Ilmi S. Qazimi: Qemal Isa Koxhaj, inxhinieri që punoi 35 vjet në zonën naftëmbajtëse Patos-Ballsh

271
Sigal

Një prej atyre djemve intelektualë që nuk u shkonte kurrë mendja për ta braktisur vendin ishte Qemal Isa Koxhaj një inxhinier i talentuar, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme me punën e mrekullueshme që bëri atje ku e kërkonte atdheu.

Kështu e fillonte bisedën me shokët dhe miqtë, inxhinier Qemal Isa Koxhaj, kur vinte puna për naftënxjerrjen gjatë kohës në socializëm dhe në kohën e tashme, të demokracisë. Jeta materiale dhe shpirti i tij ishte njësuar me naftën. Kish kaluar 35 vjet në atë sektor, nga përgjegjës pusi deri drejtor i zonës naftëmbajtëse Patos-Ballsh. Por botën shpirtërore të naftëtarëve e kuptojnë dhe e ndjejnë vetëm ata që kanë punuar atje e jo të tjerët e ca më pa këta që  e kanë mendjen tek fitimet pa punuar asfare. Që të jemi realistë është e vështirë sot, në vitin 2024, që të kuptohet forca e idealit, që kishin ata të rinj revolucionarë të një brezi që u edukua nga partia e punës, fill pas çlirimit të Shqipërisë nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë, me ndjenjën më të lartë të vetmohimit ndaj vendit e kombit të sfilitur, që kërkonte punë, dituri, discipline ; një kombi që kish fituar çlirimin me forcat e veta dhe synonte zhvillim, përparim e barazi. Një prej atyre djemve intelektualë që nuk u shkonte kurrë mendja për ta braktisur vendin ishte Qemal Isa Koxhaj një inxhinier i talentuar, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme me punën e mrekullueshme që bëri atje ku e kërkonte atdheu.

 

Qemal Isa Koxhaj nxënës dhe student

Qemal Isa Koxhaj u lind më 30.01.1940 në Greshicë, Mallakastër. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse atë shtatëvjeçare në Symizë, Fratar. Nga rezultatet e larta që pati në shkollën fillore e shtatëvjeçare, kur e dërguan me bursë shteti në të mesmen, kishte të drejtën e zgjedhjes së degës, mekanike apo elektrike, që quheshin atëherë si degë elitare, por ai zgjodhi degën gjeologji- miniera, sepse kishte bindjen, tok edhe me disa shokë të tij të porsa takuar, si Latif  Fodulli nga Skrapari, Llambi Blido nga Roskoveci, Nexhat Lami nga Dibra, Mexhit Kurti, nga Mati, etj, që aty mund t’i shërbenin më mirë atdheut.Vini veshin, ju lutem: t’i shërbenin më mirë atdheut-kjo ishte moto e ditës dhe e natës së jetës së tyre rinore.

Politeknikumi ‘7 Nëntori’ (sot Instituti “Harry Fultz”), në të cilin studioi në vitet 1954-1958, i mësoi këndin më të drejtë e më të plotë se si ta shihte jetën, shoqërinë, shkencën dhe të ardhmen. Ai kujtonte me respekt të veçantë disa nga mësuesit e shkëlqyer Reshat Zajmi, Haxhi Sauku, Dragush Çabej, Parashqevi Ylli etj. po mbi të gjithë ‘Mësuesin e Popullit’ Gjergji Canco, drejtorin energjik, të lidhur aq ngushtësisht me shkollën dhe nxënësit sa që atyre, të tjerët u kishin ngjitur nofkën e mirë “cancoviçë”, me kuptimin që mësonin në shkollën që drejtonte ai e që kishte krijuar një famë jo të vogël për ato tetë vjet. Programi i shkollës ishte sa shkencor aq dhe konkret. Kërkesa për përvetësimin e lëndëve ishte shumë e lartë. Aktivitetet edukative ishin të organizuara, të kontrolluara (e jo të censuruara siç thonë me keqdashje disa tani pas kaq vitesh) dhe shumë dinjitoze. Punohej me shpirt krijues dhe novacion. Shkolla kishte disiplinë shumë të fortë, për të gjithë; nxënës, mësues dhe punonjësit e administratës. Nuk njihej korrupsioni dhe punohej jo vetëm me ndërgjegje të lartë, por edhe me ‘frikë’ nga ligji. Këto tregonte herë pas here Qemali kur vinte puna për shkollën e mesme ‘7 Nëntori’.

