Jovan Bizhyti: 7 Prilli dhe mallkimi i popullit: “39-të mos ardhsh kurrë…!”

18
Sigal

Ajo pranverë e vitit 1939-të, solli ditët më të errëta të popullit tonë, pushtimin fashist italian. Monarkia e mbretit Zog bënte një politikë, “tërhiq e mos e këput” me Italinë fashiste. Fashizmi kish kohë që thurte planet e pushtimit ekonomik e politik ndaj Shqipërisë në prag të Luftës së Dytë Botërore. Depërtimi i kapitalit italian për nënshtrimin ekonomik të vendit tonë, u shoqërua me përpjekje të parreshtura për kolonizimin e fqinjit të tij të përtej Adriatikut. Pra, me kohë Italia bënte planet e këtij kolonizimi dhe më pas, për ta pushtuar Shqipërinë.

Kur Musolini u bind plotësisht se ishte koha dhe momenti që ky plan pushtimi duhej vënë në zbatim, në 2 prill 1939 i dërgoi Ahmet Zogut traktatin në formë ultimatumi për zbarkimin e trupave ushtarake italiane në Shqipëri. Ai kërkoi nga qeveria shqiptare të përgjigjej brenda orës 12.oo të datës 6 prill 1939. Mbreti Zog nuk ishte kundër nënshkrimit të një traktati ushtarak që do të përligjte zbarkimin e trupave italiane në Shqipëri, por kërkonte kohë. Këtë dakortësi e vërteton fakti, që ai nuk mori asnjë masë mbrojtëse ushtarake, bile dhe armatimin e kishte jashtë gadishmërie. Kur erdhi momenti që populli kërkonte armë për të dalë në rezistencën për mbrojtjen e vendit, ishte i paarmatosur dhe nëpër depot e ushtrisë, armatimi i lehtë dhe i rëndë ishte jashtë gadishmërie.

Shqetësimi më i madh i Mbretit Zog ishte se, mbas pushtimit ushtarak të Shqipërisë nga Italia fashiste, mund të rrezikohej froni i tij mbretëror. Ndaj manovronte për të siguruar sa më shumë kohë e garanci. Në të njëjtën kohë, Ahmet Zogu në 3 prill 1939, deklaronte botërisht nëpërmjet Agjensisë Telegrafike Shqiptare, se, “Lajmet e përhapura në planet e Italisë fashiste për pushtimin e Shqipërisë, janë tendencioze dhe kanë për qëllim të paraqesin në mënyrë të gabuar mardhëniet miqësore midis Shqipërisë dhe Italisë”. (Historia e LANÇl. të Shqipërisë, viti 1975, faqe 45).

Pra, në vend të jepte alarmin dhe të ngrinte opinionin botëror për t’i dalë në krah pavarësisë së Shqipërisë, ai me servilizëm i hapi rrugë marëdhënieve kolonizuese shqiptaro-italiane, të cilat shënuan rrokullimën e pakthyeshme të vendit në prehrin e Italisë fashiste. Gjithçka u bë e lexueshme në rrugëtimin shqiptar drejt humbjes së pavarësisë. Historiani Prof. Paskal Milo shkruan: “Zogu e donte Shqipërinë minimalisht aq të pavarur, sa t’i garantonte atij fronin, mirëqënien familjare dhe egoizmin mbretëror. E gjithë mardhënia e tij me Italinë fashiste dhe me Musolinin, duhet gjykuar e analizuar në këtë triptik interesash”. (Paskal Milo, libri “Shqiptarët në Luftën e II-të Botërore”, viti 2014, faqe 22).

Edhe në ndërtimin e shtetit ligjor, Shqipëria nën mbretërinë e Ahmet Zogut ishte në një krizë të thellë politike, ekonomike dhe shoqërore. Presioni i fqinjëve për pushtimin e Shqipërisë, shtohej nga dita në ditë. Ndërsa gjëndja e brendshme politike dhe ekonomike, përjetonte një varfëri, kaos dhe pasiguri. Pakënaqësitë e popullit ndaj pushtetit të Zogut, shpreheshin hapur pothuaj në çdo skaj të vendit me revolta e kundërshti masive.

