Laureta Petoshati: Shenjtërimi i Flamurit dhe Sheshit të Flamurit

227
Sigal

1.Një foto sa mijëra fjalë.

Kur afrohet dita e Flamurit, apo më mirë 28 Nëntori, dita e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, çdo shqiptar i devotshëm, që ndjen dhe merr frymë shqiptarisht, ka dëshirë që të dijë më shumë se si u arrit deri në atë ditë. Ja se si e përshkruan Mit’hat Bej Frashëri, delegat në Kuvendin e Vlorës, që u mbajt në sarajet e Xhemil Bej Vlorës, ku ishin 47 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare më 28 Nëntor 1912: “Ismail Qemali u zgjodh kryetar i kuvendit dhe mbajti një fjalim të shkurtër për gjendjen e luftës, për hallin e veçantë të Shqipërisë të rrezikuar nga mësymjet e fqinjëve dhe mbi nevojën e një vendimi kombëtar për të shpallur mëvehtësinë e Shqipërisë…Trokitje duarsh i prenë në mes fjalën që donte të thoshte kryetari dhe populli që ishte mbledhur në kopshtin e shtëpisë, kishte buçitur jashtë në rrugë, përsëri me duartrokitjet dhe thirrjet e gëzimit. Në atë kohë një Flamur Shqiptar po ngrihej mbi portën e kopshtit dhe rrëfente shqiponjën kombiare mbi qiellin e kuq të saj. Kjo orë historike ishte afër perëndimit të diellit; ishte një kohë e vrenjtur dhe një vesë e hollë po rigonte nga retë, një vesë bekimi si lot gëzimi. Turma e njerëzisë, për të festuar këto orë me flamur në dorë dhe me këngë bëri një qarkim në rrugët e qytetit, duke qëndruar përpara konsullatave të Austrisë dhe të Italisë, si një shenjë miqësie dhe falënderjeje për mirësinë dhe mbështetjen që shpallej nga të dy këto shtete.” Dihet botërisht mbështetja që Austro- Hungaria i dha Shqipërisë për të arritur deri në atë ngjarje kulmore, pas shumë gjaku të derdhur dhe shumë sakrificave të shqiptarëve nëpër shekuj. Një nga meritat e saj është dhe pasqyrimi i kësaj ngjarjeje në revistën e përjavshme “Das Interessante Blatt” me titullin kryesor “Shpallja e pavarësisë së shqiptarëve” dhe duke vijuar me nëntitull “Formimi i një qeverie të përkohshme në qytetin bregdetar të Vlorës”. Ngjarja historike u botua më 12 dhjetor 1912, sepse natyrisht nuk jemi në kohën e sotme, ku materialet dhe fotografitë shkojnë në çast.

  1. Vëllazëria fetare zyrtarisht bashkë.

Ajo që bije në sy është një fotografi në ballkonin e shtëpisë së Vlorajve e priftit ortodoks Marko Moçka dhe klerikut mysliman Haxhi Muhameti, krahas Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit e të tjerë. Ajo që duhej theksuar është fakti se pak më parë se të fiksohej kjo foto ishte bërë bekimi i flamurit nga klerikët e Vlorës, ku krahas këtyre të dyve kishte qenë dhe prifti katolik dom Mark Vasa, i cili ishte një atdhetar i jashtëzakonshëm, që kishte filluar veprimtarinë atdhetare në kishën e Vlorës qysh herët, madje më vonë në Luftën e Vlorës 1920 ishte internuar në Sazan nga Italianët. Ja se çfarë shkruan gazeta “Liri e Shqipnies” e datës 5 prill 1912 në Sofje për të: “Kisha katolike e Vlorës nën kryesitë e Dom Markut predikon përherë shqip dhe do të mbahet mend për jetë ajo ditë q’u predikua më gjuhë shqip. Njerëzia s’kishin parë piano në kishë, në këto lutje ndihmuan dhe nga ordhodoksët e këtushmë, e bija e z. Pozio, Evridhiqi me mandolinë, po më shumë me atë zënë ëngjëllorë na mbushi zemërnë plot gaz, zëri i saj tingëllonte në kishë: ki mëshirë o Zot për këtë robëri të shkretë, etj. Liroje Shqypninë, o Zot, etj. Kisha qe mbushur me njerëz muhamedanë e të krishterë”. Ndoshta gazetari austriak nuk ka arritur në kohë që të kapë gjithçka të asaj dite, se Pr.Bardhosh Gaçe, si Kryetar i Shoqatës “Ismail Qemal Vlora” ka marrë dëshmitë e familjarëve të Ismail Qemalit ndaj në shkrimin e tij “Flamuri i Skënderbeut në shtëpinë e Vlorajve” pohon se: “në atë shtëpi që kishte lindur dhe Ismail Qemali, e cila ka qenë në vendin ku sot është Monumenti i Pavarësisë, e quaj një akt të madh shpirtëror edhe faktin që, klerikët më të mëdhenj të kohës si: prifti ortodoks Marko Mocka, prifti katolik dom Mark Vasa, dhe kleriku mysliman Haxhi Muhameti, bekuan me fjalët e zotit flamurin kombëtar.”

