Gëzim Llojdia: Gjadër 1982…

1.Tetori ishte aty. Dritat e mëngjesit, janë të zbehta. Vjeshta po merrte çdo ngjyrë. Dhe ngjyrën e bakrit më shumë. Një ditë na thanë se do të iknim në aksion kombëtar. Por jo për në jug. Na thanë se nuk do të shkonim në aksionet kombëtare. Ato zakonisht shtriheshin në jug. As në Jonufër. As në Lukovë dhe as në Ksamil. Kahu i udhëtimit, ishte i kundërt. Na thanë se destinacioni do të ishte diku në veri. U larguam në mëngjes. Larg godinave tona. Në godinat tona do vinin delegatët. Në Tiranë do të mbahej, një kongres rinie, në Pallatin e Sportit në Laprakë. Ishte viti 1982. Kështu që, një mëngjes, na nisën në një udhëtim.

2…Ishte vjeshtë. Dhe ajri mbushte shpirtin me aromën e bronzit të pemëve. Që po kalonin në ngjyrat e dukshme të kësaj stine. Ne udhëtuam, të gjithë bashkë. Treni, ai tren i zakonshëm. Dhe i zhurmshëm. Në ato stacione, pas çdo kohe, kishte diçka të panjohur. 400 të rinj, të ngjeshur në një tren. Dhe pas çdo xhami, natyra shuhej. Vjeshta na gëlltiste. Godinat mbetën larg. Në tren, gjithçka ishte një gjumë i humbur. Një udhëtim ku dritat e mëngjesit ikën dhe ndiheshim se kishim lënë gjithçka pas. Kur treni u shkëput nga platforma dhe mori drejtimin për në veri. Na thanë se do të shkonim në Lezhë.

Sigal

2…Fshati Gjadër është një nga fshatrat e njohur, që ndodhet në fushën e Zadrimës. Ky fshat ka një vendndodhje rreth 13 km larg rrugës kombëtare. Si kufinj, në veri ka lumin Gjadër dhe fshatrat Zojzë e Gramsh, në lindje Dajçin dhe Kodhelin, në jug Blinishtin e Pirajn, në perëndim lumin Drin. Emrin fshati e mori nga lumi me një emër, që këtu bashkohet me Drinin. Në Gjadër, çdo ditë fillonte me një përshëndetje. Me vëndasit kishim pak kontakte. Por vajzat e fshatit, ato të çiltra dhe të pashme, na përshëndesnin gjithmonë pa drojë. Por me buzëqeshje, të sinqertë dhe një fjalë të ngrohtë.

-Nadje mirë! – thonin, me një ton, që të bënte të ndiheshe i mirëpritur. Pa pasur asnjë ngarkesë të padukshme.

-Si ke njehë? Ishte një pyetje, që vinte natyrshëm, si një mënyrë për të të përfshirë në atë atmosferë të ngrohtë. Që vetëm ato mund ta krijonin. Këto momente të vogla, por të mbushura me një shpirt mikpritëse. Ishin aq të ndryshme nga ajo në jug.Të gjitha këto ishin si gjurmë, që mbeteshin në zemrën tënde. Një kujtim që do të mbetej. Në jug, atje ku ne banonim nuk ndodhte kështu. Po, s’të njihnin, vajzat s’të flisnin fare…U befasuam. Por ky realitet ishte krejt ndryshe.Fshatarët ishin të ndryshëm.Ne u sistemuan në një kapanon të madh.Ishte një vend i thjeshtë. Pa luks. Një haur i madh gri në të zezë. Vajzat ishin në kapanonin tjetër. Ndërmjet nesh, kalonte një tub uji, që rridhte nga diku. Komandant i aksionit u vendos B. Karcanaj nga Velca. Ne të jugut rrinim bashkë. Ishte Jorgji nga Qishbardha, Krenari nga Tërbaci. Kohën pasditeve e kalonim shpesh te dhoma e komandantit, një djalë fisnik.

4…E nesëmja gdhiu e ngrohtë. Ishte një vjeshtë. Por shirat, s’dukeshin në horizont. Vjeshta, po na e dhuronte ngrohtësinë e saj.Vetëm dy ditë ishin shi. Kishim mësuar të shtynim kohën. Loja me peskatësh. Disa përpiqeshin të lexonin leksione. Por ku të linin. Kudo zhurmë.