Ish ministri i jashtëm i Italisë fashiste, Konti Çiano, i shprehu pa humbur kohë Musolinit mendimin e zbatimit të planit për pushtimin sa më parë të Shqipërisë. Këtu ndikonte dhe rivaliteti i shteteve fqinjë ndaj vendit tonë, siç ishte Jugosllavia, që synonte zgjerimin e kufijve të saj drejt veriut dhe veri-lindjes së Shqipërisë, por jo më pak dhe Greqia në Shqipërinë e Jugut. Presionet e Italisë fashiste ndaj Shqipërisë vinin duke u rritur nga dita në ditë. Populli shqiptarë e ndjente këtë rrezik paraprakisht dhe në disa qytete, duke përfshirë Durrësin, Vlorën, Sarandën, Elbasanin, Lezhën, Shkodrën e tjera, filluan manifestimet, ku në ballë ishte rinia dhe studentët e shkollave, që kundërshtonin pushtimin fashist, duke kërkuar dhe armë për t’i dalë në mbrojtje vendit.

Ditën e 6 prillit 1939, Jakomoni i kërkoi edhe njëherë Zogut një përgjigje të shpejtë e të prerë për gjithë projektin e traktatit të 2 prillit, që bënte fjalë për zbarkimin e trupave ushtarake italiane në Shqipëri. Zogu për të fituar kohë, kërkoi ta shtynte këtë afat ultimativ. Italia i kishte gati divizionet e ushtrisë në portet e Barit e të Brindizit dhe nisi fluturimin e mbi 100 avionëve luftarak mbi qiellin e Shqipërisë. Ata ishin avion bombardues dhe paraprakisht hidhnin fletushka në formë traktesh, ku i bënin thirrje popullit shqiptarë, se Italia nuk vjen për të pushtuar, por për të ndihmuar Shqipërinë, që të dalë nga skamja e varfëria.

Dhe në mesnatën e 6 prillit, anijet me trupat ushtarake u nisën drejt porteve shqiptare, që zbarkuan në 7 prill 1939 në mëngjes herët në portet detare të Shqipërisë, si në Durrës, Shëngjin, Vlorë e Sarandë. Kudo populli shqiptarë doli në protesta masive, por s’kishte armë, qeveria e Zogut nuk kishte marr asnjë masë ushtarake, për t’i dalë zot mbrojtjes së vendit. Spikati disi në këtë luftë, rezistenca e popullit të Durrësit nën drejtimin e Major Abaz Kupit, ku gjatë luftimeve mbeti i vrarë dëshmori, Mujo Ulqinaku e të tjerë.

Historia njeh shëmbuj e modele të ndryshme për burrat e shtetit, të cilët i përngjajnë ligjit detar, që kur mbytet vaporri me mall ose me pasagjerë, kapiteni largohet i fundit, ose mbytet bashkë me vaporin. Rasti i Presidentit të Ukrainës, Zelensky, që po qëndron burrërisht në krye të ushtrisë e të rezistencës popullore kundër pushtuesve rusë, tregon se lufta nxjerr në pah atdhetarë trima, udhëheqës që e duan popullin dhe vendin e tyre. Shëmbuj të tillë atdhetarësh tregoi dhe lufta Antifashiste Nac.Çl. që solli çlirimin e vendit dhe lirinë e shumëpritur me në krye atdhetarët tanë patriotë.

 

Por historia ato kohë njohu dhe një model burracaku e tradhëtari, siç ishte mbreti Zog, që në ato situata kritike shumë të rënda që kalonte Shqipëria, ai s’mendoi për popullin dhe për vendin e tij, por sapo shkeli çizmja e fashizmit në portet e brigjeve shqiptare, ai me familjen dhe me suitën e tij qeveritare, mori arratinë në shtetet e Europës.