Por Marko Moçka atë ditë, nuk bekoi vetëm flamurin kombëtar, por dha edhe një shpresë për shqiptarët se Shqipërinë do ta ndihmonte Presidenti i ri i Amerikës Thomas Ëoodroë Ëilson. Nuk kishte as 24 ditë që ishte zgjedhur president dhe Vlora nuk e njihte shumë në atë kohë Amerikën. Ndërsa Marko Moçka s’kishte mbushur as ditën që kishte mbërritur. Ai kishte marrë një shkollim të të gjitha shkallëve në Janinë dhe si vlonjat dhe njeri i kishës kishte pasur lidhje familjare me Marigo Posion dhe Nikolla Naçin, të cilët kishin pasur miq të përbashkët Sevasti, Gjergj dhe Parashqevi Qiriazin, sepse Marigo kishte qenë në shkollën e vashave në Korçë, ndërsa Nikolla Naçi kishte përfaqësuar Vlorën në Kongresin e Manastirit. Moçka vërtetë që ishte ortodoks, por literaturën më të madhe biblike e mirrte shqip nga motrat Qiriazi. Ato e ndihmojnë Marko Moçkën, të shkojë në Amerikë i ndihmuar nga Shoqëria e Literaturës dhe Eksegjezës Biblike, për të studjuar teologji si unitarist. Amerikanët edhe pse ai ishte ortodoks, po ndihmonin prelatët e një vendi, që ishte nën zgjedhë kombëtare dhe shpirtërore. Presidenti Tomas Ëilson ishte djali i një pastori dhe me lidhje të forta me këtë shoqëri, që e ndihmoi atë në fushatën e tij elektorale dhe i krijuan atij idenë e ngritjes së Lidhjes së Kombeve. Para pak kohësh doli në shtyp libri i ish kryetares së Shoqatës Motrat Qiriazi në Amerikë, Dr. Anna Kohen “Lulja e Vlorës”. Përveç dashurisë dhe mirënjohjes që ajo tregon për Vlorën, ajo tregon dhe një fakt historik, në faqen 210, duke thënë se: “Përveç shqiptarëve, në luftën për pavarësinë e Shqipërisë, morën pjesë dhe shumë hebrenj vendas. Pas  shpalljes së pavarësisë, kreu Ismail Qemali me shokë  shkuan në familjen hebreje Kantozi për të festuar.” Në fakt është e vërtetë, sepse këtë histori e tregon dhe një nga mbesat e Josef Kantozit, Rashel Solomon në një nga intervistat e saj televizive, ku thotë se “Ismail Qemalin donin ta vrisnin dhe shkoi në shtëpinë tonë në Skelë.” E vërteta është se atë e shpëtoi mendja e Marko Moçkës dhe zotësia e Jozef Kantozit. Thuhet se në çastin kur gjithë klerikët dalin nga shtëpia ku u ngrit flamuri, një ortodoks filo-grek, apo agjent grek në Vlorë, i kishte folur greqisht at Moçkës, duke i thënë se tani që “bekove flamurin, bëhu gati ta vajosësh flamurtarin.” Aty pati qenë Jozef Kantozi me të atin, që kuptonin greqisht, por at Moçka i pat thënë Jozefit “shko thirre babanë brenda se po vonohemi”, kur në fakt, i ati ishte aty me ta. Atëherë, ai e pat kuptuar që bëhej fjalë për Ismail beun, të cilin pa kuptuar e merr me araba dhe e çon në Skelë në shtëpinë e motrës së tij dhe gjyshes së Rashel Solomonit. Atëherë lind pyetja pse duhet të ishin Kantozët në shtëpinë e Vlorajve? Kantozët ishin hebrenj, të ardhur nga Spanja dhe “kantoz” do të thotë ai që këndon në sinagogë, i ati i Josefit ishte rabin. E kishte kënduar apo jo, ai Flamurin tonë, nuk e dimë, por ai ishte aty, me të gjithë klerin.

