Sot 22 vjetori i çlirimit të Kosovës nga Serbia. U dëbuan 848 mijë vetë, u vranë 15 000, nga të cilët 1500 nga UÇK

237
Sigal

Në këtë luftë u dëbuan 848,000 shqiptarë nga Kosova, u vranë 15,000 persona, nga të cilët 1,500 luftëtarë të UÇK-së

Në 12 qershor të vitit 1999, Kosova e lirë nga Serbia

-Me rastin e 22-vjetorit të çlirimit-

12 qershor të vitit 1999, dita kur NATO ka hyrë në Kosovë, konsiderohet një prej momenteve më të rëndësishme të këtij vendi. Ndërhyrja e NATO-s paraqet kurorëzimin e aspiratave shekullore të Kosovës për liri dhe pavarësi. Lufta e Kosovës ishte një konflikt i armatosur në Republikën e Kosovës (në atë kohë Republika Federale e Jugosllavisë) ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe Ushtrisë së Jugosllavisë (JNA-së), e cila filloi më 28 shkurt të vitit 1998, pas sulmit jugosllav në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë të Kosovës, dhe përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, më 11 qershor 1999. Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori mbështetje ajrore nga NATO (nga 24 marsi i vitit 1999) dhe mbështetje tokësore nga Ushtria e Shqipërisë. Në këtë luftë u dëbuan 848,000 shqiptarë nga Kosova, u vranë 15,000 persona, nga të cilët 1,500 luftëtarë të UÇK-së, 1,008 ushtarë dhe policë serbë dhe të tjerët civilë të thjeshtë. Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5,000 njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por i madh ka mbetur numri i rasteve të pasqaruara.

 

Shpërbërja e ish-Jugosllavisë vlerësohet se filloi në Kosovë dhe mbase me Kosovën edhe po përmbyllet. Vitet 1988-89, shënuan protesta masive të shqiptarëve kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës. Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj ndërkombëtare, në Prishtinë konsiderohen si datat më të rëndësishme të historisë së deritashme të Kosovës. Përpjekjet e kosovarëve dhe popullatës shumicë për liri datojnë për një shekull, përderisa përpjekjet për krijimin e një shteti të pavarur datojnë për një kohë të gjatë, por ato kanë marrë forma më konkrete të organizimit nga fundi i viteve të 80-ta dhe fillimi i viteve të 90-ta. Atëherë, kur edhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë.
Madje, edhe vetë shpërbërja e ish-Jugosllavisë vlerësohet se filloi në Kosovë dhe mbase me Kosovën edhe po përmbyllet. Vitet 1988-89 shënuan protesta masive të shqiptarëve kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës, që kulmoi me suprimimin e autonomisë, që Kosova gëzonte në ish-Jugosllavi.
Muaji shkurt i vitit 1989 u karakterizua me grevën e minatorëve të kompleksit Trepça, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës. Greva e minatorëve besohet se lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë.
Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si një pjesë përbërëse të Serbisë. Suprimimi i autonomisë pasoi pushtimin e Kosovës me mijëra policë e ushtarë serbë, duke e vënë popullatën shumicë nën masa represive dhe aparteidi.

Pavarësisht represionit, më 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli deklaratën kushtetuese që e definonte Kosovën Republikë. Nënkryetari i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Iljaz Ramajli, thotë se deklarata e pavarësisë u pasua edhe me nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik.

“Ne ishim të vetëdijshëm se do të ketë një kundër-reaksion të Serbisë, pasi që ajo nuk zgjedhte mjete për t’i realizuar qëllimet e veta. Shumë shpejt, më 5 korrik, Kuvendi i Serbisë, me një ligj anti-kushtetues dhe pa të drejtë, pa bazë kushtetuese, suspendoi Kuvendin dhe e ndali punën e Qeverisë së Kosovës”, tha Ramajli.

Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova organizoi edhe referendumin për pavarësi e sovranitet, të mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Nga ky moment, në Kosovë instalohet sistemi i organizimit paralel, që pasoi zgjedhjet e mbajtura jashtë sistemit juridik serb, në të cilat Rugova zgjidhet president i Republikës së Kosovës dhe formon qeverinë në ekzil, të udhëhequr nga kryeministri Bujar Bukoshi. Por, kjo Republikë dhe kjo qeveri nuk gëzuan njohje ndërkombëtare, sado që në Kosovë kishin një përkrahje masive.