Diplomati gjerman Eberhard von Pannwitz, i ndodhur ato kohë në Tiranë, i shkruan Berlinit për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste dhe largimin e Zogut nga Tirana. Midis të tjerave ai shkruan: “Mbreti Zog, hipur mbi kalë u largua nëpër qytet në drejtim të Saukut, ku e priste automobili, si për t’i thënë popullit që po dilte në mal për të luftuar sipas premtimit dhe nuk po arratisej”. Në fakt, Mbreti Zog mori arratinë me gjithë familjen e tij dhe me suitën qeveritare, duke e lënë vendin dhe popullin në mëshirën e fatit si mish për top. Kjo është një dëshmi historike e një diplomati gjerman në vitin 1939. (Prof. Dr. Marenglen Kasmi, sipas arkivave gjermane, gazeta Dita, 12 prill 2015).

Në Elbasan, populli dhe studentët e Normales, dolën në demonstratë, duke kërkuar nga qeveria armë për të luftuar, po kur shkuan në depot ushtarake të Krastës

e të Shkumbinit, u kthyen të zhgënjyer nga mungesa e armatimit. Mesa u duk, ajo ishte një manovër e stisur për të larguar protestuesit, pasi në atë kohë sapo kish kaluar suita qeveritare e Mbretit Zog dhe e ministrave të qeverisë për në arrati jashtë Atdheut. Pra, në këto momente kaq të rënda për fatet e vendit, mbreti dhe suita qeverisëse ikën në mënyrë tinzare në arrati, duke e lënë vendin, popullin dhe ushtrinë në mëshirë të fatit.

Veç Elbasanit e Durrësit, demostrime dhe përplasje ushtarake pati dhe në qytete të tjera si në Vlorë, në Sarandë, në portin e Shëngjinit, në Lezhë, Shkodër e tjera. Në Vlorë, ushtria italiane u ndesh në qëndresë të fortë të revoltës popullore. Përleshja e parë ndodhi në Skelë, të cilën armiqtë e kapën vetëm pasi kishin lënë një numur ushtarësh të vrarë e të plagosur. Edhe në Sarandë gjithashtu, armiku nuk e pati të lehtë. Për orë të tëra atdhetarë e patriotë, ushtarakë e civilë të armatosur keq, luftuan kundër më shumë se një regjimenti armik, të shoqëruar me tanke që zbarkuan në porte nga luftë-anijet e flotës luftarake italiane dhe të mbështetur nga aeroplanë luftarak, e nga një zjarr i dendur artilerie.

Në portin e Shëngjinit, mëngjezin e 7 prillit 1939, zbarkuan një regjiment me 3 batalione bersalierësh italianë, si dhe mjete transporti e ndërlidhjeje. Objektivi i tyre ishte Shëngjini, Lezha dhe Shkodra. Në këto qytete, batalionin kufitar të ushtrisë shqiptare e drejtonte Major Spiro Moisiu. Në Shëngjin, një grup ushtarësh patriotë luftuan me trimëri dhe me heroizëm. Atyre iu bashkuan dhe vullnetarë nga masa e popullit, duke i zbrapsur forcat pushtuese italiane për disa orë.

Në Shëngjin e Lezhë, kolona e ushtrisë fashiste prej rreth 2000 ushtarë, kishin detyrë të zbarkonin në Portin e Shëngjinit, në Lezhë dhe pastaj në Shkodër. Aty luftonin rreth 120 luftëtarë e vullnetarë, që organizuan një rezistencë të qëndrueshme, duke i zbrapsur disa herë trupat armike, ku i shkaktuan dhe shumë të vrarë e të plagosur, derisa epërsia e armikut i detyroi të tërhiqen drejt Lezhës. Një qëndresë e tillë u bë dhe në hyrje të Lezhës. Veçanërisht pushtuesit italianë, hasën rezistencë të fortë gjatë rrugës për në Shkodër në fshatrat Bushat, Barbullush, e në lartësitë e Beltojës.

Mbreti Zog me qeverinë dhe oborrin e tij ishin arratisur jashtë vendit, duke e lënë popullin dhe ushtrinë në mëshirë të fatit e kaosit të luftës.

