Llesh Kola: Njohja zyrtare e Shqipërisë nga SHBA dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike, ja roli i delegacionit amerikan

235
Sigal

Roli i Delegacionit amerikan dhe i Presidentit Willson për Shqipërinë
Linjat e parimeve për qëndrimet dhe vendimet kryesore gjatë punimeve të Konferencës së Paqes u diskutuan dhe u vendosën në takimet midis udhëheqësve kryesorë të Fuqive të Mëdha, ose i quajtur ndryshe si Këshilli i Katër të Mëdhenjve (Big Four): (Willson,SHBA, Llojd George, Britani e Madhe, Clemenceau (Klemonso), Francë dhe Orlando, (Itali). Në Konferencën e Paqes, kryetarët e delegacioneve të katër Fuqive të Mëdha mbajtën qëndrimet dhe morën vendime, të cilat përcaktuan linjën e qëndrimeve të Shteteve të Bashkuara dhe të Fuqive të tjera për Shqipërinë e shqiptarët. Ato patën rëndësi edhe përtej Konferencës, sepse nëpërmjet saj diplomacia e Fuqive të Mëdha la pas një epokë të vjetër, atë të interesave dhe hapi një epokë të re, atë të vetëvendosjes së popujve. Përsa u përket çështjeve të trajtuara për Shqipërinë, në dokumentet e Departamentit të Shtetit referohet se takimi i parë i udhëheqësve të Fuqive të Mëdha ishte organizuar në rezidencën e Shteteve të Bashkuara në Paris, më 6 maj 1919. Sipas shënimeve të këtij takimi, Presidenti Willson (Uillson) tërhoqi vëmendjen për pozitën, që kishin marrë italianët në Shqipëri”(14). Kryeministri Britanik, Lloyd George (Llojd Xhorxh), konfirmoi se ata (italianët) kishin njoftuar një protektorat, pa informuar asnjë nga aleatët e tyre. Në vijim, Presidenti Willson (Uillson) tha se “Shqipëria duhet të jetë e pavarur” . Lloyd George (Llojd Xhorxh) u shpreh se “Dyshonte nëse mund të sigurohej unitet i mjaftueshëm midis aleatëve”. Raportohet se më 28 maj 191(15) është organizuar takimi i dytë i Katër të Mëdhenjve (Big Four) në rezidencën e Kryeministrit Britanik, Lloyd George (Llojd Xhorxh), në të cilin mori pjesë edhe Kryeministri Italian, Orlando. Pala amerikane u përfaqësua nga Kolonel House (Hauz). Nuk mësohet se në çfarë niveli mori pjesë pala franceze. Nënvizohet se ky takim u organizua më shumë për shqetësimet e italianëve, por gjatë tij dolën dhe u diskutuan edhe çështjet shqiptare si organizimi dhe statusi i ardhshëm politik i Shqipërisë dhe çfarë lloj regjimi do të vendosej përmes vendimit që do të merrnin bashkërisht Fuqitë e Mëdha. Me rëndësi është fakti se gjatë këtij takimi u ra dakord që shqiptarët duhet të shprehnin mendimet e tyre për këto çështje dhe iu kërkua Qeverisë Italiane që Të mos ndërmarrë asnjë veprim dhe të mos lejojë asnjë aksion deri sa Konferenca e Paqes të vendosë për të ardhmen e Shqipërisë”. Lloyd George (Llojd Xhorxh), që ishte organizatori i takimit, mbërriti me vonesë, pasi ishte në konferencë me Presidentin Willson (Uillson), me qëllim arritjen e një zgjidhjeje për arsyen se, me sa lihet të kuptohet prej tij, “Presidenti Wilson (Uillson) i ka kërkuar për t’i theksuar Kryeministrit Italian se ai do të ishte i lumtur, nëse zoti Orlando do të ndante plotësisht faqen e parë nga e dyta, (Faqja e dytë kishte të bënte me Seksionin IV, kushtuar Shqipërisë), sepse ka dëshirë të plotë të diskutohet për çështjen e Shqipërisë, por, meqë nuk kishte një kërkesë të re, nuk do të dëshironte të diskutohej menjëherë”.

