Prof. Dr. Qemal Lame: Dënimet me vdekje në botë me rritje tronditëse

Telegraf.al / Konfrontimi gjeopolitik në botë dhe situatat e brendshme politike në vendet autoritare ndikojnë gjithashtu në politikën për zbatimin e Kodit Penal dhe dënimet me vdekje nga gjykatat. Statistikat e publikuara së fundmi janë tronditëse dhe makabre. Të dhënat vënë në dukje rolin represiv të shtetit e të drejtësisë që propogandojnë mbrojtjen e rendit dhe në “respektim të ligjit” ushtrojnë terror në popull.

NOA

Dënimet me vdekje janë rritur 20 përqind

Numri i ekzekutimeve në mbarë botën u rrit vitin e kaluar në nivelin më të lartë që nga viti 2015. Sipas raportit të fundit të organizatës për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), të publikuar sot, më 29.05.2024, në vitin 2023, numri i dënimeve të reja me vdekje të rregjistruara në mbarë botën u rrit me 20 për qind, krahasuar me një vit më parë. Janë ekzekutuar 1.153 persona në të gjithë botën.

60% e dënimeve me vdekje të zbatuara janë për vepra penale që sipas të drejtës ndërkombëtare nuk duhet të pasojnë me dënim me vdekje, mes tyre ka edhe delikte të drogës.

Numri i rasteve të paraportuara ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.

Irani ka ekzekutuar 853 persona, 48 për qind më shumë se në vitin 2023. Në vitin 2020, në këtë vend janë ekzekutuar 246 persona.

Në vitin 2022, 172 persona u ekzekutuan në Arabinë Saudite, 38 në Somali dhe 24 në SHBA. Kina, Koreja e Veriut dhe Vietnami nuk u përfshinë në statistika. Megjithatë, Amnesty beson se një numër i madh njerëzish janë ekzekutuar në këto tre vende.

Tërheq vëmëndjen, rritja në disa prej 16 vendeve që zbatojnë politikën e egër penale dhe kryejnë ekzekutime edhe në mjedise publike, me prerje koke, të varur, të qëlluar me armë apo helmuar. Në vitin 2022, Amnesty kishte regjistruar gjithsej 883 ekzekutime në 20 vende. Evidentohet një rritje 31% më shumë. Ai shkruan se kjo është shifra më e lartë që “prej një dekade”.

Ulja e numrit të shteteve që zbatojnë ekzekutimet

144 vende e kanë hequr dënimin me vdekje me ligj (112 vende) ose në praktikë (32 vende). Është për t’u vlerësuar fakti që gjithnjë e më shumë vende po largohen nga dënimi me vdekje. Numri i vendeve në të cilat u kryen ekzekutimet ra në nivelin më të ulët. Në Bjellorusi, Japoni, Mianmar dhe Sudanin e Jugut, të cilat ekzekutuan dënime me vdekje në vitin 2022, nuk u regjistruan asnjë ekzekutim në vitin 2023.

Megjithatë, është shumë shqetësuese që disa shtete po ekzekutojnë gjithnjë e më shumë njerëz. Në vitin 2023, autoritetet iraniane kanë treguar shpërfillje dhe injorime të dukshme për jetën njerëzore. Arabia Saudite, e cila krenohet me përpjekjet e saj për reforma, ndonjëherë miraton dënime me vdekje për akte të parëndësishme, të tilla si postimi në mediat sociale i kritikave ndaj qeverisë.

Kina para Iranit dhe Arabisë Saudite

Kina është sërish lideri i padiskutueshëm i këtyre statistikave, Irani është në vendin e dytë. Ato kritikohen në opinionin publik ndërkombëtar se përdorin sistematikisht dënimin me vdekje për të terrorizuar dhe frikësuar popullatën kritike civile. Amnesty International është i mendimit, se në Kinë ekziston numri më i lartë i ekzekutimeve, por për shkak të sekretit shtetëror, raporti nuk përmban të dhëna për ndoshta mijëra të ekzekutuar në vend.

Në Arabinë Saudite, vendin e tretë me numrin më të lartë të ekzekutimeve, gjendja është përmirësuar vetëm në vështrim të parë. Vërtet që numri i ekzekutimeve me vdekje është ulur me 12% në 172, por sipas raportit të AI, aty janë marrë “deponime” me forcën e torturës dhe dënimet me vdekje janë dhënë pas proceseve hetimore e gjyqësore jo të rregullta sipas të drejtës ndërkombëtare Ish mësuesi, Mohamad al-Ghamdit, u dënua me vdekje për shkak se kishte postuar në mediat sociale deklarata kritike për qeverinë.

