Mevlan Shanaj dhe Yllka Mujo, flasin pas 52 vitesh :  Filmi “I teti në bronx” ishte roli i parë dhe fillimi i karrierës në kinematografi

734
Sigal

Si e zëvendësoi Yllka Mujo, Pranverën, vajzën e Enverit tre ditë para xhirimeve. Dhimbja e Ibrahimit Kovaccit dhe Almës për humbjen e Sali Portopapës dhe mbresat me Sandër Prosin e Kadri Roshin si dhe vlerat e Viktor Gjikës dhe Ilia Terpinit. Të pathënat gjatë xhirimit dhe pse Pirro Mani mbetet vula e Teatrit.

 

 

Filmi ” I teti në bronx” flasin Mevlan Shanaj dhe Yllka Mujo:

Ja si u realizua filmi “I teti në bronx”

-Një rol të veçantë ka pasur Pirro Mani i cili na mbështeti shumë

Gazeta Telegraf

Sot, fondi i filmit shqiptar spikat me protagonistët e pashlyeshëm dhe figurat qendrore vitale të Viktor Gjikës të realizuar në filmat e tij prej Sandër Prosit, (Nëntori i dytë) 1982, Tinka Kurtit, (Yjet e netëve të gjata, 1972) Rikard Ljarjes (Komisari i dritës, 1966), (Rrugë të bardha, 1974), Roza Anagnostit, (Komisari i dritës, 1966) Mevlan Shanajt, (I teti në bronx, 1970), Timo Fllokos (Njeriu me top, 1977), Bujar Lakos, (Përballimi, 1976, Gjeneral gramafoni), Dhimitër Orgockës (Horizonte të hapura, 1978), Llazi Serbos (Yjet e netëve të gjata, 1973), etj. Por njw vend tw veçantw zw dhe filmi “I teti në bronx”. Ky film wshtw prodhim i vitit 1970. Regjisor: Viktor Gjika. Skenari: Dritëro Agolli dhe Viktor Gjika. Producent: “Shqipëria e re”. Muzika: Kujtim Laro. Në përvjetorin e vdekjes së komisarit Ibrahim Kovaçi gjashtë nga shokët e tij të luftës, mësues Thomai, Arifi, Alma, Andoni, Rustemi dhe Xhemali, shoqërojnë bustin e komisarit për në fshatin e tij të lindjes, ku do t’i dedikohet një ceremoni përkujtimore. Gjatë rrugës secili nga ata sjell në mendje ngjarje të lidhura me jetën dhe luftën e Ibrahimit…

Flet aktori dhe regjisori Mevlan Shanaj

– Filmi ” I teti në bronx” ka filluar në vitin 1969 kur  unë isha student i vitit të katërt

-Regjisori Viktor Gjika më takoi pas fotografisë që i dha operatori Ilia Terpini

– Në Kinostudio për të njëjtin rol, të Ibrahim Kovaçit, u provuan dhe 11 aktorë të tjerë

– Në atë film erdhi dhe Yllka Mujo, një shkëkqim tjetër i ekranit

-Ky rol  ishte një çast i veçantë në jetën time, pasi prej atij roli, unë u bëra mik i ekranit

– Që në fillimet e mia u njoha  me emrat e shquar Sandër Prosi, Kadri Roshi, Piro Mani, Pandi Raidhi, Vangjush Furxhi, Bexhet Nelku, Dhimitër Trajçe, Jani Riza, Krisanthi Kotmilo

– Interpretimi virtuoz në tre nënshtresa i Pirro Manit e bën figurën më të arritur

-Roli i Pirro Manit është rol antologjik, në krijimin e një karakteri artistik

-Filmi ” I teti në bronx” një ndër më të shikuarit dhe sot. Një film që të ngjall emocion. Si jua besuan këtë rol? Si erdhi tek ju regjisori Viktor Gjika?