Dimë vetëm faktin se shovinistët grekë në atë kohë po mësynin drejt jugut, prenë ndërlidhjen telefonike dhe të nesërmen mbrojtës të tij dhe qeverisë së re u bënë trimat, që erdhën nga Kosova me Isa bej Boletinin. Këtë fakt e bëjnë të ditur dhe shumë dukatas, të cilët e patën mësuar nga miku i Marko Moçkës, Foto Stefani -Vito, “të cilin Spiro Milo me andartët e mbajnë peng disa muaj në Dhërmi pasi shkoi si lajmëtar i Ismail Qemalit, i cili në dhjetor të vitit 1912 dërgoi një letër në Dukat që t’ia shpinin në Himarë kolonelit Spiro Milo, ku i kërkohej që të tërhiqte forcat greke dhe të mos sillte vëllavrasje.” (Marrë nga libri “Apostuj të Shqiptarizmës” të studiuesit Sherif Tava) por dhe nga Mulla Azem Shehu, kur u kthye pas vitit 1990 nga Amerika për të vdekur në Dukat më 1995. Madje Noli shkruan në gazetën “Vatra”, të vitit 1924 se: “Është në nderin e Kongresit të Lushnjës të ketë prezent njeriun e Zotit, At Marko Moçkën, i cili si misionar i paqes, lexon në Kongres mesazhin e SHBA-së, të cituar po nga ai në ditën e Flamurit në Vlorë. At Marko Moçka është dhe botuesi i revistës “Diaspora Shqiptare”, revistë e pagëzuar së bashku me ditën e Flamurit, më 1912 në Vlorë!”. Noli, në ndihmë të vendimeve të Kongresit të Lushnjës, për përkrahjen e Luftës së Vlorës dhe si shoqërues i bandës “Vatra” dërgon nga Amerika Foto Viton, i cili së bashku me Foto Konomin dhe Mustafa Hibron kishin emigruar në Amerikë në tetor të vitit 1914 me ndihmën e At Marko Moçkës, që dukatasit e njihnin me emrin “Prifti i Poros”. (Për veprimtarinë patriotike të Foto Vitos, ka shumë libra të shkruar, por dhe te libri me titull “Ligjëron Noli” e shtypur nga shtypshkronja “Zonja e Papërlyeme” jezuite në Shkodër në vitet 1941-1942.) Ndërsa Mulla Azemi, që ka shërbyer për tërë jetën në Detroit- Michigan në teqenë e parë bektashiane, ku ndihmoi shumë dhe Noli në ngritjen e saj, i tregonte të birit, se si Noli i fliste për patriotin e tij, Foto Viton, që i lidhi dhe pension në Amerikë, por qeveria komuniste ia ndërpreu se mendonte se ai dhe Marko Moçka, prifti i Poros, miku i Qiriazëve, mund të kishin qenë agjentë të imperializmit anglo-amerikan, kur në fakt që të dy kishin qenë misionarë të atdheut, njëri prift dhe tjetri mësues. Madje Shefki Shehu tregon se i ati i kishte thënë se frymëzimi për të shkruar poezinë Himni i Flamurit i ka ardhur si rrufe kur ka ardhur në Vlorë dhe kur është takuar me At Marko Moçkën, Dom Mark Vasën, Luigj Gurakuqin dhe mësuesin dukatas Foto Stefani-Vito në vitin 1921. Në fakt të gjitha këto janë të dokumentuara. Ardhjen në Vlorë e bën të ditur Hasan Dosti te “Shejzat”, XIII, 1969, 10-12, ku shkruan: “Fano  Noli i zgjedhur deputet në Dhomën e Parë të Shqipërisë në pranverën e 21-së, zbret në Vlorë në Bethlehemin ideal të Shqipërisë, Shën – Donatit vlonjat të mrekullive. Këtu, peshkopi që nuk ishte deklaruar kanonik, i pasuar prej një vargu të gjatë djemsh të rinj orthodoksë, që ndjekin shembullin e atyre të Amerikës, hap portat e Kishës së Shën Vllasit dhe meshon e predikon në gjuhën shqipe. Është e para herë që në Shqipëri celebrohet mesha në gjuhën shqipe. Pastaj Noli shkon në Korçën lule.”

