Ilmi S. Qazimi: Dëshmorët dhe vandalët e simboleve të LANÇ

273
Sigal

“NGREHUNI DËSHMORË NJË ÇIKË, … “!

-rrëfenjë e ditëve tona-

Ata janë shtatë.Numër mitik legjendash dhe folklorik. Përjashtuar njërin që sa kish kaluar shifrën tre në dekadën e tetë, por tregon si kur të jetë shtatdhjetë e shtatë vjeç, të tjerët janë nën tetëdhjetë e mbi shtatëdhjetë vjeç. Të gjithë të shkurtër nga një metër e gjashtëdhjetë e shtatë deri një e shtatëdhjetë e nëntë centimetra. Janë të pensionuar, me kokën e zbukuruar prej dëborës së thinjave; edhe atyre dyve që i kanë lejuar flokët të largohen nga koka, u ndrijnë pak qime vetëm të bardha. Veç njërit që kish mbetur kooperativist i denjë me arsimin e kohës, të tjerët janë pajisur me arsim të lartë që në kohën e demokracisë proletare në Shqipëri. Të tërë janë Ish-a. Njëri ish-mësues historie; tjetri ish-farmacist; i treti ish-kuadër i lartë deri në qyngje të partisë që s’është më;vijon më tutje ish-inxhinier pyjesh; ai i qethuri shkurt ish-punonjës i arsimit;dhe i shtati, ish-oficer i lartë që tashmë i drejtohen ‘kolonel në pension’. Nga pikpamja sociale, grupi ka diversitet të plotë: tre komunistë të thekur, një përfaqësues i forcave të mirëfillta atdhetare nacionaliste, një i paorganizuar kund, një me origjinë fshatar i varfër, por me bindje krejt të djathta, dhe tjetri nip dëshmori e bir kulaku. Sa për emrat? Po ja: Takja, Nurua, Nikua, Ledi, Kuçua, Malua dhe Gazi. U mblodhën në një lokal të gjerë gjysmëperiferik, me aromë mish keci të pjekur e me kameriere të bëshme. Nismëtari është i fundit, sepse ai kishte edhe sebepin:”Sot, nisi ligjëratën ai, do t’i sharrojmë lisat e halleve. Nuk do flasim as për luftën në Ukrainë e as për krizën ekonomike. Na ndau Kovidi. Na ka marrë malli! Hajdeni të ç’prehemi,se kam botuar edhe një libër me personalitete!” Dhe mbasi u ulën, po ai, organizatori, deklaroi: “Do të pimë raki, do këndojmë, do llafosemi e do çmallemi!” Trokëllitën gotat dhe filloi përtypja e ngadaltë sipas ritmeve të moshës së nofullave dhe gjendjes së dhëmballëve.

Vazhdoi muhabeti për të kaluarën. Secili rrëfente diçka ku me nostalgji, ku me krenari, diku me shqetësim e gjetkë me nënkuptim, por gjithnjë me dashamirësi e çiltërsi. Mbasi erdhën paksa “në terezi” ia morën një kënge popullore. Vajti gjym. Rifilloi biseda treshe e dyshe kryesisht për shëndetin, peripecitë e kovidit-19, ecurinë e kohës, klimës dhe përsëri te kënga. Anëtari më i shkurtër i grupit, nip dëshmori e bir kulaku, ia mori këngës kuptimplote: “Ngrehuni dëshmorë një çikë,/ të shikoni …/”Mirëpo, në vijim, ai e ndërroi tekstin e vargut të dytë duke e shqiptuar me melodi ” të shikoni prapësitë,/broçkullat e qeverisë,/i vunë minat Shqipërisë.” Dikush desh ta ndërpriste po  ‘kryetari’ i bëri shenjë që të mos e prishte muhabetin dhe këngën, por të vazhdohej isua deri në fund. Gjëmuan urimet “si goja zemra!”; “të lumtë ajo gojë sa mirë ia more!” Njëri e ledhatoi me një kritikë: ” shumë na e rëndove qeverinë, o mik!” Ai që sapo këndoi,pasi falënderoi me shenja e me gotë në dorë shqiptoi:”ju e dini që populli i thjeshtë nuk e do një qeveri që na dëndi me taksa, me çmime të larta dhe me gënjeshtra…” dhe shtoi”hajde, paçim njeri-tjetrin, paçim unitetin dhe shëndetin!” I fuqishëm ky këngëtar! Ngre dolli për ato tri gjëra aq të shtrenjta që pa na i zbeh kapitalizmi i allasojtë shqiptar. U ngritën dolli e mirësi me rregullat  klasike dhe me  ato moderne.U trokitën gota edhe për ata që na kanë ikur, se nuk na bën goja të themi “vdekur”. Më hokatari duke pirë dollinë për inxhinierin e pyjeve iu drejtua: “Qofsh i pa harruar ti,se pyjet u dogjën! “Ia dhanë të gjithë të qeshurit! Kryetari i tavolinës, Gazi, duke bërë “bilancin e punës”’, nënvizoi se vatanin nuk e lëmë të dobësohet, gjakun e dëshmorëve nuk e lëmë të harrohet, ja edhe këtu në libër  kemi shkruar për ta, edhe pyjet do të rimbillen, mbasi ne nuk shuhemi kurrë se na mban gjallë zemra dhe fryma shqiptare…”.