Prokuroria e Posaçme ka zbardhur skemën se si pushtetarët po vjedhin miliona. Zyrtarët krijojnë kompani fiktive dhe marrin tendera që të pastrojnë paratë, të cilat më pas i dërgojnë edhe jashtë vendit. Funksionari i lartë publik, si organizator të skemës korruptive, cakton një të besuar që e ka emëruar në një post të lartë drejtues në institucionin publik që ai drejton, në rolin e “Drejtorit”. Funksionarët e lartë shtetëror po përdorin edhe veprime të sofistikuara sipas modelit konçensionar të PPP. Eksperti Gjata: Partnerët presion SPAK-ut, të bëjë publike bisedat në Sky
Prokuroria e Posaçme ka zbuluar skemën se si pushtetarët shqiptarë po vjedhin miliona. Sot Altin Dumani prezantoi raportin vjetor të viti 2023 dhe sipas dokumentit metoda që po ndiqet është thuajse e njëjtë me atë që u zbulua pak ditë më parë në Bashkinë e Tiranës. Zyrtarët krijojnë kompani fiktive, përmes saj marrin tenderë dhe paratë i pastrojnë më pas, duke i dërguar edhe jashtë vendit.
Pjesë nga raporti
“Veprimet korruptive ndjekin procedura, të cilat thjesht legalizojnë veprimet e përfituesve të fondeve, apo shërbimeve publike, në këmbim të përfitimit të paligjshëm, me qëllim, “institucionalizimin” ose formalizimin e një veprimi korruptiv”
Korrupsioni
Nisur nga një vështrim i përgjithshëm i formave të ndryshme të korrupsionit të hetuara nga SPAK gjatë vitit 2023, vërehet se, në kryerjen e veprave penale në kuadër të korrupsionit, subjektet kryejnë veprime të ligjshme në dukje, por të cilat si qëllim kryesor kanë përfitimin e paligjshëm. Veprimet korruptive ndjekin procedura, të cilat thjesht legalizojnë veprimet e përfituesve të fondeve, apo shërbimeve publike, në këmbim të përfitimit të paligjshëm, me qëllim, “institucionalizimin” ose formalizimin e një veprimi korruptiv. Në shumicën e rasteve ky lloj “institucionalizimi”, sidomos kur kemi të bëjmë p.sh. me keqpërdorimin e fondeve publike, është në formë të organizuar dhe i shoqëruar me veprime juridike, të cilat synojnë mbulimin e natyrës së vërtetë të veprimit kriminal. Vihet re, përdorimi gjithnjë e më në rritje i personave juridik, të cilët janë përfitues të këtyre fondeve publike. Këta të fundit bëjnë ndërrime të shpeshta aksionerësh të shoqërive tregtare, apo ndërrim të emrave tregtar të personave juridik, copëzim të transaksioneve, ku jo rrallë herë, këto veprime kryen në llogari, të cilat janë regjistruar jashtë vendit ose në juridiksione “offshore”. Disa nga veprat penale ku tipologjia e kryerjes së tyre del më e qartë janë:
“Funksionari i lartë publik, si organizator të skemës korruptive, cakton një të besuar, të cilin e ka emëruar në një post të lartë drejtues në institucionin publik që ai drejton, p.sh., në rolin e “Drejtorit të Ndërmarrjes Publike”.
Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike
Vihet re se, në skemën e kësaj vepre penale, kryesisht në ato fonde që lidhen me pushtetin lokal, fituesi është i paracaktuar. Përfituesi kryesisht është një person juridik, administratori i së cilit mund të jetë i afërm i një prej anëtarëve të strukturave të cilat kanë role vendimmarrës në shpalljen e fituesit, duke filluar nga Autoriteti Kontraktor, Ndërmarrja e Pasurisë Publike, Njësia e Prokurimit Publik apo Komisioni i Vlerësimit të Ofertave. Funksionari i lartë publik, si organizator të skemës korruptive, cakton një të besuar, të cilin e ka emëruar në një post të lartë drejtues në institucionin publik që ai drejton, p.sh., në rolin e “Drejtorit të Ndërmarrjes Publike”. Ky i fundit, për aq sa e lejon kompetenca dhe funksioni, ndan detyrat, ndjek të gjitha veprimet formale dhe jo formale në emër, dhe për llogari të drejtuesit të lartë. Veprimet korruptive mund të nisin që në fazën fillestare, pra të çeljes së fondit nga autoritetet kontraktore për projektin në fjalë, dhe për të vijuar më pas me akte dhe vendime, të cilat ndiqen nga titullari i autoritetit kontraktor, qoftë në ndryshime plani dhe limiti në buxhetin e institucionit publik, apo në ndikimin e emërimeve të anëtarëve të Njësisë së Prokurimit Publik dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Një veçori tjetër që evidentohet gjithashtu, është edhe falsifikimi i dokumentacioneve shoqëruese të të gjithë procesit, që nga çelja deri në ndjekjen e zbatimit të tij.
Skema fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, kryhet duke përdorur shoqëritë tregtare, të cilat kontrollohen në mënyrë të tërthortë nga funksionarë të lartë shtetëror, për të mbuluar natyrën e vërtetë të skemës korruptive të përftimeve të këtyre fondeve publike në mënyrë të paligjshme.
