Jovan Bizhyti: Nasho Jorgaqi, qëndistar i ikonave të letërsisë së traditës

130
Sigal

Nasho Jorgaqi, është nga të paktët, në mos i vetmi studiues e shkrimtar, që kujtimet e tij i vendos në mardhëniet me personalitete të letërsisë e të kulturës shqiptare të traditës, të një brezi ku shumë e më shumë para tij, kishin hedhur themelet dhe rrënjët e fidanave të një letërsie që sapo nisi të lind e të lulëzoj në trojet shqiptare. Biografia intelektuale dhe krijuese e Nasho Jorgaqit, siç thekson dhe vet ai, u përcaktua jo vetëm nga rruga krijuese e jetës aktive, por dhe nga karriera e tij në institucionet qendrore kulturore, letrare, shkencore dhe universitare siç ishin: Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Ministria e Kulturës dhe karriera pothuaj prej tri dekadash në Universitetin Shtetror të Tiranës. Detyra më jetëgjatë e tij, ka qenë ajo e pedagogut të Letësisë Shqipe të periudhës së Pavarësisë në Fakultetin Histori-Filologji. Sigurisht, në këto kushte dhe rrethana, ai u njoh e bashkëpunoi me njerëz të mirë, të aftë e të zot, të talentuar, madje dhe me personalitete të letërsisë, të kulturës e të shkencës. Siç shprehet vet ai: Vura në jetë një këshillë të hershme të tim eti që: “Zgjidhi shokët më të mirë se vetja”. Puna më e parë pas përfundimit të studimeve të larta, ishte ajo në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, që e lidhi jo vetëm me shokë të brezit të tij, por akoma më shumë me disa nga personalitetet korifej të letërsisë e të kulturës shqiptare të traditës. Në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, u mpleks me figura më në zë të letërsisë dhe artit, ndërsa në Universitetin Shtetror të Tiranës, punoi dhe u miqësua me një pjesë të elitës shkencore e pedagogjike të kohës, disa prej të cilëve ishin dhe pedagogët e tij. Në këto rrethana, detyra e tij si shef i redaksisë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, ishte për të një privilegj dhe një përvojë e vërtetë pasurie letrare e shpirtërore, ku krijoi lidhje të ngushta me disa prej figurave më me emër e me zë të veçant në mjedisin letrar e kulturor të kohës siç ishin: Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ali Asllani, Selman Riza, Sterio Spase, Nonda Bulka, Sejfulla Malishova, Robert Shvarc, Jakov Xoxa, përfaqësues i brezit të ndërmjetëm midis traditës dhe brezit më të ri e tjerë. Duke krijuar këto mardhënie të ngushta pune, Nasho Jorgaqi krijoi me këta korifej të letërsisë tradicionale dhe një afimitet shpirtëror, sigurisht me dritë-hijet në figurat e tyre, me diferencat e moshës e të nivelit, por ngahera njerëzore dhe të dobishme për punën. Rruga më e vështirë ishte me Lasgushin, e mbushur plotë zig-zake, me kundërthënie, që ndryshe dukej dhe ndryshe ishin në të vërtetë. Në mardhënie me të duhej të tregoheshe më i vëmendëshëm e më i durueshëm për të kapur thelbin e natyrës së tij si njeri dhe si artist (Poet). Veçori të tjera shfaqte poeti Ali Asllani, një natyrë e hapur, e butë e delikate, i mirësjellshëm dhe çuditërisht i komunikueshëm me brezin e ri. Ndërsa Mitrush Kuteli, qendronte midis të dyve. Drama e jetës dhe e artit që përjetonte, e bënin më të përmbajtur, nuk të falte kollaj miqësi, e aq më tepër koefidencë. Shquhej tek ai një hije brengosëse, por nga herë dinjitoz e i matur. Me Sejfulla Malishovën, për arsye të ndryshme, raportet ishin më zyrtare. Ishte hijerëndë, tepër serioz, fjalëpak dhe kjo i vështirësonte deridiku mardhëniet përtej punës. Jeta prej militanti revolucionar, detyrat e rëndësishme që kish kryer gjatë luftës Nac.Çl. dhe pas çlirimit, diskreminimi dhe persekutimi nga shteti i vet, s’kish si të mos e hermetizonin natyrën dhe qëndrimin e tij. Por gjithsesi, kontaktet që Nasho Jorgaqi kishte me të brenda sektorit të redaksisë së Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, ishin një privilegj nisur nga formimi intelektual i tij, si dhe talenti krijues si poet e artist i letrave shqipe. Kështu, të veçanta në karakterin dhe formimin e tyre, kishin dhe të tjerët si: Nonda Bulka, Selman Riza, Sotir Papakristo, Skënder Luarasi, Sotir Caci, Vedat Kokona, Hamit Kokalari, Sterio Spase, Robert Shvarc e të tjerë. Për Nasho Jorgaqin, shkrimtarin e brezit të ri që i përkiste viteve 50-60-të, ishte fat që u njoh e punoi me këta korifej