Gjithashtu, sipas Llojd (Llojd), “Presidenti Willson (Uillson) pranon se do ishte i nevojshëm një përfaqësim për Shqipërinë, por dëshiron që kjo çështje të konsiderohej si pjesë e çështjes së mandatimit”. Gjatë takimit u nënvizua se “Asnjë vend nuk dëshiron të marrë mandatimin për Shqipërinë. Franca, Britania e Madhe e SHBA nuk janë të interesuara dhe në pikëpamjen e Kryeministrit Britanik, Italia duhet të jetë pretendentja e parë, të cilën, sipas tij, nuk e përjashton as Presidenti Wilson (Uillson)”.  Megjithatë, lihet të kuptohet se Presidenti Wilson (Uillson) nuk ishte plotësisht i bindur që Italia të përfaqësonte interesat e Shqipërisë dhe dëshironte që ta mbante këtë çështje për një vlerësim të mëvonshëm. Me sa duket në takim njëra prej Fuqive të Mëdha mund të ketë ngritur edhe çështjen e mundësisë së përfaqësimit të interesave të Shqipërisë nga Greqia dhe Serbia, por që nga udhëheqësit e katër Fuqive të Mëdha është pranuar se “Këto dy vende janë përfshirë gjerësisht në politikat e Shqipërisë”.

Këshilli i të Katërve, vazhdoi takimin dhe ndërmjet çështjeve të diskutuara ishin edhe ato që kishin të bënin me Seksionin IV. Shqipëria. U ra dakord që Mandati për Shqipërinë t’i jepej Italisë nga kufiri në veri siç është aktualisht deri në kufirin e jugut, që do të përcaktohet nga Konferenca”. U ra dakord gjithashtu që “Të ndërtohet një rrugë hekurudhore për Shqipërinë me 40% të kapitalit italian, 40% të jugosllavëve dhe 20% të vendeve të tjera”. Kryetarët e delegacioneve të Fuqive të Mëdha u takuan dhe me datën 15 shtator 1919(16), në zyrën e Kryeministrit Francez, Clemenceau (Klemonso). Në çështjen ku do vendosej edhe për Shqipërinë, atë të Adriatikut, kryetarët e delegacioneve të Fuqive të Mëdha ranë dakord që “Shqipëria të jetë e pavarur me një mandat të dhënë Italisë” . Po ashtu, kryetarët e delegacioneve vendosën që për Vlorën, “Italianët të kenë një sovranitet mbi qytetin dhe zonat përreth, të domosdoshme për jetën ekonomike dhe sigurinë e saj”. Gjatë këtij takimi, kryetarët e delegacioneve vendosen që të mos bëhej asnjë lëshim territorial ndaj jugosllavëve në atë zonë shqiptare. Debati midis kryetarëve të delegacioneve për këtë çështje ishte i fortë. Ministri i Jashtëm Italian Tittoni (Titoni) propozoi se nuk duhej të bëhej asnjë lëshim për jugosllavët në luginën e Drinit, duke argumentuar se “Serbët kishin pranuar se kufiri i Shqipërisë i 1913 ishte përcaktuar drejt, në linjat etnike, por në vijim ata (serbët) kërkuan që t’u jepej lugina e Drinit për të ndërtuar një hekurudhë, e cila do