– Shqipëria dhe rrugët e rrezikshme në fillim të shekullit të XX
-Ata bënë vizita në qytete të ndryshme si në Durrës, Krujë, Elbasan, Lezhë, Shkodër, Pogradec Korçë, Lushnjë, Fier, Vlorë, Himarë, Tepelenë, Berat, Gjirokastër, Kolonjë.
– Rreth katër javë më pas, në 22 shtator ata shkuan me automobil afër Milotit dhe vunë re që ura e vjetër prej druri ishte përmbytur.
Kudret ISAJ
Në 6 tetor 2024 në orën 6.50 minuta të mëngjesit udhëtoj me EasyJet në linjën Gjenevë-Tiranë. Një rradhë para meje në avion dëgjoj një person, ndoshta anëtar i klubit zviceran në Shqipëri, t’i thotë fqinjit të tij se po shkonte të merrte pjesë në aktivitetet e organizuara nga Ambasada zvicerane në Tiranë për t’i bërë homazh figurës së Eugène Pittard dhe bashkëshortes së tij Hélène Pittard, e njohur me pseudonimin Noëlle Roger. Në orën 8.50 minuta arrijmë në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë. Mali i Dajtit kishte bërë mirë që i kishte përzënë retë e hirta në mënyrë që dielli t’i uronte mirseardhjen udhëtarëve, që vinin në Shqipëri. Një punonjës i aeroportit më thotë me krenari që gjatë verës ka patur 1 milion pasagjerë, shifër kjo që përfshin 250 fluturime në ditë. Deri në fund të vitit 2024, aeroporti Nënë Tereza në Tiranë pritet që të shërbejë rreth 8.4 milion pasagjerë. Aeroporti mban emrin e Anjezë Gonxhe Bojaxhiut e njohur botërisht me emrin Nënë Tereza e Kalkutës, fituese e Çmimit Nobël për Paqe në vitin 1979, e cila nuk e ka mohuar asnjëherë origjinën e saj shqiptare. Eugène dhe Hélène Pittard e kanë vizituar për herë të fundit Shqipërinë në vitin 1924. Nënë Tereza e vizitoi atdheun e saj, Arbërinë e vjetër për herë të fundit në 25 prill 1993 kur shoqëroi Papa Shën Gjon Palin e II-të gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Rrugë të rrezikshme në fillim të shekullit XX-të Duke përshkuar me avion për dy orë distancën që ndan Gjenevën me Tiranën më ravijëzohet në kokë pyetja se cilat ishin mjetet e transportit, me të cilat Eugène dhe Hélène Pittard(Noëlle Roger) kanë udhëtuar në Shqipëri. Bëhet fjalë për vitet 1910, 1921 dhe 1924. Ciftit Pittard me të mbërritur në Tiranë në 20 gusht 1921, iu desh të kapërcente vështirësi të paimagjinueshme gjatë udhëtimit nëpër Shqipëri. Ata bënë vizita në qytete të ndryshme si në Durrës, Krujë, Elbasan, Lezhë, Shkodër, Pogradec Korçë, Lushnjë, Fier, Vlorë, Himarë, Tepelenë, Berat, Gjirokastër, Kolonjë. Rreth katër javë më pas, në 22 shtator ata shkuan me automobil afër Milotit dhe vunë re që ura e vjetër prej druri ishte përmbytur nga shirat e dendur, që nuk kishin ndërmend të pushonin. Ç’të bënin ? Ata duhej të mbërrinin në Shkodër një orë e më parë se Prof Eugène Pittard në datën 24 shtator ishte ftuar të merrte pjesë dhe të mbante një fjalim në një miting të madh popullor të organizuar nga kryetari i Përlimtares(Bashkisë) së Shkodrës, Musa Juka, i cili e mbante një funksion të tillë që prej vitit 1916. Ata e kaluan lumin e rrëmbyer të Matit falë një fshatari që i mbajti njëri pas tjetrit mbi kurrizin dhe supet e tij për t’i nxjerrë matanë bregut. Para se të kalonin lumin, Eugene dhe Helene Pittard u bënë dëshmitarë të një skene që nuk do ta harronin për shumë vite me radhë. Ata panë një fshatar, i cili kishte fryrë me bulçitë e tij një lëkurë deleje sikur të ishte kacek, një mjet lundrimi mijëvjeçar dhe me të kaloi lumin. Kaceku bëhet prej lëkure deleje dhe lidhet në gjoks dhe në shpinë të rrezikziut që të mos shkëputet nga trupi i tij në mënyrë që ai të qëndrojë mbi ujë dhe të notojë. Afërmendsh që i zoti i kacekut, ose kaceksi do të zhvishej siç e kishte bërë nëna kur të hynte në ujë, për shkak se ai nuk mund të notonte dhe të kalonte në bregun tjetër të lumit i veshur me rroba. Fotografinë e mëposhtme e kemi kujtim nga koleksioni fotografik i Baron Franc Nopçës gjatë udhëtimeve të shumta që ai ka kryer në Shqipërinë e veriut në fillimet e shekullit të XX-të. Baron Franc Nopça ka fiksuar në celuloidin e aparatit të tij fotografik dy fshatarë të zonës së veriut që i kanë lidhur në majë të kokës ndërresat e tyre që të mos lagen nga uji dhe po bëhen gati ta kalojnë lumin me kacek, fotografi, e cila me siguri ka hyrë në historinë e fotografisë shqiptare. Në vitin 1927, në Milot u ndërtua një urë me 6 harqe që lidhte Lezhën, Shkodrën dhe Kurbinin, e cila njihet si ura e Zogut për kujdesin e veçantë që ai i kushtoi ndërtimit të saj, vepër e një inxhinjeri të njohur italian. Në vitet 1920-1930 duheshin dy ditë për të shkuar nga Tirana në Shkodër. Sot qeveria