Kujtim Mateli: Shkencëtari i palodhur dhe atdhetari i vërtetë Prof. Dr. Alqi Naqellari

917
Sigal

“Nga Konda…..te Trump” është libri më i ri, i sapo dalë për lexuesin, me autor prof. Alqi Naqellari, i njohur  për librat dhe artikujt sudimorë  në fushë  të ekonomisë. Libri përfshin artikujt  e tij, të përzgjedhur në një periudhe  të gjatë kohore, nga viti 2007, deri në korrik të vitit 2020,  botuar në shtypin e shkruar. Sikurse e thotë vetë autori, një kontribut në këtë libër ka dhe redaktori  i tij, z. Engjëll Musaj, jurist dhe drejtor i gazetës “Telegraf” për mbështetjen, seleksionimin dhe redaktimin e këtyre artikujve-ese.
Prof. Alqi Naqellari shfaq në këtë libër interesa të gjera nga fusha të ndryshme të jetës shkencore dhe asaj shoqërore. Aty do të gjesh ekonomistin kompetent, historianin dhe arkeologun, gjuhëtarin dhe studiuesin e letërsisë, etnografin dhe fermerin e apasionuar. Aty është atdhetari i flaktë për trojet shqiptare dhe në veçanti për Kosovën, që tregohet dhe nga letra e hapur që i drejtohet Ambasadorit  të Egjiptit në Shqipëri, në dhjetor të vitit 2008, se Kosova duhej të njihej si shtet nga vende si Egjipti, ku kontributi i shqiptarëve kap një periudhë të gjatë kohore duke filluar me Mehmet Ali Pashën në vitin 1805 e deri nëkohën e mbretit Faruk në vitin 1952. Përgjatë gati 150- vitesh, ishte kjo familje shqiptare që e drejtoi Egjiptin duke e futur në rrjedhat moderne të kohës

Libri përmban  44 shkrime-ese që përfshijnë jetën shqiptare në shumanshmërinë e saj, problemet që ajo kalon në përpjekjet e vazhdueshme për t`u integruar në bashkësinë europiane. Libri fillon me mbështetjen që autori i jep një prej figurave të njohura shqiptare siç është Spiro Konda, dhe librit të tij “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik”, i cili edhe pse është botuar 65- vjet më parë, për shumë studiues dhe autorë librash, teza e tij mbi prejardhjen pellazgjike të shqiptarëve  mbetet  një tezë e argumentuar dhe që pritet të vlerësohet  edhe nga institucionet shkencore shqiptare. Autori e fillon librin e tij me dijetarin Spiro Konda, edhe si një nxitje për shumë  autorë të rinj, sidomos në këtë dhjetëvjeçarin e fundit, që kanë sjellë mjaft materiale të reja që hedhin dritë apo gërvishtin në atë pjesë të historisë së shqiptarëve që lidhet me pellazgët dhe qytetërimin e tyre, i cili shkëlqeu që nga kohët homerike dhe në vazhdim deri në shekullin e V pas Krishtit, me kryeqytetin e tyre që ishte Dodona.

Autori është në një debat me të gjithë ata që problemin pellazgjik e shohin si një çështje që nuk u përket shqiptarëve, pa sjellë asnjë argument në favor të tezës së tyre kundërshtuese, kur dihet që hapësira ku Dodona kishte epiqendrën e saj ishte nga mali Tomor e rrjedhat e lumit Osum, (Aps), deri nëArtë (Ambraqia). Kjo hapësirë gjeografike ende ruan me fanatizëm Lisin e Shenjtë, që në shekullin e kaluar kishte po ato atribute si Lisi i Shenjtë i Dodonës,  apo mali i Tomorit,  shenjtëria e të cilit nuk i ka zbehur përmasat e shenjtërisë dodoniane as në ditët e sotme.

 

Autori është në mbështetje të gjithë atyre studiuesve të pavarur,  që përballen me vështirësi në gjetjen e materialeve në mbështetje të tezës së tyre, që shumë prej këtyre materialeve nuk gjenden në libraritë, bibliotekat dhe arshivat shqiptare, por ndodhen në libraritë, bibliotekat dhe arshivat europiane dhe ata me mundim dhe sakrifica kanë mundur të gjejnë dhe t`i përkthejnë në shqip, disa nga këta libra apo material,  duke i përdorur në studimet e tyre. Autori është i ndërgjegjshëm se shumë prej këtyre studiuesve që merren me autoktoninë e hershme të shqiptarëve në këto troje kanë mangësitë e tyre: “në to mund të ketë dhe të pavërteta, edhe të meta, edhe gabime, por në fund të fundit diçka do të dalë në dritë. Boll më me shovinizmat greke. Këta njerëz që realizojnë këto studime nuk janë sharlatanë, por shkencëtarë, janë shqiptarë patriotë.  Sharlatanë ata mund t`i quajnë shovenët grekë dhe të paguarit prej tyre, që paturpësisht në televizionet e tyre Aleksandrit të Maqedonisë i thonë Aleksandri i Greqisë, që edhe sallatës i thonë sallatë greke, edhe djathit i thonë djath grek, edhe verës i thonë verë greke, e… edhe gjithçkaje i thonë greke”

