Muharrem Xhaferri: Në zbulim me baba ballist dhe vëlla partizane

328
Sigal

Flet ish-Sekretari Organizativ dhe ish-Anëtari i Kryesisë të Partisë së Ballit Kombëtar, Muharrem Xhaferi

  • -Si më morën në polici me pretekstin se kisha pushkë në shtëpi
  • – Motrat i kisha partizane, vëllanë partizan, por babanë ma quanin ballist
  • -Si më çuan ushtar në Detashmentin e zbulimit instrumental
  • – Ky stacion zbulimi kishte marrë pjesë në Luftën e dytë Botërore.
  • -Mbas mbarimit të Luftës ishte dekoruar me urdhërin e lartë “Heroi i BRSS”.
  • -Aty çdo gjë tregohej si tepër sekret
  • -Ardhja me banim në Tiranë ishte një tmerr i vërtetë
  • -Oficeri i Sigurimit vinte çdo ditë në shtëpi për të më përzënë nënën në fshat
  • -Nuk harroj kurrë “Librin e shtëpisë » ku shënoheshin çdo gjë edhe ushqimet
  • – Kryefamiljari ishte i detyruar që brenda tre ditëve të raportonte për ardhjen e vizitorëve në rajonin e policisë
  • – Me atë libër kryhej regjistrimi i marrjes të bukës, ushqimeve, njëqind gramë kafe në muaj e të tjera
  • -E kisha ëndërr të hyja njëherë në « Bllokun e udhëheqësve »
  • -Më thonin që në Bllok gjen dhe qumësht dallëndyshe kur ne merrnim bukën me triskë

Gazeta Telegraf

Muharrem Xhaferri është nga Picari i Gjirokastrës. Picari ishte një fshat me nevoja të mëdha për jetesën. Të gjitha familjet ishin të bashkuara për kapërcimin e vështirësive: dhe jo vetëm. Së bashku  përballuan edhe vështirësitë e mëdha që shkaktoi lufta me italianët e më mbrapa me gjermanët. Babai i tij u vra në Grihot në LDB, ndërsa disa pjesëtarë të familjes u lidhën me LNÇ. Në këtë rrëfim ai tregon se si shkoi nga Picari me banim në Tiranë. Si mundi me shumë mund të marrë nënën. Por me dhimbje ai kujton “Libri e shtëpisë » oficerët e sigurimit që nuk ju ndanë, dhe ëndrra për të hyrë në Bllokun e udhëheqjes së PPSH-së.

Pas lufte si rodhi jeta e familjes suaj dhe konkretisht për ju? Sa ndikonte e ashtuquajtura biografi për të shkuar në shkollë dhe punësim?

Kur unë kisha mbaruar klasën e katërt më ndodhi çka do të tregoj më poshtë. Një ditë behari në fshat erdhën dy policë. Kur vinin policët, të gjithë të mëdhenj e të vegjël, frikësoheshin se ata asnjëherë nuk vinin kot. Preja e tyre kësaj radhe isha unë. Më morën nga ku luaja me shokët. Nën një frikë të jashtëzakonshme më çojnë në Kardhiq.

Kardhiqi në atë kohë ishte N/Prefekturë. Më futën në një katua të improvizuar për burg.  Mbi vete ishin policët që lëviznin natë e ditë. Sa do që ky burg kishte dy dritare të vogla errësira për atë që hynte për herë të parë ishte e plotë. Në këtë gjëndje u ndodha unë. Nuk dalloja asnjë gjë në atë errësirë dhe nga kjo gjëndje më nxorri një zë i njohur, që më thirri në emër.

Ishte zëri i Iliaz Thanës. U afrova bashkë me të ishte edhe Karafil Lame.

Prania e tyre, mua më lumturoi paçka se edhe ata ishin sikurse unë të burgosur.

Të nesërmen në mëngjez një polic na pruri nga një copë bukë misri dhe pak djath. Aty nga ora nëntë e mëngjezit erdhi e më mori një polic tjetër.

Më çoi në një ndërtesë aty afër. Me futi në një zyrë. Mbrapa një tavoline pashë një civil hierëndë. Ai qëndroi pak, pa folur, duke më parë mua me vëmëndje. Fillimisht më pyeti kush isha, nga isha, i kujt isha e të tjera. Pyetja që mua më bëri të heshtja ishte se më tha pse ke ardhur këtu. Ngrita supet dhe heshta. Ti thoshja se më prunë policët, kisha frikë se do ta zemëroja. Prandaj preferova të mos flisja. Ai mbasi priti pak që unë t’i përgjigjesha i inatosur më flet me zë të lartë: Fol more, apo s’ke gojë. I them: këtu më prunë dy policë.