Arabia Saudite është vendi i vetëm në botë që dënimin me vdekje e kryern duke prerë kokën me shpatë. Në Afganistan janë ekzekutuar publikisht gra për tradhëti bashkëshortore duke i goditur me gurë. Këto vandalizma janë njëlloj si në periudhën e skllavërisë e të mesjetës.

Me shqetësim Ai shikon edhe nga SHBA, ku numri i ekzekutimit të dënimit me vdekje u rrit nga 18 në 24 vetë. Dy shtetet federale Idaho dhe Tenesi kanë sjellë projekligje. që mundësojnë ekzekutimet me komandon e vdekjes. Montana po verifikon zgjerimin e listës për zbatimin e dënimit me vdekje me substanca të reja të injeksionit vdekjeprurëse.

Meritojnë mbështetje shoqëria civile në SHBA dhe disa grupime në Arabinë Saudite, për shembull, të cilat janë “gjithnjë e më shumë kritike” ndaj dënimit me vdekje.

 

Në Shqipëri nuk zbatohet dënimi me vdekje

Në Shqipëri është pozitive që u hoq dënimi me vdekje në Kodin e Ri Penal dhe u vendos burgimi i përjetshëm. Kodi i vjetër parashikonte në 12 nene këtë dënim të rëndë dhe radhitej ndër ligjet më të rrepta në botë. Dënimi i fundit me vdekje është zbatur në vitin 1994, në Fier, me varje në qendër të qytetit. Opinioni publik vlerëson heqien e dënimit me vdekje, megjithse reagon shpesh për rikthimin e këtij dënimi për ngjarjet e rënda. Vazhdon të mbetet problematike vetëgjyqësia dhe hakmarrja me mentalitetin e vjetër të Kanunit, sidomos në zonat veriore si Shkodra, Puka, Tropja, Lezha, etj. Prandaj, marrin përparësi edukimi juridik e kulturor, zbulimi e parandalimi në kohë i veprave penale, ndalimet nga policia, arrestimet nga prokuroria dhe dënimet në kohë nga gjykata.

 

Reagim mbarë botëror

Rritja e dënimeve me vdekje është “befasuese” dhe “tronditëse”. Fatkeqësisht nuk ka reagime të fuqishme ndërkombëtare ndaj vendeve që zbatojnë më shumë ekzekutime. Edhe vendet e BE nuk janë të një mendimi, ndryshe do të ishte vendosur prej kohësh Gardat e Revolucionit në listën e terrorit. Nuk mjafton vetëm përmendja e dënimit me vdekje në bisedimet bilaterale apo nota proteste.  Qeveritë dhe në veçanti atë me sistemin demokratik të bazuar në shtetin e së drejtës është e domosdoshme të kundërshtojnë dhe të kërkojnë të ndalet kjo prirje e egërsisë së dinimeve me vdekje në civilizimin e sotëm. Është e nevojshme të marrin përparësi edukimi juridik, masat parandaluese kundër kriminalitetit, ndrshimet në Kodin Penal për të hequr ose të paktën ulur nenet me dënimet me vdekje. Ndaj grave nuk duhet të zbatohen dënime me vdekje. Ndaj vendeve që dallohen për ekzekutimet të ndjehet presioni i organizmave ndërkombëtare dhe të reagohet me masa të qarta diplomatike. Kërkohen diskutime dypalëshe dhe ndërkombëtare për të siguruar që tendenca shqetësuese e rritjes së ekzekutimit të dënimeve me vdekje të mos vazhdojë.

Dënimi me vdekje është vendimi më i egër i gjykatës në shtetin autoritar që dëshmon motivin e urrejtjes, hakmarrjes dhe imponimit të frikës së pushtetit ndaj popullit.

Ekzekutimet publike ose të fshehta të këtyre dënimeve janë tipike çnjerëzore dhe shkelja më e rëndë e të drejtave të njeriut. Është e pajustikueshme dhe e papranueshme që ekzekutimet të propogandohen me zbatimin e Kodit Penale në kushtet e gjendjes së brendshme politike, shoqërore e të kriminalitetit.

Është antihumane të mbrosh terrorin shtetëror me argumente “fetare apo kulturore” dhe të vazhdosh me të njëjtat politika të ashpra penale me qëllime të qarta politike të forcimit dhe imponimit të pushtetit apsolut për të mbajtur nën tension popullin dhe eleminuar kundërshtarët politikë.