shqiptare ka një projekt për ta përshkuar këtë distancë prej 109 kilometrash për 45 minuta. Distancat midis Shqipërisë dhe Italisë shkurtohen dita ditës. Prof Eugène Pittard në librin e tij me titull : «Racat dhe historia» botuar në vitin 1924 shkruan se ngushtica e Otrantos bashkon detin Adriatik me detin Jon dhe pika 2 më e afërt që lidh Karaburunin me ngushticën e Otrantos nuk është më shumë se 71 kilometra nga brigjet e Pulies. Këto vitet e fundit një numër i konsiderueshëm pensionistësh italianë nga krahina e Pulies kanë blerë apartamente me një çmim prej 25.000 eurosh në Durrës buzë detit. Sot është bërë diçka e zakonshme t’i shohësh ata të ulur në restorantet dhe në baret e qytetit bregdetar me një gotë raki rrushi, a një gotë verë të kuqe Kallmet në duar. Në mesjetë në kohën e Skënderbeut, qindra voza me verë Kallmet të prodhuar në Lezhë(Lissus) ngarkoheshin në anije në portin e Shëngjinit me emrin antik St. Jean de Medua për të kaluar detin Adriatik dhe për të përfunduar në bodrumet e errëta të enotekës së Vatikanit. Kronikat e vjetra dëshmojnë që Papa Piu II linte kokën për Kallmetin e kuq të prodhuar në fushat dhe në kodrat e buta të Lissusit. Shqipëria në vitet 20-të të shekullit të XX-të ishte një vend i varfër me 800.000 banorë me shumicë dërrmuese analfabete ku fanatizmi fetar rëndonte më shumë mbi gratë dhe vajzat e reja. Në një gazetë të kësaj periudhe kohore kam lexuar një lajm, sipas të cilit një dentisteje të huaj, e cila kishte hapur një konsultore në Tiranë, i duhej të shkonte te hoxha për t’i marrë leje që të mjekonte dhëmbët e një gruaje myslimane !
MALËSORË QË VUAJNË NGA URIA
Qeveria shqiptare në vitet 1921 dhe 1924 kishte vënë një vilë në dispozicion të Eugène dhe Hélène Pittard gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë. Për të kryer misionin e tij si i deleguar i Lidhjes së Kombeve në Shqipëri në prill të vitit 1924, Eugèni dhe Hélèna kishin rezervuar një dhomë në hotel Europa në Shkodër. Për fat të keq ky hotel me këtë emër simbolik dhe domethënës nuk ekziston më. Do të kishim dashur të dinim në cilën dhomë të këtij hoteli ka fjetur Eugène dhe Hélène Pittard. Në fotografinë që Eugène Pittard i ka bërë hotelit Europa në Shkodër në vitin 1924 në cepin e anës së djathtë të kësaj fotografie shquhet një person i veshur me uniformë ushtarake. Cili është ai? Ai është Leon Ghilardi, qytetar me origjinë kroate, dikur ushtarak i perandorisë Austro-Hungareze ardhur në Shqipëri në kohën e princ Vidit në vitin 1914. Ai do të emërohej 10 vjet më pas gjeneral, komandant i xhandarmërisë shqiptare dhe adjutant i mbretit Zog. Në rastin në fjalë në vitin 1924, Leon Ghilardi kishte ardhur në Shkodër për të shoqëruar Prof Eugène Pittard si bodigard i tij. Kujtojmë këtu që Leon Ghilardi kur ishte adjutant i mbretit Zog ishte nisur një ditë në Apolloni për të takuar mikun e tij, arkeologun francez Leon Rei dhe kur sheh grumbullime njerëzish të armatosur në qendër të Fierit zbret nga makina. Duke e 5 njohur atë si njëri i afërt i mbretit Zog dhe makinën e tij zyrtare, kryengritësit e lëvizjes së Fierit e qëllojnë me armë dhe e vrasin Leon Ghilardin, i cili ndërron jetë në Fier në 14 gusht të vitit 1935. Në prill të vitit 1924, Eugène dhe Hèlène Pittard i shpërndau misër banorëve të Shkodrës në fushën e Hasan Riza pashës sipas listave të përpiluara më parë nga bashkia e Shkodrës dhe e Lezhës. Krahas shpërndarjes së misrit në Shkodër dhe takimeve, që zhvillonte me konsujt e huaj që ishin akredituar në qytet, pas takimeve të përditshme me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Musa Jukën dhe me prefektin Abedin Nepravishta, Eugène Pittard me bashkëshorten e tij ngjiteshin një herë në javë në fshatrat e thella të Malësisë së Madhe për të furnizuar malësorët me misër dhe për të parë me sytë e tyre nëse nënat malësore kishin bukë në magje për fëmijët e tyre ditën e nesërme. Eugène Pittard me Helenën i përshkuan rrugët e Shqipërisë herë me automobil, herë në këmbë, herë me kuaj duke takuar dhe biseduar me dhjetëra njerëz dhe duke njohur në këtë mënyrë gjeografinë dhe historinë e vendit sidomos konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve. Nuk është rastësi që Prof Eugène Pittard zbuloi për herë të parë periudhën e neolitit në Shqipëri në vitin 1921 në fshatin Tren afër malit Trajan, pranë liqenit të Prespës. Ai vizitoi muzeun e Jezuitëve në Shkodër ku mori disa kafka me origjinë shqiptare për t’i studjuar ato në laboratoret e specializuara të Universitetit të Gjenevës.