t’u siguronte një komunikim të pavarur me Adriatikun”(Po aty). Me propozimin e tij, Ministri Italian hodhi poshtë edhe analogjitë që kishin aluduar serbët se ata donin të kishin në Luginën e Drinit atë që do t’u jepej italianëve në trekëndëshin e Asslingut (Aslingut, në zonën e Tirolit). Kryeministri Britanik, Lloyd Geroge (Llojd Xhorxh), i pozicionuar në favor të kërkesës së serbëve, pasi pyeti se çfarë nënkuptonte ekzaktësisht me këtë deklarim. Ministri Italian, ndërhyri, duke nënvizuar se pika 6 e Memorandumit Italian nuk i duket se ishte vetëm për serbët. Hekurudha e Assling (e Aslingut) ekzistonte dhe çështja është, nëse ajo do të përdorej vetëm për trafikun italian. Nga ana tjetër, ai shtoi: “Nuk ka ndonjë hekurudhë në luginën e Drinit dhe në Shëngjin. Shqiptarët nuk do të ndërtojnë as linjë hekurudhore as port. Dhe, nëse Konferenca nuk do t’u jepte serbëve mundësinë e ndërtimit, ata do të privoheshin nga dalja në Adriatik. Për më tepër, nuk duhet harruar se është e nevojshme të merrej edhe pëlqimi i jugosllavëve për rregullimin, që po diskutohej”(Po aty). Ministri Italian,Tittoni, replikoi, duke iu përgjigjur se serbët kishin tashmë, në kuadër të Jugosllavisë, disa dalje në Adriatik dhe mund ta ndërtonin linjën hekurudhore në fjalë në një rrugë tjetër. Ai theksoi se “Nuk shihte ndonjë arsye për t’ia dhënë Luginën e Drinit jugosllavëve, pasi popullsia ishte shqiptare dhe ajo nuk dëshironte të vihej nën zgjedhën e serbëve”(Po aty). Madje Ministri Italian e sfidoi Kryeministrin Britanik, duke u shprehur se “Ai ishte i gatshëm të pajtohej me një referendum dhe ishte tërësisht i sigurt se shqiptarët nuk do të votonin për serbët” (Po aty). Pas këtij reagimi Lloyd George (Llojd Xhorxh) bëri një tërheqje në qëndrim, duke u shprehur se “Nuk ishte qëllimi i tij që të shtonte Luginën e Drinit në territorin e shtetit serbo-kroato-slloven. ”Ai shtoi se besonte që ishte e nevojshme t’u jepej serbëve e drejta për të ndërtuar një hekurudhë në Luginën e Drinit, duke u dhënë lehtësirat për të pasur një port dhe se nuk ishte e dobishme që shteti serbo-kroato-slloven të kishte të njëjtat të drejta mbi Drin me ato që i duhen dhënë Italisë në territorin e Asslingut (Aslingut), pasi këtu hekurudha ekzistonte dhe atje linja nuk ishte e ndërtuar. Kryetarët e delegacioneve të Fuqive të Mëdha vendosën që “Jugosllavisë të mos i jepej asnjë territor në Luginën e Drinit për ndërtim hekurudhe”. Me këtë vendim përfaqësuesit e lartë të Fuqive e Mëdha shpëtuan disa nga zonat më pjellore shqiptare të Luginës së Drinit.

