Emin Mysliu: Nëse nuk do të kujdesemi për hidrocentralet, nesër do të mbetemi pa energji

64

Flet “rilindësi” i fundit i energjetikës, EMIN MYSLIU: Më 25 tetor 1970 u elektrifikua gjithë Shqipëria

EMIN MYSLIU
EMIN MYSLIU
Sigal

– Nuk duhet të harrojmë që Shqipëria e pishës, qiririt, kandilit dhe llambës me vajgur, brenda një periudhe të shkurtër, u shndërrua në një vend plotësisht të elektrifikuar

-Ndërtimi i tre hidrocentraleve mbi lumin Drin gjatë viteve 1967-1986, Vau i Dejës, Fierzë, Koman flasin për arritje të shkëlqyera

Intervistoi: Bashkim Koçi

Bashkim Koçi

 

Prof. Emin Musliu është inxhinier i njohur në fushën e ndërtimit të veprave të mëdha energjetike. Ai ka një aktivitet shumë të gjerë si drejtor teknik në kantieret e HEC-it të Selitës, drejtor i kantierit të ndërtimit të digës së HEC-it në Ulzë, kryeinxhinier gjatë viteve 1958-1960, drejtor i Institutit të Studimeve dhe Projektimeve të Hidrocentraleve dhe linjave të tensionit të lartë, të stacioneve dhe porteve detare. Është projektues i HEC-it të Shkopetit, Bistricës 1, Bistricës 2. Ka kryer detyrën e zëvendësministrit të Ndërtimit, njëkohësisht duke e ruajtur këtë detyrë, i emëruar dhe drejtor i përgjithshëm i ndërtimit të HEC-it të Vaut të Dejës, drejtor i përgjithshëm i punimeve të HEC-it të Fierzës. Emin Musliu ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë si dhe ministër i Ndërtimit. Atij i është akorduar titulli “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Akademisë së Shkencave”.

–Profesor! Për një vend, ca më shumë për Shqipërinë, uji është pasuri e madhe. Uji, sipas Leonardo Da Vinçit, është forca lëvizëse e të gjithë natyrës. Një vlerësim nga ana juaj rreth kësaj pasurie natyrore që ka vendi ynë.

– Për ne shqiptarët uji është gjithçka. Shekulli XX-të është quajtur me të drejtë shekulli i energjisë elektrike. Zbulimi dhe fillimi i përdorimit të saj i dha mundësi të reja zhvillimi dhe progres të jashtëzakonshëm njerëzimit. Prodhimi i energjisë elektrike dhe përdorimi i saj u bë një nga çështjet e mëdha të shkencës dhe teknikës botërore. Shkencëtarë të ndryshëm studiuan dhe zgjidhën me sukses mënyrat për prodhimin e energjisë elektrike me anë të centraleve me lëndë djegëse, qymyr, naftë, gaz, por për vendin tonë burim energjie është dhe do të mbetet uji. Thënia e Leonardo Da Vinçit është dhe do të mbetet aktuale, sepse uji është vërtet forcë lëvizëse për natyrën.

–Ndoshta është me dobi për lexuesin të dijë diçka më shumë për atë që lidhet me historinë e hidrocentraleve, me atë që filloi nga hiçi dhe arriti tek gjigantët e hidroenergjetikës.

–Shqipëria, për arsye të kushteve historike që dihen, filloi ndërtimin e veprave për prodhimin e energjisë elektrike në mesin e shekullit XX-të, ose rreth 60 vjet më vonë se vendet e tjera evropiane. Si në çdo gjë edhe sektori e prodhimit energjetik ne kemi qenë shumë prapa, me diferenca të pakrahasueshme me vendet e Evropës. Centralet e para diesel të ndërtuara në vend, filluan të japin energji elektrike në vitin 1925 në Korçë, në vitin 1927 në Tiranë e kështu me radhë në disa qytete e qendra kryesore. Prodhimi i energjisë elektrike në vitin 1945 ishte vetëm 5.4 milionë kwh ose rreth 5 kwh për person në vit.