DOSJA E BEKTASHIZMIT SHQIPTAR NË UNESKO
Prof Eugène Pittard i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Helenë, në javën e fundit të muajit gusht të vitit 1921 u ngjit në malin e Tomorrit, ku bëri fotografi mbresëlënëse, si dëshmi të asaj periudhe historike, të cilat sot mund t’i admirojmë në Muzeun Etnografik të Gjenevës. Prof Eugène Pittard shpalosi edhe aty në malin e Tomorrit shpirtin e tij poetik, i cili e ka shoqëruar atë gjatë gjithë jetës së tij duke e çliruar dhe zbutur sado pak ngurtësinë dhe vrazhdësinë e formulave dhe të terminologjisë shkencore të veprave të tij antropologjike. Ata ishin të bindur që të dy që në majën e malit të Dodonës pellazgjike me lartësi 2417 metra, kishin takuar me Baba Tomorrin. Baba Tomorri mjekërrthinjur nga dëbora e maleve i kishte bekuar me dorën dhe me shpirtin e tij miqtë këmbëmbarë zviceranë nga Gjeneva. (Këtë pjesë do ta lexoni në një numër të posaçëm)
PROF EUGENE PITTARD PO AQ FOTOZHENIK SA KLINT ESTWOOD
Fushata kombëtare për njohjen, përkujtimin dhe popullarizimin e figurës së Eugène dhe Hélène Pittard-it zhvilluar në datat 8-9 tetor 2024 në Tiranë ishte një fushatë e suksesshme dhe e kuruar me përkushtim dhe dashuri, e cila e ka zanafillën e saj që në shtator të vitit 2023. Portreti emblematik i Prof Eugène Pittard i afishuar në banderola në bulevardin kryesor «Dëshmorët e Kombit» (ndoshta mund t’a dëgjojmë ende zhurmën e hapave të çiftit Pittard duke ecur në kalldrëmet e Tiranës së viteve 1921 dhe 1924 !) si dhe në rrugët e tjera të kryeqytetit qëndronte pikërisht aty për t’i njoftuar dhe për t’i përshëndetur qytetarët e Tiranës dhe për t’ju thënë atyre që ai dhe bashkëshortja e tij Hélène Pittard u rikthyen në Shqipëri dhe e mbajtën fjalën e dhënë. Në këto ditë fushate kombëtare portreti mitik i Prof Eugène Pittard iu përshfaqet qytetarëve të Tiranës po aq fotozhenik sa portreti i Harrison Ford-it, i Robert de Niro-s dhe i Clint Estwood-it. Fushata për Eugène Pittard-in fillonte në orët e para të mëngjesit dhe përfundonte në orët e vona të mbrëmjes. Një meritë të veçantë për popullarizimin e figurës së Eugène dhe Hélène Pittard-it në Shqipëri i duhet njohur Ambasadores zvicerane zonjës Ruth Huber, e cila mbajti dy referate të rëndësishme dhe mbresëlënëse gjatë të dy aktiviteteve të organizuara në Tiranë si dhe dha intervista në disa televizione kombëtare me fakte pikante nga jeta dhe veprimtaria e Eugène dhe Hélène Pittard në Shqipëri. Gjatë një jave të tërë portreti i Eugène Pittard-it me flokët e bardhë të shpupurisur nga era iu përngjante qytetarëve të Tiranës sikur kishte çarë telajon dhe kishte dalë nga një pikturë e Rembrandit. Ambasada zvicerane në Tiranë përgjatë vitit 2025 parashikon të sponsorizojë, të promovojë dhe të botojë një album fotografik me fotografi që Eugène Pittard ka bërë në Shqipëri në vitin 1921 dhe 1924. Për botimin e këtij albumi dëshiroj të falenderoj përzemërsisht zonjën Carine Ayélé Durand, drejtoreshën e Muzeut Etnografik të Gjenevës, e cila më ka krijuar të gjitha lehtësirat e nevojshme që ky projekt kulturor shqiptaro-zviceran të bëhet një ditë realitet. Në 8 janar 1927, 97 vjet më parë, Presidenti i Republikës Shqiptare Ahmet Zogu e dekoroi Prof Eugène Pittard me dekoratën e lartë : «Komandant me yll – Oficer madhor i Urdhërit të Skënderbeut» dhe e bëri detyrën e tij. Eshtë në nderin e shtetit shqiptar që Presidenti i Republikës së Shqipërisë ta dekorojë Prof Eugène Pittard dhe bashkëshorten e tij Hélène Pittard(Noëlle Roger) me Urdhërin e Flamurit Kombëtar për mbajtjen e betimit që ai ka bërë mbi flamur në vitin 1921 kur u emërua konsull i përgjithshëm nderi i Shtetit shqiptar në Gjenevë.
