Kryegjyshata Botërore/ 484 vjet nga themelimi i “Harabati Baba” të Teqesë në Tetovë

269
Sigal

Ekspozitë fotografike dhe dokumentare, kushtuar trashëgimisë kulturore të Harabati-t

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve me seli në Shkup, në bashkëpunim me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane-Tiranë dhe Gjyshatën Bektashiane në Maqedoninë e Veriut, organizuan të hënën, 7 shkurt, në kryeqytetin e saj, Shkup, në ambientet e Institutit, një konferencë shkencore dhe u hap ekspozita me fotografi e dokumente rreth trashëgimisë së teqesë Harabati Baba. Kjo lidhet ngushtë  me veprën monumentale të klerikut të lartë bektashian, Sersem Ali Dedeit, dhe të gjithë klerikëve të saj, ndër shekuj, që ngritën e mbajtën ndezur çirakun bektashian të Haxhi Bektash Veliut. Me rastin e 484 vjetorin e themelimit të teqesë Harabati Baba. Muarën pjesë në këtë event të rëndësishëm: drejtori i ITSHKSH-SH, Prof. Dr. Skënder Asani, Kryegjyshi  Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Kryetari i Komunitetit Bektashian të Maqedonisë, Arben Sulejmani, përfaqësues të lartë diplomatikë nga Ambasadat: amerikane e evropiane në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Nderuan veprimtarinë: znj. Camille Iboss, përfaqësuese e Ambasadës të Francës, z. Volodymyr Verbytskyi, përfaqësues i Ambasadës së Ukrainës, z. Eben Friedman, OSBE në Shkup, znj. Adelina Marku, përfaqësuese e Ministrisë së Punëve të Jashtme të RMV, z. Muhamed Rakipi, Drejtoria e të drejtës ndërkombëtare dhe çështjeve konsullore në RMV, Prof..Dr. Agim Poshka, personalitete e përfaqësues nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane me seli në Tiranë, Gjyshata Bektashiane e Maqedonisë dhe Gjyshata Bektashiane e Kosovës, Gjyshata Bektashiane Fushë-Krujë.

Në hapje të konferencës, drejtori i këtij Instituti, Prof. Dr. Asani, përshëndeti Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimajn, duke e shquar mik të madh të shqiptarëve në Maqedoni dhe të vetë Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Ai tha se ky Institut po punon me Komunitetin Bektashian që UNESCO-s, t’i propozojnë që ta marrë në mbrojtje kompleksin e Teqesë Harabati Baba në Tetovë. Ndër të tjera drejtori Asani u shpreh: “Ekspozita fotografike dhe dokumentare, kushtuar trashëgimisë kulturore të Harabati-t, është pjesë integrale e strategjisë sonë shkencore e hulumtuese për të fokusuar një vëmendje më të madhe ndaj bashkësive më të vogla kulturore e fetare, por që në thelb përbëjnë pasuri të madhe inspirimi shpirtëror… “Harabati” përbën një nocion të rëndësishëm në trashëgiminë sakrale bektashiane, pasi, që aty është memorja, kujtesa dhe lavdia e këtij komuniteti, përmes kontributit vetëmohues të dhjetëra klerikëve e patriotëve që ruajtën të paprekur kontinuitetin historik të këtij kompleksi kulturor e fetar. Për këtë arsye instituti ynë, me përkushtim ka kultivuar disa nga parimet themelore të diversitetit dhe kulturës së tolerancës, duke i shndërruar këto parime në postulate shkencore që ne arritëm t’i finalizojmë në formë të veprave apo projekteve të ndryshme. Për ne, nuk do të kishte kuptim vetëm angazhimi deklarativ nëse ai nuk do të mbështetej edhe në punën konkrete e praktike, siç edhe doli gjatë punës sonë disavjeçare në botimin e disa veprave kapitale kushtuar çështjeve që kristalizojnë kujtesën tonë historike, siç janë temat mbi shpëtimin e hebrenjve dhe përpjekjet e vazhdueshme për të luftuar tendencat e mohimit të holokaustit…” Në fund të fjalës së tij, drejtori i ITSHKSH të Shkupit, Profesor Asani, shprehu mirënjohje të thellë kombëtare ndaj bektashinjve, që sipas tij “arriti të ruajë bërthamën e shqiptarizmës në fortunat më të errëta të historisë.”

