Vetëvrasja e marokenit 42-vjeçar Hamid Badoui në një burg të Torinos pasi kishte qëndruar rreth 1 muaj në kampin e Gjadrit në Shqipëri ka shkaktuar polemika të shumta në vendin fqinj. Ai i kishte deklaruar avokatit të tij se kishte frikë se do ta rikthenin në Gjadër duke shtuar: ‘Më mirë në burg sesa në Shëngjin’. Amnesty International Italia në një deklaratë të saj thekson se ‘Modeli Meloni sjell vuajtje dhe vdekje’.
‘Modeli i Shqipërisë’, i promovuar nga qeveria italiane si një mjet inovativ për menaxhimin e migracionit e përkeqëson më tej këtë logjikë. Struktura ekstraterritoriale, izolim gjeografik, akses i vështirë dhe i kufizuar në garancitë ligjore, pengesa në aksesin në të drejtën për shëndetësi, ndalim administrativ i përhapur i përdorur në mënyrë ndëshkuese, në vend që të jetë mjeti i fundit i parashikuar nga e drejta ndërkombëtare’, thuhet në deklaratë.
‘Në Qendrat e Kujdesit Shëndetësor (CPR) në Itali dhe në qendrat e reja në Shqipëri, njerëzit jetojnë në kushte degraduese, pa qasje në kujdesin e duhur, në një klimë braktisjeje të vazhdueshme dhe mungesë informacioni. Protestat, vetëlëndimi dhe vetëvrasjet janë simptomat më të dukshme të një sistemi të projektuar për të izoluar dhe ndëshkuar.
Vdekja e Hamid Badoui është pasojë e drejtpërdrejtë e një sistemi politik që përdor frikën dhe shtrëngimin si mjete për (mos)menaxhimin e lëvizshmërisë njerëzore. Shndërrimi në ligj i dekretit të ri të Shqipërisë që u bë dje nëpërmjet votëbesimit në Senat konfirmon strategjinë e qeverisë për t’u përqendruar në politika që nuk respektojnë të drejtat themelore të njeriut, në sajë të një qasjeje thjesht propagandistike’, shkruhet në deklaratë.
Amnesty International Italia kërkon ndërprerjen e transfertave drejt Shqipërisë, një hetim të pavarur mbi përgjegjësitë institucionale që lidhen me vdekjen e Hamid Badoui dhe të gjitha shkeljet sistemike në qendrat e paraburgimit administrativ.