Astrit Leka gjatë rrugës për në Shqipëri mban në krah, në avion bustin e antropologut zviceran EUGENE PITTARD
Astrit Leka është sot frankofoni më i shquar i Shqipërisë. Së shpejti ai mbush 100 vjeç. Ai banon me familjen e tij në Gjenevë që prej vitit 1990. Më e bukura është për shkak të këtij qytetari të nderuar shqiptaro -zviceran, krenar për të dy atdhetë e tij, Shqipërinë dhe Zvicrën, autorin e këtyre radhëve nuk e zë gjumi. Mbrëmjen e 16 tetorit 2024, botuesi nga Lozana i gazetës Infomeduse, Christian Campiche botoi artikullin tim të titulluar : « Tirana nderon kujtimin e gjenevasve Eugène dhe Hélène Pittard(Noëlle Roger) siç nderoi Nënë Terezën me Çmimin Nobël për Paqe». Kur e rilexova këtë artikull pas botimit të tij, disa pika lot më rrodhën nga sytë në mënyrë të pavetëdishme, zemra po më rrihte si e çmendur dhe isha gati për të thirrur ambulancën. Në këtë artikull ishte bërë një harresë e pafalshme. Nuk kisha përmendur kontributin e Astrit Lekës në homazhet e organizuara për nder të Prof Eugène Pittard nga Ambasadorja zvicerane në Shqipëri zonja Ruth Huber dhe nga kryetari i Akademisë së Shkencave Prof Skënder Gjinushi në datën 9 tetor 2024 në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Përurimi simbolik i bustit të Prof Eugène Pittard në Akademinë e Shkencave në Tiranë ishte një surprizë e bukur për të gjithë dhe asnjë njeri nuk kishte dijeni për këtë. Prof Astrit Leka ! E mirëkuptoj zhgënjimin tuaj pasi të keni lexuar këtë artikull nga fillimi deri në fund. Ju keni të drejtë të më quani mosmirënjohës, të më quani një njeri, i cili nuk e ka thënë gjithë të vërtetën në lidhje me bustin prej bronzi të përuruar në mënyrë simbolike në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Ju kërkoj ndjesë, Profesor. Më lejoni ta ndreq këtë keqkuptim duke përshkruar një bisedë imagjinare të zhvilluar midis jush dhe Prof Eugène Pittard.

PO KU ËSHTË PASAPORTA E EUGENE PITTARD ?
Udhëtojmë me avion në itinerarin Gjeneve-Tiranë. Claire Pittard, mbesa e Eugene dhe Helene Pittard ju ka dhënë ju Astrit Leka bustin e gjyshit të saj për ta dërguar në Shqipëri. Një dhuratë e çmuar kjo e familjes Pittard për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ju mbani në duar biletën e avionit. Disa minuta para se të niseni në aeroportin e Gjenevës, papritur ju kap një dyshim, të cilin nuk arrini dot ta hiqni nga mendja si ato grenxat që po t’u ngjitën nuk të ndahen më. «Pa të shoh pak, a e kam pasaportën time zvicerane në xhepin e brendshëm të kostumit të zi. Pasaporta është në vendin e saj. Po ç’farë duhet të bëj nëse më kërkojnë pasaportën e Eugène Pittard-it ? Kush rri e merret me kontrollorët e pasaportave ! Përse nuk i kërkova Claire Pittard-it të më jepte pasaportën e gjyshit të saj ? Kam lexuar diku që djali i tij, Zhan Zhak Pittard, përsëriste gjithmonë që ati i tij kishte një pasaportë diplomatike. Ku është kjo pasaportë?A mos vallë duhej të kisha blerë një biletë avioni për mua dhe një biletë tjetër për bustin e Eugène Pittard-it ? Ç’farë duhet të bëj nëse tani më kërkojnë një dëshmi biometrike të identifikimit të fytyrës së tij, nëse ky është busti i vërtetë i Eugene Pittard-it apo është një bust i rremë i ndonjë personi tjetër ? ». Të gjithë këto mendime më vinin në kokë. Fatmirësisht nuk ndodhi asgjë me rëndësi dhe ju e mbajtët për dy orë bustin e Eugene Pittard-it në krahët e tua gjatë udhëtimit me avion në linjën Gjenevë -Tiranë. Sigurisht që ju do t’i keni bërë pyetje dhe do t’i keni treguar shumë gjëra interesante njëri tjetrit gjatë atij udhëtimi dyorësh me avion, aq më tepër që flisni që të dy gjuhën e Molierit dhe nuk keni nevojë për përkthyes. Astrit Leka : Të ishim në odën e burrave në Shqipëri pranë oxhakut do të të kisha zgjatur kutinë e duhanit për të dredhur një cigare me duhan sheldie. Po ne jemi duke udhëtuar me avion dhe pirja