Të gjithë e dimë se shoqëria e shkollës së mesme është më e bukura e tërë jetës . Qemalit nuk do t’i shuheshin kurrë kujtimet e viteve të shkollës, shokët e polifotos që ‘firasin një nga një’. Ata takohen, sidomos kush janë në Tiranë si Nexhat Lami, Mustafa Seferi, Llambi Blido, Mexhit Kurti, Daut Yzeiri, Hodo Sinani, Yllka Kadriu, Fatmir Kalaja, dhe ndjehen krenarë që studjuan në atë shkollë dhe po ashtu të tillë duhet të ndjehen edhe ata që studiojnë sot në “Harry Fultz”, sepse ajo shkollë ka të shkrirë organikisht përvojën kombëtare me atë  botërore duke krijuar në këtë mënyrë një traditë të njohur e të lavdishme.

 

Tre vjet teknik digave të hidrocentraleve

 

Pas përfundimit me rezultate të shkëlqyera të studimeve në shkollën e mesme, ishte rregulli shtetëror për atë periudhë, që të kryehej një lloj stazhi trevjeçar në prodhim. E caktuan me detyrë në Ministrinë e Ndërtimit, por që mbulonte objekte industriale nëpër rrethet e vendit. Aty punoi tre vjet në vepra të ndryshme hidroenergjetike të vendit si Shkopet, Ulëz, Bistricë etj.

I takoi që të punonte në drejtime që nuk ishin provuar më parë, ndaj kishte edhe ndihmën e inxhinierëve sovjetikë (ai shpesh kujtonte me respekt disa syresh si Viktor Adnipozov, Igori, Vera etj), të cilët sillnin përvojën e shkencës sovjetike të hidroenergjetikës, për studimin e formacioneve ku do të ndërtoheshin digat e hidrocentraleve shqiptare- punime që saktësinë e lartë shkencore të tyre, koha prej më tepër se gjysmë shekullore që ka kaluar e ka vërtetuar më së miri. Qemalin e karakterizonte një thjeshtësi e çuditshme. Ai nuk fliste kurrë për veten. Çmonte shumë punën e shokëve, teknikëve, inxhinierëve, laborantëve, punëtorëve deri te shoferi i makinës me të cilin transportonin kampionet nga Bistrica në laborator në Tiranë. Nuk konformohej lehtë dhe dinte të mbronte shkencërisht atë që bënte. Marrim vesh më pas se kush ishte ai. Në ditarin prej katërqind faqesh të Latif Fodullit diku shkruhet: ”Qemali është shok i pazëvendësueshëm”, kompetent dhe tejpamës. Dhe i tillë mbeti deri në fund të jetës: I dashur tej mase me shokët dhe tepër i ashpër me hileqarët, gënjeshtarët dhe hipokritët.

Pas atij që quhej ‘stazh trevjeçar në prodhim’ iu dha e drejta e vazhdimit të shkollës së lartë. Zgjodhi degën e naftës. Shpesh herë Qemali tregonte: “Kjo u kushtëzua edhe nga fakti që vendlindja ime e shtrenjtë, Mallakastra ishte dhe mbeti zonë naftëmbajtëse, ndaj dhe unë këtu do të isha më i dobishëm për atdheun, shoqërinë dhe familjen.”Në vitet 1961 deri 1966 përfundoi me sukses studimet e larta në Universitetin e Tiranës në fakultetin gjeologji-miniera, dega shpim-shfrytëzim i zonave naftë-gaz- mbajtëse. Edhe nga shoqëria universitare ai ruante kujtime të bukura dhe takohej çdo vit me ish-studentët si Timo Vogli, Hysni Frakulli, Bari Shanaj, Afrim Jupi, Fatmir Shehu, etj

35 vjet inxhinier në zonën naftëmbajtëse Patos-Ballsh

 

Inxhiner Qemal Koxhaj për 35 vjet pa asnjë ndërprerje ka punuar e drejtuar në zonën naftëmbajtëse Patos-Ballsh, periudhë, që do shumë kohë për ta treguar. Është evidente se në saj të punës vetmohuese të naftëtarëve, specialistëve dhe drejtuesve të bazës u bë e mundur nxjerrja e mesatarisht tre milion tonë naftë në vit. Dhe kjo u arrit duke shfrytëzuar në mënyrë racionale burimet ekzistuese. Me aplikimin e punimeve intensifikuese u arrit që të nxirrej prej tokës mbi 10% naftë më shumë nga sa ishte parashikuar. Punohej me motive e ideale që tani janë krejt të pakonceptueshme. Natyrisht pagesa ishte më e mirë në raport me rrogën e punëve në sektorë të tjerë të ekonomisë. Edhe pse shpërblimet ishin thuajse vetëm morale, fletë lavdërimi e nderi, përsëri rezultatet ishin shumë të larta. Kjo ndodhte se motivi bazë ishte atdhedashuria e jo  paraja.