si, Lasgush Poradecin, poetin kaq delikat të “Zogut të qiejve”, mitin e lirikës shqiptare, talenti i të cilit i kish fillesat që në dekadat e para të shekullit të XX-të. Lasgushi ishte po ai me pamjen e veshjen e tij karakteristike, ulur në karrike me këmbët e shtrira përpara, me bastunin midis gjunjëve dhe kapelen e vjetër republikë rrasur në kokë, nën të cilën shquante vetëm gjysma e fytyrës së zbehtë e me rrudha. Fillimisht ishin thjesht mardhënie e lidhje pune. Ai duke qenë natyrë e mbyllur, nuk krijonte lehtë afrimitet pa të njohur mirë. Kishte pak shokë dhe aspak kofidencial, me përjashtim të Eqrem Çabejit dhe Aleks Budës, që kish mbetur miqësia që nga koha e kahershme.  Me Kutelin, i ishte zbehur deridiku ajo miqësi e dikurshme. Ai falë autoritetit dhe reputacionit që gëzonte, si një nga poetët e shquar të vendit, kishte privilegjin të punonte dhe në shtëpi, ndërsa në zyrë vinte në rast të ndonjë mbledhjeje zyrtare, apo dhe për të marë rrogën mujore. Sipas tij, të qënit poet i jepte të drejtën për të qenë ndryshe nga të tjerët. Këtë e thoshte hapur me zë të lartë pa asnjë droje. Edhe pse nuk ishte i përkëdhelur nga pushteti i tij, nuk nguronte të thoshte, se ai ishte “Zeusi”! Nasho Jorgaqi, si studiues dhe krijues, hynte thellë në jetën dhe veçanërisht në psikologjinë e personazheve, si qendistarja në gjergjef me nuancat e ngjyrave, me këta kollos të letrave me të cilët e lidhi puna dhe jeta. Veçanërisht kur kish të bënte me figura të tilla korifej të letrave shqipe, siç ishte Lasgushi dhe lasgushë të tjerë të letërsisë. Ai i përshkruan ata jo thjesht si njerëz të zakonshëm, por kap anët e veçanta që i bëjnë ata personalitete të mendimit krijues, kurajon e tyre për t’i thënë gjërat hapur dhe ashtu siç i ndjenin. Kështu ishte Lasgushi, që Nashua në përshkrimin e tij e paraqet atë origjinal me vlerat dhe antivlerat e veçanta të tij. Një herë, në mbledhjen vjetore të shtëpisë botuese, në raportin që mbajti drejtori, Drago Siliqi, krahas arritjeve, bënte dhe ndonjë kritikë, mes të tjerash dhe për Lasgushin. Ai qëndronte i heshtur nën srehën e kapeles, sikur ato që thuheshin nuk kishin të bënin fare me të. Kur mbaroi fjalën Dragua, ai lëvizi nga vendi dhe si për çudinë e të gjithëve, kërkoi të fliste. Rast i rrallë që Lasgushi merte fjalën në një mbledhje zyrtare. Të gjithë kthyen kokën dhe ngulitën sytë tek ai. Lasgushi nisi të flasë në mënyrën e tij të zakonshme. -Jemi mbledhur këtu, ku shoku Drago është bariu ynë, ai që na drejton. Na drejton të gjithëve, për ndryshe do të humbisnim si bagëtia pa zot. Shoku Nasho, është direktor i përkthimeve. Ai na cakton normat. Ne na tërheq kërraba nga vetja, po ai zbaton rregullat. E kemi dhe shokun Pjetër, direktorin e financave. Ai ka paratë. Bo, bo… ç’bëhet sikur të mos jetë ai! Mbetemi pa rroga e s’vemi dot në shtëpi ku na presin kalamaqtë. Në fund kemi Rukijen, ajo na fshin zyrat, largon pisllikun. Pa mendoni se ç’do të bëhej po të mos ish Rukija! Si heshti pak, drejtoi trupin dhe me zë të lartë pyeti: -Po Lasgushi, ç’është? Lasgushi s’është as direktor i përgjithshëm, as direktor redaksie, as direktor finance, s’është as Rukije. Lasgushi është poet dhe poeti nuk jep llogari. Ai qëndron përmbi të gjithë. Eshtë zë që vjenë nga lartë dhe drejton shpirtrat e njerëzve. Shpërthyen të qeshurat, po Lasgushi u bë akoma më serioz. Askush nuk iu kundërvu, aq më tepër Dragoja, që ishte vet poet dhe e çmonte shumë Lasgushin. Vërtetë mendja e një poeti e përmasave të tij, nuk kish si t’i përfillte vogëlsirat e një reporti të zakonshëm. Dhe këtë mund t’a bënte vetëm Lasgushi. Lasgushi, (Llazar Gusho) emri i tij i vërtetë, jetonte jashtë kohës dhe mjedisit në mënyrën e vet të pa përsëritshme. Shkrimtari ynë Kadareja thotë për Lasgushin: “Ai kish kodin e tij të komunikimit në biseda. Po të mos e njihje atë, mbeteshe jashtë”! Ishin ndryshe, Çabej ose Kuteli e disa të tjerë, të cilët rrezatonin kulturë dhe etik mirësjelljeje. Me Lasgushin duhet të rrije gjatë e ta dëgjoje me vëmendje, që t’ia kapje mendimet e të depërtoje në botën e tij. Lasgushi, vjershat e para që në rininë e tij studentore, i shkruante nëpër faqet e librave të letërsisë që bënte në Lice. Ndërto shkroi dhe një vjershë tek ikte nga Poradeci për studime në Bukuresht të Rumanisë:

