Prof. Asoc. Edmond Zaimi: 27 Maji Dita Ndërkombëtare e Mjekësisë së Urgjencës

974
Sigal

– Periudha e pandemisë e tregoi më së miri rolin dhe misionin e mjekësisë së urgjencës

 

Në vendin tonë, në vitin 2011 filloi  specializimi 4 vjeçar, për specialistët e parë të MU

 I kërkojmë qeverive tona dhe publikut, që të mbështesin kërkesën për më tepër specialistë të trajnuar

 

 

 

27 Maji është Dita Ndërkombëtare e Mjekësisë së Urgjencës, e shpallur katër vjet më parë nga Shoqata Evropiane e Mjekësisë së Urgjencës (EuSEM), me qëllim promovimin e Mjekësisë së Urgjencës në  mbarë botën. Shoqata Shqiptare e Urgjencës Mjekësore (SHUM) është anëtare e EuSEM që nga viti 2015. Në këtë ditë synohet që të rritet ndërgjegjësimi i mbarë popullatës në lidhje me rolin dhe funksionin e mjekësisë së Urgjencës, rëndësinë dhe përparësitë e sistemeve të mirëorganizuara të  Mjekësisë Emergjente, të menaxhuara nga mjekë specialistë të Urgjencës, në shpëtimin e jetëve njerëzore dhe në uljen e shkallës së paaftësisë pas urgjencave mjekësore. Mjekët specialistë të Urgjencës, zotërojnë njohuritë dhe aftësitë bazë për të trajtuar problemet akute shëndetësore të pacientëve, janë të aftë të caktojnë përparësitë në trajtim dhe kujdes, të kordinojnë dhe drejtojnë veprimtarinë e tyre për t’u kujdesur për shumë pacientë në të njëjtën kohë, në situata kur nevojat për kujdes mjekësor të urgjencës, janë më të mëdha se mundësitë e kujdesit. Specialiteti i Mjekut të Urgjencës është një specialitet relativisht i ri në botë, i certifikuar për herë të parë në SHBA në vitet ‘70. Në vendin tonë, në vitin 2011 filloi  specializimi 4 vjeçar, për specialistët e parë të MU që u diplomuan në vitin 2015. Këtë vit u diplomua gjenerata e katërt e specialistëve “Mjek Urgjence”.

Të gjitha hallkat e Sistemit të Shërbimit e Urgjencës Mjekësore janë të hapura në çdo kohë, në çdo orë të ditës apo natës, në çdo ditë të javës. Të gjithë profesionistët e kujdesit mjekësor të urgjencës, mjekë, infermierë, personel ndihmës, janë gjithmonë pranë jush, edhe në mes të natës, edhe gjatë festave, edhe kur atyre u mungojnë mjetet e duhura mbrojtëse ose kur janë me personel të pamjaftueshëm.

Periudha e pandemisë e tregoi më së miri rolin dhe misionin e mjekësisë së urgjencës, gadishmërinë dhe devotshmërinë e gjithë personelit, për të shërbyer në çdo kohë dhe çdo situatë. Le të shërbejë kjo ditë për të falënderuar të gjithë ata që siguruan kujdes mjekësor të urgjencës gjatë kësaj periudhe, në të gjitha hallkat e sistemit, mjekë dhe infermierë, personel ndihmës, vullnetarë të shërbimit para spitalor dhe spitalor, të QKUM-së, të transporit tokësor dhe ajror, ata që punuan nga dy e tre turne pandërprerje për të zëvëndësuar kolegët e prekur, ata që rrezikuan shëndetin dhe jetën e tyre, që neglizhuan veten dhe të afërmit e tyre për të siguruar vazhdimësinë e kujdesit, edhe në situata ekstreme etj.

Nga ana tjetër, pandemia zbuloi dhe dobësitë e Sistemit të Shërbimit e Urgjencave Mjekësore, në të gjitha vendet, me specifikat e veta për secilin vend, të cilat duhen analizuar. Në këtë analizë mendimet dhe sugjerimet tuaja janë me vlerë të jashtëzakonshme. Është koha që njerëzit  të kuptojnë se ata dhe të dashurit e tyre janë të prekshëm, jo vetëm nga sëmundjet, por edhe nga mangësitë e Sistemit të Shërbimit të Urgjencave Mjekësore, prandaj të përpiqemi të gjithë së bashku në përmirësimin e vazhdueshëm të tij, për të qenë më rezistentë ndaj pandemive apo situatave të tjera emergjente, i përgatitur dhe pajisur me burime materiale dhe njerëzore, që të evitojë tejmbushjet.

 

Mbështetja juaj është me shumë rëndësi për ne.

Ky vit e tregoi më së miri rolin e rëndësishëm të profesionistëve të shëndetit në vijën e parë të frontit dhe se sa e vështirë është puna e tyre.

LETËR PËR QYTETARËT

Për publikun

Në këtë kohë të koronavirusit, mjekët, infermierët dhe teknikët e urgjencës kanë punuar gjatë gjithë kohës për të shpëtuar jetë dhe për t’ju mbajtur të sigurt. Mjekët e urgjencës janë ekspertë në përballimin e situatave të fatkeqësive, duke organizuar në kushtet e presionit të madh dhe të vazhdueshëm, njerëzit, pajisjet dhe materialet e disponueshme, për t’ju siguruar ju trajtimin që ju nevojitet. Në ato vende ku specialiteti i mjekësisë së urgjencës është krijuar dhe funksionon si i tillë, është parë një reagim më i mirë dhe më efektiv ndaj kësaj situate. Atje ku stafi i urgjencës është i përshtatshëm dhe shërbimi drejtohet nga mjekë të trajnuar të urgjencës, pritja e pacientëve është bërë më me rregull dhe rezultatet e trajtimit kanë qenë më të mira.

Në këtë ditë – 27 maj – ne po festojmë specialitetin tonë të mjekësisë urgjente, por gjithashtu u kërkojmë qeverive tona dhe juve, publikut, që të mbështesni kërkesën për më tepër specialistë të trajnuar, njohje të statusit të specialitetit të mjekut të Urgjencës në të gjitha vendet evropiane dhe pajisjen e të gjitha departamenteve të urgjencës, me infermierë, teknikë dhe pajisje të mjaftueshme për të patur mundësi që t’u ofrojmë një shërbim të sigurt në çdo pandemi të ardhshme.