Konferenca e Paqes në Paris, 1919

 

Ministri i Jashtëm Italian Tittoni (Titoni) ngriti edhe një çështje tjetër për Shqipërinë e cila, sipas tij, “ishte me rëndësi të konsiderueshme: njoftimin për largimin nga Korça të trupave franceze dhe zëvendësimin e tyre nga trupat greke. Ai u shpreh se edhe Delegacioni Amerikan kishte marrë këto njoftime, ku Gjenerali Franchet d’ Esperey (Fronshe d’Ésperi) kishte urdhëruar zëvendësimin e tyre nga trupat greke”. Titoni theksoi se “Nëse ndodhte kjo, do të krijoheshin turbullira të mëdha(17). Përfaqësuesi amerikan Polk u shpreh se “Sipas njoftimeve që ata kishin marrë, ato janë thjesht thashetheme dhe i kishte shkruar zotit Clemenceau (Klemonso) për t’a informuar”(Po aty). Kryeministri Francez, Clemenceau (Klemonso), hodhi poshtë deklaratën e Ministrit Italian, duke theksuar se “Kishte parë një raport për këtë çështje dhe nuk mendonte se informacioni ishte i saktë”. Sipas tij, Gjenerali e kishte pyetur se çfarë do të bënte pas evakuimit, por asnjë urdhër nuk i është dhënë akoma”. Tittoni (Titoni) theksoi se “ishte e nevojshme që të jepeshin urdhra që trupat greke të mos pushtonin Korçën, kur të largohen francezët. Situata atje ishte e rëndë. Popullsia myslimane po përgatitej një pjesë të emigronte dhe një pjesë tjetër të formonte grupet e armatosura për t’u rezistuar grekëve”. Clemenceau (Klemonso) shtoi se “sigurisht që trupat franceze nuk do të qëndronin në Korçë, por me largimin e tyre do të rregullohej që vendi të mos pushtohej”. Gjithashtu gjatë takimit të kryetarëve të delegacioneve u nënvizua se “duhej të evakuohej edhe Pogradeci dhe se Korça e Pogradeci i përkasin Shqipërisë”. U theksua se “Fuqitë e Mëdha kanë një politikë sipas së cilës kanë rënë dakord që të mos bëhej asnjë pushtim i territoreve të kontestuara pa një urdhër të Këshillit”. Kryetarët e delegacioneve të Fuqive të Mëdha u takuan edhe me datën 25 tetor 1919. Sipas shënimeve të takimit të mbajtura nga përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit, gjatë këtij takimi u shqyrtua edhe çështja e kufijve të Shqipërisë. Për këtë çështje, përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha nuk kishin mendime të unifikuara. Spikatën qëndrimet parimore të disave dhe ato të bazuara në interesat personale të disa të tjerëve. Dallimet në qëndrimet e Fuqive të Mëdha kishin të bënin edhe me metodologjinë parimore të përcaktimit të kufijve, nëse kufijtë e Shqipërisë do të vlerësoheshin të gjithë së bashku apo të ndarë sipas zonave kufijtë e veriut; jugut dhe Adriatikut. Nëse duheshin lënë siç ishin vendosur prej Traktateve të mëparshme, apo do të vihej dorë mbi to. Nëse ato duheshin ndarë sipas linjës etno-gjeografike apo duheshin përfshirë edhe konsiderata politike në përcaktimin e tyre prej përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha. Kështu, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, Polk, theksoi se Çështja e kufijve të Shqipërisë duhet trajtuar më vete(18), pra duhet ndarë nga ajo e Adriatikut dhe e kufijve të saj të jugut, pasi, sipas tij, “Linja e kufirit shqiptaro-grek do të fiksohet së shpejti”. Ndërsa për problemet e kufijve shqiptarë, me të cilat lidhen edhe çështjet serbe e malazeze, ai theksoi se Janë një çështje më vete. Megjithatë Polk shtoi se “Nëse çështja e tyre është e studiuar, mund të fitojmë kohë dhe deri atëherë Këshilli do të ketë para një raport dhe do të vendoset për të gjitha çështjet në përputhje me të” . Ministri i Jashtëm Italian Tittoni (Titoni), duke anuar nga interesat e vendit të tij, deklaroi se “Mendoj se kufijtë e Shqipërisë nuk mund të ndahen nga çështja e Adriatikut, pasi ato lidhen me mandatin e pretenduar të Italisë mbi Shqipërinë, edhe pse disa çështje specifike mund të ndahen”. Këtu Ministri Tittoni (Titoni) nënvizoi se Çështja e kufijve të Shqipërisë me Adriatikun nuk duhet ndarë edhe për fatin se është specifike vetëm për Italinë, e cila e ka lidhur çështjen e mandatit në Shqipëri me koncesionet që ka bërë në Dalmaci”(20). Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, Eyre Crowe (Air Kroui), u shpreh se “do të donte që çështja të diskutohej, duke e trajtuar problemin në të gjithë aspektet e tij pasi, veçanërisht për një vend si Shqipëria, përkufizimi i kufijve ishte gjerësisht një çështje kompromisi politik. Nga ana tjetër, zgjidhjet e arritura në rajonet fqinjë duhet të njiheshin”. Përfaqësuesi i Francës, duke kundërshtuar mendimet që kufijtë duhet të shkojnë në linjën etno-gjeografike, u shpreh se Kufijtë shqiptarë në Traktatet e mëparshme të Luftës janë ndarë mbi parime të përgjithshme. Nëse duhen ndryshuar tani, kur ato janë të përcaktuar, do të bëhet vetëm mbi bazë vlerësimi politik dhe këto vlerësime janë të lidhura me vendimet që do të merren e që prekin edhe Adriatikun”. Sipas francezëve dhe britanikëve, “zgjidhja më e mirë për kufijtë e Shqipërisë do të ishte që nga qeveria autonome lokale të vendosej një administratë e Shqipërisë, siç ishte vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në 1913, pa ndërhyrje nga jashtë të asnjë prej Fuqive të Mëdha.