e duhanit këtu është e ndaluar. A e keni pirë ndonjëherë duhanin ? Eugene Pittard : Në të ritë e mij kur kam qenë student në Universitetin e Gjenevës kam ndezur ndonjë cigare fshehurazi me shokët e mij të shkollës, por nuk m’u bë ves dhe nuk e kam pirë asnjëherë duhanin më vonë. Kur kam udhëtuar në Shqipëri në vitin 1921 dhe 1924, kam parë që në veri dhe në jug të vendit shqiptarët e pinin duhanin me çibuk prej druri, sinonim i llullës ose i cigarishtes së gjatë. Por nuk e kam kuptuar asnjëherë përse shqiptarët thonë pi duhan kur në fakt ata nxjerrin tym duke thithur duhan se duhani nuk pihet, nuk është lëng. Një fshatar nga Farka në pazarin e Tiranës në vitin 1921 më ka treguar një llullë prej balte të pjekur punuar në poçari. Në frëngjisht dhe në gjuhë të tjera ne themi tymos duhan. Diçitura në gjuhën frënge e një pikture të piktorit francez Zhan-Leon Zherom është : «Arnautët duke tymosur duhan». Ju shqiptarët e përktheni shqip këtë diçiturë: «Arnautët duke pirë duhan». Astrit Leka : Kam dëgjuar që keni shumë kujtime nga Shkodra, emër të cilin, ju e përmendni, e shkruani dhe e shqiptoni në trajtën latine Scutari. C’farë ju ka bërë përshtypje më shumë nga ky qytet ? Eugène Pittard : Në Shkodër kam bujtur tri herë me bashkëshorten time Hélènën. Herën e parë në vitin 1910, herën e dytë në vitin 1921 dhe herën e tretë dhe të fundit në vitin 1924. Më kujtohet që në të tri vizitat e mia në Shkodër binte shi pa pra. A mund t’ju pyes Profesor: a bie ende shi në Shkodër ? Shkodra ka një histori që ia kanë zili shumë qytete europiane. Scutari nuk është më pak i shquar se Roma dhe Venecia. Mbreti ilir Genti i fisit të ardianëve kishte për kryeqytet Skodrinon-in, Shkodrën e ditëve tona.

A e dini që mbreti juaj Genti ishte botanist dhe një lule që ai e ka zbuluar vetë mban emrin Gentiana. Këtë e dëshmon edhe historiani romak Plini II Veçhio. Unë me Hélènën në korrikun e vitit 1910 kemi fjetur në hotel Grand, pronë e Sokrat Shkrelit. Nuk mund të harroj menunë mbretërore që na serviri ai në restorantin e tij: tavë krapi dhe krap të pjekur në tjegull. Si të mos sjell ndërmend ditën kur do të largoheshim nga hoteli kur Sokrat Shkreli donte të na mbante peng duke na vënë kushtin: O do të mësoni një barsaletë shkodrane ose nuk ju lë të ktheheni në Gjenevë» ! Astrit Leka: Më kanë thënë që ju dini disa fjalë shqip. E keni të vështirë të flisni por në fakt kuptoni më shumë se ç’besojnë të tjerët. A është e vërtetë dhe kush jua ka mësuar këto fjalë shqip? 14 Eugène Pittard: Ishte një kohë pas vitit 1919, kur Midhat Frashëri nisej nga Clarens Montreux ku banonte dhe vinte shpesh në shtëpinë tonë në Gjenevë ku mbrëmjeve pinim ndonjë gotë verë të kuqe, të cilën unë e blija tek miku im Jacques Gross në Bourdigny. Midhati më thoshte gjithmonë që donte të më mësonte disa fjalë shqip se ndoshta do të më duheshin një ditë kur të shkoja në Shqipëri dhe kishte patur të drejtë. Për shembull, më kujtohen dy fjalë që siç më shpjegonte ai shqiptarët i përdorin si përshëndetje : «Tungjatjeta» dhe « A je burrë ?». Kam diskutuar me linguistë në Gjenevë dhe më kanë thënë që këto dy përshëndetje janë tipike dhe endemike shqiptare dhe është shumë e vështirë t’ju gjendet barasvlershëria kuptimore e plotë fjalë për fjalë qoftë në gjuhën frenge, qoftë në gjuhë të tjera. Astrit Leka: Tashmë që i njihni mirë shqiptarët, origjinën e tyre të lashtë, zakonet, psikologjinë, karakterin, mënyrën e jetesës, tipin dhe kafkën e tyre, ç’mendim keni për mikpritjen shqiptare? Eugène Pittard: Kam vënë re një fenomen të veçantë, atipik. Rasti i parë. Ne në Zvicër kur duam të ftojmë një mik që vjen nga larg, pas darkës së shtruar në shtëpi ose në restorant e shoqërojmë në hotelin më të mirë të qytetit që kemi rezervuar për të. Tek ju në Shqipëri ndodh ndryshe. Më kujtohet që në Korçë, në Berat, në Shkodër, në