Më pas Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, falenderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë event për nder të 484 vjetorin e themelimit, të Teqesë Harabati, si një vlerë kulturore, njerëzore dhe shpirtërore e shqiptarëve edhe të besimeve të tjera. Kryegjyshi vuri theksin në momente të rëndësishme të së kaluarës së lavdishme të Teqesë Harabati, por edhe dokumentoi edhe për vlerat në lëvizjen kombëtare. Ndër të tjera, Kryegjyshi tha: “Në një ditë të ftohtë shkurti, si sot, 484 vjet më parë, me frymën e adhurimit të Sersem Ali Dedeit, te ky vend i bekuar u vu guri i parë i themelit të teqesë së Haxhi Bektashi Veliut. Tarikati Bektashian, në mënyrë të veçantë, pas reformës strukturore të ndarë nga Ballëm Sulltani, nisi të ‘pushtojë’ territore të gjëra shpirtërore në viset ballkanike, duke dashur që përmes vëllazërisë të përcillte e të dëshmonte madhështinë e filozofisë e përulësisë që zotëronte. E vërteta është se teqeja Harabati Baba qysh nga dita e gurthemelit të parë e deri më sot, është shkatërruar, djegur, ringritur, shtuar e zgjeruar disa herë përgjatë shekujve. Por misioni i saj nuk ndryshon kurrë. Ka qenë dhe mbetet misionare e urtësisë e dashurisë hyjnore dhe asaj njerëzore. Nga viti në vit, teqeja që na ka mbledhur sot, erdhi duke u rritur jo thjesht në kuptim të mureve e gurëve, por në kuptim shumëherë më domethënës, atë të diturisë të mbushur me ashkun për të Gjithëmëshirshmin, për vëllazërinë e Hakut e të barkut. Teqetë tona, nga Azia e largët e deri në bukurinë e përtej-oqeaneve, dëshmuan kurdoherë se e deshën me shpirt diturinë, e paguan kurdoherë shtrenjt çmimin e saj. Klerikët, myhibët e besimtarët bektashinj, kanë vijuar udhëtimin e tyre shpirtëror përgjatë shekujve duke pasur parasysh kurdoherë thëniet e Profetit Muhamed, paqja e Zotit qoftë mbi Të: ‘Mësimi është i detyrueshëm për çdo besimtar, ndërsa mos të mësuarit është mosbindje’, dhe “Dituria është stoli e njeriut dhe mençuria është një gjerdan i florinjtë”. Ky tempull i shenjtë adhurimi, kjo shtëpi e diturisë, Teqe e Tetovës, ka qenë shkollë e edukim për klerikët e besimtarët, jo thjesht në filozofinë e tarikatit tonë, por në mënyrë të veçantë me përgjegjshmërinë e ndjeshmërinë e thellë njerëzore, me tiparet e vyera të moralit bektashian, me idenë e lume se e duam njëri-tjetrin për hir të Zotit të vetëm. Të gjithë ata postmbajtës të kësaj teqeje, duke filluar nga Sersem Ali Dedei, Harabati Baba, Muharrem Baba… e deri te Baba Tahir Emini, me fjalët e tyre të urta e me sakrificate panumërta, me dijen dhe dashurinë e përjetshme për Zotin dhe kombin, edukuan breza të tërë besimtarësh duke shquar këtë vend, ndër më të mrekullueshmit dhe më të vizitueshmit në Ballkan përgjatë shekujve 17-të deri 19-të… Kur flasim për përvjetorë të tillë, sigurisht, nuk mund të harrojmë edhe një tipar po kaq madhështor të shfaqur ndër klerikë e besimtarë të kësaj teqeje, siç janë ndjenjat e fuqishme të besimit. Veçanërisht në shekullin 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të, Teqeja Harabati u shndërrua në vatër të fuqishme të lëvizjes autonomiste për krejt veriun e trojeve tona amtare. Ajo u bë qendra e lëvizjes së takimeve të fshehta e të hapura që burrat shqiptarë ndërmorrën në dobi të pavarësisë kombëtare. Vlen të kujtojmë gjithashtu se pikërisht në vitet 1900-1912, dervishë e baballarë bektashinj, këtu çelën klasat e para të mësimit të gjuhës shqipe, duke u përballur me masa respektive të Perandorisë Osmane; madje, në disa raste duke u dërguar syrgjynë në Azinë e largët. Së bashku me Teqetë Bektashiane në Shkup, Gostivar, Ohër, Kërçovë, Manastir…Ne nuk jemi larguar kurrë dhe nuk do të kemi ndërmend të largohemi në asnjë mënyrë nga misioni i lartë bektashian.. Me urtësinë e mësimeve, besimtarët e kesaj teqeje, me parimet që kemi trashëguar nga të parët tanë, me të drejtën që na jepet nga ligjet dhe Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, por edhe me ndihmën e pakursyer të miqve tanë ndërkombëtarë, ne besojmë se shumë shpejt Harabati Baba do të rikthehet në kohërat: si kohërat e lavdishme të saj, duke përcjellur paqen e përshpirtshme të këtyre viseve.”