Dremit fshehtësisht Volorek

përndrit me yje ajo plot,

oh.! mjerë kush prej saj u largua

dhe nuk u kthye më dot.

Lasgushi në fillimet e tij, një kohë u morë dhe me pikturë. Pikturonte dhe shkruante, shkruante dhe pikturonte. Kur ishte student, e tërhiqte fjala, poezia dhe e kuptoi se duhet t’a linte pikturën. Bile kur hyri në Akademinë e Arteve në Bukuresht, po e kuptonte se më shumë se ngjyra, e tërhiqte fjala, poezia, që do të thoshte se të bukurën do t’a përcillte tek të tjerët me fjalë, me poezi. Dhe fjala është çudia më e madhe e botës, mban gjithë ç’mendon e ndjen njeriu. E thotë dhe Ungjilli, “E para është fjala”. Dhe është fjala që Llazarin e bëri Lasgush. Fjala shqipe që e mëkoi qysh në djep e ëma, Kostandina, por e mësoi pastajza edhe më mirë në librat që sillte në shtëpi i ati, Sotiri. Ishte fjala e gatuar me dritë perëndie, që lindi te Lasgushi ato vjersha që i këndon edhe sot e gjithë ditën kombi shqiptar. Ku më shumë se kaq Nasho Jorgaqi në kujtimet e tij do ta qëndiste me fije të argjenda jetën dhe vlerat e një poeti brilant siç ishte Lasgush Poradeci. Me poetin Ali Asllani, ishin mardhënie të tjera. Kur vinte në zyrat e redaksisë, trokiste lehtë në derë, pastaj shfaqej pamja e poetit plak, shtatmesatar, me trup të ronitur por të drejtë, me një fytyrë të kuqërreme, me ca sy të vegjël, por tepër të gjallë e të ëmbël. Nasho Jorgaqi edhe portretin e këtij burri me cilësi të veçanta intelektuale e kulturore, na e jep të plotë e të gjallë. Ashtu i drojtur, poeti Ali Asllani, hiqte kapelen republikë kur shtrinte dorën për t’u takuar. Kishte një paraqitje jo vetëm të mirësjelltë, por dhe me elegancë e delikatesë dhe kjo jo aq nga koha që kish qenë diplomat, por dhe nga shpirti i tij si artist i fjalës. -“Jemi njerëz të bukurisë or tungjatjeta”!- ishte shprehja e tij e zakonshme. Ai kish një natyrë të afrushme dhe një vështrim nga herë dashamirës. Dinte të komunikonte me të gjithë, veçanërisht me moshat e reja.-“Vërtetë ju të rinjtë fitoni nga ne pleqtë,- u shpreh ai një ditë,- por ne të moshuarit fitojmë më shumë nga ju. Fitojmë nga energjia dhe freskia e vërsës së re, nga risia e mendimeve dhe sentimenteve tuaja. Në mes jush, ne ndihemi më të rinj dhe kjo është gjë e madhe kur ke shumë mote mbi kurriz”. Ali Asllani, midis të tjerave, kish lindur poet. Qysh në bankat e shkollës në “Zosimea” të Janinës, ai shkruante vjershat e para kushtuar mallit për vatanin, për Vlorën e tij të bukur ku kish lindur. Poezia i zgjoi dhe ndjenjat kombëtare, për idealet e së cilës i këndonte zemra. Shpesh e përsëriste me krenari, se -“Poet më bëri Vlora”. Me këtë fjalë kish parasysh ngjarjet e epopesë së viteve 1920, që i kish përjetuar së bashku me popullin e tij. Në këtë atmosferë të ndezur patriotike, ai u frymëzua të shkruante marshin tashmë legjendar: Vlora, Vlora,bjeri më