Qemalit si drejtues dhe shokëve të tij specialistë krahas vështirësive të shumta të profesionit të naftëtarit në jetën e përditshme i është dashur që të kapërcente edhe disa pengesa jo të vogla që shkaktonin apartçikët e partisë e të shtetit në rreth dhe në qendër. Shpesh jepeshin urdhra të padrejta , të pabazuara në realitetin konkret të zonës, por nga zyra. Nën maskën e parrullës “realizimi i planit është detyrë dhe tejkalimi është nder”, mania e disa shefave për t’u mburrur para udhëheqjes, për të marrë lavde, poste, ofiqe jepeshin detyra jashtë kushteve teknike duke u munduar që të detyronin vartësit sidomos në zonën Patos-Ballsh, të bëhej shfrytëzim i puseve jashtë kushteve shkencore. Për dekantimin e naftës jepeshin detyra që të bëhej ndërtimi i objekteve jo në vendin e caktuar po aty ku grumbullohej nafta e gazi; kjo do të thoshte që të bëhej bashkë baruti me zjarrin. Jo pak herë nuk merreshin parasysh sugjerimet e njerëzve të bazës për sigurimin teknik të jetës së punëtorëve; nuk përfillej mendimi i specialistëve në hapjen e puseve të rinj; shpesh ato hapeshin në vende jo produktive dhe për rrjedhojë miliona lekë nga buxheti i shtetit harxhoheshin kot siç ndodhi në rajonin e Poçemit, ku pusi i hapur jo në rajonin e duhur në vend të naftës nxori ujë. Specialistët e vërtetë, luftonin për një shfrytëzim racional e shkencor të burimeve ekzistuese. Edhe pse fliste pak, naftëtari i pasionuar tregonte se, veç arsyesh të tjera, vështirësitë subjektive që krijoheshin nga inkompetenca e disa udhëheqësve, shpunë në atrofizimin e punës edhe në sektorin e naftës shqiptare.

Ai tregonte: ”Këto çështje,bashkë me shokët Vangjel Kokonozi, Gjergji Foto etj. i pata ngritur tek sekretarët e partisë Simon Stefani e Pali Miska edhe në qeveri ku ishin jo vetëm Prokop Murra, që mbulonte ekonominë, por edhe para kryetarit të këshillit të ministrave Adil Çarçani. Rasti më i mirë qe atëherë kur ai më erdhi në zyrë aty në Ballsh për të kontrolluar realizimin dhe tejkalimin e prodhimit të naftës e të gazit në zonën që drejtoja. Debatuam ashpër. ‘Nafta çan bllokadën’ ishte parulla e kohës. Por para argumenteve shkencore, që u paraqitën nga ana e jonë si specialistë që punonim direkt në çdo pus, ai, Adil Çarçani, pasi na dëgjoi me kujdes, na tha ‘kini të drejtë’.” Qemali vijoi punën si më parë, pa u tërhequr nga asnjë vështirësi. ‘Jap jetën për vendlindjen time të shtrenjtë, Mallakastrën, që mbetet zonë naftëmbajtëse’-kjo ishte moto e jetës së tij në ato vite të vrullshme pune.

Shkëlqeu jo vetëm në praktikë, por edhe në teori

 

Kishte shumë dëshirë të punonte thjeshtë si inxhinier se sa të merrej me drejtim e organizim, por duke zbatuar porosinë e partisë për t’i shërbyer atdheut atje ku është më e vështirë, krahas rutinës, me shumë sakrifica, drejtor Qemali nuk e la asnjëherë punën shkencore, për aq sa lejonin mundësitë konkrete, por ama duke harxhuar gjithë kohën thuajse pranë puseve, larg familjes dhe angazhimeve të tjera jetësore. Drejtonte punën shkencore qysh në atë që e quhej “bërthama teknike e shkencore” në sektor. Objekti i punës së gjithanshme të kësaj bërthame ishte: të realizohej nxjerrja e naftës dhe e gazit vetëm me metoda shkencore e jo primitive, duke marrë prej tyre prodhimin e lejuar, gjë që ruajti energjinë e shtresës duke rritur kapacitetin e naftënxjerrjes.

Një tjetër aspekt i punës shkencore ishin punimet e remontit nëntokësor të puseve (vetëm zona e Ballshit numëronte 800 puse), të cilat duhej të kryheshin pasi të ishin bërë matjet dhe interpretimet e drejta nga nëngrupi gjeologjik i studimit. Po ashtu, në izolimin e ujit fundor në puse u përdorën metoda efikase bazuar në analiza fushore të raporteve të kimikateve në mënyrë që bllokoheshin rrugët nga vinte uji e jo ato të naftës. Inxhinier Qemali është autor i shtatë temave shkencore, që lidhen me punën në sektorët e naftës, të botuara e referuara në konferenca të ndryshme.