Përshëndetjet

Përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane në Shkup, Eric Meyer

Bashkohemi me ju duke mirënjohur trashëgiminë kulturore të Harabati Baba, Teqe, e cila përfaqëson për Maqedoninë e Veriut dhe përtej. Dua të uroj liderët e Komunitetit Bektashian në 484 vjetorin e teqesë Harabati Baba. Kam ardhur në Maqedoni vetëm disa muaj më parë, mezi pres që të vizitoj këtë faltore dhe kompleksin rrëzë maleve të Sharrit. Respektimi i Lirive Fetare është një nga shumë mënyrat se si mund të respektojmë diversitetin dhe trashëgiminë, si pjesë përbërëse të kulturës amerikane. Duke kujtuar njerëzit që emigruan në SHBA 400 vjet më përpara, ishte premtimi për lirinë e besimit që i drejtoi ndaj vendit tonë. Ne mbetemi thellësisht të përkushtuar që të promovojmë të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor, sikurse lirinë fetare, në Shtetet e Bashkuara dhe rrotull botës. Respektimi universal për lirinë e të besuarit, për të gjithë ne, është në bërthamën e synimeve të politikës së jashtme amerikane.

Ambasadori Holandez në Shkup, z. Dirk Jan Kop

Sistemi kushtetues në Evropë është i bazuar në lirinë e fjalës, që përfshin lirinë e besimit. Po kështu, ajo bazohet në barazinë para ligjit, që do të thotë se çdokush trajtohet i barabartë, përfshirë entitetet fetare… Në këtë vend, ne vazhdojmë të thërrasim për mbrojtje të të drejtave të minoriteteve fetare, përfshirë bektashinjtë, dhe kërkojmë implementim të verdiktit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut,të njejtë sikur kërkon Komisioni Evropian çdo vit në raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut. Çdo vit, Qeverisë i është kërkuar të zbatojë këtë verdikt. Por në nivel më të thellë, ju duhet të pyesni veten tuaj besoj, se çfarë bën Kushtetuta juaj për ju. Në vendin tim, kushtetuta nuk përmend ndonjë pakicë të caktuar…, të gjithë janë të barabartë para ligjit. Në vendin tim, kushtetuta nuk përmend ndonjë fe të caktuar, nëse do të do të ngritësh një komunitet fetar duhesh të ndjekësh disa veprime ligjore, që janë të ngjashme me ngritjen e një shoqate, fondacioni a kompanie; nuk duhet të marrësh vendimin e një gjykatësi ose pajtimin e ndokujt, duhet të plotësosh vetëm disa kritere ligjore. …

Ambasadori i Hungarisë, z. Laszlo Istvan Dux

Ambasadori filloi fjalën duke nderuar, siç u shpreh: Shenjtërinë e Tij Dede baba Edmond Brahimaj dhe kolegët diplomatë. Ambasadori Dux tha se do të shpalosë komente personale. Së shpejti do ta përmbyllë misionin e tij në Shkup, e do të zhvendoset në Budapest. Përshkroi se apartamenti ku do të vendoset atje është përballë tyrbes së Gyl Babait. Ambasadori shprehu se tyrbeja e Gyl Babait në Budapest jo vetëm që është ndër monumentet më të bukura atje, por njëkohësisht monumenti më verior bektashian në Evropë.

Kryetarja e Këshillit Evropian në Shkup, shkëlqësia e saj, zonja Lejla Dervishagiq

“Këshilli Evropian është organizatë ndërkombëtare e themeluar për të promovuar dhe mbrojtur liritë njerëzore, demokracinë dhe sundimin e ligjit” – tha Ajo uroi për përvjetorin e teqesë bektashiane Harabati Baba si dhe u shpreh e gatshme për të dhënë kontribut drejt arritjes së qëllimit të përbashkët.