Filmi ” I teti në bronx” ka filluar në vitin 1969. Në atë kohë unë isha student i vitit të katërt në degën e dramës në Institutin e Lartë të Arteve. Po përgatisja diplomën me një rol kryesor të dramës së Bertold Breht ” Pushkët e nënës Karra”.  Ish mësuesi im operator filmi, Ilia Tërpini, më bëri një fotografi aty para Institutit. Pas asaj fotografie ka ardhur regjisori Viktor Gjika, pa shfaqjen dhe me sa duket i pëlqeu dhe më kanë ftuar për kinoprova. Kur vajta në Kinostudio për të njëjtin rol, të Ibrahim Kovaçit, ishin edhe 11 aktorë të tjerë. Kaluam provën një nga një. Në fund më thonë, ke për të ardhur përsëri . Vazhdova disa vajtje me prova të ndryshme me partnerë të ndryshëm. Pothuaj regjisori po kalonte pjesë të ndryshme nga skenari. Unë i ri student, bëra prova pa ndonjë “merak”, i shpenguar, duke menduar se për komisar do të merrte ndonjë burrë të pjekur. Një ditë pas shumë provash, grimiori Llukan Bushi, më thotë: “Ty ta paska dhënë rolin Viktori, se ndryshe nuk ka përsë të thërret përditë.” Unë ende nuk dija asgjë. Dy ditë më pas, më thanë: “Shko të marrësh masat e rrobave”. Ky ishte zyrtarizimi i caktimit të rolit të Ibrahim Kovaçit. Theksoj se ishte një çast i veçantë në jetën time, pasi prej atij roli, unë u bëra mik i ekranit. Ishte nje rast i çmuar për një artist të ri të jetë së bashku që në fillimet me emrat e shquar: Sandër Prosi, Kadri Roshi,Pirro Mani, Pandi Raidhi, Vangjush Furxhi, Bexhet Nelku, Dhimitër Trajçe, Jani Riza, Krisanthi Kotmilo, në atë film erdhi dhe Yllka Mujo, një shkëlqim tjetër i ekranit.

-Si do ta komentonit rolin e Sali Protopapës të realizuar nga “Mjeshtri i Madh” Pirro Mani?

Është rol antologjik, në krijimin e një karakteri artistik. Ka një tipizim përgjithësues magjepsës. Nuk është vetëm dramaturgjia e Agollit që e ka mbajtur me hatër artistikisht, por interpretimi virtuoz në tre nënshtresa të Pirro Manit, e kanë bërë figurën më të arritur të personazheve të asaj kohe.

Flet aktorja e njohur Yllka Mujo

Yllka Mujo: Ilia Terpini ishte ai që më ofroi të prezantohesha në Kinostudio

-Kur filloi xhirimi “I teti në bronx” isha në semestrin e dytë të Liceut

– Ishte filmi i parë, një rrugë e pashkelur ku ëndrra të reja po më shfaqeshin në horizont

– Aty kam njohur, por dhe kam luajtur me aktorët e mëdhenj, Sandër Prosin dhe Mevlan Shanajn

– Shfaqjen e filmit e kam parë tek kinema “Agimi” dhe kam shkuar me prindërit.

Kur dhe si filloi karrierën e aktrimit Yllka?

Rastësisht. Fare rastësisht. Atëherë kur s’e prisja.

 Konkretisht?

Isha në një festival fëmijësh në TOB. Kur dola nga opera, që isha spektatore, i fola nuses së Ilia Tërpinit. Kur më pa Ilia, më tha: “A ke dëshirë të lozësh në film?”. “Po”, – i them. Ai më tha se do të vinte të nesërmen në Lice që të më kërkonte. Të nesërmen kur unë isha në kor në orët e fundit, vjen Ilia dhe nxjerr Teuta Martin, Zana Turkun dhe më thotë: “Hajde dhe ti Yllka”. Na merr me vete dhe na çon në Kinostudio. Aty takuam Ibrahim Muçën, i cili na jep një tekst për të lexuar. E lexuam tekstin unë dhe Teuta. Për Teutën thanë: “Bëjini një fotografi dhe këtë tjetrën çojeni në grim”. Fjalën grim nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. Më dukej si një fjalë e huaj, si fjalë e pakuptueshme për moshën. Shkova dhe u ula në karrige. Ma bënë grimin, më futën në një studio dhe bëmë disa foto dhe dolëm jashtë. Më kërkuan adresën e shtëpisë dhe më thanë: “Do të lajmërojmë në qoftë se do na duhesh”.

-Ikët me pesimizëm?

Kur po dilja, aty ishte një person me emrin Agim dhe më thotë: “A ke dëshirë që t’i shikosh fotot që janë bërë pas grimit?”. “Po”, – i them. Më futi në dhomë dhe më tregoi 150 fotografi femrash, që ishin provuar dhe më tha mua se, tani më e përzgjedhura, është një nga Lushnja, që studionte për mjekësi. Bëhej fjalë për filmin “I teti në bronx”. Ajo ishte shumë e bukur dhe unë i humba shpresat. Kaluan ditë. Një ditë kur po kthehesha për në shtëpi, tek ura e vogël e Kinema “Agimit”, takoj një punëtor të Kinostudios, i cili kishte qenë atë ditë kur unë po grimohesha. Ai më tregoi se unë e kisha fituar rolin. U gëzova dhe bërtita në mes të rrugës.

– Kur filloi xhirimi?