Pra, ushtria fashiste italiane u fut me shumë rezistencë në qytetin e Shkodrës. Drejtuesit e garnizonit ushtarak të mbretërisë në qarkun e Shkodrës, u mblodhën për të diskutuar situatën e krijuar. Dy rrugë shtroheshin në ato momente kritike, ose t’i dorëzoheshin pushtuesve fashist italianë, duke ngritur flamurin e bardhë, ose të kërkonin strehim politik në mbretërinë e Jugosllavisë. Komanda me oficerët e nënoficerët e garnizonit, si dhe trupa ushtarake që përbëhej gjithsej prej 2000 ushtarë efektivë, u grumbulluan në fshatin Bajzë të Shkodrës, ku nuk kishin shkelur ende pushtuesit italianë. Ishte një efektiv ushtrie, ku eprori më i lartë ishte komandanti Kuçuk Orllaga, një rus i bardhë, që ishte shtetas i huaj i angazhuar në ushtrinë e monarkisë. Ai ngarkoi Major Spiro Moisiun, si oficer madhor nga radhët e ushtrisë shqiptare, që të fliste para efektivit, për të komunikuar vendimin e marrë nga shtabi i garnizonit. Major Spiro Moisiu pranoi të fliste, duke iu drejtuar ushtarëve të pranishëm:

-“Të dashur vëllezër!

Ne të gjithë ishim të gatshëm të flijoheshim për mbrojtjen e Shqipërisë, por në kushtet e krijuara, ne si shtab e vlerësojmë të pamundur rezistencën e mëtejshme ndaj armikut, për faktin se drejtuesit shtetror me Mbretin Zog në krye janë arratisur, duke e lënë vendin pa drejtim. Si përfundim, kemi marrë vendimin të mos u dorëzohemi pushtuesve fashistë italianë, por të shkojmë në territorin jugosllav për të kërkuar strehim politik. Kush nuk është dakort, të shkojë në shtëpi”. (Këto të dhëna sipas librit “Kujtime”, shkruar nga Alfred Moisiu, Tiranë 2008.)

Vendi i disllokimit u caktua në Podgoricë, ku familjet u strehuan në një hotel, ndërsa efektivat e ushtrisë, u dërguan në një kamp përqëndrimi. Pa kaluar shumë kohë, vjenë një njoftim nga komanda e Shtatmadhorisë italiane, që Major Spiro Moisiu dhe oficerë të tjerë, së bashku me gjithë efektivin e garnizonit, të ktheheshin në Shqipëri të amnistuar me kërkesë të qeverisë fashiste. Dhe, ai strehim politik nuk zgjati shumë, ushtria fashiste italiane kërkonte t’a organizonte sërish ushtrinë shqiptare, se i duhej për t’a përdorur në luftë ndaj shteteve të tjera të Ballkanit, siç qe lufta ndaj shtetit grek. Në këto kushte, Major Spiro Moisiu dhe ushtarakët e tjerë me gjithë ushtarët, u rikthyen në atdhe dhe u mobilizuan sërish në radhët e ushtrisë shqiptare.

Në 26 korrik 1939, Major Spiro Moisiu u emërua komandant i batalionit “Tomorri” në Berat. Po këtë muaj, pasi u kompletua i gjithë efektivi, u transferuan në Elbasan, në përbërje të Regjimentit 83 të Divizionit italian “Venecia”. Nga ushtria e monarkisë shqiptare u krijuan 6 batalione me ushtarakë shqiptarë si: batalioni “Tomorri”, “Korabi”, “Kaptina”, “Gramozi”, “Dajti” dhe batalioni “Taraboshi”. Të gjitha këto batalione, u inkuadruan në regjimentet dhe divizionet e ushtrisë italiane.