– Atëherë i bie që vendi ynë nuk paska trashëguar asgjë.

– Sigurisht asgjë. As kuadro të lartë, as teknikë, as specialistë dhe as traditë. Çdo gjë duhet të fillonte nga e para. Nuk duhet të harrojmë që Shqipëria e pishës, qiririt, kandilit dhe llambës me vajgur, brenda një periudhe të shkurtër, u shndërrua në një vend plotësisht të elektrifikuar (25 tetor 1970) dhe që me pjekurinë, mençurinë, guximin dhe aftësinë tekniko-shkencore të studiuesve, projektuesve, ndërtuesve dhe montatorëve tanë të talentuar realizoi vepra hidroenergjetike të nivelit evropian e botëror.

– Botëror!?

– Po, po, botëror. Ndërtimi i tre hidrocentraleve mbi lumin Drin gjatë viteve 1967-1986, Vau i Dejës, Fierzë, Koman me fuqi të përgjithshme të instaluar 1.35 miljonë kw dhe prodhim vjetor të energjisë rreth 5 miliardë kwh, janë vepra, që flasin për arritje të shkëlqyera. Pikërisht, tani, pas 67-vjetësh të krijimit të Ndërmarrjes Hidro-elektro, e cila u bë shkolla e madhe e përgatitjes dhe specializimit për të gjithë studiuesit, projektuesit, ndërtuesit e montatorët e ndërtimit të të gjitha hidrocentraleve, linjave të tensionit të lartë dhe nënstacioneve të ndërtuara në Shqipëri, mund të themi se progresi në këtë fushë është lavdërues.

– Besoj se kjo rritje ka ardhur shkallë-shkallë, nga hidrocentralet e vegjël deri tek gjigantët, siç janë ata mbi lumin Drin.

-Ndoshta është vendi të sjell në këtë intervistë përpjekjet sesi janë ngjitur këto shkallë. Unë jam dëshmitar i të gjithë kësaj rruge. I pari hidrocentral është ai i Selitës me fuqi 5 mijë kw dhe me prodhim vjetor 20 milion kwh. Ndërtimi i tij filloi në vitin 1949 dhe u vu në shfrytëzim në nëntor të vitit 1951. Ky hidrocentral kishte dy funksione: të prodhonte energji elektrike dhe të furnizonte me ujë Tiranën, kryeqytetin.

– Kush e projektoi? Specialistët tanë?

– As që bëhej fjalë. Ne nuk kishim as specialistë dhe as përvojë. Projektimi u realizua nga Instituti Lengidep i Leningradit. Po nga ky institut u projektua edhe hidrocentrali i Ulzës. Drejtor ishte Rrahman Hanku, kryeinxhinier Kristaq Gliozheni. Unë isha fare i ri. Kryeja detyrën e përgjegjësit teknik të kantierit të parë të hidrocentralit.

– Po pastaj?

– Filluan punimet e Ulzës. Ishte shumë më i madh, me fuqi 25 mijë kë dhe me prodhim vjetor 120 milionë kwh. Punimet zgjatën rreth 4 vjet, 1954 – ’58. Dhe që të ndjekim ca më tutje ndërtimin e hidrocentraleve ata u ngritën njëri pas tjetrit si ai i Shkopetit mbi lumin Mat, i Bistricës 1 dhe Bistricës 2 në Jug të vendit.

– Me hidrocentralin i Vaut të Dejës, besoj, filluam të pasuroheshim me energji elektrike.

– Sigurisht që duhet të guxoje që mund të ngrije një vepër të tillë. Ka një fuqi 250 mijë kë dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike rreth 1 miliardë kw. Ishte hidrocentrali i parë që u ndërtua mbi lumin Drin. Punimet për ndërtimin e tij nisën në vitin 1967 dhe më 26 tetor 1971 hidrocentrali u vu në shfrytëzim. Hidrocentrali ka një rënie prej 54 m dhe prurje mesatare prej 100 m3/sek për çdo agregat. Problemet për studimin, projektimin dhe ndërtimin e tij kanë qenë të shumta dhe mjaft të vështira, por falë punës krijuese e plot vetmohim të projektuesve e ndërtuesve, ato u kapërcyen me sukses të plotë. Gjatë këtyre 47 viteve që është në shfrytëzim, hidrocentrali ka punuar në mënyrë të shkëlqyer.

