Mustafa Koçerri: Aktiviteti i fundvitit me anëtar të Shoqatës “Vërmiku” në Tiranë, simbol i Luftës Çlirimtare dhe atdhetarisë

181
Sigal

Më datën 27.12.2022 dega e shoqatës Vërmiku për Tiranën zhvilloi një takim me rastin e Vitit të Ri 2023. Ky takim ishte kërkuar e propozuar nga disa pjestarë të kësaj dege për një kafe e takim të thjeshtë, por me inisiativën e Arjan Boçit, ky takim u bë një darkë, e cila zgjati për afro disa orë. Darka kaloi në një atmosferë të gëzuar, miqësore dhe vllazërore, ku të gjithë u kënaqën. Zoti Ramadan Ania, kryetar i kësaj dege të shoqatës në fjalën e tij të hapjes u uroi pjesëmarrësve në këtë darkë gëzuar Vitin e Ri 2023, shëndet në familjet e secilit dhe suksese në punë! Muhabeti rrjedh lirshëm shoqëruar me rakinë e këndshme të Skraparit, duke respektuar traditën dhe rregullat që kemi ne lebrit në raste të tilla. Në këtë darkë të gjithë pjesmarrësit si Arjan Boçi, Agim Çiraku, Astrit Sela, Satedin Mëzuri, Engjëllush Çiraku, Mustafa Koçerri, Merko Tushaj, Ramadan Ania, Gëzim Xjemalaj, Përparim Alimuçaj dhe Memush Habilaj, folën dhe promovuan disa nga vlerat më të mira të vërmikasve që në kohët më të hershme deri në ditët e sotme si:

Kontributin e vërmikasve që në kohën e Rilindasve, ku vlen të theksohet roli dhe kontributi i Hamit Lumit, ku emërin e tij e gjen në disa shkolla në Shqipëri dhe në Kosovë. Pjesëmarrja aktive e vërmikasve në Luftën NÇL ka qënë masive si e atyre që kanë banuar në Vërmik, Vlorë e në qytetet e tjera, deri në çlirimin e vëndit. Vërmiku ka dëshmorët e tij, ku njëri prej tyre Bajram Tushi është nderuar me dekoratën më të lartë atë të Heroit të Popullit, ndaj ne përulemi me respekt ndaj tyre dhe gjithë dëshmorëve te vëndit. Pozicioni i vendosjes  së fshatit Vërmik ka shërbyer si një rrugë lidhëse e disa nga fshatrave të rrethit të Vlorës me fshatrat e Kurveleshit të sipërm. Në këtë udhëtim të këtyre banorëve për në Kurvelesh,Vërmiku ka shërbyer si një qëndër pushimi dhe deri në qëndrim për darkë apo për drekë për shkak të rrugës së gjatë. Për këtë janë të shumta tregimet për familjet, që kanë pritur dhe përcjell këta banorë, duke shpalosur kështu një nga vyrtytet më të mira të tyre, atë të mikpritjes, si e gjithë Labëria. Kjo ka bërë midis të tjerave që marrëdhëniet e Vërmikut me banorët e tjerë të fshatrave të Kurveleshit të jenë të mira, të respektuar e të nderuar, të lidhin miqësi e deri edhe dhënie e marrje vajza për martesë. Një veçori tjetër e vërmikasve është se ata janë arsim dashës.

Menjëherë pas çlirimit më 1 shtator 1946 në Vërmik hapet shkolla fillore dhe më 1 shtator 1968 hapet shkolla tetë vjeçare. Nxënësit e Vërmikut do t’i gjeje në shkollat e mesme në Brataj dhe në qytetin e Vlorës, duke sakrifikuar si  ata vet ashtu edhe familjet e tyre duke përballuar me vështirësi ngarkesën ekonomike që krijohet. Duke mbajtur parasysh numërin e familjeve Vërmiku është në vëndet e para në krahinë për shkollimin e nxjerrjen e kuadrove në specialitete e fusha të ndryshme. Në këtë takim u përmënd kontributi i vërmikasve në rindërtimin e vëndit pas çlirimit të vëndit. Janë të shumtë djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë vërmikase, që kanë marrë pjesë në aksione për ndërtimin e hekurudhave, rrugëve, tharjen e kënetave etj… për transformimin dhe rindërtimin e vëndit. Por ata transformuan edhe jetën dhe mënyrën e jetesës së tyre, si me krijimin e kushteve më të mira higjeno sanitare, ndërtimin e shtëpive të reja, duke bërë kështu një jetë më të organizuar e sociale. Edhe pse i largët nga Vlora, Vërmiku ka qënë fshat me vatër kulture, muze, shtëpi lindje, me rrugica të sistemuara me drita dhe me çezma uji. Në këtë darkë u theksua se ky takim është një fillim i mbarë dhe kthim në traditën e mëparshme të aktiviteteve të degas së Tiranës. Gjithashtu u theksua se është në të mirë të vërmikasve për të ruajtur traditat dhe lidhjet me njëri tjetrin që të shikohet caktimi i datës për takimin e brezave që zhvillohet në Vërmik, ku kjo datë të jetë sa më e përshtatshme për shumicën e banorëve si për ata që banojnë këtu në Shqipëri ashtu edhe ata që banojnë jashtë vëndit.

Po kështu u theksua se duhet të bëhet më shumë për evidentimin dhe përshkrimin më mirë të vërmikasve me kontribute të veçanta në jetën e fshatit dhe atë të vendit. U ritheksua gjithashtu që takime të tilla të jenë sa më të shpeshta. Fjala përshëndetëse e Drejtorit të Gazetës “Telegraf”  Z.Engjëll Musai dhe e Kryeredaktorit të Gazetës “Labëria” Z.Albert Zholi, tregon për lidhjet e mira që ka kjo degë e shoqatës Vërmiku me këto dy gazeta si dhe vlerësimin që i bëjnë ata komunitetit vërmikas duke pasqyruar herë pas here shkrime të ndryshme, ndaj ne i falenderojmë për këtë bashkëpunim dhe mbështetje që na japin. Në përfundim të gjithë pjesmarrsit falenderuan Z.Arjan Boçi për sponsorizimin për këtë darkë si dhe Z.Agim Çiraku për  mundësinë e krijuar për zhvillimin e këtij aktiviteti.