Filloi xhirimi në semestrin e dytë të Liceut. Ato muaj ikën shumë shpejt. Ishte filmi i parë. Ishte një rrugë e pashkelur. Ëndrra të reja po më shfaqeshin në horizont. Sa s’fluturoja nga gëzimi.

-Ku xhiruat?

Kemi xhiruar në Korçë dhe një vend i bukur, me ajër të pastër. Atëherë vetëm në Korçë shiteshin rrobat që vinin nga doganat dhe shumë herë i shiste shteti. Atëherë mbaj mend se kam blerë dy këmisha nate, një për vete dhe një për motrën time, ngjyrë rozë.

-Ke pasur ndonjë moment kur ke ngecur në realizimin e filmit?

Një herë më ka bërtitur një regjisor dhe u preka shumë. Aty kam njohur, por dhe kam luajtur me aktorët e mëdhenj Sandër Prosin dhe Mevlan Shanajn. Ishin ditë të veçanta. Me Mevlanin u bëmë partnerë edhe tek filmi “Rrugicat që kërkonin diell”, etj.

-Kur e patë veten në film, çfarë keni ndjerë?

Shfaqjen e filmit e kam parë tek kinema “Agimi” dhe kam shkuar me prindërit. Ka qenë një emocion i madh, pasi dihej se njerëzit më njihnin si këngëtare. Kur më panë në film, ka pasur një elektricitet në sallë. Por, kënaqësia më e madhe ishte e prindërve. Kur mbaroi filmi, duke pasur parasysh se në sallë kishte shumë nga lagjja, filluan të më duartrokisnin dhe të më uronin. Ishte ditë e veçantë në jetën time. Një ditë tejet e bukur dhe me emocione.

-Këto ditë është ndarë nga jeta artisti i madh Pirro Mani. Si do ta vlerësonit aktivitetin e tij artsitik duke apsur parasysh se keni luajtur dhe tek “I teti në bronx”?

Për Pirro Manin…

Kur vajze e re u emërova në teatër, gjeta një grup aktorësh të shquar. I kisha parë në skenë dhe më mrekullonte loja e tyre. Më shoqëronin ëndrra pa fund që lidheshin me atë tempull, ku pata fatin e madh të luaja shumë e shumë role që më bënë të eksploroja qenien time si artiste dhe si njeri.

Njohja me Pirro Manin ishte dritarja, nga ku hynte drita.

Energjia dhe pasioni i tij të bënin ta adhuroje këtë figurë, sepse ajo që buronte prej tij ishte dashuri, dashuri për teatrin, për aktrimin, për skenën, për njeriun, për ëndrrën. Pirro Mani ishte burim i pashtershëm, ishte festa e shpirtrave tanë, ishte pranvera ku shpërthenin të gjitha ngjyrat dhe aromat, ishte kopështi ku dorëzohesha në misterin dhe magjinë e këtij profesioni sa human aq edhe të bukur.

Unë u rrita me të, u formova me të dhe sot ia dedikoj një pjesë të rëndësishme të arritjeve të mija, këtij artisti gjigand.

Kam qenë aktore e tij në shume vepra si tek” Cuca e maleve”, “Përmbytja e madhe”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Epoka para gjyqit”, “Prometeu”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kush e solli Doruntinën” etj…. etj….

Atë entuziazëm që ai i dhuronte aktorit, nuk e kam hasur tek asnjë regjisor tjetër.

Pirro Mani, në skenë, ishte përherë i ri, energjia e tij të rrëmbente dhe të jepte krahë. Mençuria e tij, aftësia që kish për të hulumtuar botën shpirtërore të ç’do aktori, sinqeriteti gati fëmijnor dhe kryesisht kreativiteti i tij artistik ishin xhevahire të rrallë për mua, dhe më kanë bërë kjo aktore që jam.

Shkoi kollosi, shkoi emblema, artisti, frymëzuesi, i mençuri, shpirti djaloshar, ëndërrimtari, bujari, bohemiani, i palodhuri, gazploti!

Shkoi ,duke na lenë si dhuratë të fundit-Dashurinë- dimensionin më të artë njerëzor. Në fron i lavdishëm mbeti, pa zhurmë, pa bujë, dashnor i pa lodhur i të bukurës, i të mirës, i sublimes, idealisti që na ushqeu me art, me dashurinë e pafund për teatrin, tempulli që lufton injorancën, të shëmtuarën, vulgaren.

Dhimbje e thellë! Fjalët e zbehin përjetimin…

Sot, Teatri mbeti i zbrazët, ndonëse simboli i Pirro Manit do të jetë vula që do të përjetësojë emrin e tij në të gjitha kohërat. Shkoi Pirro Mani dhe mori me vete të gjithë dashurinë, mirënjohjen, përulësinë tonë. Sonte zemra ime është një qiri që përcjell lutjet e mija për shpirtin e tij mbushur dritë!