Veprimet e sofistikuara sipas modelit konçensionar/partneritet publik privat
Vihet re, një sofistikim i kësaj vepre penale kryesisht kur kemi të bëjmë më projekte të rëndësishme publike, të kontraktuara sipas modelit konçensionar/partneritet publik privat. Veprimet karakterizohen nga shkelje të rënda ligjore të detyrimeve, që organet shtetërore kanë për veprimet përgatitore për dhënien e konçensionit, ku përfshihen mospërgatitja në përputhje me ligjin e studimit të plotë të fizibilitetit të konçensionit, mospërllogaritja e vlerës së kontratës së konçensionit, mospërgatitja e dokumenteve të tenderit lidhur me zhvillimin e procedurës, moskryerja e veprimeve plotësuese të kërkuara nga ministritë e tjera sipas ligjit, moszbatimi i llojit të duhur të procedurës sipas ligjit, etj. Vihen re, ndërhyrje të drejtpërdrejta të funksionarëve të lartë publik, të cilët negociojnë paraprakisht, qoftë pa u shpallur procedura e tenderit/konçesionit me subjektin juridik, i cili më pas do të shpallet fitues. Këto ndërhyrje vijojnë edhe në hapat kyç të procedurave të tenderit, si dhe në ndikimin tek institucionet e tjera zyrtare, në kapërcim të kompetencave që i jep ligji, duke e kthyer garën për fitimin e tenderit në një konkurrim fiktiv. Nga ana tjetër, shihet se shoqëritë konçesionare janë ato të cilat në “hije” dirigjojnë të gjithë procesin duke përgatitur, jo vetëm dokumentet që ju takojnë atyre sipas ligjit, por dhe ato të cilat duhet të përgatiten nga institucionet zyrtare. Skema fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, kryhet duke përdorur shoqëritë tregtare, të cilat kontrollohen në mënyrë të tërthortë nga funksionarë të lartë shtetëror, për të mbuluar natyrën e vërtetë të skemës korruptive të përftimeve të këtyre fondeve publike në mënyrë të paligjshme.
Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë
Karakteristikat e vërejtura tek kjo vepër penale nuk lidhen më së shumti me formën e transaksionit (përfitime të parregullta), por me përfshirjen edhe të funksionareve të tjerë publik apo personave juridik, të cilët luajnë role ndërmjetëse midis dhënësit dhe marrësit. Kryesisht, si ndërmjetës është një funksionar tjetër publik, i cili ka të dhëna mbi kriteret e fondit publik të çelur. Ky i fundit ndërmjetëson me personin juridik fitues të tenderit publik. Të gjithë personat e përfshirë si ndërmjetës veprojnë së pari, për të mbuluar natyrën e vërtetë të veprimit të paligjshëm, dhe së dyti, për përftim material, por dhe përfitim në formë dhënie aksesi të paligjshëm në fonde të tjera publike.
Korrupsioni pasiv i funksionarëve të drejtësisë
Korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë në përgjithësi nuk ka rezultuar të jetë shumë i komplikuar. Format më tipike janë, kontaktet që të interesuarit ndjekin për t’u lidhur me funksionarët e drejtësisë, nëpërmjet lidhjeve shoqërore, pra, nëpërmjet të tretëve, për të shmangur lidhjet shkakësore direkte. Më pas secili funksionar keqpërdor pushtetin e tij, për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në dhënien e drejtësisë.
“Skema e pastrimit të parave është mjaft komplekse, pasi, në rastin e shkeljes së barazisë së tenderëve publik, ka si qëllim, jo vetëm të krijojë një skemë fiktive midis funksionarëve të lartë publik për fshehjen e akteve korruptive, por, mbi të gjitha, ajo shërben edhe si një skemë pastrimi e produkteve të veprave penale.”
Pastrimi i parave
Ajo që vihet re është se skema e pastrimit të parave është mjaft komplekse, pasi, në rastin e shkeljes së barazisë së tenderëve publik, ka si qëllim, jo vetëm të krijojë një skemë fiktive midis funksionarëve të lartë publik për fshehjen e akteve korruptive, por, mbi të gjitha, ajo shërben edhe si një skemë pastrimi e produkteve të veprave penale. Kështu, funksionari publik fillimisht bie dakord me personat juridik të ndryshëm, të cilët do të përfshihen në skemë për të realizuar anën formale dhe për të përfituar fondet publike në kundërshtim me ligjin. Më pas, këto fonde kalojnë në formë pagesash tek shoqëritë tregtare, të cilat kanë lidhje me funksionarin e lartë publik dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë skeme korruptive. Këto fonde, nga llogaritë e kompanive, më pas transferohen në llogari të tjera brenda dhe jashtë vendit duke u investuar në pasuri të tundshme ose të patundshme.
Tendenca është që, paraqitja e skemës së pastrimit të parave të organizohet e atillë që, shumësia e veprimeve ligjore dhe transaksioneve financiare që kryejnë personat juridik përfitues të këtyre fondeve, të duken si veprime të ligjshme. Këto veprime financiare copëzohen në dhjetëra transaksione në formë kryerjesh pagesash tek kompanitë, të cilat nënkontraktohen për të kryer punime të ndryshme sipas specialitetit të tyre. Në fakt, në disa raste, kompanitë e nënkontraktuara janë pjesë e të njëjtës skemë dhe kontrollohen nga të njëjtët individ, që kanë organizuar këtë skemë korruptive. Kompanitë nënkontraktuese themelohen dhe drejtohen nga persona, që janë të afërm ose persona të besuar të atyre që i drejtojnë këto skema korruptive. Pasi fondet kalojnë në komnpanitë nënkontraktore, ato transferohen jashtë vendit ose investohen në pasuri të tjera nën emra fiktiv, por, të cilat shfrytëzohen nga zyrtarët e korruptuar, ose të afërm të tyre.