Gjirokastër, përgjithësisht në të gjithë vendin, midis shqiptarëve bëhet gjithmonë «sherr», se cili prej tyre do ta presë mikun e huaj në shtëpinë e tij, të cilit pas darke do t’i shtrojnë për të fjetur në dhomën më të mirë që kanë. Për këtë midis burrave ka gjithmonë hatërmbetje, madje nuk i flasin me gojë njëri tjetrit për një kohë të gjatë. Shqiptarët e kanë për turp që t’i lënë miqtë e huaj të flenë në hotel. Më kanë thënë që shqiptarët bëjnë «sherr» edhe në restorant, sepse secili prej tyre do të paguajë vetë me paratë e tij të gjithë shpenzimet e shtruara për darkë, pavarësisht sa persona kanë marrë pjesë dhe nuk lënë asnjë person tjetër që të fusë dorën në xhep. Nëse dikush do ta kundërshtojë mund të plasë koburja. Rasti i dytë. Pas disfatës në luftë me AustroHungarinë dhe tërheqjes rraskapitëse të ushtrisë serbe në malet me dëborë të Shqipërisë në luftën e parë botërore në vitin 1915, një natë të ftohtë dimri 20 gradë nën zero, në një kullë malësore në veri të vendit jo shumë larg me kufirin, troket Mbreti Petar i Serbisë dhe kryeministri serb Nikolla Pasiç. Ata i çojnë fjalë të zotit të shtëpisë, nëse ai pranon që t’i strehojë atë natë në shtëpinë e tij ? I zoti i shtëpisë në atë çast përjetoi dilemën më të madhe të jetës së tij : t’a priste mbretin dhe kryeministrin e Serbisë me pushkë si armiq të vendit të tij apo t’i priste si mysafirë ! Malësorit shqiptar pasi i kaluan fluturimthi nëpër mendje si një film me xhirim të shpejtë kodet, doket dhe traditat e lashta që i kanë lënë trashëgim të parët, vendosi që t’a presë Mbretin Petar dhe kryeministrin e Serbisë Nikolla Pasiç sipas zakoneve të mikpritjes shqiptare. Astrit Leka : C’përshtypje keni nga vizita që keni bërë në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë në vitin 1921 dhe 1924 ? A ju ka lënë mbresa diçka e veçantë që nuk e keni hasur në kryeqytete të tjera ? Eugène Pittard : Ishte një gjë e paparë për ne si zviceranë me kushtetutë dhe shtet të organizuar 700 vjeçar kur me të mbërritur në Tiranë në 20 gusht të vitit 1921, filluam 15 të kërkojmë në qendër të kryeqytetit godinat e ministrive të qeverisë shqiptare dhe zyrat e ministrave. Pas përpjekjeve tona të pafrytshme për të gjetur godinat e ministrive të shtetit shqiptar në qendër të Tiranës, një mik shqiptar që na shoqëronte na tha se ministritë dhe zyrat e ministrave të qeverisë shqiptare ndodheshin faktikisht të shpërndara në shtëpitë private të qytetarëve të Tiranës, për të vetmin fakt se shteti i varfër shqiptar nuk mund të priste që më parë të ndërtoheshin godinat e ministrive dhe më pas ministrat të fillonin nga puna! Kryetari i bashkisë së Tiranës, Ismail Ndroqi na ka pritur në zyrën e tij që në ditët e para të muajit shtator, madje na ka dhënë kartvizitën e tij. Mund t’ju them që Tiranën e njoh mirë nga pikëpamja historike dhe gjeografike se në 14 nëntor 1921, kam botuar në gazetën Journal de Genève një artikull me titull: «Tirana». Në kryeqytetin e vendit, në Tiranë kemi vizituar me Hélènën pazarin e vjetër ku kemi parë një drugdhendës, i cili ndërtoi një djep druri për fëmijë para syve tanë duke gdhendur një shqiponjë në krye të djepit dhe duke e zbukuruar atë me ornamente floreale. Jemi ngjitur me kuaj në rrugën e Dibrës ku nëpër shtigjet e saj na parakalonin ngjarje historike që kishin ndodhur në ato vise si dhe vizituam kalanë e Petrelës, e cila në periudhën mesjetare ka qenë zotërim i Mamica Kastriotit, motrës së Skënderbeut. Eugène Pittard : Profesor Leka. Kam lexuar në disa libra të vjetër të profilit historik dhe bibliografik që ekziston një lidhje midis humanistit shqiptar Marin Barleti dhe qytetit të Gjenevës ? A keni gjetur ndonjë fakt apo dokument në bibliotekat dhe në arkivat e Gjenevës në lidhje me këtë përtakim ? Astrit Leka : Kur Gjeneva u pushtua nga Duka i Savojës, Charles Emanuel i I-rë në 11-12 