Ai ndërroi qëndrim dhe me një zë më të butë, tha: Ti vjen nga një familje e mirë e lavdërime të tjera. Për konsideratën që kemi ne për ju do të të bëj një favor. Ne e dimë se ti ke një pushkë. Pa e zgjatur mori nje fije letre dhe nisi diçka të shruante. “Unë do të jap këtë letër që kur ti të mbushësh moshën tetëmbëdhjetë vjeç të vish dhe ta marrësh këtu atë pushkë se është e jotja”. Duke më treguar nga larg atë letër thotë: “Ja këtu do shkruajmë numurin e asaj pushke. Nisu që tashti dhe bjere!” Unë ngela si i hutuar përpara tij. Ai më foli me zë të fortë. More vesh, nisu që tashti!

Unë i them:

“Nuk kam ndonjë pushkë”. Ky kundërshtim më kushtoi, edhe tre ditë rresht kërcënime të shumta. Por të them të drejtën nuk ushtruan dhunë fizike. Ditën e katërt në mëngjes më morën në një zyrë tjetër. Aty ishin dy civilë, të cilët më vunë përpara një letër duke më thënë: “Firmose këtë letër dhe të ikësh drejt e në shtëpi. Dhe të porositim që nuk do t’i tregosh asnjë njeriu se përse të morëm këtu, asnjë fjalë, ç’dëgjove dhe ç’të kërkuam, në të kundërt do të të marrim prapë”. Nga frika se mos më mbanin aty, pa e lexuar atë letër, firmosa dhe me shpejtësi u largova. Fati nuk ishte i gjithi i mbrapshtë për mua. Zoti është i madh. Me njërën dorë të hedh dhe me tjetrën të pret. Arrestimi im bëri që të më ndryshojë për mirë krejt rrjedha e jetës time. Mbas disa ditësh u nisa për në Tiranë.

-Si dhe përse u nise në Tiranë ? Atë kohë lëvizja ishte shumë e kufizuar. Kush të priste aty dhe përse shkove ?

Motra ime Xhikua me gjithë të shoqin Asim Aliko. Mbas disa ditësh që unë u lirova nga burgu, dërguan dhe më morën në shtëpinë e tyre në Tiranë. Jetë tjetër. Ndryshonte si nata me ditën. Mbetën larg si shtëpitë e gjithçka të rrënuara nga luftërat, ngeljet pa bukë, këmbët e vrara gurëve të Picarit e hallet e pa mbarimta. Me jetën e re në kryeqytet u ambientova shumë shpejt. Ndihmoja motrën në bërjen e pazareve e në punët e ndryshme të shtëpisë. Motra dhe kunati pak e nga pak po më prezantonin edhe me shoqërinë e tyre. U njoha me shumë moshatarë, që më vonë e kuptova se disa prej tyre i takonin një shtrese tjetër shoqërore. Mbasi plotësova arsimin 7- vjeçar fillova shkollën e mesme. Në atë Tiranën e vogël të asaj kohe, fillova gjithashtu që edhe  unë ta quaja veten pjesëtar të saj. Më erdhi radha për të kryer shërbimin e detyrueshëm të ushtrisë. Por duke qenë në Tiranë me duhej të merrja shpërgulje nga dega ushtarake e Gjirokastrës. Dosja ime erdhi në Tiranë me shumë vlerësime të mira. Për këtë gjej rastin të falenderoj të ndjerin Ramadan Ferruni.

Ai nuk e kishte treguar në dokumente historinë e babait tuaj ?