-Po ju peshkopë tani e gjetët të mësoni? Nuk kishte argëtim. Ku mund të iknim? Ku mund të shkonim? Ku çdo ditë ngjante si e njëjta? Atje, njoha M. Bucpapaj. Nuk qëndroi shumë. Kur Dritëroi e përmendi në kongresin e rinisë, ai iku. Kongresmenët ishin, ata që na zaptuan godinë tonë. Në të vërtetë në atë kohë: quheshin delegatë. Agolli në atë kongres rinie ,siç na thanë bëri një pyetje që pasqyronte mendësinë e asaj kohe: “Si ka mundësi, që një poet dërgohet atje?.

…Mbasditeve mblidheshim sipas muhabetit. Dëgjonim këngët ,çdo pasdite studentë me kitarë.Vëndasit me veglën e tyre.Vijnë një ditë ca fierakë dhe na thonë.

-Ju jeni lab, dini të këndoni labçe. Nguruam. Ngase na e mbushën mëndjen.Të gjithë këndojnë këngët e vendit të tyre.Po ne ? Hajt ta bëjmë një herë bam…

Njëri prej tyre tha: Kënga: Dy shelege në një portë. Kjo vete.Edhe të mos vejë, se mos dimë tjetër!

Mirëpo, atë se këndonin dot, as mjeshtrat e polifonisë. Jo më ne, që s’ja kishim haberin.

Atje jashtë afër buzës së lumit filluam këngën labçe. Mirëpo kënga s’vente fare. Marrësi ja mori njëherë. Pastaj tha: dalë t’ia filloj nga fillimi. U ngjirë e u çorrë sa s’thuhet, po s’po e gjente dot pikën e marrjes së këngës. Sa thoshte gjysmë vargu ai, në direkt ja bënim:eeeee…

-Prit -tha marrësi, kur tua bëjë me dorë filloni!

Mirëpo për dreq, dikush kaloi aty dhe marrësi i ngriti dorën në shënjë përshendetje. Ne menduam se kjo ishte shënja për të filluar dhe ai sa filloi, ne ja dhamë direkt:eeeeeeeee….

-Po prisni-ore prisni. T’ia fillojmë edhe një herë. E filluam prapë. Kush poshtë e kush lart. Pa hedhës. Pa kthyes. Shkurt zhurmë. Meqë frynte edhe pak erë. Na dukej sikur, kënga vinte. Mirëpo aty kaloi dikush. Ja bëmë me dorë, duke i thënë si vete kënga?

-Gjymë-tha ai dhe qeshi. Atëherë ca nga qejfi dhe lëvdata u çorrëm më keq. Ca lart e ca poshtë. Dhe ca poshtë e ca lart. Por asnjëherë, atje ku duhej tonacioni.   Kur u lodhëm nga të kënduarit .U ngritëm dhe ikëm të kënaqur.Se kush na pyeti te kapanonët.

-Ore-tha çfarë kishit ju , që ulurisnit ?

-Kush ne?

Po ju?

-Jo ore, ne po këndonim.

-Vërtetë?-tha. Po përse këngë ishte ajo! Pse mua mu duk si ulurimë! Sikur kishte rënë ujku. Apo, s’thoshnit:”Foli qënit, ti moj qëne…Foli për kokë të satëme…

-Ik o Rasho ik! Kishte ardhur në fakultet.10 vjet me vonesë. Ndërkohë, që ne ishim në vitin e parë. Dhe nuk i linte romuzet.

4…Dita e parë ishte e tmerrshme. Na vunë në radhë, si ushtarë të papërgatitur. Pastaj si me thënë në sulm drejt fushës me misër. Nuk na dhanë mëngjes. Thanë se do e sillnin në fushë dhe na e sollën4 veta; një vazo reçel dhe një pako gjalp. Dhe pastaj na dhanë “armatimet”. “Arma” ishte një llojë drapëri. Por në formë gjysmë hëne. Me një bisht prej druri.

-E dini përse shërben kjo- na thanë, do korrni misër. Na grupuan bashkë me vajzat. Ato, as që e kishin haber si punohej me drapër. Madje ato gjithë rrugës loznin. Dhe kur u binte drapëri dhe u griste mishin… Bobo çfarë është kjo? Bërtisnin ato.

