendeve, presidentëve dhe kryeministrave, akademive të shkencave të të dy shteteve dhe mbarë opinionit public.

 

NOA

Për Gazetën Telegraf
*Inxh. Xhafer Murseli (dhe grupi prej 22 organizatorësh)

Shtetëzimi grabitqar nga kompani të huaja të burimeve energjetike dhe minerare, anulimi i kontratave të dëmshme për Kosovën, Shqipërinë si dhe dhënia fund e shfrytëzimit të pasurive  kombëtare nga oligarkia e huajnë në  bashkpunim me mafjen ndërkombëtare dhe trafikantët vendas të politikës dhe familjes së tyre nepotike, ishin objekt i Konferencës Shkencore gjithë kombëtare të mbajtur më 26.01.2026, ku morën pjesë 22 pjesëmarrës. Ata përfaqësojnë grupet e inteligjencës kombëtare, pedagogë, profesorë, ekspertë dhe specialist të fushave të ndryshme. Në përfundim të takimit ata ju drejtuan me një thirrje publike për shtetin amë Shqipërinë, Kosovën dhe të ardhmen shqiptare. Ata theksuan se pasuria kombëtare, nëntokësore, mbitokësore, vendburimet e naftës, mineraleve, deti, bregdeti, zonat malore dhe fushore, energjia etj, duhet të trajtohen si vlera të jashtëzakonshme dhe jo si mall tregu.

Kjo thirrje i drjtohej gjithashtu edhe institucioneve më të larta shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, kryetarëve të kuvendeve, presidentëve dhe kryeministrave, akademive të shkencave të të dy shteteve, opinionit publik mbarëkombëtar

me kërkesën urgjente për ndaljen e një procesi që po zhbën qenien tonë kombëtare duke paralajmëruar se:

  • Shqipëria dhe shqiptaria po zhbëhen.
  • Pasuritë tona janë marrë dhe vazhdojnë të merren.
  • Popullsia po largohet masivisht dhe po zëvendësohet nga ardhacakë të huaj.

Në vetëm 35 vite, shqiptarët janë renditur ndër popujt me shkallën më të lartë të shpopullimit në botë. Na ka mbetur pothuajse vetëm emri dhe lëkura, pa përmbajtje reale – një realitet i dhimbshëm dhe mashtrues. Politikat udhëheqëse të dekadave të ashtuquajtura demokratike janë nxitëset kryesore të kësaj katastrofe kombëtare. Nëse nuk e ndalim këtë proces me programe zhvillimore kombëtare dhe një vizion afatgjatë, është iluzion të shpresojmë se ai do të ndalet vetvetiu apo nga faktorë të jashtëm.

Udhëheqje dhe popull i dashur !

Në emër të Këshillit Organizativ të Konferencës Shkencore Gjithëkombëtare dhe të specialistëve pjesëmarrës, po ju rikujtojmë Rezolutën e miratuar më 22 maj 2022 në Prishtinë, me temë: “Shfrytëzimi i burimeve energjetike dhe minerare në gjeografinë shqiptare në dobi të kombit tonë.” Kërkojmë që kjo Rezolutë të rishqyrtohet urgjentisht, sepse nesër mund të jetë tepër vonë. Që në fillim, politika, institucionet dhe mbarë kombi shqiptar duhet ta dinë qartë: pasuritë natyrore të gjeografisë sonë – qymyri, nafta, gazi, mineralet, hidrocentralet, lumenjtë, liqenet, deti etj. janë pronë e Popullit. Dhe vetëm Populli, përmes një Referendumi Gjithëkombëtar, ka të drejtë të vendosë për format e shfrytëzimit të tyre.

Pse kjo është çështje jetike?

Burimet natyrore janë baza e ekzistencës sonë. Vetëm ajo që njihet, kuptohet dhe mbrohet, mund të ruhet për brezat që vijnë. Prandaj propozojmë që pasuritë kombëtare të përfshihen si lëndë e rregullt mësimore në arsimin e mesëm dhe universitar, në Shqipëri, Kosovë dhe në gjithë hapësirën shqiptare. Heshtja e akademive, universiteteve dhe institucioneve shkencore për këtë çështje përbën papërgjegjësi të rëndë, sidomos në një kohë kur këto pasuri janë seriozisht të rrezikuara.

