MSc. Albert Habazaj: Për veteranin Manxhar Binaj

593
Sigal

GËZUAR 90 -VJETORIN E LINDJES, KOMISAR MANXHAR BINAJ!

 Nga veteranë si Manxhar Binaj nderohen qytete dhe krahina të tëra

MSc. Albert HABAZAJ, pasardhës veterani

 Nënkryetari i i Organizatës së Komitetit të Veteranëve të rrethit të Vlorës, Manxhar Binaj mbushi 90-vjeç! Bashkë me urimin e përzemërt për një jetë sa më të gjatë, të qetë, në këmbë e dinjitoze, i urojmë që, nga pena e tij, ngjyer në mjaltin e shpirtit, të na dhurojë ende visare shkrimore në nderim të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, 28 mijë yjeve të pashuar të lirisë, dëshmorëve dhe heronjve të saj, udhëheqësve të shquar të formacioneve partizane që i falën Shqipërisë Çlirimin nga thundra e pushtuesit të huaj nazifashist. Në Vlorë e njohin dhe e nderojnë shumë Komisarin. (Kështu i flasim veteranit Manxhar Binaj, në shenjë respekti). Ka pak vite që ai del me një bastun në dorë. Është një burrë serioz, shtatlartë e trupdrejtë, në dukje i ashpër e i rreptë, por është aq i thjeshtë, aq i mirë, shumë i besueshëm në fjalët e kursyera që thotë dhe i dashur sa ai, siç duhet të jetë figura ideale e Komisarit që jemi mësuar të respektojmë, ne, më të rinjtë e kohës.

Në këto radhë do të ndaloj pak për xha Manxharin, sepse na gëzoi me vitalitetin që shfaqi në përvjetorin e  90 – të lindjes, qytetarisht me festën e nderimit. Kam kaq e kaq kohë, biles qysh nga periudha e sistemit socialist, që nuk kam dëgjuar qoftë edhe një fjalë të vetme me kuptim të keq ndaj Komisarit. Vetëm fjalë të mira, vlerësim e mirënjohje. Jo vetëm në Sevasterin e tij, në krahinën e Kudhës -Grehotit, në Lumin e Vlorës, apo në Vlorë, por edhe në Gjirokastër e Tepelenë, në Myzeqe, Himarë e Tiranë. Ai është dalluar për cilësi të larta morale e qytetare, aftësi të larta profesionale, për ndërtim korrekt të marrëdhënieve me njerëzit, i pastër e i mirëmbajtur, i ndershëm, parimor e i drejtë; kur duhej për përmirësimin e gjendjes edhe tolerant, pa bërë dëme në komunitet. Fajet nuk t’i falte, por s’të hidhte poshtë, gabimet t’i bënte mësim për ty dhe për të tjerët. Nuk dinte e nuk di të mburret, të duket, edhe pse meritat e tij janë të veçanta.  Bukëdhënë e fjalë dritë. Ai ka folur e ka shkruar për të tjerët. Asnjëherë për vete. Ai ka botuar disa libra për Luftën e për trimat e saj. Asnjëherë nuk është kujtuar për vete e s’ka ndër mend, edhe pse sapo troket në Shtegun e Shekullit. Veterani Manxhar Binaj, e meriton edhe një libër monografik dhe është pak, me ato vlera gjithë që mbart jo vetëm për vete dhe për Binajt, model në Labëri, Vlorë e deri në Amerikë. Kontributet e tij të shquara në shërbim të Atdheut kanë katër piketa të dukshme: 1. Si veprimtar aktiv i Rinisë Antifashiste, deri në çlirimin e plotë të vendit nga pushtuesit e huaj dhe pas çlirimit të vendit, si drejtues i rëndësishëm i forumeve të organizatës së rinisë në rrethin e Vlorës për forcimin dhe mbarëvajtjen  e kësaj organizate;  2. Si kuadër i lartë politiko-ushtarak  i Ushtrisë Popullore për forcimin e aftësisë mbrojtëse të vendit; 3. Si funksionar i lartë politik në rrethet Vlorë, Tepelenë e Gjirokastër ka dhënë një kontribut të vyer në zgjidhjen e problemeve dhe halleve të popullit në këto rrethe; 4. Si veteran i LANÇ-it, i zgjedhur edhe në forumet drejtuese të organizatës së veteranëve me detyrën e nënkryetarit të Komitetit të Veteranëve, ka dhënë e jep një ndihmesë të dukshme në funksionimin, zgjerimin dhe mbarëvajtjen e Organizatës së  Veteranëve të Vlorës. Një vlerë të rëndësishme në mbrojtjen dhe propagandimin e vlerave të Luftës Antifashiste Nacional – Çlirimtare kanë edhe librat dhe shkrimet e tij në gazeta. Është një kontribues e këshillues konkret me vlera të larta, interesohet edhe sot, që është në fazën sipërore të moshës së bardhë, për punët, për njerëzit e qytetit, për mbarëvajtjen,  për mirëjetesën,  për drejtimin e duhur sipas specifikave që ka Vlora. Nuk i ka qejf  lulkat  xha Manxhari, do punë e vepra atij. Nëse do të kërkonim një shembëlltyrë të dinjitetit, pa droje shprehem se Manxhar Binaj është dinjitet i gjallë. Stimulin moral që i dha qyteti, ai e vlerëson si titull nderi dhe nxitje për të mos u lodhur në misionin krenar të veteranit. Nga përshëndetja e tij, më bënë përshtypje fjalët: “Për Vlorën kam patur e kam një dashuri e respekt të veçantë dhe jam krenar, që fshati im i lindjes Sevasteri, qysh me krijimin e tij ka qenë i lidhur dhe i pandarë me qytetin e bukur bregdetar, me histori të njohur e shumë të lashtë. Këtë qytet e kanë lakmuar dhe e lakmojnë jo vetëm shtet kufitare, por edhe më të largëta, e këtë e ka treguar historia. Se e njoh mirë Vlorën e dua shumë e të gjithë duhet ta duam shumë Vlorën, se na jep prestigj”.