“Më dhimbset shumë nafta e vendit tim”

Qemalin e shqetësonin shumë tërësia e praktikave që filluan të aplikoheshin pas vitit 1995 e në vijim për nxjerrjen e naftës e të gazit. Ai i referohej shpesh kohës që punonte vetë në pus dhe kur drejtonte sektorin kohë kur metodat e shfrytëzimit racional të puseve bëheshin me studime, vrojtime, analiza e përcaktime shkencore, metoda që tani në ditët tona, fatkeqësisht nuk përdoren më. Kjo po ndodh sepse duke hequr dorë nga studimet shkencore për çdo pus apo burim ekzistues; sundon mendimi” shfrytëzoje sa më shumë; le të japë sa të japë; një pjesë do të shkojë në depo e tjetra le të rrjedhë kanaleve… Boll që ne të marrim para!” E ky koncept për fat të keq është që lart në qeveri deri poshtë te punëtori i thjeshtë.

Ai njihte mirë rezervat e naftës së vendit dhe kur binte fjala për to thoshte:“Përsa u përket rezervave të naftës mund të them me kompetencë se ato janë të mëdha, kryesisht në bregdet e më tej akoma në thellësi të detit tonë Jon e Adriatik. Këto janë përcaktuar shkencërisht nga studimet gjeofizike të bëra nga specialistët tanë me kohë. Pikërisht me këto të dhëna po punojnë e operojnë edhe të gjithë kompanitë e huaja, që kanë filluar shfrytëzimin e tokës tonë naftëmbajtëse. Por shpimet në det kanë kosto shumë të lartë, ndaj tani për tani shfrytëzimi efektiv dhe vetëm i bazuar shkencërisht i çdo burimi është rruga më e mirë. Specialistët shqiptarë të përgatitur nga shkolla jonë tani , fatkeqësisht janë shpërndarë nëpër botë, sepse e tillë është politika e qeverive të pas vitit 1990. Ata ishin aq të zotë sa edhe në Shqipëri, qysh në vitet ’80-të u hapën puse me thellësi deri 6700 metra thellësi. Nuk është puna te nostalgjia se sa tek vështrimi nga lartësia e viteve ’70-të moshës, të gjithë atyre përpjekjeve, do të thosha vigane dhe të paimagjinueshme nga brezat shqiptarë, për aplikimin e masave konkrete të zhvillimit të industrisë së naftës në kohën që jetuam, plot sakrifica, privacione, vrulle rinore dhe optimizmi të pa shoq për ta bërë Shqipërinë të lulëzuar. Atëkohë kish shumë më pak investime se sa janë sot mundësitë për të investuar në sektorin jetik të naftës e të gazit. Nëpunësit, drejtuesit dhe specialistët e sotshëm nuk duhet të ankohen për investime. Mjafton të kujtojmë se specialistët japonezë të naftës studiojnë atje dhe shkojnë e punojnë në vende të tjera, që kanë konceptimin më të shëndoshë për zhvillimin shkencor të këtij sektori; ata “shesin mallin mendje” dhe kështu ndihmojnë më shumë në të ardhurat e vendit të tyre, familjeve dhe vetes. Kurse ne i kemi të tëra mundësitë konkrete këtu në Shqipëri.” Mirëpo kujt ia thua!? Aq më tepër që po shohim të vijnë edhe kompani të dyshimta në aftësi teknologjike dhe pa garanci përfundim punimesh në dobi të Shqipërisë!?” Thoshte  duke u kursyer këto fjalë, sikur ta parandjente se çfarë do të ndodhte me shpimet në Shpirag e gjetkë!

Kishte pasion, veç letërsisë artistike, edhe historinë, dhe u mundua që mbi bazën e fakteve të shkruante rreth disa aspekteve të jetës së banorëve të Greshicës, e cila ka një histori të begatë lufte për liri, pavarësi e dituri po aq sa edhe pune për krijimin e të mirave materiale, të cilën” duhet tua lëmë brezave pasardhës që ata të dinë pastaj nga e si të shkojnë”-thoshte ai. Rezultatet e arritura në fushat profesionale dhe shoqërore janë vlerësuar nga forumet më të larta të zgjedhura prej votës së popullit. Ishte vlerësuar me gjashtë dekorata, tre urdhëra pune dhe tre medalje. Doli në pension në vitin 2000. Si pensionist u aktivizua në qytetin e Ballshit dhe në Tiranë. Ishte i martuar me Feruzenë, grua zonjë që iu bë krah në çdo vështirësi dhe ka tre fëmijë, të cilët ecin në rrugën e jetës sipas porosive të babait të tyre të dashur. Nga një sëmundje e rëndë, u nda nga jeta më 1 qershor 2017 në Tiranë. Me jetën e tij aktive dhe gjurmët e pashlyera që ka lënë Qemal Koxhaj mbetet i gjallë midis nesh.

 

Portret i një njeriu të palodhur, që punoi për 40 vjet nëpër puset e naftës dhe digat e hidrocentraleve. Sakrificat e panumërta në socializëm dhe dhimbjet e tij për naftënxjerrjen.