Fatos Çerenisti, administrator i ‘FAFA Group’: Ja pse turistët e Kosovës meritojnë më shumë vëmendje

401
Sigal

Flet Fatos Çerenishti, administrator i “FAFA Group”

Më shumë vëmendje për turistët e Kosovës, shpëtuan sezonin

Të paktën 45% e turistëve në hotelet e “FAFA Group” ishin ata nga Kosova, ndaj për administratorin Fatos Çerenishti, ky ishte grupi që mbajti në këmbë sektorin në pjesën e tij të mirë. Edhe pse ndër vite, strukturat e mëdha hoteliere kthyen sytë nga tregjet europiane si polakët, çekët e nordikët, duke u larguar nga turizmi patriotik, Çerenishti thekson se në vazhdim, kjo do të ndryshojë.

Sipas tij, në struktura do të ketë gjithmonë një numër të caktuar dhomash për agjencitë e Kosovës, që mund të shfrytëzohen në kohë sezoni, pasi koha tregoi se bashkë gjërat funksionojnë më mirë në ditë të vështira.

 Si u mbyll ky vit në këndvështrimin tuaj, po të kemi parasysh situatën e COVID-19 por edhe kohën e mirë që kemi pasur deri në fund të tetorit?

Ky vit rezultoi më mirë sesa pritej. Në qershor, ishim të tronditur dhe ishte pak e vështirë të parashikoje se çfarë do të ndodhte me sezonin veror. Por, pas 15 korrikut e deri në mes të shtatorit, të paktën ne si strukturë hoteliere kemi pasur një sezon normal.

Kur them normal, kam parasysh problemet e veta, duke marrë në konsideratë që po jetojmë në një kohë pandemie, e cila ka sjellë pasoja. Ne si FAFA, për shembull, nuk i hapëm dy hotele me kapacitet më të ulët. U fokusuam te strukturat e mëdha dhe ecuria ka qenë e mirë. Risia e këtij viti ishte që patëm një përqindje modeste, por ra në sy, nga Serbia.

Diku tek 2-3% e pushuesve në strukturën tonë ishin nga ky shtet. Kjo është diçka e re. Pjesa më e madhe e pushuesve ishin nga Kosova me 45%, ndërsa diku te 9% ishin pushuesit nga Maqedonia e Veriut. Një pjesë tjetër ishin emigrantët e ardhur në Shqipëri. Ka pasur edhe një pjesë polakësh që erdhën me chartera nga 15 korriku deri në fund të gushtit.

Me çfarë paketash operuat këtë vit dhe si ka qenë kostoja e tyre?

Ne përgjithësisht operuam me paketa “all inclusive” dhe kjo është pëlqyer shumë nga pushuesit. FAFA ka pasur prurje të mëdha për vetë paketën “all inclusive” e cila ka marrë vlerësime pozitive. Sigurisht ne jemi përpjekur të mbajmë një standard të caktuar dhe bashkë me situatën e COVID-19, kostot e paktës janë rritur.

U detyruam të kishim më shumë punonjës në shërbim si rezultat i masave për ndalimin e përhapjes së virusit. Nga ana tjetër, duke mirëkuptuar situatën e përgjithshme ekonomike, kemi ofruar paketa me çmime më të ulëta në raport me një vit më parë, duke ulur marzhet tona në fitimit në minimum.

A patët raste të infektimeve me COVID në struktura, duke pasur parasysh situatën e pandemisë?

Ky vit ka qenë një provë që ne të dilnim faqebardhë sa i takon pjesës së COVID-19, pra të mos kishim infektime. Aty ka qenë fokusi ynë më i madh dhe në fakt, nuk kemi pasur asnjë rast apo ankesë të pushuesve. Por edhe klientët ishin më të ndërgjegjësuar, duke respektuar masat, gjë që na garantoi një sezon të mbarë.

Prej disa vitesh, si pjesë e turizmit të organizuar, hotelet në zonën e Golemit diskutonin në shtator kontratat për vitin tjetër ose kontrata disavjeçare. A keni pasur të tilla diskutime po të kemi parasysh situatën?

Ne komunikojmë vazhdimisht me agjencitë e huaja me të cilat kemi punuar në vite. Por nëse më parë punonim me kontrata garancie, këto të fundit janë fshirë nga kujtesa. Kjo ndodh nga pasiguria që ka sjellë pandemia dhe fakti që nuk dihet çfarë do të ndodhë vitin tjetër. Aktualisht kemi të konfirmuar nga Itaka për polakët që pret të ketë fluturime. Është bërë edhe një negociatë paraprake, por gjithçka mbetet për t’u parë. Nordikët kanë kontratat e parapaguara të cilat nuk i kanë shfrytëzuar këtë vit. Ata janë skeptikë për të ardhmen, por mbetemi në komunikim.

Si e parashikoni situatën në vijim duke qenë se tashmë u mbyll sezoni dhe nuk ka të ardhura. Si i parashikoni investimet dhe pjesën e punësimit? Po pjesa e ndihmës nga qeveria?

Në sezonin e dimrit ne reduktojmë një pjesë të stafit që e punësojmë për kohën e pikut. Kemi nisur të merremi me orientimin e punëve për vitin tjetër në lidhje me funksionimin e strukturave dhe duke shtuar ambientet argëtuese. Agjencitë e huaja na e vënë theksin vazhdimisht për më shumë ambiente argëtimi dhe ky do të jetë fokusi ynë në të ardhmen. Parashikoj vështirësi financiare të mëdha për sektorin në tërësi. Disa do ta kenë të vështirë të mbijetojnë deri në qershor kur nis sërish sezoni. Nga ndihma që dha qeveria, mendoj se vetëm paga minimale kishte vlerë, pjesa tjetër jo.

Këtë vit, një pjesë e mirë e pushuesve në strukturën tuaj ishin nga Kosova. A do ta shihni atë si një treg potencial për marketim dhe ofrimin e paketave në vijim, duke qenë se fokusi vitet e fundit ka qenë te nordikët apo polakët?

Pushuesit nga Kosova kanë mbajtur në këmbë industrinë këtë vit. Edhe nëse do të ketë ngarkesë të madhe nga agjencitë e huaja, numri i dhomave në hotelet FAFA për agjencitë e Kosovës do të mbetet gjithmonë i rezervuar, sepse kaluam bashkë një kohë të vështirë. Ne kemi pasur bashkëpunim verën e kaluar me disa agjenci serioze në Kosovë. Bashkëpunimi ka rezultuar i frytshëm dhe kemi në plan ta mbajmë.