Qysh në rininë e tij, Manxhar Binaj ka punuar për t’i rritur autoritetin dhe njohjen kësaj qendre të vendosur në breg të detit Adriatik. Koha që i ka shërbyer Vlorës ka nisur sidomos pas çlirimit të Atdheut nga bishat e egra nazi-fashiste dhe bashkëpunëtorët e tyre ballisto-zogiste më 29 Nëntor 1944. Edhe gjatë LANÇ-it e veçanërisht pas çlirimit ka punuar me rininë antifashiste dhe atë komuniste. Nga viti 1945 e deri në fund të vitit 1949, ka punuar si instruktor pranë Komitetit Qarkor të Rinisë për Vlorën. Pas kësaj periudhe kaloi në Ushtrinë Popullore. Ai e quan fat, që edhe kur mbaroi shkollën ushtarake dhe doli oficer, e caktuan me detyrë komisar kompanie në repartin ushtarak të Vlorës, “aty ku ma donte zemra”, siç shprehet me mall ky burrë i lartë në dukje i sertë, por, po ta njohësh nga afër, është shumë i ndjeshëm, si një poet lirik. Në Vlorë shërbeu 5- vjet. Aty mbaroi dhe gjimnazin “Ali Demi”, që i dha krahë edhe për jetën civile. Në ushtri shërbeu deri në fund të vitit 1970. Në janar 1971 u transferua  përsëri në Vlorë, veçse kësaj radhe jo si ushtarak, por në sektorin civil, si sekretar i dytë i K.P për Vlorën, ku mbulonte sektorin e Propagandës, Arsimin e Shëndetësinë. Në këtë detyrë punoi 5- vjet e u njoh nga afër me punën në terren, dha rezultate dhe krijoi një emër të mirë. Sigurisht që vitin e parë ka patur edhe  vështirësi, sepse kishte bërë 23 vite pune në ushtri, gati çerek shekulli. Gjatë pesëvjeçarit në Vlorë, u njoh me njerëzit, duke filluar  nga  klasa punëtore, me fshatarësinë  kooperativiste, me arsimtarët etj. dhe nuk ka fshat të Vlorës pa shkelur me këmbë. Nga fillimi 1975 punoi në detyra të rëndësishme në Tiranë, Tepelenë e Gjirokastër deri sa doli në pension në vitin 1991. Është interesante, se kur doli në pension, kishte mundësi të qëndronte në Tiranë, por, me dëshirën e tij dhe pëlqimin e fëmijëve zgjodhi Vlorën për të kaluar pleqërinë. Ka 26 -vjet në Qytetin e Flamurit, në Vlorën e tij që e do aq shumë, jeton i qetë dhe është shumë i kënaqur. Me ardhjen në Vlorë, duke qenë se është veteran i Luftës, u rreshtua në Organizatën e Veteranëve të qytetit të Vlorës dhe ka punuar me të gjitha forcat mendore e fizike për forcimin e organizatave të veteranëve në qytet e në fshat. Ai kur flet, të shikon në sy dhe pa syza, e Trupdrejti hijeshon përqark majës së nëntëdhjetë viteve… Ka botuar 5 libra, si “Epopeja e Vlorës” me 650 faqe, që ia ka kushtuar LANÇ-it në qarkun e Vlorës, “Sevasteri në vite”,Dashuri dhe dhimbje” etj.