Edhe unë ndaj të njëjtin mendim me autorin e shkrimit. Jo të gjithë ata që merren me studimin e një periudhe të caktuar, siç është periudha më e largët kohore që emërtohet pellazgjike, do të arrijnë në përfundime shkencore. Në të vërtetë shumë prej këtyre kanë mbetur nxënës  të dijetarëve shqiptarë dhe europianë, të cilët në studimet e tyre i identifikojnë shqiptarët me atë popullsi, që autorët e antikitetit e kanë quajtur parahelene apo pellazgjike. Është më mirë të mbetesh nxënës i një dijetari  të caktuar, sesa të përsëritësh në gazeta dhe ekrane çorbën antishqiptare të gatuar në kuzhinat e shovizmit të fqinjëve.

Por mund të themi se ka edhe arritje. Të paktën tezës antishkencore që ka sunduar deri tani, në heshtje e pranuar dhe nga akademikët shqiptarë, se Dodona ka qenë helene, i janë përgjigjur me dëshmi të shumta të autorëvë antikë që e kanë quajtur atë Dodona pellazgjike, që nga Homeri e përgjatë  gjithë antikitetit deri në shekullin e V, pas Krishtit, por dhe me prova arkeologjike dhe gjuhësore. Provat e ashtuquajtura helene janë sofizma që mund të gënjejnë mendjen e një fëmije, por jo njerëzit që kanë një farë njohurie nga historia dhe aq më tepër studiuesit e zellshëm të cilët mendoj se e kanë provuar plotësisht origjinën pellazge të Dodonës, rrjedhimisht edhe iliro-shqiptare, sepse Dodona  erdhi si një faltore me famë deri në fillim të shekullit të V, të pas Krishtit.

Në vëmendjen e autorit është Lufta e Vlorës e vitit 1920, si një nga ngjarjet më të rëndësishme të popullit shqiptar pas Shpalljes së Pavarësisë. Kjo luftë, vëren autori, nuk është pasqyruar në përmasat e saj reale nga historiografia  shqiptare.  Ky deformim që ishte bërë gjatë sistemit komunist të para viteve `90, vazhdoi edhe pas tij. Autori merr në analizë katër tekste që kanë dalë nga institucionet tona shkencore, siç është libri “Historia e popullit shqiptar” i vitit 1994, 1996, 1999 dhe 2002. Në të gjitha këto tekste mungojnë emrat e atyre që e krijuan komitetin  “Mbrojtja Kombëtare” që e çoi popullin e Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë në Luftë kundër  pushtuesve  italianë dhe me fitoren e tyre më 3 shtator të vitit 1920. Autori sjell si vlerë shkencore librin e Enver Memishaj (Lepenica) “Emblema e një epopeje” që solli kronologjikisht gjithë luftën e Vlorës, me data dhe emra të përveçëm, që nga 12 anëtarët e komitetit  “Mbrojtja Kombëtare”,  komandantët e Luftës: major Ahmet Lepenica dhe kapiten Qazim Koculi, dëshmorë dhe luftëtarë,vende dhe ngjarje të rëndësishme, betejat që realizuan largimin e Italisë nga Vlora. Prof Alqi Naqellari e vlerëson kështu këtë luftë: “Lufta e Vlorës, rishpalli pavarësinë Kombëtare, sepse ajo konsolidoi kufijtë e vitit 1913. Pa këtë luftë, Pavarësia e Shqipërisë do të kishte marrë rrjedha të tjera.”