Italia fashiste, krahas pushtimit ushtarak, nisi menjiherë planet e saj dhe për shfrytëzimin e rezervave ekonomike shqiptare, veçanërisht burimet e naftës dhe të gazit në Kuçovë, u përqëndrua gjithashtu dhe në zonat bujqësore kryesisht në Myzeqe, duke sjellë dhe bujq italianë e makineri të ndryshme bujqësore. Në Myzeqenë e Lushnjes, u krijua dhe një shoqëri bujqësore me emrin, “ITALBA”, e cila shpronësoi tokat në rreth 16 fshatra të komunës së Fiersheganit dhe në vitin 1940, iu bë dhuratë Duçes, për t’a administruar si çiflik të tij! Për qëllime ushtarake u ndërtuan dhe kazerma të ushtrisë brenda në qytetin e Lushnjes, ku sot është Instituti i Kërkimeve Bujqësore, po ashtu dhe në fshatin Libofshë dhe në Manastirin e Ardenicës, si pikë dominuese në bregdet, ndërsa në fushën e Savrës, u ndërtua një aerodrom i vogël për avionët ushtarak italianë. (Historiku i Luftës Antifashiste. Nac. Çl. të rrethit të Lushnjes, botim i vitit 2005).

Kjo ishte një politikë afatgjatë që mendonte Italia, jo vetëm për ta kthyer Shqipërinë në një koloni të saj, por dhe për çkombëtarizimin e popullsisë shqiptare, duke sjellë sa më shumë bujq e puntorë italianë. Krahas kësaj, Italia fashiste përqëndroi punën dhe propagandën për edukimin e fëmijëve dhe të rinisë shqiptare me ideologjinë fashiste dhe me dashurinë për Italinë. Në disa nga qytetet e Shqipërisë, fashistat italianë ngritën për argëtimin e rinisë disa klube nate të quajtura “Dopo Lavoro”, si dhe “Shtëpi publike”, duke sjellë disa prostituta italiane për të korruptuar e degjeneruar rininë shqiptare. Populli shqiptar asnjëherë nuk u përfshi në këto praktika politike dhe ideologjike fashiste italiane, me përjashtim të disa familjeve bejlerësh e tregtarësh, që i përkrahën me servilizëm, kryesisht për të ruajtur pasuritë dhe pronat e tyre.

Këto situata kritike dhe momente historike që përjetonte vendi ynë, tregojnë se populli dhe ushtria shqiptare, nuk u nënshtruan asnjëherë pushtuesve fashistë, duke shprehur kudo revolta e kundërshti me aksione luftimi. Në ballë të këtyre revoltave dhe aksioneve, ishin kurdoherë patriotë të shquar, djemuria qytetare e fshatare, si dhe masa e studentëve në shkollat e ndryshme të vendit. Ndërsa ushtarakët shqiptarë, si bijë të këtij populli, e shprehën qëndrimin e tyre patriotik në momentin më sublim, kur Italia fashiste përdori kufijtë shqiptar për të sulmuar shtetin fqinj të Greqisë. Dhe ky akt patriotik, u duk qartë në momentet e hapjes së frontit të luftës me Greqinë, ku batalionet e ushtrisë shqiptare të inkuadruara në divizionet italiane, bënë gjestin më të lartë patriotik, duke dezertuar nga ky front pa shkrehur asnjë pushkë kundër popullit fqinj grekë. Ky ishte një gjest i madh për figurën e ushtarakëve shqiptarë me në krye komandantin e batalionit “Tomorri”, Majorin Spiro Moisiu e të tjerë, por dhe një vlerë e fqinjësisë së mirë që ka ruajtur ndër shekuj populli i ynë me fqinjët e tij të Ballkanit, për të cilët nuk ka ushqyer asnjëherë ndjenja shoviniste ndaj tyre, apo dhe shteteve të tjera.

Pas kapitullimit të Italisë fashiste në shtatorin e vitit 1943, populli shqiptarë tregoi fisnikërinë dhe bujarinë e tij, ku shumë efektivë të ushtrisë italiane u përfshinë në radhët e ushtrisë partizane shqiptare në luftën ndaj nazistëve gjermanë dhe shumë ushtarë të tjerë italianë që mbetën si refugjatë, u strehuan veçanërisht nga fshatarësia shqiptare, deri në kthimin e tyre në atdhe. Por pas këtij gjesti të lartë e bujarë, populli i ynë la pas dhe mallkimin e përjetshëm: “39-të mos ardhsh kurrë, që na rrëzove flamur”!