Vëllimi i ujit në liqen është 560 milionë m3 dhe sipërfaqja e tij është 25 km2. Prurja maksimale, me siguri, 1 herë në 10 mijë vjet ishte 10 mijë m3/sek, prej të cilave 7  mijë m3 kalojnë në veprat e shkarkimit dhe 3 mijë m3/sek kalojnë nga diga e Rragamit. Pajisjet dhe materialet teknologjike erdhën nga Kina. Në montimin e tyre morën pjesë specialistë kinezë që, së bashku me specialistët tanë, kryen me cilësi të lartë të gjitha montimet e pajisjeve. Në maj-qershor 1968 u firmos në Pekin (Kinë) marrëveshja për ndërtimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Kryetar i delegacionit tonë ishte prof. Petrit Radovicka. Unë isha nënkryetar i delegacionit.

-Pastaj në hidrocentralin i Fierzës?

– Ai ka një fuqi 500 mijë kw dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike prej 1.8 miliardë kwh. Punimet për ndërtimin e tij filluan në vitin. 1972 dhe në muajin tetor 1978 u vu në shfrytëzim.

Hidrocentrali i Fierzës përbëhet nga këto vepra kryesore: diga me material vendi me lartësi 167 m, vepra e marrjes së ujit për turbinat dhe katër tunele me diametër 5.2-7.2 m metalike, ndërtesa e centralit dhe dy tunelet e shkarkimit të prurjeve të mëdha deri në 5000 m3/sek., nënstacioni elektrik etj. Veçanërisht madhështore ishin minimet masive për prodhimin e materialit shkëmbor për ndërtimin e digës, për të cilën një kontribut të shkëlqyer ka dhënë ing. Edmond Pinguli me stafin e tij. Minimi i fuqishëm i malit u bë në vitin 1977; u përdorën në një plasje 330 ton dinamit, duke prodhuar rreth 550 mijë m3 shkëmb të dimensioneve të përshtatshme për mbushjet e digës.

Diga e Fierzës ka një vëllim të përgjithshëm prej 8 milionë m3. Nëse perimetri i Shqipërisë do ishte 1000 km, me këtë vëllim mund të ndërtohej një mur me 2 m gjerësi dhe 4 m lartësi për tërë perimetrin e Shqipërisë. Ndërkohë, me betonin mund të ndërtohej një mur me 4 m lartësi dhe 0.3 m gjerësi në gjithë perimetrin e Shqipërisë. Vepër e madhe, apo jo?

Sot mund të themi me krenari se, gjatë 39 viteve që është vënë në shfrytëzim hidrocentrali i Fierzës, nuk ka pasur asnjë problem. Kjo ishte një meritë e jashtëzakonshme e njerëzve tanë.

 -Hidrocentrali i Komanit po kaq i fuqishëm, apo jo?

– Ai është krenaria jonë. Me fuqi 600 mijë kë dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike prej 2 miliardë kwh. Punimet për ndërtimin e tij filluan që në vitin 1978 me ngritjen e kantierit dhe më vonë vazhduan me ndërtimin e veprave definitive. Ky hidrocentral u vu në shfrytëzim në tetor 1985. Hidrocentrali i Komanit përbëhet nga këto vepra kryesore: diga me lartësi 115 m, që është ndërtuar me material vendi dhe ekran betoni; vepra e marrjes së ujit dhe katër tunelet e dërgimit të tij në turbina, dy tunelet e devijimit dhe dy shkarkuesit e prurjeve të mëdha; ndërtesa e centralit me katër agregate nga 150 mijë kë secili.