Njohja zyrtare e Shqipërisë nga SHBA dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike

Fillimet e kontakteve të drejtpërdrejta diplomatike amerikane me Shqipërinë

Periudha pas anëtarësimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (17 dhjetor 1920) e pasuar me njohjen de jure nga Fuqitë e Mëdha, (9 nëntor 1921), shënon fillimet e diplomacisë aktive amerikane ndaj Shqipërisë. Aktiviteti diplomatik i Shteteve të Bashkuara ishte vijim i interesit politik dhe diplomatik gjatë dhe pas Konferencës së Paqes në Paris, e cila, edhe pse nuk zgjidhi përfundimisht as çështjen e njohjes as atë të ndarjes së kufijve, e shpëtoi Shqipërinë nga pretendimet dhe lakmitë e vazhduara të gjithë fqinjëve dhe bindi parimisht Fuqitë e Mëdha për të vijuar me njohjen e saj dhe pranimin në Lidhjen e Kombeve. Megjithatë edhe vullneti i mirë i shqiptarëve për t’u afruar më shumë me këtë vend të madh dhe për të parë prezencën amerikane në Shqipëri pati ndikimin e tij dhe ai ka qenë një konstante kombëtare, pothuaj gjatë gjithë historisë së Shqipërisë. Kuptimplotë për këtë është një informacion i Ambasadorit Amerikan në Itali përcjellë Departamentit të Shtetit, me 13 dhjetor 1921, pas një takimi jo zyrtar që kishte zhvilluar me anëtarët e delegacionit shqiptar, para se të largoheshin nga Italia. Për të treguar ndjeshmërinë e veçantë dhe besimin ndaj Amerikës, edhe gjatë një takimi kortezie, zyrtarët shqiptarë nxorën në pah besimin, që kishin te SHBA-ja. Ata i shprehën Ambasadorit Amerikan “dyshimet për njohjen nga Fuqitë e Mëdha, Franca, Britania e Madhe dhe Italia duke theksuan se nuk ishte e qartë nëse njohja e Shqipërisë prej tyre ishte de jure, dhe mosbesimin se ato (Fuqitë e Mëdha) mund të përzihen në ndarjen e Shqipërisë”. Zyrtarët shqiptarë i kërkuan Ambasadorit, që pas njohjes së bërë nga Fuqitë e tjera, Shtetet e Bashkuara duhet të bënin sa më shpejt dhe në çdo mënyrë njohjen e Shqipërisë, duke theksuar se “Shqipëria ishte gati të jepte me koncesion edhe zona me vlerë naftëmbajtëse, pasi zhvillimi i sektorit të naftës do të merrte një vlerësim të konsiderueshëm”. Njohja e Shqipërisë nga tre Fuqitë e Mëdha bëri që diplomacia amerikane të vihej në lëvizje për të marrë informacionet e duhura për situatën në vend dhe hapat, që kishin bërë aleatët dhe vendet e tjera. Departamenti i Shtetit udhëzoi diplomatët amerikanë për dërgimin e informacioneve konkrete dhe të propozimeve përkatëse, nëse ishte koha për të vepruar për njohjen. Një komponent me rëndësi për këtë interes të palës amerikane ishte edhe ndjeshmëria e biznesit të saj privat për pasuritë natyrore të Shqipërisë, kryesisht në naftë dhe mundësia e zhvillimit të tyre nga të huajt. Madje nënvizohet se kjo e fundit ishte një nga arsyet që nxiti Departamentin e Shtetit për dërgimin e shpejtë të përfaqësuesit të tij diplomatik në Tiranë.

Vijon…