Aktorët në role

  • Mevlan Shanaj…….. Ibrahimi
  • Vangjush Furxhi…….. Arifi
  • Yllka Mujo…….. Alma
  • Bexhet Nelku…….. Mësues Thomai
  • Sandër Prosi…….. Doktor Kristo Borova
  • Pirro Mani…….. Sali Protopapa
  • Bujar Kapexhiu…….. Spiro, i fejuari i Almës
  • Dhimitër Trajçe…….. Mazllëmi
  • Qerim Mata…….. Lefter Lefteri
  • Vangjel Grabocka…….. Bamkë Qerollari
  • Petrika Riza…….. Rustemi
  • Robert Ndrenika…….. Xhemali
  • Albert Vërria…….. Xhaxha Aliu
  • Jani Riza…….. Guri
  • Koço Qendro…….. Ballisti
  • Mihal Stefa…….. Babai i Ibrahimit
  • Ndoc Çefa…….. Andoni, Skulptori
  • Kadri Roshi……..
  • Meropi Xhoja……..
  • Pandi Raidhi……..
  • Roland Piperi……..Oficeri Gjerman
  • Perika Gjezi……..
  • Thimi Filipi……..
  • Melpomeni Çobani……..

Ilia Terpini: Si e zgjodhëm yllka mujon në vend të pranvera hoxhës tek “I TETI NË BRONZ”

Në fakt, me Yllkën ishte krejt rastësi. Kishte nisur kërkimi për një rol të vogël, atë të Almës, vajzës së doktorit te filmi “I teti në bronz”. Shëtita nëpër disa gjimnaze të Tiranës dhe fotografova rreth 60 vajza të reja për të përzgjedhur. Atë vit, në mos gaboj, 1969, organizohej edhe spartakiada e parë shqiptare në stadium.

Yllka Mujo

Aty kishe mundësi t’i vlerësoje vajzat më mirë sepse ishin edhe të zhveshura. Ende pa gjetur Yllkën, një ndër vajzat që fotografova në spartakiadë ishte Pranvera Hoxha. Unë natyrisht që nuk e njihja dhe e pyes për emrin. Pasi ma thotë, e pyes sërish se e kujt ishte. Kur më thotë edhe për të atin, unë stepem, megjithatë i shpjegoj arsyet pse po bëheshin këto foto dhe i them se do ta njoftoja më vonë nëse do të përzgjidhej. Në fillim nuk e mendova kaq prerazi se nuk mund ta merrnim. Lava fotografitë dhe ia tregova regjisorit, Viktor Gjikës. Njësoj si unë, edhe atij i ngelën sytë te Pranvera, por kur i thashë se si ishte puna, ishte ai që e preu pa e diskutuar fare. Deri atë kohë, as ai nuk dinte gjë, por hamendësoi se nëse e merrnim Pranverën për rolin, gjatë xhirimeve, që na duhej të rrinim për një kohë të gjatë në Korçë, ajo, edhe prej moshës së re, 17 vjeçe, mund të dashurohej me ndonjë atje. Nëse kjo ndodhte, burgu ishte masa më e lehtë që ne të gjithë parafytyruam. Kështu që, tha, as mos e zër në gojë këtë punë. E takoj sërish pak ditë më vonë dhe gjithë entuziazëm, e kishte me shumë qejf atëherë këtë përvojë.

Pranvera Hoxha

Më thotë se kishte folur me babin dhe se ai i kishte dhënë leje. Priste vetëm përgjigjen tonë. Viktori as që e diskutonte. Leja ishte për t’i bërë qejfin së bijës, sepse ai e dinte që s’do të guxonte njeri ta përfshinte në këtë film. Pas saj gjetëm Yllkën. 3 ditë përpara se të nisnim xhirimet, shkova në një aktivitet në Teatrin e Operës dhe aty pashë Yllkën. Duhet të ketë qenë 15 vjeçe. I them sime shoqeje “kjo është Alma”, duke përmendur emrin e personazhit. Afrohem, i shpjegoj rastin dhe e ftoj të vijë të nesërmen në Kinostudio. Viktori në fillim tha se tashmë ishte gjithçka gati e nuk mund të ktheheshim pas, por pasi e pa Yllkën, nuk bëri asnjë fjalë. Na u desh të ndryshonim edhe kostumin, ta qepnim sërish, sepse ishte vajzë e imët, ndryshe nga ajo që kishim përzgjedhur më parë. Kështu, me atë rol, Yllka Mujo nisi të bënte aktoren.