Ndjehem mirë po të them që studimi, projektimi dhe ndërtimi i hidrocentralit të Komanit u realizua me sukses nga njerëzit tanë, të cilët kishin punuar edhe për hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe të Fierzës. Nga vënia në shfrytëzim e hidrocentralit të Komanit në vitin 1985 e deri tani kanë kaluar 32 vjet. Gjatë kësaj periudhe, hidrocentrali ka punuar në mënyrë të shkëlqyer dhe nuk ka pasur asnjë problem.

– Hidrocentrali i Bushatit thuhet se u sabotua. E vërtetë?

– Pak a shumë. Ndërtimi i tij filloi në vitin 1973. Iniciativa jonë për ndërtimin e kësaj vepre, u ndalua në vitin 1974 me një urdhër të posaçëm “nga lart”. Gjatë kësaj periudhe u ndërtua vepra e shkarkimit, vepra e marrjes, ura e hekurudhës etj. Hidrocentrali i Bushatit, sipas projektit, do kishte një fuqi prej 100 mijë kw dhe do prodhonte rreth 400 milionë këh energji elektrike në vit. Nga vepra e shkarkimit të prurjeve, rreth 1000 m3/sek, nëpërmjet një kanali, do derdheshin në Belaj ose në det, gjë që krijonte mundësi për mbrojtjen e tokave të Nënshkodrës, pasi në atë kohë lumi i Bunës ishte i lundrueshëm.

– Po për hidrocentralin e Banjës kini ndonjë të dhënë?

-Sipas variantit të parë, hidrocentrali ka një fuqi prej 60 MË dhe do prodhojë rreth 250 milionë kwh energji elektrike në vit. Në variantin e dytë, fuqia e vendosur ishte 100 MË dhe prodhimi vjetor i energjisë elektrike ishte 400 milionë këh. Një rëndësi të veçantë kjo vepër do të kishte për ujitjen e fushave nën të. Punimet e kësaj vepre filluan që në vitin 1988 dhe në vitin 1992 u ndërprenë për mungesë të fondeve.

– Skema e shfrytëzimit hidroenergjetik të lumit Drin është nga më të arrirat. Di që ka patur përpjekje të mëdha, të lavdërueshme nga specialistët tanë.

– Lumi Drin është lumi më i madh që ka vendi ynë. Sipërfaqja shimbledhëse e tij është afërsisht 14 mijë 200 km2. Ai përbëhet nga dy degë kryesore: nga Drini i Zi, që del nga liqeni i Pogradecit në Strugë, dhe nga Drini i Bardhë, që i ka burimet në Kosovë. Të dyja degët kryesore të lumit Drin bashkohen pranë qytetit të Kukësit dhe që këtej Drini vazhdon rrjedhjen e tij deri në afërsi të qytetit të Shkodrës, në Bahçallëk, ku bashkohet me lumin Buna, i cili del nga liqeni i Shkodrës e që derdhet në detin Adriatik. Gjatë rrugës së tij nga burimet kryesore deri në det, në të derdhen shumë lumenj e përrenj të vegjël, si: Radika, Valbona, Curraj, Gomsiqe, Gjadri etj. Gjatësia e lumit Drin nga liqeni i Pogradecit e deri në derdhjen e tij është afërsisht 280 km. Ndërsa rënia e tij prej daljes së ujit nga hidrocentrali i Spilesë pranë Dibrës (Maqedoni) e deri në det është rreth 485 m. Prurja mesatare shumëvjeçare e lumit Drin, në zonën e hidrocentralit të Fierzës, është rreth 230 m3/sek, ndërsa në zonën e hidrocentralit të Vaut të Dejës është rreth 330 m3/sek. Në zonën e Fierzës lumi Drin ka një prurje vjetore rreth 7 miliardë m3. Prurjet maksimale të Drinit të vrojtuar në Fierzë janë 3100 m3/sek; në Vaun e Dejës, 5500 m3/sek, ndërsa prurja maksimale me siguri një herë në 10 mijë vjet është marrë për zonën e Fierzës 9600 m3/sek dhe për Vaun e Dejës mbi 10 mijë m3/sek.

– Sipas meje janë tregues që mund t’i trembnin projektuesit.