Ekspozita fotografike

E rëndësishme mbas konferencës  u vizitua nga të pranishmin Ekspozita fotografike, kushtuar trashëgimisë, të teqesë Harabati Baba, kësaj trashëgimie historike, kombëtare e fetare, të vlerave universale dhe rolit të jashtëzakonshëm të bektashinjve për paqe dhe harmoni fetare ndërmjet popujve me kultura dhe identitete të ndryshme si dhe harmoni e solidaritet për etnitë e ndryshme që jetonin krahas njëri tjetrit.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, z. Fatos Reka

Kryetari i Komunitetit Bektashian të Maqedonisë së Veriut, Prof. Arben Sulejmani ftoi të marrë fjalën ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Shkup, z. Fatos Reka, i cili foli për kontributn e Komunitetit Bektashian për mbarëvajtjen e zhvillimeve shoqërore në Maqedoninë e Veriut dhe më gjërë:“Dihet se Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka një kontribut të veçantë, ashtu si edhe gjithë paraardhësit e tij, për të evidentuar vlerat patriotike, kombëtare e kulturore të Komunitetit Bektashi. Përmes kësaj ekspozite, tregohen vlerat bektashiane të kombit shqiptar. Në emër të Ambasadës (shqiptare) ju uroj suksese e mbarësi dhe gjithë të mirat në rrugëtimin tuaj patriotik.”

Përfaqësuesi i Ambasadës Gjermane, z. Florian Traeger Steintjes

Gati 500 vjet më herët, ish-nëpunësi i Perandosë Otomane, Sersem Ali Dedei, erdhi në Tetovë – atë botë një qytet i vogël – me qëllimin që të themelojë dhe të praktikojë udhën e Rendit Bektashian. Pas tij, nxënësi i tij, Harabati Baba bëri Teqenë në Tetovë, që ta përkujtojë jetën e Tij. Deri në ditët e sotme, Rendi Bektashian, është pjesë e popullit shqiptar, dhe njihet për tolerancën dhe çiltërsinë ndaj feve të tjera, çfarë mund të vërehet qartësisht në lutjet e tyre për të gjithë njerëzimin.

Historia e teqesë Harabati Baba

Kryetari i Komunitetit Bektashian të Maqedonisë, Prof. Dr. Arben Sulejmani, shpjegoi në anglisht gjithë ekspozitën dhe historinë e teqesë Harabati Baba për rolin dhe rëndësinë historike e fetare të kësaj vatre fetare e kombëtare ndër shekuj.

Për rolin dhe rëndësinë e teqesë Bektashiane të Tetovës, para të pranishmëve foli edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Nuri Çuni, që shpalosi të dhëna të rralla nga historia e gjatë dhe e lavdishme e këtij tempulli dhe kontributi i shquar i klerikëve të saj ndër breza. Me këtë rast e gjallëruan këtë aktivitet këngët fetare bektashiane me këngëtarë të njohur nga trevat e banuara me shqiptarë, nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, (nefeset) u realizuan nga “Zërat e bashkuar”: këngëtarët Ajdari – Bakija. Përkujtimi i 484 vjetorit të themelimit të teqesë Bektashiane të Tetovës Harabati Baba, vazhdoi në ambientet e teqesë, Tetovë, ku u zhvilluan ritualet përkatëse fetare. Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

 

CITATE:

Prof. Skëndër Asani: “Teqeja Harabati Baba të mbrohet nga UNESCO”.

Kryegjyshi, Dede Edmond Brahimaj: “Teqe e Tetovës, ka qenë shkollë e edukim për klerikët e besimtarët, jo thjesht në filozofinë e tarikatit tonë, por në mënyrë të veçantë me përgjegjshmërinë e ndjeshmërinë e thellë njerëzore”. “Me parimet që kemi trashëguar nga të parët tanë, me të drejtën që na jepet nga ligjet dhe Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, por edhe me ndihmën e pakursyer të miqve tanë ndërkombëtarë, ne besojmë se shumë shpejt Harabati Baba do të rikthehet në kohërat si kohërat e lavdishme të saj”.

Përfaqësuesi diplomatik amerikan, Eric Meyer: “Liria fetare është element thelbësor për zhvillim të demokracive të hapura dhe të qëndrueshme, duke mundësuar njerëzit të japin kontribut të plotë për shoqërinë dhe kulturën”.

 

 

Përgatiten:

Lorik Bakija

Nuri Çuni