  1. Kujtesa hyjnore e një fëmije

Ndërsa kam shkruar më herët se idenë sesi duhej të bëhej Sheshi i Flamurit, e pati hedhur At Shtjefën Gjeçovi kur vendosi shtyllën e shehitëve, më ka kontaktuar Marinela Velaj, poete, sepse kushëriri i saj Anesti Vito, ish futbollist i “Flamurtarit”, donte të sqaronte diçka. Gjithsesi, pa e ditur se përse duhet të shkoja, unë shkova dhe i takova të dy. Anestit, i kishte mbetur hatri se përse unë nuk e kisha shkruar faktin që vërtetë që ishte Shtjefën Gjeçovi, që kishte hedhur idenë për Sheshin e Flamurit, me një lule në mes, por do të ishte dhe porosia, që i kishte dërguar Noli gjyshit të tij Foto Vito kur do të shoqëronte bandën “Vatra” për në Vlorë. Noli kishte porositur se aty ku ishte shenjtëruar flamuri, të ndërtohej një shatërvan në formën e lulëkuqes me katër petale, sepse lulëkuqja simbolizonte më mirë ngjyrat e flamurit tonë kombëtar dhe për më tepër, po në shtator të vitit 1920, kur u festua Lufta e Vlorës kjo lule ishte vendosur si simbol i të rënëve në Amerikë, por që ishte shpallur dhe me dekret në fund të atij muaji. Anesti më tregoi se kur vdiq gjyshi i tij, Foto Vito, ishte shtatë vjeç dhe para se të vdiste shkonte me të te “4 topat”, kur ky si i vogël i thoshte “Te Topi”, ai i përgjigjej “Te poppy!”, që në shqip do të thotë lulëkuqe. Kur ishte takuar Noli me Gjeçovin, ky i kishte thënë Nolit që Foto Vito ia kishte transmetuar porosinë. Aty kishte qenë dhe ai prifti i Poros që e ndihmoi gjyshin për në Amerikë, që ishte miku i atyre që hapën mësonjëtoren në Korçë.

Të them të drejtën, jo se nuk besoja Anestin, i cili më thoshte se ai shesh dhe ato ngjyra e mbanin gjallë dhe në fushë të futbollit, por nuk më përputheshin datat, sepse Gjeçovi kishte ikur nga Vlora, atë vit. Pra kur e takoi?! “Gjeje, gjeje! E di që do ta gjesh! E ka takuar, si jo! E di ti, si mban mend i vogli? Të të betohem si gjyshi: Për flamur!”

Unë arrita që ta gjej. Më vjen keq që Anesti nuk është gjallë. Më ndihmuan librat e shenjtë se kur kërkon për të shenjtët, atje do të gjesh përgjigje. At Shtjefën Gjeçovi e kishte takuar Nolin në vitin 1924 dhe tregon se çfarë kishte biseduar me të: “Më priti me dashtëni e buzëqeshje. Shkëlqesi, i thashë, kam pasë nderin të njihem me ju në Vlorë në vjetë 1920 e qysh atëherë më keni pas thanë se përpiqeni për bashkimin e Kishave. E vërtetë, më përgjigjet, e jo veç atëherë, por edhe sot jam n’at mende…” (“Letra e Atë Shtjefën Gjeçovit, në dorëshkrim, Elbasan, 12 gusht 1924, botuar pjesërisht në “Drita”, revistë fetaro-kulturore, Ferizaj, 6/1979, fq.6 – Marrë nga Krishtërimi ndër Shqiptarë, cituar nga Dom Lush Gjergji, fq.470).

Pra Anesti kishte të drejtë. Kujtesa e një fëmije është hyjnore. Jam shumë kurioze të di se çfarë kujton kryeministri ynë nga fëmijëria për këtë shesh që e masakroi? Dikush më tha se pse lodheni kot se ai nuk pyet njeri? Dhe unë mund t’i përgjigjem me fjalët e Nënë Terezës se “E vetme nuk mund të ndryshoj botën, por mund të hedh një gur në ujë dhe të krijoj shumë valë.”

Nuk e di a do t’i shohë apo ndjejë këto valë shpirti të vlonjatëve, të shqiptarëve, të atyre njerëzve, që shenjtëruan Flamurin dhe Sheshin e Flamurit me gjak, sakrifica dhe mundime siç e përshkruan Noli:

O Flamur gjak, o flamur shkabë!

O vënd e vatr’ o nën’ e babe!

Lagur me lot, djegur me flagë,

Flamur i kuq, flamur i zi!

 

Koha, zoti, ligji dhe brezat do të na gjykojnë.