Tenderat e dyshimtë të rrugëve, ndërsa Ergys Verdho promovohet drejtues i KESH-it

389
Sigal

Ergys Verdho, drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar deri pak ditë më parë, është larguar “pa zhurmë” nga ky institucion, duke u emëruar administrator i Korporatës Elektro-Energjitike Shqiptare (KESH. Sh.a). Vendimi është marrë nga Ministrja e Infrastrukturës, ndërkohë që nuk është bërë asnjë njoftim për ndryshimet në radhët e drejtuesve të institucioneve që menaxhojnë miliarda lekë fonde publike. Verdho emërohet në vend të Besjan Kadiut, i cili zëvendësoi për pak javë ish-drejtuesin e KESH sh.a, Benet Beci, i zgjedhur aktualisht deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës. Në vend të Ergys Verdhos, në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar është vendosur Evis Berberi, i cili deri pak kohë më pare, ka mbajtur postin e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Eficensën e Energjisë.

“Një nga tenderat më të debatuar, të zhvilluar nga ARRSH përgjatë vitit 2021, është ai për rikonstruksionin me urgjencë të rrugës së Borshit, i shkatërruar në mënyrë skandaloze nga shirat e janarit”

 “Tenderat e dyshimtë” të Verdhos

Ergys Verdho u emërua drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar në Tetor 2019, pasi më herët kishte mbajtur postin e zv.drejtorit dhe titullarit të komanduar të këtij institucioni. Gjatë periudhës që drejtoi autoritetin menaxhues të rrugëve në Shqipëri, ndaj Verdhos janë ngritur dyshime të shumta publike mbi mënyrën e realizimit të tenderave publikë. Megjithëse ndaj tij nuk është njoftuar asnjëherë nisje e hetimeve penale nga drejtësia, gjithësesi procedurat e ndjekura nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për procedurat mbi ndërtimin, por sidomos për mirëmbajtjen e akseve rrugore, janë shoqëruar me pikëpyetje të vazhdueshme. “Boldnews.al”, si edhe media të tjera, kanë raportuar në mënyrë të vazhdueshme mbi këto dyshime, nisur nga interesi më i lartë për monitorimin e menaxhimit të parave publike. Vetëm pak ditë para largimit të Ergys Verdhos, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur rezultatet e një tenderi 800 mijë euro, nëpërmjet të cilit synohen të mbyllen “gropat” e krijuara në zonën Vlorë-Orikum-Jonufër nga mirëmbajtja aspak normale e kompanisë “Salillari”. Pak para këtij tenderi, ARRSH nën drejtimin e Ergys Verdhos shpalli fitues të një tenderi rreth 1.5 milionë euro për sinjalistikën rrugore në rajonin qendror një bashkim operatorësh, të përbërë nga shoqëri që janë në pronësi të babë e bir, Nikolla dhe Stefan Çaçi. Në prill 2021, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, ARRSH e Ergys Verdho shpërndau rreth 15 milionë euro për kompanitë që po ndërtojnë aksin rrugor “Kardhiq-Delvinë”. Po në kohën e fushatës elektorale, ARRSH e drejtuar nga Verdho, shpalli një tender me vlerë 2 milionë euro për mirëmbajtjen e tunelit të Krrabës, në Tiranë. Një nga tenderat më të debatuar, të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar përgjatë vitit 2021, është ai për rikonstruksionin me urgjencë të rrugës së Borshit, i shkatërruar në mënyrë skandaloze nga shirat e janarit. Aksi rrugor Vlorë-Sarandë, nën mirëmbajtjen e kompanisë “Salillari”, u nda në mes në zonën e fshatit bregdetar të Borshit. Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk kërkoi asnjë përgjegjësi tek kompania mirëmbajtjëse, por shpalli një tender mbi 1.5 milionë euro për rikthimin e tij në gjendje funksionale. Tenderi u fitua më pas nga kompania “Gener 2”. Lista e tenderave të dyshimtë, të zhvilluar nga ARRSH gjatë drejtimit të Ergys Verdhos është e gjatë. Megjithatë, ai nuk pati asnjë shqetësim disiplinor apo penal mbi procedurat të shoqëruara me pikëpyetje. Përkundrazi, Ergys Verdho u promovua në një tjetër ndërmarrje publike, e cila gjithashtu menaxhon miliarda lekë të qytetarëve shqiptarë. “Boldnews.al”