Autoritetin e Komisarit e mban vitaliteti i tij, pjesëmarrja në veprimtaritë e Vlorës me mendim e veprim, si person kontakti përbashkues jo përveçues. Manxhar Binaj është një figurë e spikatur stabiliteti ndër veteranët e nderuar të qytetit tonë. Meraku i tij janë pasardhësit e veteranëve, që do të marrin e përcjellin stafetën e nderimit të Luftës lavdimadhe të Çlirimit. Për të, sikurse për të gjithë veteranët e Vlorës, vlerat e Luftës sonë antifashiste janë të përjetëshme. Është një shprehje e mençur: “Fjalët i merr era, e shkruara qëndron”. Edhe xha Manxari, që njeh në sy Luftën, Lirinë, Ndërtimin e Mbrojtjen, Zhgënjimin e Shpresën, jeton e vepron me dinjitet, serioz, i qetë, i rreptë, i dashur, i përgjegjshëm, fjalëpagremisur, model i traditës, që duhet të ndjekin brezat për të ecur përpara. Xha Manxhari meriton shumë, por nuk kërkon, u hap rrugë të tjerëve. Ai shkruan dhe me këtë veprim bën një akt fisnik historiografik, kur e dimë që kujtesa jonë shkrimore është fatkeqësisht e shkurtër kronologjikisht. Pena e tij është e njohur në gazetën “Kushtrim Brezash”, por ai ka shkruar edhe në gazetën “Ndryshe”, shkruan te gazeta “Telegraf”, “Dita”, “Panorama”, “Koha Jonë”, “Labëria”, etj.

Burra të lartë si Manxhar Binaj, janë dinjitozë dhe në dhembje. Mendoja se e njihja mirë Komisarin e Jugut. Mendoja vërtet se e njihja mirë dhe e vlerësoja me të drejtë për vlerat e larta, cilësitë morale dhe virtytet e përsosura, si njeri i ndershëm e i denjë, si kuadër me emër e gjurmë dhe si veteran i nderuar e me merita. Pranverën e vitit 2019, Komisarit iu bë e paharrimtë bashkëshortja e tij dhe ai, si homazh. botoi librin monografik “Dashuri dhe dhimbje”. Pasi punova me këtë monografi, ndryshe nga të tjerat, njoha dhe kuptova një dimension tjetër të pa njohur të Komisarit. Qenkërka një përmasë sa humane, aq mistike e këtij fisniku, ku harmonizohet dinjitet vertikal i njeriut të zot, drejtuesit të aftë e veteranit të bardhë me dashurinë horizontale, të gjerë e të pamatë gjer në dhembje të burrit të lartë për gruan e tij që humbi, për bashkëshorten e dashur me të cilën kaloi 70 -vjet bashkë, që ai e kishte, e mbante dhe e donte si perëndi dhe po kështu e vlerëson dhe e nderon tani, që ajo i mungon fizikisht.

Dua  të veçoj sensin autokritik që ka ky burrë dhe kuadër kurajoz, që kudo ku ka shkelur e jetuar e punuar ka lënë gjurmë e ka shkuar emër që rrezaton respekt, dashamirësi, urtësi, vullnetarizëm e solidaritet, që nga Vlora, Erseka, Gjirokastra, Përmeti, Shkodra, Tirana e Tepelena, atje ku shkroi historinë e tij dhe të familjes së tij me nder e dinjitet.

 

Kryetar i Shoqatës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë

Anëtar i Komitetit të organizatës së Veteranëve të LANÇ-it, Vlorë