Ai e kishte anashkaluar se isha pinjoll i një familjeje ballistësh, se mbaja fsheurazi armë etj. Kishte përmendur kontributin e familjes sonë në luftë, motrat partizane, vëllanë patrizan etj.  Edhe nga ajo se kush kujdesej për mua në Tiranë dega ushtarake më dërgoi në një armë shumë të rëndësishme dhe tepër sekrete për atë kohë. Më çuan në RKP në Elbasan, ishte rezerva e Ministrit të  Mbrojtjes. Pa mbaruar mirë karantinën usharake mua me katër shokë të tjerë na çuan në një repart brenda asaj gazerme. Aty u njoha me Hysen Burbën nga Plesati. Ai ishte i sapo dalë nga shkolla e bashkuar me gradën aspirant. Të dy kishim të njëjtën moshë. Mbas ca ditësh në repart erdhën disa oficerë të lartë rus. Në një grup ushtarësh dhe dy oficerë na mblodhën në një sallë të komandës. Kolonel Ferit Hado (komandant i rregjimentit) në mbledhijen e parë na tha se ne ishim zgjedhur për të mësuar me oficerë të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Misioni ynë ishte tepër sekret. Ai theksoi se asnjë fjalë nuk do të flisni me shokët tuaj se për çfarë mësoni. Ky ishte detashmenti i zbulimit instrumental.

Mbas mbarimit të këtij kursi u caktova përgjegjës i skuadrës topollogaritëse.

Mbas kryerjes të shërbimit të detyrueshëm ushtarak (prej tre vjetësh) mua më mbajtën po aty . Paisjet tona ishin shumë interesante me të cilat ndër vite kryem shumë detyra mjaft të rëndësishme dhe me shumë vlerë. Aparatet ishin të prodhimit rus dhe ishin tepër  të konsumuara. Me gjithë vlerën e madhe që ato mbartnin për ushtrinë (për një ushtri moderne) ato ishin të dalë nga koha. Ushtria ruse i kishte zëvëndësuar me aparate tepër moderne. Por vlen të thuhet se rruga e zbulimit ishte po e njejta. Historiku i këtij zbulimi është interesante. Ky stacion zbulimi kishte marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore. Mbas mbarimit të Luftës ishte dekoruar me urdhërin e lartë “Heroi i BRSS”. Aparatet e sjella te ne, kishin kaluar në një uzinë për riparim kapital.

 

Ushtria një shkollë e madhe për ju. Synimi gjithmonë Tirana si u vendose në Tiranë ?

Për të ardhur me banim në Tiranë mbas viteve 1950, ishte shumë e vështirë.

Çdo familje që banonte në Tiranë kishte një libër shtëpije. Ai gjasonte me një fletore të stërmadhe me shumë faqe. Në faqen e parë ishin të shkruara udhëzimet se si do të përdorej ky libër. Po ashtu edhe detyrimet që kishte kryefamiljari për plotësimin e tij.

Në faqen e dytë ishin të rregjistruar pjestarët e familjes, me gjeneralitetet e tyre. Fletët e tjera ishin te përgatitura si një lloj formulari, ku regjistroheshin mysafiret që mund të vinin nga rrethet e tjera për vizitë. Ata kishin tre ditë të drejtë të qëndronin në atë familje. Për më të afërmit e familjes lejohej të qëndronin jo më shumë se pesëmbëdhjetë ditë. Kryefamiljari ishte i detyruar që brënda tre diteve të raportonte për ardhjen e vizitorëve në rajonin e policisë, që e kapte atë lagje. Në të kundërt ai gjobitej nga policia për mos lajmërimin në kohën e duhur. Unë jetoja i vetëm në Tiranë. Familja jonë e madhe jetonte në Durrës pranë motrës tonë Nefos. Ishin vitet gjashtëdhjetë. Në këto vite vështirësitë ekonomike ishin të shumta, për më tepër familjet me shumë pjestarë. Në këtë situatë gjëndeshim edhe ne. Biseduam me vëllain e math Xhaferin dhe vendosëm që nënën time Qerimen ta merrja unë në Tiranë. Menduam se për nënën libri i shtëpisë do toleronte për më tepër që ajo ishte tepër e moshuar. E solla në Tiranë dhe e rregjistrova simbas rregullit. Lajmërova edhe në rajon të policisë. Kishte kaluar mbase ndonjë muaj që nëna e shkretë gëzohej se ishte bashkë me djalin. Në krye të një muaji te dera e shtëpisë u duk i plotfuqishmi i lagjes. Ai ishte një polic hijerëndë. Qysh në fjalët e para u kuptua se ai kishte ardhur për ta larguar me çdo mënyrë nënën time. Justifikimet e mija se nëna ishte shumë plakë, unë kisha detyrime për ta mbajtur mbasi ajo më kishte rritur e të tjera nuk e prekën fare atë njëri. Nëna e shkretë i lutej se ajo nuk delte nga dera e shtëpisë prap se prapë ai qëndronte në të tijën. Unë nisa disa kërkesa në organet qëndrore. Përgjigjet më erdhën gjithmonë negative. I kërkova nënës që mos t’ia hapte derën asnjë njeriu të panjohur. I plotfuqishmi filloi të ushtrojë presion karshi meje. Më gjobitën dy herë nga tremijë lekë për arsye se mbaja nënën time në shtëpi. Bëra ankesë pranë drejtorisë së policisë për të më falur gjobat, por ata më falën (siç m’u shprehën simbas kopetencave të tyre) gjysmën e tyre. Me gjithatë ata nuk hoqën dorë nga ajo që unë duhet ta largoja pa tjetër nënën. Mbas shumë përpjekjesh arrita që të marr nënën dhe vëllain pranë vetes time në Tiranë, kur të preferuarit e sistemit hynin e dilnin në kryeqytet kur të dëshironin.