Të nesërmen gjysma e vajzave, duart i kishin të fashuara. Gjithë ai muaj, ky muhabet ishte. Ato të qytetit i vumë të mbledhin togjet. Duartë e tyre ishin tepër të buta për të përdorur drapërin. Ato u ankuan:

-Profesor, por ne s’dimë ta mbajmë draprin, jo më të korrim me atë!

-Dini, s’dini- tha ai -kështu është urdhëri.

…Fusha ishte e madhe. Dhe misri ishte rritur 2 bojë njeriu. Në mëngjes. Futeshim si njerëz, por pasdite dilnim qymyrxhi. Bloza e misrit. Na ngjyente rrobat, duart gjithçka. Shpesh na mbyste vapa. Degët e mëdha të misrit, pengonin ventilimin e erës. Dhe duart na i prisnin fletët e misrit. Ato ishin gati një thikë e mprehtë. Por kërcelli i misrit ishte shumë i trashë. Shumica e studenteve. Jo vetëm ditët e para por deri sa ikëm. Dukeshin si të ardhur nga ndonjë luftë. Gjysma me duar, gjithë plagë.

… Fusha kishte qenë torfë dikur. Ajo ishte një fushë e madhe dhe e pafund. E pambarimtë. Një muaj të tërë punuam. Dhe nuk e kishim haberin nga ishte fillimi dhe fundi i saj. Dhe dukej sikur sa e kishim cekur. Fusha dukej se ishte bonifikuar. Sepse kishte hidrovor dhe shpesh gjeje burime, që rridhin anës parcelave me ujëra të bollshme. Një ditë kishim mbaruar korrjen dhe prisnim të tjerët. Dita dukej si çdo ditë tjetër. E ngadalshme, e thjeshtë, e mbushur me lodhje të zakonshme. Papritmas, në rrugë, kaluan disa makina të mbyllura. Kur ato kaluan, dhe u larguan para këmbëve tona, dëgjuam një zhurmë të madhe, që prishi heshtjen. U shtrënguam dhe pyetëm: “Çfarë ndodhi? Na thanë se ishin të burgosurit. Ata ishin në po atë fushë, në korrje misri. Por nga kahu i kundërtë i joni. Ata kalonin përditë aty, duke na lënë pas asaj heshtjeje të fortë. Mirëpo kur ata kalonin afër nesh, shpesh nga cepat e makinës së mbyllur, hidheshin ca letra. Letrat ishin të vogla, të shkruara me një kaligrafi të pastër dhe fjali, që i ngjallnin atij momenti.

-Ore po çfarë janë këto letra? -pyetëm me kureshtje.

-Oh, nuk ka gjë-na thanë.

-Thjesht citate dashurie, që të burgosurit ua hidhnin studenteve.

…Ato letra, shpesh i merrte era. Që kur u mësua përmbajtja, askush nuk i hapi më. Ne kurrë nuk i hapëm. Ata vazhdonin t’i shkruanin me entuziazëm. Ndoshta në kohët e lira, ose netëve. Duke pritur ditën tjetër. Shkruanin letra, që tregonin dashuri dhe ëndrra të humbura. Kur kalonin afër nesh, i hidhnin ato me një lloj besimi. Besonin, që një ditë ato do të arrinin diku, që do të flisnin me dikë, që mund të kuptonte. Por askush nuk i hapi. Letrat mbetën, të paprekura. Vjeshta i zverdhi ato dhe, më pas, shiu i lagu, duke i shndërruar në pluhur që u shpërnda në tokë. Në atë moment, ato letra u bënë një kujtim të heshtur. Një mesazh i dërguar, për askënd. Se kush tha:

-Përse nuk i lexuam njëherë ato letra, çfarë thoshin ata? Dhe ashtu siç kishte ndodhur me letrat dhe shumë gjëra të tjera mbetën të heshtura. Të varrosura nga kohët, që s’kishin ndalur kurrë. Dhe sa kalonin te ne, i hidhnin, pa u ndalur. Mirëpo, askush nuk i hapi letrat, që i zverdhi vjeshta dhe më pas i lagu shiu.

Mu duk sikur në ato letra, sot do lexoja Bodlerin.

