Leila Boga: Vlerësim dhe dashuri pafund ndaj bashkëshortit tim

Panajot Boga, në kujtesën e bashkëshortes së tij Leila…

Vlerësim dhe dashuri pafund ndaj bashkëshortit tim

NOA

Mesazhi që jepte në jete ishte: “Lere ate që mundohet të të bëj keq në llumin që ka rënë dhe qëndro me dinjitet në nivelin që ke”….

Panajoti ishte një intelektual, kirurg dhe shkencëtar, që diti t’i pararend kohës ashtu si dinë të ecin vet prekursorë! Ishte gjithnjë gjenia dhe humanizmi i Tij që e shtyu përtej kohës, e vendosi në vendin e nderit, për të qëndruar gjithnjë midis nesh…..

Motoja e Panajotit në jetë ishte: të kërkosh, të provosh, të formohesh dhe të ecësh përpara. Një qëndrim pasivo-emocional për të ishte i panatyrshëm, sepse ai e kishte në karakterin e tij të përftonte mbresa dhe t’i pasqyronte ato në mënyrë krijuese dhe njerëzore. Admirimi për punën e bënte të kërkonte, të zbulonte dhe vepronte me sukses falë mundësive që i jepte talenti i tij i rrallë.

Ëndrra e tij ishte perfeksionimi i aktivitetit të klinikës së Ortopedisë dhe Traumatollogjisë dhe shërbimi ndaj të sëmurëve pa honorare. Pasioni i tij ishte puna dhe profesioni i kirurgut.

Nëse flasim për hobi, ato ishin udhëtimet… Në raportin me vetveten tek ai spikaste rregulli, higjena personale, të ushqyerit në mënyrë të balancuar, gjimnastika e mëngjezit etj. Çdo gjë e kryente në mënyrë të përkryer dhe i quante sprova për të arritur te e mirëfillta.

Panajoti ishte një intelektual i vërtetë, e donte artin dhe ndiente kënaqësi nga bukuria e përmbajtjes dhe formës së tij, ndiente kënaqësi në soditjet e peisazhit dhe të atmosferës së gëzuar njerëzore. Lidhur me kulturën ai shkrinte bashkë ndjenjën e kënaqësisë me ndjenjën e qëndrimit kritik. Panajotit i pëlqente t’i lexonte dhe rilexonte veprat që i kishin lënë mbresa. Kohët e fundit ai lexonte promemorie historike. Panajoti e donte muzikën e ndiente atë dhe çlodhej prej saj. Pëlqente pikturën klasike, impresionizmin, por jo modernen. Kishte shumë kërkesa kur blinim një pikturë, por në përgjithësi binim dakort.

Shikonte filma, pëlqente filmat amerikanë, por kishte nostalgji edhe për filmat ruse. I njihte mirë artistët e kohës së rinisë.

Shtëpia për Panajotin ishte e shenjtë. Ai kishte shumë kërkesa për komoditetin dhe investonte për të. Kishte kujdes të veçantë për librat dhe arredimin e shtëpisë në përgjithësi. Çdo gjë që blihej vendosej në vendin e vet me pëlqimin dhe shijen e të dyve. Shtëpia për ne ishte një strehë shumë e këndshme dhe kur ktheheshim nga udhëtimet, Panajoti përsëriste duke qeshur se shtëpia  jonë është hotel me 10 yje.

Në përgjithësi mundoheshim që çdo gjë, pjesë të jetës sonë, ta kishim në të njëjtin standart, përsa i përket ushqimit, fjetjes, veshjes së përditshme dhe asaj ceremoniale. Unë kujdesesha që çdo gjë që i takonte Atij të ishte sa më cilësore ( kjo më jepte shumë kënaqësi ), por ai shumë herë më kritikonte, pëlqente të kishim gjithnjë barazi…

Kishim gjithnjë miq në shtëpi dhe mundoheshim t’i prisnim ngrohtë dhe këndshëm. Në përgjithësi bënim jetë cilësore, brenda mundësive që kishim, paraja si institucion ekonomik nuk ka cënuar kurrë integritetin tonë. Panajoti ishte shumë i thjeshtë për atë çka ishte.

Fatmirësisht ne kemi investuar dhe e kemi marrë atë që kemi dashur nga jeta. Gjithnjë rrezatonim kënaqësi, kudo ku ndodheshim, në shtëpi, në shëtitje, në takim me miq dhe merrnim respektin e të tjerëve ndaj nesh.

Ajo që e bënte të lumtur ishte dashuria që jepte dhe merrte nga nipërit dhe mbesa e tij. I donte dhe i respektonte nuset dhe pranonte me kënaqësi respektin dhe dashurinë që ato i jepnin. Kur mblidheshim për dreka ose darka, ajo ishte ditë kënaqësie për ne.

Preokupimi për punën i tejkalonte kufijtë e normales, veçanërisht kur mendon se kreu operacione deri në moshën 87 vjeç, pra 62 vjet me bisturi në dore. Deri në operacionin e fundit ai tregoi të njëjtin kujdes e preokupim. Nuk e kam parë kurrë të mos lexonte të paktën një orë në darkë kur kishte operacion të nesërmen. E kam pyetur: pse vallë me gjithë këtë eksperiencë që ke, të kesh nevojë të hapësh librat? Ai përgjigjej: sa herë të lexosh, do të gjesh një presje më shumë. Nuk ka ndodhur kurrë që të operonte dhe të mos shkonte të shihte të sëmurin  pasdite.

Mesazhi që jepte në jetë ishte: „Lere atë që mundohet të të bëj keq në llumin që ka rënë dhe qëndro me dinjitet në nivelin që ke…„

Panajoti falte, por jo çdo lloj gabimi, kurse gjykimin e bëntë gjithnjë në heshtje.

Panajoti ishte patriot, e donte shumë vendin e tij, e ndiente shumë Himnin e Flamurit dhe shpesh i mbusheshin sytë me lot… Falë edukatës që kishte marrë në familje, mendonte shpesh se në raste fatkeqësie ekstreme njeriu i takon më shumë atdheut se sa familjes.

Më ka bërë përshtypje në një kongres në Athinë! Ai kërkoi një përkthyes për të mbajtur kumtesën që donte ta paraqiste në shqip, ndonëse në të gjithë kongreset në vende të tjera ka folur frëngjisht ose anglisht.

Panajoti ishte krenar për veten, për çka kishte arritur në jetë, ndaj familjes dhe ndaj atdheut të tij. Jam fatlume që jetova me mençurinë dhe fisnikërinë e Tij.