Me atë librit kryhej regjistrimi i marrjes të bukës, ushqimeve, njëqind gramë kafe në muaj e të tjera. Kjo tregon njëkohësisht shkallën e varfërisë të asaj kohe.

Në Tiranë jetonte edhe një botë tjetër ajo e të ashtu quajtur “Blloku”. Aty jetonin njerëzit e nomenklaturës së lartë komuniste. Në këtë zonë nuk mund të hynte kushdo: ajo ishte e rrethuar nga të gjitha anët me roje. Brënda këtij blloku nuk kishte punë libri i shtëpisë. Për ata që jetonin aty kishte çdo gjë. (si thotë populli edhe qumësht dallandysheje) Ky tregim i shkurtër vlen për t’u treguar atyre që nuk e kanë përjetuar atë kohë.Vlen që brezat që vijnë të mos ta lejojnë kurrë që të rikthehet një diskriminim i tillë midisë njerëzve.

Ju pas ushtrisë keni punuar në MM si pjesë e forcave. Si ishte jeta në ushtri tashmë si nënoficer ?

Jeta në ushtri mbetet midis ngjarjeve të jashtëzakonshme për mua.

Kisha disa vjet që punoja në ushtri. Profesionin që unë ushtroja e kisha me shumë dëshirë, jo vetëm që ishte interesante si degë, por nga që ngjante shumë nga jeta e një ushtaraku të gazermës. Interesimi edhe nga lart ishte i vazhdueshëm dhe me konsiderata. Pranë detashmentit tonë filloi të vinte një oficer i panjohur. Jo vetëm kaq, por nuk merrte pjesë në asnjë grup të zbulimit. Ishte oficer i sigurimit të Shtetit. Më bëri përshtypje se vetë detashmenti ynë në një farë mënyre quhej “Detashment Zbulimi”

Ai filloi të miqësohej me të gjithë. Si rastësisht qëndronte për të dëgjuar ndonjë leksion që jepej për ushtarët në klasa. Kjo më bëri përshtypje. Për shumë vite në klasën që jejia mësim nuk kishte asistuar ndonjë person i tillë.

Një ditë pyes toger Lelo Lazaj, i sapo ardhur nga Rusia, për këtë njeri. Me Lelon fillova të miqësohesha. Si beqar që ishim delnim së bashku në qytet, shkonim së bashku në kinema, teatër etj. Lelua kishte jetuar disa vite ne Moskë, nga kjo atij i pëlqente shumë opera. Një ditë kishte prerë bileta për të parë Operën “Madam Batërrflaj.”më ftoi të shkonim së bashku. Dhe kështu u bë. Të them të drejtën për mua ishte hera e parë që shkoja për të parë një opera. Mbas disa rastesh të tilla, fillova ta frekuentoja me dëshirë Teatrin e Operas dhe Baletit.

Për veç punës që më lidhte me Lelon, filluam edhe një shoqëri më të gushtë se kaq. U njohëm më mirë me njëri tjetrin jo vetëm si individ, por edhe nga ç’familje ishim. Lelua rridhte nga një familje që i ishin vrarë në luftë nga gjermanët babai dhe nëna.

 

Nesë do lexoni :

– Si Gjeneral Ramohito gënjeu toger Lelo Lazaj për abshkim fmailjar me një ruse

-Si më propozoi togeri të arratiseshim

-Diskutimi i rëndësishëm i Enver Hoxhës në uzinën e tij

– Lufta e klasave thuhet nuk zhvillohet vetëm ndajë klasave të përmbysura por edhe brënda Partisë