Konferenca Shkencore Gjithëkombëtare

Në mungesë të instituteve funksionale shtetërore, intelektualë nga e gjithë gjeografia shqiptare dhe diaspora (Amerikë, Australi e gjetkë) organizuan këtë Konferencë. Ajo u bojkotua nga politika e të dy shteteve. Rezoluta iu dërgua zyrtarisht institucioneve në qershor 2022. Dhe deri sot, nuk ka pasur asnjë përgjigje. Injorimi i ekspertizës profesionale në sektorë strategjikë si energjetika dhe mineralet është thellësisht shqetësues. Ndaj po i bëjmë publike sugjerimet tona , për të ndërgjegjsuar sovranin popull, që ka nën tokë dhe mbi tokë “FLORI” dhe po jetojnë me borxhe dhe në varfëri.

E vërteta mbi energjinë

Luftërat nuk zhvillohen për diellin dhe erën, por për qymyrin, naftën, gazin dhe mineralet. Në botë funksionojnë rreth 14.000 termocentrale me qymyr, ndërsa mbi 1.380 të tjera janë në planifikim. Konferencat botërore për klimën kanë dështuar. Edhe BE dhe SHBA po rikthehen te burimet fosile. Keqinformimi i opinionit publik me shifra të pasakta për energjinë e gjelbër është i papranueshëm. 100 MWp fotovoltaikë nuk japin 100 MW energji reale; në Evropë japin rreth 10–12% të fuqisë instaluese, varësisht nga ndarja gjeografike. Kjo Energji jo konstante mund të zëvendësohet nga një termocentral me qymyr prej rreth 20 MW energji të qëndrueshme.

Kërkesat kryesore të Rezolutës

-Shtetëzimi i burimeve energjetike dhe minerare

-Fund shfrytëzimit grabitqar nga kompani të huaja

-Investime strategjike në termocentrale moderne

-Kundërshtim i liberalizimit të tregut pa siguri energjetike

-Ndërtimi i dy termocentraleve me qymyr Kosovë–Shqipëri

-Fillimi i HEC-it të Skavicës Kosovë–Shqipëri

-Anulimi i kontratave të dëmshme

-TREPÇA – pasuri kombëtare, jo mall tregu

Në përfundim u evidentua se Shqipëria etnike nuk vuan nga mungesa e pasurive natyrore, por nga mungesa e mbrojtjes së tyre në interes të popullit. Kjo nuk është vetëm çështje teknike; është çështje sovraniteti, drejtësie ekonomike dhe përgjegjësie kombëtare. Ne mbetemi të gatshëm për dialog profesional dhe bashkëpunim institucional.

*Për grupin prej 22 organizatorësh, ( 10 Profesore dhe 12 inxhinjerw ) dhe pjesëmarrës të Konferencës Shkencore gjithë kombëtare të mbajtur më 26.01.2026:

Prof. Dr. Inxh. Vangjel Kici

Inxh. i dip. Abdullah Begolli

Inxh. i dip. Xhafer Murseli

Prof. Dr. Inxh. Caush Xhufi

Prof. Dr. Inxh. Gjergji Foto

Prof. Dr. Inxh. Isuf Tushe

Prof. Dr. Inxh. Bashkim Lleshi

Prof. Dr. Inxh. Hazbi M. Shehu

Prof. Dr. Inxh. Jorgji Hanxhari

Prof. Dr. Inxh. Afat Serjani

Inxh. i dip. Ilmi Mancaj

Prof. Dr. Inxh. Agni Dika

Prof. Dr. Inxh. Azem Kyçyku

Inxh. i dip. Nehat Emrullahu

Inxh. i dip. Ramadan Dibrani

Inxh. i dip. Iljaz Bejtullahu

Inxh. i dip. Xhevat Tahiri

Inxh. i dip. Ali Hoxha

Inxh. i dip. Ramiz Osmani

Inxh. i dip. Xhafer Nuli

Inxh. i dip. Skender Rama

Inxh. i dip. Raif Dibrani