Moisi Dalipi: Zef Gjoni, trajneri legjendë i boksit shqiptar

517
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Trajneri Zef Gjoni , ose legjenda e gjallë e boksit shqiptar, siç e vlerësojën të gjithë jo vetëm në Shkodër, e pranon dhe vetë  “se do të vazhdojë të kontribuojë me të gjitha forcat për boksin  deri kur të shkoj në moshën  80 vjeç” e nënkupton  qartë se  sukseset e boksit shkodran dhe ekipeve  të tjera të Vllaznisë do vazhdojnë të vargëzohen duke  krijuar një mit  të suksesit sportiv që pak kush  e ka të tillë dhe në nivel evropian. Për të  gjitha këto suksese të  arritura  Zef Gjoni është licensuar i pari dhe i vetmi në Shqipëri ,si trajner boksi nga Shoqata Botërore e Boksit A.I.B.A .(Internacion –Boxing Association)  Dy  emrat e  njohur të boksit kosovar Mehmet Bodujevski dhe Azis Saliu që dekada më parë  kanë prekur nivelet nënkampionit të botës dhe kampion olimpik, pak kohë më parë janë shprehur: ”Pjesmarrja  dhe sukseset e boksierëve shqiptar  në çdo garë të nivelit rajonal, ballkanik , mesdhetar dhe evropian personifikohet me punë serioze dhe shumë pasionante të  trajnerit kombëtar Zef Gjoni”.

Dhe fakte të tilla janë , sepse që nga viti  1992, kur Vllaznia u shpall kampione Zef Gjoni vazhdon të jetë  trajner i ekipit kombëtar , duke  vazhduar t’i bëjë sfidë  moshës dhe kushteve . “Memoriali Vllaznia” , kupa “Adem Jashari “ , “Gongu Artë “ , pjesmarrjet e rregullta të ekipeve shqiptare në në çdo garë të nivelit  ndërkombëtare janë pjesë  e punës dhe  suksesit të tij në këto vite . Të gjitha këto kanë sjellë vlerësime, kualifikime dhe  rritje të boksit shqiptar në  ringun ndërkombëtar. Paraqitjet e fundit të boksierëve cilësor si Krenar  dhe Rexhildo Zeneli, Arjon Kajoshit dhe Kritan Demës i japin optimizmin e duhur trajnerit Zef Gjoni që thotë:”Kemi një grup të mirë me boksierë të rinj që na japin besim për të kapur nivele edhe më  të larta”. Gjithsesi kjo paraqitje e karrierës dhe sukseseve të  këtyre tre dekadave të fundit si trajner për Zef Gjonin është vetëm një pjesë e  veprimtarisë  të tij sportive për   më shumë se  gjysëm shekulli të lidhur me sportin . Këtu ndikim ka pasur edhe fakti, se familja e njohur  shkodrane  Gjoni,  ka qenë e lidhur me sportin e boksit që  në fillim të viteve 1960, kur  i vëllai  Ndoja , i dënuar më vonë  me disa vite burg , në vitet e shërbimit ushtarak ka boksuar për Partizanin . Por  një dramë  më  vete ka qenë jeta dhe karriera sportive e vëllait tjetër, boksierit të njohur   Ndoc Gjoni që së bashku me Viktor Martinin  formonin  në ato vite, atë dyshe shkodrane  të jashtëzakonshme  në ringun shqiptar.

Më parë me Dinamon, kur ishte 16 vjeç  ,  në shkollën profesionale në Tiranë dhe më vonë tek Vllaznia, djaloshi Ndoc Gjoni  do përndiqej  nga regjimi si përkrahës i bindjeve fetare  deri sa  ai të  tentonte të  arratisej në 1968 dhe të dënohej  me 12 vjet burg. Por  edhe pas kësaj në 1980 ky “rebel” i regjimit  do tentojë  përsëri të arratisej  jashtë vendit në kërkin të një jete më të  mire. Dhe  disa ditë  më vonë  ai është gjetur  i vrarë me një plumb në kokë  vetëm pak metra  në tokën malazeze . Në   xhep  të xhakestës i janë gjetur dy foto , ajo e nanës tij Predës dhe  e mbesës  të dashur që donte aq fort,  Greta Bardelit (Gjonit). Edhe sot e kësaj dite eshtrat e tij nuk dihet ku janë , por  ndoshta dhe diku në tokën malazeze aty ku u shua jeta tij  .Dhe  gjithë kjo dramë dhe jetë  e vëzhguar në çdo çast nga regjimi  në fuqi  kanë rënë  me tërë ashpërsinë e tyre për shumë vite  mbi supet e familjess ë  madhe dhe fisnike shkodrane të Zef Gjonit. Pikërisht në ato vite të vështira Zefi  zgjodhi të mbijetonte dhe t’i bënte sfidë diktaturës duke ju përkushtuar fort sportit. Kështu  ai djalosh i vogël , por shtatëlartë,  që dikur luante futboll dhe kryente mundje aty tek lagjia e tij , tek fusha e Kishës Madhe , me mikun e vet Paulin Ndoja, shpejt do ndiqte sportin e boksit si  dy vëllëzerit e vet Ndoci dhe Ndoja.Trajneri Shyqyri Halili në moshën 15 vjecare  në Durrës do  ta ngjiste në ring Zef Gjonin në ndeshjen e parë të tij  në kampionatin  për  të rinjë-rritur.