Rugova udhëhoqi rezistencën paqësore të shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit serb dhe punuan në sensibilizimin e opinionit botëror dhe qeverive më me ndikim në botë për problemin e Kosovës. Atë kohë, Rugova kishte konceptuar politikën e tij të rezistencës pasive e me mjete paqësore.

“Ne jemi parti politike dhe njëherë më shumë punojmë me fjalë, sepse ende nuk kemi pushtet. E natyrisht, po të ishim në pushtet, këto çështje do t’i zgjidhnim në mënyrën më pozitive, më të mirë, do të kishim mundësi edhe fizikisht t’i ndalim forcat e tjera, edhe presionin që bëhet këtu në Kosovë”, tha Ibrahim Rugova, në fillimvitet e 90-ta.

Politika paqësore e Rugovës dhe LDK-së filloi të kritikohet nga vitet 1995 e tutje. Sidomos, pas Konferencës së Dejtonit, në vitin 1995, kur u arrit marrëveshja për ndërprerjen e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosova u la anash, në Kosovë filluan të formohen grupe ushtarake guerile, që në vitin 1997 do të rezultojnë me paraqitjen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Që nga themelimi i UÇK-së, kemi pasur si objektivë kryesore çlirimin e vendit dhe në kuadër të kësaj, përpos angazhimeve tona operative, mbi të gjitha ka qenë që ne të shënojmë një triumf politik, diplomatik dhe ushtarak ndaj Serbisë”, thotë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, atëherë shef i Drejtorisë Politike të UÇK-së.

Ndonëse në raste, politika pacifiste e Rugovës dhe ajo militare e UÇK-së nuk kishin pika të përbashkëta bashkëpunimi, synimi ishte i njëjtë – çlirimi i Kosovës nga Serbia dhe ndërtimi i Kosovës – shtet të pavarur e sovran. Me intensifikimin e luftimeve në Kosovë, shtohet edhe numri i vrasjeve e masakrave, që forcat ushtarake dhe paraushtarake të Serbisë kryeninin mbi popullatën civile shqiptare.
Më 1 tetor të vitit 1997, Lëvizja Studentore organizon një protestë masive, e cila i dha një dimension të ri politik zhvillimeve në Kosovë.
Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe sulmojnë fshatin Prekaz i Ulët, ku vrasin Adem Jasharin, figurën që për shqiptarët nënkupton komandantin legjendar të UÇK-së.
Vrasjet dhe masakrat e shumta kulmojnë më 15 janar të vitit 1999, kur forcat serbe ekzekutojnë 45 civilë shqiptarë në Reçak. Ish-shefi i Misionit Mbikëqyrës të OSBE-së në Kosovë, Villiam Volker, doli botërisht dhe e tha se ajo ishte një masakër. Nga ky moment, Uashingtoni kërkoi nga NATO-ja dhe evropianët të përgatiten për organizimin e një konference paqësore për Kosovën. Dhe ajo ndodhi, në Rambuje, afër Parisit. Për herë të parë, LDK dhe Rugova në njërën anë dhe UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj në anën tjetër, bashkohen në një delegacion kosovar. Më 6 shkurt fillon Konferenca e Rambujesë dhe ajo mbaron më 23 shkurt pa rezultate përfundimtare. Kështu që thirret vazhdimi i saj për datën 15 mars në Paris. Ndërkohë, delegacioni politik e ushtarak i Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë, pala serbe refuzon ta nënshkruajë. Me këtë veprim, hapet rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë.


Hashim Thaçi e vlerëson si kthesë Konferencën e Rambujesë.

“Ishte një konferencë shumë e rëndësishme, shumë vështirë për ata që morën pjesë në të dhe ata që zhvilluan kontakte me diplomatë gjatë kësaj konference”, rikujton Thaçi.
Nga 24 marsi deri më 10, përkatësisht 12 qershor të vitit 1999, fillon historia e re e Kosovës. NATO vihet në luftë duke bombarduar caqet ushtarake serbe deri në çlirimin e Kosovës. Por, gjatë kësaj kohe, popullata shqiptare përjetoi një prej etapave më të vështira, duke u përballur me një dhunë brutale të forcave serbe.