Raporti ndërkombëtar: PPP po rriten jashtë bilancit

244
Sigal

 

Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit ‘Moody’s’, ka publikuar raportin për Shqipërinë, ku ruhet pozicionimi i qëndrueshëm i Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare. Vendi ynë renditet sërish me vlerësimin “B1”, pavarësisht dy goditjeve të njëpasnjëshme, tërmetit dhe pandemisë. ‘Moody’s’ thotë se Shqipëria është e kufizuar nga një sërë faktorësh, duke filluar nga ekonomia e vogël, borxhi i lartë publik, rritja e varësisë nga financimet përmes formës së PPP-ve, të cilat klasifikohen jashtë bilancit, si dhe shkalla e lartë e euroizimit të vendit. Sipas raportit, fuqia ekonomike vlerësohet me elemente spekulativë dhe një rrezik domethënës të kredisë, ku theksohet ekspozimi ndaj rreziqeve te brendshme, shkalla relativisht e ulët e diversifikimit në krahasim me shtetet në nivele të ngjashme, si dhe përballja me një sërë sfidash strukturore. Për institucionet dhe fuqinë e qeverisjes (që vlerësohen me “ba2”) nënvizohen hapat që ka marrë qeveria në rrugën e anëtarësimit në BE dhe nevoja e adresimit të dobësive në fushën e rregullave të lojës dhe kontrollit të korrupsionit. Në rishikim, paralajmërohen rreziqet fiskale, e cila ka një vlerësim më të ulët, duke marrë në konsideratë nivelin e lartë të borxhit publik dhe detyrimet e mundshme që rrjedhin nga sektori i energjisë. Në vlerësimin e saj të fundit, agjencia parashikon se ekonomia do të fillojë të ri-mëkëmbet, që prej vitit të ardhshëm (2021), ku parashikon një rritje pozitive prej 5%.