Ai pasi fiton bindshëm me  boksierin vlonjat Maliq Banushi do bëhet pjesë e ekipit të parë .Por vetëm një vit në sportin e  boksit,  sepse në vitin  1963 ky sport me urdhër  të Partisë  në pushtet  nuk  do të  zhvillohej për rreth  30 vite . Por shtatëlartësia  e Zef Gjonit  afërsisht tek  2 metrat , si një djalë shalian me tipare fisnike malësore do bënte që trajneri  i basketbollit Esat Harxhi ta afrojë tek ekipi i basketbollit të rinjve të Vllaznisë  përkrah Muhamet Sokolit, Dhimitër Tashit , Nikolin Palit, Bujar Golemin dhe Ivan Lacej. Shpejt shumë shpejt , kur ishte 17 vjeç në vitin  1971 Zef Gjoni do të kalojë tek ekipi i  parë i Vllaznisë që së bashku me Luan Shatkun , Zydi Çobën, Filip Guraziun , Renato Radojën,  vëllëzërit Petrit dhe Skënder Osmani,  Dhimitër Tashin , Refik Vorfën dhe  të drejtuar aq  mirë nga Bujar Golemi do të krijonin atë skuadër “ansambël” basketbolli të  Vllaznisë që jo vetëm rivalizonte  fort Partizanin, Dinamon dhe 17 Nëndorin , por dhe sot kur e kujtoj e thonë me shumë bindje se “ është e vështirë të rikthehet në Shkodër një ekip i tillë”.Në vitin 1981 , kur ishte 34 vjeç , Zef Gjoni  për shumë arsye  dhe në heshtje të plotë i jep lamtumirën sportit, për t’u rikthyer përsëri pas 10 viteve  diku në fillim të vitit 1992 tek dashuria e tij e  parë  sportive , aty  ku gjen më mirë vetveten dhe suksesin  e vet , tek  boksi dhe ringu. Por ky rikthim  i tij  këtë rradhë  ka qënë si trajner , që plot  pasion ka punuar dhe  punon fort çdo ditë , sepse siç e thotë dhe  vet  Zefi :” gjithëçka që është vlerësuar këto vitet e fundit , duke filluar nga “Qytetar Nderi Shkodrës” dhe deri tek “Mjeshtër i Madh”, janë shumë pak përpara asaj që ndien dhe përjeton  çdo ditë për sportin e boksit”. Dhe Zef Gjoni, që  tani është  drejt  një  75 vjeçari siç  duket  ka  vendosur t’i bëjë sfidë moshës  së vet , duke zgjedhur si motivim  përsëri sportin. Por duhet pranuar dhe besuar  nga të gjithë , se njerëz të tillë  si ky Zef Gjoni kanë treguar se dinë të fitojnë me sukses  ndaj çdo sfide .

SKEDA E ZEF GJONI

Lindur: Në Shkodër , më 12 Janar 1947
Karrriera në sport: Në vitet 1961-19063 në boks, 1967-1981 baskeboll “Vllaznia” , në vitet 1992-2021 trajneri i boksit të ekipit “Vllaznisë dhe ekipit  kombëtar.
Trofe të fituara: 23 tituj kampion kombëtar dhe 20 Kupa të Shqipërisë  , 19 tituj kampion me U-18 dhe  15  tituj kampion me U-15 me ekipet e “Vllaznisë”.
Vlerësime: “Trajner i Merituar “, “Qytetar Nderi i Shkodrës “ dhe Medalja e Presidentit “Mjeshtër i Madh”.