dhjetor 1602, Këshilli i burrave të urtë të Gjenevës u mblodh dhe vrau mendjen si ta mobilizonte dhe ta frymëzonte popullin kundër savojarëve. Në këtë tubim ata vendosën që për të fituar kohë të shtypin në dy shtypshkronja të ndryshme njëkohësisht librin e humanistit shqiptar Marin Barleti me titull : «Historia e mbretit të Shqipërisë Gjergj Kastriot Skënderbeut» përkthyer nga latinishtja në frengjisht nga Zhak Lavardin në vitin 1576 dhe t’ua shpërndajnë këtë libër që për ta kishte shenjtërinë e një bible të 14 mijë banorëve të qytetit të Gjenevës. Nëna Mbretëreshë, siç e quajnë ende sot gjenevasit, gruan trimëreshë që i doli në mbrojtje qytetit të saj, ka mbetur në historinë e Zvicrës dhe në memorien e gjenevasve kur ju hodhi savojarëve mbi kokë kazanin me supë të nxehtë duke artikuluar sentencën lapidare : «Kështu e pësojnë armiqtë e Republikës». Ju Astrit Leka mund t’i keni treguar Prof Eugène Pittard-it që keni lindur në fshatin Borsh të rrethit të Vlorës në vitin 1924. Në qershor të këtij viti në Shqipëri u zhvillua një revolucion dhe imzot Fan Noli u zgjodh kryeministër i Shqipërisë. Shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës Fan Nolit për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë në 17 dhjetor 1920. Për të qenë të saktë, imzot Fan Noli në vitin 1947 mbrojti doktoraturën me temë : «Ludvig Bethoven dhe revolucioni francez» në konservatorin e muzikës në Nju England në Boston. Një fakt i rrallë për një politikan, aq më tepër për një kryeministër, imzot Fan Noli i binte oboes, instrument muzikor që 16 shqiptarët e asaj epoke në zhargonin e tyre të përditshëm e quanin : fyell. Në 4 tetor 1924 me iniciativën e Dr. Gjergj Adamidit u krijua në Gjenevë shoqata bamirëse «Aubrey Herbert», qëllimi i së cilës ishte furnizimi me ambulanca dhe pajisje mjekësore i fshatrave dhe i qyteteve që kishin më shumë nevojë për to në Shqipëri. Elisabeth Carnarvon u zgjodh kryetare nderi e kësaj shoqate. Anëtarë themelues u zgjodhën : Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Mehmet Konica, Rexhep Jella, Benedikt Blinishti dhe Prof Eugène Pittard me bashkëshorten e tij Hélène Pittard(Protokoll për krijimin e një shoqate filantropike shqiptare në Gjenevë, AQSH, Fondi Luigj Gurakuqi, dosja 13, fl. 1).
«HELENE PITTARD(NOELLE ROGER) DO TË RIKTHEHET SË SHPEJTI NË SHQIPËRI. JU JAP FJALËN E NDERIT»
Viti 1924, viti i lindjes suaj Profesor, është gjithashtu viti që Prof Eugène Pittard erdhi në Shqipëri. Ai mbërriti në Tiranë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Hélène Pittard e njohur me pseudonimin Noëlle Roger. Eugène Pittard ishte i deleguar i Lidhjes së Kombeve në Shqipëri për të shpëtuar banorët e Shqipërisë së veriut nga kriza e urisë dhe nga zia e bukës që merrte çdo ditë jetë njerëzish. Imagjinoni skenën : një Profesor nga Shqipëria që ka 100 vjet mbi supe, me leshrat e bardha si dëborë dhe me ballë si të perandorit ilir Dioklecian-it mban në avion në krahët e tij bustin e Eugène Pittard. Një mundim fizik Profesor ! Eugène Pittard rikthehet në Shqipëri, 100 vjet pas udhëtimit të tij të fundit në vitin 1924, në trajtën e një busti të derdhur në bronz. Njeriu që e mban në krahët e tij këtë bust është një pishë gati njëqind vjeçare jo shumë larg nga pisha flamur e Llogarasë. Që së largu dallojmë që ai nuk është busti i skulptorit gjenevas Luc Jaggi, i cili vigjiloi ditë e natë për 45 vjet me radhë para oborrit të Muzeut Etnografik të Gjenevës.