“E kam thënë dhe e përsëris, ka qenë një kërkesë mjaft miqësore nga Xhorxha, nëse do ta merrja në konsideratë mundësinë për të bërë diçka bashkë për këtë dhe unë i thashë, pse jo, ta mendojmë”
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për RAI3, në lidhje me kampin e refugjatëve në Gjadër të Lezhës. Gjatë intervistës Rama tha se Shqipëria ka bërë detyrën e saj si europianë, ndërkohë shtoi se kanë pasur edhe oferta të tjera.
Rai3: Do ju jap sigurisht mundësinë të shpjegoheni për këtë punën e narkoshtetit. Do ta nis nga qendrat për imigrantët. Si lindi kjo ide? Kush jua propozoi?
Rama: E kam thënë dhe e përsëris, ka qenë një kërkesë mjaft miqësore nga Xhorxha, nëse do ta merrja në konsideratë mundësinë për të bërë diçka bashkë për këtë dhe unë i thashë “pse jo, ta mendojmë”. Pastaj, kaluan muaj, ajo erdhi në Shqipëri dhe patëm mundësi të diskutojmë më gjatë se çfarë mund të bëhej, cila mund ishte pjesa jonë në këtë gjë dhe, pastaj, e bëmë.
Rai3: Megjithatë, nuk mendoni se dëbimi i migrantëve që përpiqen të mbërrijnë në Itali drejt Shqipërisë është një shkelje e të drejtave themelore të njeriut?
Rama: Kjo është një mënyrë për ta parë gjënë, por ka edhe një mënyrë tjetër për ta parë, sepse gjeografia nuk mund të jetë mallkimi i Italisë, që është lënë e vetme për shumë kohë. Në momente dramatike në kohë është braktisur vërtet në vetminë r saj, sepse, nëse dikush vë këmbë në Itali, vë këmbë në Europë. Pra, nuk është një që mbërrin aty dhe Italisë i duhet ta menaxhojë vetë; është dikush që mbërrin në Europë dhe Europa duhet ta menaxhojë së bashku. Për më tepër, ka një dispozitiv të rëndësishëm të legjislacionit europian, që është rishpërndarja dhe që, qartësisht, nuk ka funksionuar. Në dëm të Italisë. Ndërkohë ne nuk jemi një vend që është pjesë e BE-së, ne jemi pjesë e E-së, pra jemi vend europian e gjendemi në anën tjetër të detit nga Italia dhe, thjesht, kemi marrë përsipër një përgjegjësi si europianë, në kuptimin që, ju keni nevojë që ne të kontribuojmë e të marrim pjesë. Nëse këtë gjë do ta kishte bërë Sllovakia, Polonia apo kushdo tjetër që është në Bashkimin Europian, asgjë nuk do të ishte thënë, por fakti që Shqipëria nuk është në Bashkimin Europian, ngre gjithë këtë zhurmë dhe, më pas, këtë interpretim, do të thoja subjektiv, të faktit.
Rai3: Po, nëse, në kohën kur shqiptarët kalonin përmes Kanalit të Otrantos për të mbërritur në Itali, të dëboheshin në Tunizi, në Egjipt, në pritje të përgjigjes për kërkesën e tyre për azil, çfarë do të mendonit?
Rama: Para së gjithash, nuk është e njëjta gjë…
Rama: Bëj shaka. Para së gjithash, nuk është e njëjta gjë. Jemi në një situatë ku duhet një qasje e përbashkët europiane, e të gjithëve. Nuk është një temë e politikës së ditës apo interesave zgjedhore, është një çështje shumë e madhe për t’u kthyer në objekt përplasjesh politike. Sepse në fund të fundit, të gjithë, kur vijnë në qeveri, e mendojnë njësoj dhe kërkojnë të bëjnë thuajse të njëjtën gjë. Qoftë e majta apo e djathta, në Itali e kudo, flasin për kontrollin e flukseve, flasin për flukse të paligjshme, flasin…
Rai3: Pjesa tjetër e Europës e ka përqafuar këtë projekt. Manifesti zgjedhor i partive popullore europiane përmban pikërisht këtë zgjidhje: pritjen e migrantëve në kërkim të azilit në vendet e treta. Do të ndërtohen qendra të tjera këtu në Shqipëri?
Rama: Ndjesë, mbi të gjitha, mendoj se pjesëmarrja e vendeve të treta nuk është zgjidhje në vetvete. Pjesëmarrja e vendeve të treta duhet të jetë vetëm pjesë e një zgjidhjeje më komplekse, sepse, nëse mendohet që vendet e treta janë zgjidhja, atëherë, nuk do të shkojmë kurrkund, nuk do të ketë zgjidhje dhe do të përfundojmë t’i biem murit që kemi përballë ose të përplasemi me ajsbergun që na ka dalë përpara.




