Autori u ka kushtuar vëmendje të veçantë figurave madhore të kombit shqiptar. Veçojmë shkrimin  “Amerika, profecia e Fan Nolit dhe kombi shqiptar” që i kushtohet njërës prej figurave të kombit shqiptar, siç ishte Fan Noli me rrezatim ndërkombëtar dhe që mbase biseda e tij me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bëri që të ndryshojë dhe fati i Shqipërisë, harta e së cilës ishte vënë në tavolinat e kancelarive europiane për ta copëtuar më tej apo dhe për ta zhdukur përgjithmonë. Askush nga shqiptarët nuk duhet ta harrojë përgjigjen e Presidentit Ëillson dhënë Fan Nolit: “Një zë do të kem në kongresin e paqes dhe atë zë do ta përdor për të mirën e Shqipërisë.”  Dihet ndikimi që pati Amerika mbi fuqitë europiane për ta njohur Shqipërinë  në kufijtë e vitit 1913.  Dhe më pas Noli do të shkruante në mënyrë profetike se Amerika që i dha botës Ëillsonin, ka për të lindur dhe të tjerë kalorës si ai.
Dhe Amerika që nga koha e Presidentit Ëillson e deri më sot nuk e ka ndalur mbështetjen dhe përkrahjen  ndaj shqiptarëve. Autori ndalet hollësisht dhe mbi dy presidentët amerikanë: Bill Klinton që i dha lirinë popullit shqiptar të Kosovës dhe Bushin e Ri që e konsolidoi atë duke e bërë Shqipërinë pjesë të NATO-s.
Dhe autori e mbyll shkrimin e tij: “Profecia e Fan Stilian Nolit, klerikut, politikanit, shkrimtarit, poetit, përkthyesit, historianit dhe artistit të madh shqiptar u realizua. Amerika vazhdoi të lindë burra që kanë mbrojtur dhe mbrojnë çështjen shqiptare, çështjen e popujve të vegjël. Zoti e bekoftë Amerikën.”

Historia zë një pjesë të rëndësishme në esetë e këtij libri. Ajo tregon udhëtimin e të parëve tanë në rrjedhë të historisë, aty ku është identiteti ynë kombëtar, i skalitur në këto troje me luftë e përpjekje përballë pushtuesve të shumtë dhe të njëpasnjëshëm. Në altaret e historisë ruhet  sakrifica e të parëve tanë për t`i ruajtur këto troje, është gjaku i bijve dhe bijave që kanë rënë për lirinë e Atdheut. Historia e një kombi ka pikat e saj kulmore siç është Shpallja e Pavarësisë dhe figurat e shquara të këtij akti madhor që nënshkruan Shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 me në krye Ismail Qemalin. Figurat madhore përjetësohen në libra dhe vende të rëndësishme  publike, për t`u kujtuar pasardhësve heronjtë dhe mendimtarët që na prinë në udhën ku ecim sot. Ndaj autori është i ashpër me qëndrimin e Senatit të Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali” për t`ia hequr emrin këtij universiteti me propozimin e rektorit të asaj kohe. “Nuk ka shterur barku i nënave dhe motrave të Vlorës të nxjerrin burra të penës e të pushkës që të nderojnë mbarë kombin shqiptar, ashtu si Ismaili i Madh. Bastardë nxjerr çdo periudhë kohe, ata si vijnë ikin, pa lënë asnjë gjurmë në histori. Vite të mamuthve pati, -thotëKadare,- por kohë të tyre nuk pati kurrë. Për Ismail Qemalin historia ka rezervuar Kohën dhe Koha,- Pavdekësinë, ndërsa për Shaskat e kompani ka rezervuar vetëm vite dhe vitet,- harresën”

Autori është me titullin profesor në fushë të ekonomisë, ndaj esetë e tij për këtë fushë janë të shumta. Ato kapin gjithë jetën ekonomike, arritjet dhe mangësitë e saj në vite. Në këto analiza, jep mendime të vyera, se si duhet vepruar për një rritje të shpejtë ekonomike. “Amerika që u bë e tillë si është sot, një nga shtetet më të zhvilluara të botës, me ekonomi të lirë tregu dhe demokraci  brilante, nuk është numri i ligjeve, paketat ligjore që ka, por është zbatimi i tyre.”

Që një ekonomi të ecë me ritme të shpejta, kërkohet që të aplikohen metodat më të përparuara shkencore, të përfshihen kërkuesit shkencorë më të mirë të fushës përkatëse, sidomos ato akademike. Prof Alqi Naqellari interesohet për fshatin dhe produktet e tij bujqësore, për ndihmën e shtetit që duhet të zbresë deri tek çdo familje fshatare. Kërkon që çdo parcelë në bimë bujqësore të ndihet dora dhe mëndja e specialistit për një prodhim sa më të shëndetshëm për konsumatorin; në çdo stan veror, të gjendet pranë barinjve veterineri dhe zotekniku që me këshillat e tyre të ndihmojnë për një mbarështrim të blektorisë dhe për një prodhim të lartë dhe cilësor. Autori është kritik ndaj disa mediave të cilat nuk e reklamojnë sa duhet produktin shqiptar, por flasin për të vetëm kur ka ndonjë rast, kur prodhimi nuk ka dalë sipas standarteve që kërkohet. Autori ndalet në sistemin financiar shqiptar dhe kontributin e Mario Albertit në themelimin e Bankës së Shqipërisë, me historinë e parasë shqiptare dhe bankat që kanë vepruar në Shqipëri sipas periudhave historike, kartëmonedhat e ndryshme që kanë qarkulluar nëpërmjet këtyre bankave der në ditët e sotme.