– Shumë! Përpara projektuesve dhe ndërtuesve të hidrocentraleve shtroheshin detyra të mëdha dhe të vështira për shfrytëzimin e potencialit hidroenergjetik të Drinit, i cili përbën një pasuri të madhe për vendin tonë. Si duhet të shfrytëzohet lumi Drin? Kësaj pyetjeje nuk ishte e lehtë t’i jepej përgjigje në atë kohë (1961-1963). Deri në vitin 1960, nga disa studime paraprake që ishin bërë për shfrytëzimin e lumit Drin nga specialistët tanë dhe të huaj, mbizotëronte mendimi se ai duhet të shfrytëzohej me diga 50-60 m të larta pasi, në atë kohë, ato ishin edhe më të mundshme për t’u projektuar e ndërtuar. Por një shfrytëzim i tillë i Drinit ishte kundërekonomik; kërkonte kohë të madhe ndërtimi për të plotësuar nevojat për energji që kishte vendi dhe, mbi të gjitha, nuk lejonte krijimin e akumulacioneve të mëdha, që të bëhej rregullimi i prurjeve të lumit dhe të përmirësohej cilësia e energjisë elektrike gjatë vitit.

– Si iu dha drejtim zgjidhjes?

– Që në fillim të studimit për shfrytëzimin e potencialit hidroenergjetik të lumit Drin u pranua teza se Drini duhet të shfrytëzohet duke ndërtuar akumulacione (liqene artificiale) sa më të mëdha, me qëllim që të bëhet rregullim vjetor dhe shumëvjeçar i prurjeve të ujit. Por një gjë e tillë nuk ishte e lehtë të konceptohej dhe jo më të projektohej e ndërtohej. Bëhej fjalë për diga me lartësi të mëdha që shkonin nga 160-220 m, duheshin vepra shkarkimi për kalimin e prurjeve 5000-9000 m3/sek me rënie të madhe e shpejtësi deri në 35 ml/sek, duheshin projektuar e ndërtuar vepra-marrje të ujit me lartësi deri në 100 m, tunele me diametër 10 m e ndërtesa të centraleve me fuqi të mëdha etj. Në atë kohë, edhe në vende të ndryshme të Europës dhe në botë, vepra të përmasave të tilla ishin të pakta. Megjithatë, duke u mbështetur në arritjet e shkencës dhe teknikës botërore të viteve të fundit për ndërtimin e digave të larta, si dhe besimi në vlerat tekniko-shkencore të specialistëve tanë dhe vendosmërisë së tyre, u bë e mundur që të zgjidhen me sukses të gjitha problemet që do të dilnin dhe të merrej vendimi që Drini të shfrytëzohej me diga të larta. Pas një pune intensive prej gati 3 vjetësh të punonjësve të Drejtorisë së Projektimeve dhe Ndërtimeve të Hidrocentraleve, L.T.N. dhe nënstacioneve të krijuara më 1 janar 1961 dhe Drejtorisë së Gjeologji-Gjeodezisë pranë Ministrisë së Ndërtimit, si dhe të konsultimeve të shumta me specialistë francezë, italianë, kinezë, çekë etj., u përfundua studimi për skemën e shfrytëzimit hidroenergjetik të lumit Drin në disa variante. Në fund të vitit 1963 ky studim u shqyrtua dhe u miratua nga qeveria.

 

VIJON

– Në marrëveshjen me palën jugosllave, në tetor të vitit 1962, u bë e mundur që niveli i liqenit të Fierzës, nga 276 m, të shkojë 296 m

– Potenciali i lumit Drin do të shfrytëzohej me pesë hidrocentrale: hidrocentrali i Skavicës, hidrocentrali i Fierzës, hidrocentrali i Komanit, hidrocentrali i Vaut të Dejës dhe hidrocentrali i Bushatit

– Në prill të vitit 1964. Në maj të po këtij viti, delegacioni ynë, i përbërë nga Petrit Radovicka, Anesti Lubonja dhe Jorgji Ziko, mori pjesë në Kongresin e digave të larta në Edinburg të Anglisë