të lumtë dora…., që ia kërkoi shoqata patriotike “Përlindja e Shqipërisë” për himn të saj, por në fakt ato vargje zienin brenda gjoksit të poetit. Kur kujtonte këtë moment, i rrëmbeheshin sytë. Pastaj tregonte se kjo këngë kushtuar luftës së Vlorë, u këndua për herë të parë në mitingun e fitores ndaj pushtuesve Italian në shtator 1920 në Sheshin e Flamurit, ku ai si Kryetar i Bashkisë së Vlorës, atë kohë, mbajti dhe fjalimin përshëndetës. Më vonë rrodhën ngjarje të tjera dhe Ali Asllani u përfshi në diplomaci, kur ishte Ministër i Jashtëm Fan Noli, i cili e dërgoi konsull në Trieste të Italisë për tre vjet. Aty e gjetën dhe ngjarjet e vitit 1924, ku Qeveria Demokratike e Nolit u rrëzua dhe Zogu erdhi sërish në pushtet. Pas arratisë së Nolit fillimisht në Itali, Ali Asllani e ndihmoi për t’i siguruar vizë qëndrimi si Nolit dhe Luigj Gurakuqit në emigrim. Kjo ndikoi që Zogu e ktheu Aliun në Tiranë, por pas ca kohe e fali poetin dhe e ngarkoi sërish me punë në diplomaci me detyrën e të Ngarkuarit me punë të Shqipërisë në Sofie të Bullgarisë. Në kujtimet e tij, Ali Asllani tregonte dhe për një moment të rëndësishëm historik në jetën e tij. Në vitin 1919, kur ishte Kryetar Bashkie në Vlorë, e njoftuan se në Skelë kish mbritur me një anije fragetë ushtarake italiane, trupi i pajetë i ish Kryetarit të Qeverisë së parë Shqiptare pas vitit 1912, Ismail Qemalit, që kish vdekur në Itali në rrethana misterioze. “Kur mora në dorzim arkivolin,- tregonte ai,- e hapëm dhe u gjendëm të befasuar, kur pamë që ishte i mbuluar me flamurin italian! -Jo..!- fola i tmerruar,- Babai i Shtetit Shqiptar nuk mund të mbulohet me këtë flamur, por me flamurin e tij shqiptar, që ai vet e ngriti në Vlorë në 28 Nëntor 1912. Dhe e mbuluam me flamurin kuq e zi shqiptar. Trupin e pajetë të atij burri shteti, e priti e gjithë Vlora, aq njerëz sa nuk i nxinte Sheshi i Flamurit. Ismail Qemali u varros me nderime dhe aty pranë varrit, ngritëm dhe shtizën për të valvitur flamurin tonë kombëtar”. Jo më pak në qëndismën e kujtimeve të tij, Nasho Jorgaqi portretizon dhe një kollos tjetër të letrave shqipe, poetin rrebel, Sejfulla Malishovën (Lame Kodrën), që gjithë jetën e tij ishte as i gjallë e as i vdekur! Nasho Jorgaqi e gjeti aty pranë redaksisë së Shtëpisë Botuese, si bashkëpuntor të jashtëm kryesisht për përkthime, pasi krijimtaria e tij ishte e ndaluar për arsye politike. Në përkthime vërehej dora mjeshtërore e tij, që krahas përvojës si poet, ai shprehte dhe ndjenjat shpirtërore ndaj autorëve dhe veprave që merte në dorë. “Unë nuk shqipëroj çdo autor e çdo vepër,- shprehej ai,- por atë që dua e që ndjejë me shpirt, me të cilat lidhem shpirtërisht. Nuk e di sa me vëmendje i ke lexuar lirikat e Badlerit e të Tjutçevit shqipëruar nga Noli,- iu drejtua ai Nashos. Edhe unë në atë rrugë përpiqem të shkel”. P