Nëse dhomat e shpirtit tim, do vizitoje

çfarë pretendon, se do shikoje?

Cilin përbindësh, mendon se fsheh?

Po të zhgënjej, por nuk më njeh.

Nuk ka nevojë, për të trokitur;

hyr, shih, kërko, mbet’ e habitur.

Mure të zbrazët, lyer pa ngjyra, fotografi, por pa fytyra.

Diku e hedhur, afër shtratit;

është një kuti e tersit, e fatit.

E mbushur plot është me kujtime,

brenda gjithë historia ime.

Janë fjalët, që kam thënë aty,

gjithkush, që njoha, përfshi ty.

Gjithçka që bëra, e që vetëm i ëndërrova

vendet ku shkela, ku jetova.

Janë zënkat tona dhe mëritë

janë puthjet netëve pa dritë,

Veset e mia, që aq urreve

mërgimi i ngadaltë i reve.

Dënimet, që vuajta për ty

herët kur s’të pash në sy.

Jetët, që pa ty jetova.

Të tjera femra, që dashurova.

Janë dhe sekretet, që s’të kam thënë

e amanetet, që të kam lënë.

Fëmijet, që kurrë nuk më linden,

epshet, që vrava se nuk m’u bindën.

Ka letra, që për ty i shkrova

në zarfet, që kurrë s’ti dërgova.

E nëse gjithçka, përmbys do kthesh,

sekretin më të madh do gjesh.

E kam fshehur në fund fare,

po s’e zbulove, s’ke parë gjë fare.

Nxirre mes duarsh në shtrëngim,

atë më të shtrenjtin sendin tim.

Balsamin, që plagët shëronte,

kur kjo djall jete më kafshonte.

Para fytyrës ngadalë afroje

dhe mbylli sytë, pastaj zbuloje.

E kur ngadalë, ta kesh zbuluar

veç një pasqyrë, do gjesh në duar.

Do shohësh veten, reflektim,

se ti ishe thesari im!

6…Gjadëri kishte një pistë të madhe prej betoni. Çdo ditë shikonim avionët e vegjël luftarak, që i nxirrnin nga tuneli. I tërhiqnin me makina deri te pista. Pastaj fillonte një zhaurimë tmerruese. Avionet bënin shumë zhurmë. Sidomos kur ngriheshin në ajër. Baza ajrore e Gjadrit sipas të dhënave filloi të ndërtohet duke zgjatur nga viti 1969 deri diku nga mesi i viteve 1970. Veçantia e kësaj baze, është ndërtimi afër malit pranë fshatit, me qëllim, që avionët të futeshin në strehim direkt pas uljes. Strehimi përbëhet prej një tuneli rreth 600 metra të gjatë në formë ‘U’-je, që mund të strehojë rreth 50 avionë sëbashku me personelin. Ngritjen e avionëve i ndiqnim nga larg. Një pasdite ne shkuam te lokali. Atje ishin edhe nja tre pilot. Njëri prej tyre m’u duk i njohur. Jo shumë i gjatë me flokë të zezë, pak kaçurrel dhe i mbushur. Ishte djali i nënë Shahos. Fadili. Nga Kuçi i Vlorës. Me vëllain e tij Çizen, çdo ditë bënim rrugën për në shkollë. Shtëpitë në lumë ishin afër tyre. Ai më njohu u ngrit dhe erdhi tek ne.

-Ti -më tha mos je gjë nipi i …

-Po i thashë, po përse nuk flet- tha? U ulë dhe filluam bisedën.

Ai më pyeste për Kuçin. Kishte shumë mall, sepse atje ishin vëllezërit dhe dy prindërit. Na qirasi dhe na tha: “Hajdeni çdo pasdite. Ne nuk kishim ku ta kalonim kohën. Herë shkonim në Lezhë, por qyteti nuk dukej aq i bukur. Sepse ne ishim thjeshtë udhëtar. Ishte më tepër i mërzitshëm. Kjo ndodhte ngase po ta krahasohej me Tiranën. Por Tiranën ne e kishim gjesdisur cep më cep. Tirana ishte gjithçka. Na dukej e gjallë, dinamike. Qytetet e tjera nuk afronin shumë. Por Lezha na dukej më e heshtur. Më e mbyllur. Kur shkonim atje, nuk rastisëm në ndonjë event kulturor. Ngase ishim udhëtar dhe ndoshta shkonim në kohë, të papërshtatshme.