Prof. Alqi Naqellari merr në analizë librat studimorë më të rëndësishëm që kanë dalë këto kohët e fundit. I tillë është libri monografik  “Paraja, Bankat dhe shoqëria” që ka për autorë dy emra të rëndësishëm në këtë fushë, prof. Aristotel Pano dhe prof. Anastas Angjeli. “Në monografi  janë bërë analiza të situatës konkrete ekonomike,  janë dhënë mendime dhe rekomandime,  janë nxjerrë konkluzione të cilat pasurojnë më tej mendimin ekonomik shqiptar.”

Një tjetër libër studimor që prof. Alqi Naqellari e sjell për lexuesin në faqet e këtij libri është monografia  “Sistemi tatimor në Shqipëri” që ka për autor Adriatik Matelin. Ky libër pati jehonë në rrethet shkencore të vendit tonë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në vitin 2018, e nominoi  me Çmimin “ÇABEJ”, si një nga tre librat më të mirë të vitit 2018. Analiza e detajuar e sjellë nga prof. Naqellari, e bën atë të prekshëm për të gjithë: “duke përfunduar,  theksojmë se monografia e hartuar prej zotit Adriatik Mateli  “Sistemi tatimor në Shqipëri”, përbën një gur të çmuar në literaturën ekonomike të fushës së tatimeve. Ajo iu vjen në ndihmë studentëve, pedagogëve, punonjësve të tatimeve, trajnuesve, historianëve  dhe gjithë lexuesve të thjeshtë që janë të interesuar të njohin sistemin tatimor shqiptar.”

Interesant është këndvështrimi i autorit për letërsinë Ruso-Sovjetike dhe ndikimi i saj edhe në letërsinë shqipe. Autori analizon disa nga shkrimtarët më të mëdhenj të kësaj letërsie si: Leon Tolstoi dhe Sergej Esenini, Aleksandër Pushkini dhe Vladimir Majakovski, Jevtushenko, Adolf Shvjedçikov dhe Vladimir Sollouhin. Shumë libra të këtyre autorëve dhe të tjerë janë përkthyer në shqip dhe lexuesi shqiptar është i njohur me disa nga kryeveprat e letërsisë ruse me famë botërore. Disa nga këta autorë e kanë bërë Shqipërinë objekt të poezisë së tyre si: Adolf Shvjedçikov,  me poezinë “Shkodranëve gazmorë të mëngjeseve gazmore”, Jevtushenko me një cikël poetik, Vladimir Sollouhin me poezinë “Kruja”, por do të veçoja Vladimir Majakovskin që në ato vite të vështira për ekzistencën e Shqipërisë pas Luftës së parë Botërore,  ngriti akuzën e tij për shtetet që kërkonin copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë, përfshi edhe atdheun e tij, Rusinë:
“Në një banjë gjaku e lanë njerëzinë
vetëm e vetëm
që dikush
të majmet me Shqipërinë.”
Autori e mbyll librin e tij me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Pas një analize të hollësishme të arritjeve të deritanishme, të politikës së tij të brendshme dhe të jashtme, për librat e shumtë pro dhe kundër Trumpit, përfundon: “Donald Trump do të mbetet në histori, si një nga presidentët më origjinalë, më të drejtpërdrejtë, më të hapur, më pragmatik dhe më të përkushtuar ndaj popullit amerikan dhe botës në përgjithësi, si një risi në artin e drejtimit modern të shtetit.”

Esetë e këtij libri karakterizohen nga fryma luftarake me të cilën autori argumenton e debaton, ballafaqohet me ata që kërkojnë të rrudhin përmasat reale të identitetit tonë kombëtar duke u përballur me ta me fakte nga historia dhe përditshmëria e jetës sonë.

Prof. Alqi Naqellari është përfaqësuesi më i mire i dijetarit shqiptar që nuk rri mbyllur brenda laboratorit të tij kërkimor-shkencor, por dijet e veta kërkon t`i shtrijë tek çdo individ, në mënyrë që ato të mos mbesin as në kokën e tij, as në librat e tij, as në një grup të kufizuar kërkuesish, por të bëhen pronë e të gjithëve. Ky libër është modeli më i mirë se si duhet të veprojë një shkencëtar: të krijojë ura komunikimi me shoqërinë në kohën e duhur,që mendimi të mos mbetet brenda mureve të institucioneve, por t`i kapërcejë ato dhe të gjendet pranë atyre që kanë nevojë në jetën e përditshme.