(Kujtojmë këtu që Luc Jaggi është autori i shumë veprave skulpturore, përmendim këtu bustin e Henry Dunant, themeluesit të Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të kuq vendosur në sheshin Neuve në Gjenevë). Ku ndodhet sot busti i Prof Eugène Pittard ? A është zhdukur ky bust përgjithmonë dhe nuk do të rikthehet kurrë më në oborrin e Muzeut Etnografik të Gjenevës, apo busti ka vendosur të largohet vetë në heshtje të plotë dhe të rikthehet në shtëpinë e tij të vjetër në rrugën Cottages 36 ! Prof Astrit Leka ! Busti që ju shoqëroni në Tiranë, ka për autor skulptoren Margueritte Duchosal-Bastian, e cila ka qenë nxënëse e skulptorit të njohur gjenevas James Vibert. Pas dy orë udhëtimi, ju Profesor Astrit Leka keni mbërritur në aeroportin Nënë Tereza në Rinas me bustin e Eugène Pittard-it në krahë. Ju kqyrni në shesh që së largu një turmë gazmore dhe shihni disa djem dhe vajza të reja me pankarta në duar, në të cilat shkruhet në gjuhën frënge me shkronja të mëdha : Mirë se erdhët në Shqipëri Prof 17 Eugène Pittard ! Mirë se erdhët në Shqipëri Hélène Pittard(Noëlle Roger) ! Atë çast, ju Profesor Astrit Leka ju zë një ankth i madh dhe disa bulza djerse ju dalin mbi ballë dhe e ndjeni veten fajtor : Hélène Pittard nuk ka ardhur në Shqipëri me bashkëshortin e saj ! Eugène Pittard rikthehej vetëm në Shqipëri pas një mungesë të gjatë njëqindvjeçare. Njerëzit e përqafonin me mall Eugène Pittard-in sikur përqafonin një njeri të afërt të familjes, i cili ishte larguar nga Shqipëria prej shumë e shumë vitesh. I prekur, i emocionuar dhe me lot ndër sy, ju Profesor Astrit Leka i bëtë një premtim bashkëatdhetarëve tuaj : « Ju premtoj që Hélène Pittard(Noëlle Roger) do të rikthehet së shpejti në Shqipëri. Ju jap fjalën e nderit». ASTRIT LEKA – AMBASADOR I SKËNDERBEUT NË BOTË Lindur në vitin 1924, Astrit Leka studjoi në liceun francez të Korçës, i administruar nga ministria e arsimit në Tiranë dhe i financuar nga qeveria franceze(1917-1939). Ai kishte profesor kujdestar Enver Hoxhën. Pasi përfundoi shkollën e mesme në Firence, Astrit Leka u kthye në Shqipëri në vitin 1941, për t’u radhitur në rreshtat e brigadave antifashiste të ushtrisë nacional-çlirimtare që luftuan për çlirimin e vendit para se Konferenca e Jaltës e mbajtur në vitin 1945 ta hidhte Shqipërinë në krahët e bllokut sovjetik të lindjes deri në vitin 1990. I diplomuar në tre fakultete në Universitetin e Tiranës, Astrit Leka punoi disa kohë në institutin e shkencave dhe më pas si profesor i gjuhës frenge në gjimnazin e Tiranës. Bashkëshortja e tij Emine Leka ishte diplomuar në dy fakultete. Ky poliglot që fliste rrjedhshëm pesë gjuhë të huaja, përveç shqipes : frengjisht, italisht, rusisht, spanjisht dhe portugalisht ishte vendosur në Gjenevë në fillim të viteve 90-të. Ai formoi në Gjenevë shoqatën ndërkombëtare Solidest. Prof Astrit Lekës i duhet njohur merita për vendosjen e bustit të Gjergj Kastriot Skënderbeut në Gjenevë, vepër e Skulptorit të Popullit Odhise Paskali. Astrit Leka ka punuar disa vite me radhë për të përgatitur dhe për të dorëzuar një dosje voluminoze për Skënderbeun në instancat përkatëse të kantonit të Gjenevës. Megjithatë duhet pohuar dhe pranuar që këshilltari federal Flavio Cotti dhe këshilltarja e shtetit të Gjenevës Micheline Calmy Rei me bindjen dhe me vullnetin e tyre të plotë kanë luajtur rolin e levës së Arkimedit që ky projekt kaq i rëndësishëm shqiptaro-zviceran të kurorëzohet me sukses. Busti i Skënderbeut u përurua në 1 nëntor 1997 në parkun Ëilliam Rappart buzë liqenit Leman në Gjenevë me pjesëmarrjen e anëtarëve të qeverisë së Gjenevës, me pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Rexhep Meidani dhe të qindra shqiptarëve me banim në Gjenevë dhe në Lozanë. Autor librash, konferencier, figurë e respektuar në konferencat ndërkombëtare të mbajtura në Organizatën e Kombeve të Bashkuara me seli në Gjenevë, Astrit Leka është një lis njëqind vjeçar, i cili ka mërguar prej brigjeve iliriane në vitin 1990 për të hedhur spirancën në brigjet e liqenit Leman në Gjenevë. Astrit Leka do të mbetet gjithmonë ambasador i Skënderbeut në botë. Marrë nga gazeta zvicerane e Lozanës Infomeduse e datës 16 dhe 22 tetor 2024. 18 19 20 21 22






