Me Fadilin kalonim çdo pasdite. Ai na tregonte historitë e fluturimeve të tij, me pasion dhe dëshirë, një pasion që na tërhiqte, por që gjithashtu na frikësonte. Ishte bukur në lartësi. Por, për ne, që kishim frikë nga lartësia. Qielli ishte një vend që kërkonte guxim, forcë dhe vendosmëri. Piloti duhej të kishte këto cilësi. Dhe ne nuk i kishim ato. Ne shikonim më shumë tokën. Me këmbët thellë në të. Duke ndjerë çdo grimcë të saj. Duke e kuptuar, që aty ndiheshim më të sigurt. Ata ishin njerëz të qiellit. Që e shihnin botën nga lart. Që fluturonin mes reve, të mbushur me një ndjesi të papërshkrueshme. Ata shihnin më larg, shumë më larg se ne. Ndonëse përjetonim ngazëllimin, që sjellin fjalët e tij, të ngjallura nga kujtimet e fluturimeve.

7….Është e çuditshme, por pilotët tregohen të kursyer. Ndërsa ne pyesim, ç’të na vinte, p.sh: A është i mbushur plot tuneli me avionë? Ai qeshte, por bisedën e kthente diku tjetër. Na ftonte shpesh për darkë. Ne nguronim, sepse na dukej se do cënonim racionin e tij. Mirëpo ai na tha se kishin një normë të lartë. Trupi fironte në ajër. Një ditë ne nuk shkuam, ishte e dielë. Loznim peskatësh. Çfarë të bënim tjetër te kapanoni. Kur dëgjoj, që dikush, na kërkonte. Shkova dhe ishte Fadili.

-Pse nuk erdhët-tha. Sot e kishit pushim?

-Na erdhi zor, i thamë. Po çfarë zori -na tha. Unë u them vetë.

Shpesh na shpinte te menxa e tyre. Darka e tyre dukej luks. Ku dieta e jona, e studentëve ishte shumë e varfër. Çdo natë kishte çaj dhe djathë. Madje, disa shkuan përtej lumit një natë, dhe siç na thanë, pa u diktuar nga rojet. Kishin mbushur një thes me hurma. Një ditë, u ngjitëm në kodër dhe morëm shegë. Për më tepër, kodrat ishin më të buta, dhe bimësia ndryshonte radikalisht. Ndryshe nga jugu, ku përherë lulëzonin përralla me gjëmba. Natyra kishte gjetur mënyrën e saj, për të manifestuar ndryshimin atje.

9…Pastaj, ditët filluan të kalonin ngadalë. Kishin firuar ditët e aksionit. Si një rrugë, që shtrihej pa fund, e mbushur me kujtime dhe momente të shtrënguara. Por ende vajzat në grupin tonë dhe në grupe të tjera. Ruanin ende nëpër gishta shenjat e kallove dhe plagët e drapërit.

…Na thanë se të nesërmen do të iknim. Do të ktheheshim në godinat tona. Aty ku gjithçka do të bëhej e zakonshme përsëri. Jeta e studentit, ajo rutinë që na kishte bërë të ndihemi të gjallë. Dhe atje do të na priste me krahët e saj të njohur. Atëherë, kongresmenët e rinj ishin larguar. Godinat tona na prisnin.

…Dhe pastaj, ishte po ai tren. Që na ishte bërë shoqërues i heshtur në atë udhëtim të gjatë. Treni i zakonshëm. Që zvarrisej mbi shinat e tij të lodhura. Na dukej sikur kisha lënë një pjesë të vetes atje. Në ato fusha të largëta dhe kodra të mbushura me shegë të tharta. Çdo kthesë e trenit, çdo dridhje e tij, e bënte atë udhëtim të duket një rikthim. Dhe ndërsa treni përshkonte rrugën e tij, ne të ulur ndiheshim sikur ishim mes dy botëve. Treni na çoi përsëri aty ku gjithçka dukej si më parë. Por zemra jonë kishte mbetur atje në fushat me misër, që dukeshin pa mbarim në horizont. Ndërsa vajzat tregonin ende shënjat e plagëve të drapërinjëve, në duart e buta.