or bashkëpunimi i tij me redaksinë, nuk zgjati shumë, një ditë i erdhi fundi. Ndodhi që Ramiz Alia u largua nga posti i Ministrit të Arsimit dhe Kulturës nga varej Shtëpia Botuese, për të kaluar në KQ të PPSH dhe vendin e tij si Ministër i Arsimit e Kulturës e zuri Manush Myftiu. U desh që një ditë drejtori i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, Drago Siliqi dhe shefi i redaksisë së përkthimeve, Nasho Jorgaqi, shkuan për t’i raportuar Ministrit të ri. Ai i dëgjoi me vëmendje dhe dha porositë e nevojshme. Kur pyeti për bashkëpuntorët, doli dhe emri i Sejfulla Malishovës. Ministri përpëliti qerpikët e syve siç e kish zakon, gjë që tregonte shenjë nervozizmi. Si është e mundur që Sejfulla Malishovës i jepen vepra për përkthim?!- u shpreh ai. Ato do botohen pa emër, ose me pseudonim,- u shpreh Dragua. Ai urdhëroi prerazi, që të ndërpritet ky bashkëpunim. Dhe kështu u mbyll ky muhabet. Një ditë prej ditësh, Sejfullai erdhi në redaksi me materialet e përkthyera. Nashua, si shef redaksie, u ngarkua t’ia komunikonte këtë vendim. Sigurisht nuk e pati të lehtë. Shkaku ishte politik, por nuk duhej ti thuhej ashtu drejtë, duhej sajuar një arsye e tërthort. Shoku Sejfulla,- i foli Nashua me një gjysëm zëri. Në kuadrin e masave të kursimeve, Ministria na ka shkurtuar një pjesë të fondeve për honoraret e përkthimeve. Kështu që jemi të detyruar ti ndërpresim përkohësisht përkthimet me bashkëpuntorët e jashtëm. Ai e vështroi shefin drejtë në sy, ndërkohë që fytyra iu ndez e iu përskuq. -E kuptova, e kuptova,- u shpreh ai,- e shoh që jeni i shqetësuar, por mos u merakosni. Faleminderit, dhe me mirësjellje u largua. Por mendimet dhe vlerësimet për këtë personalitet politik dhe po kaq i vlerësuar edhe si njeri i artit, kulturës e letërsisë, për Nasho Jorgaqin mbetën një thesar i çmuar, që me kalimin e kohës, u bënë pjesë e kujtimeve për të gjithë këta korifej të letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare. Vlera të veçanta ofronte dhe personaliteti e talenti i një krijuesi tjetër më të ri, Robert Shvarc. Në ato kohë të viteve 50-60-të, paraqitej një djalë i zgjuar e me kulturë të spikatur, që lexonte në gjuhë të huaja, sidomos në gjermanisht, por dhe italisht e frëngjisht. Ndryshe nga një pjesë e brezit të tij që njihnin më shumë letërsinë ruse e atë lindore, Roberti njihte mirë atë perëndimore. Ai na solli në shqip mjaftë autorë dhe vepra të shquara të letërsisë gjermane, franceze dhe italiane. Na solli poezitë brilante të Hajnes e të Gëtes, tregimet e bukura të Mopasanit, romanet e zgjedhura të autorëve të dëgjuar si: shkrimtarin Bruno Apitz me romanin, “Lakuriq në mes të ujqërve”, që bën fjalë për kampin famëkeq të Bukenvaldit, me skena tronditëse nga Lufta e Dytë Botërore. Solli në shqip autorë të veçant si, Remarku, me romanet: “Tre shokët”, “Harku i Triunfit”, “Shkëndijat e jetës”, “Obelinsku i zi”, “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” e tjera. Duke ecur në këtë rrugë, Robert Shvarc u dha lexuesve shqiptarë novelat e Stefan Cvajkut dhe disa nga romanet e L. Fojhrvangerit, e shumë vepra të tjera. Robert Shvarc, do të mbetej në memorjen e lexuesit shqiptar dhe në kujtimet e Nasho Jorgaqit, një emër i nderuar, që gëzonte dhe gëzon vlerat më të larta të një intelektuali, krijuesi e përkthyesi me përmasa kombëtare të letrave shqipe.

 

 

Poeti Lasgush Poradeci                         Poeti Ali Asllani

 

 

Shkrimtari Nasho Jorgaqi

 

 

Sejfulla Malishova               Robert Shvarc