Androkli Kostallari, korifeu i gjuhësisë moderne shqiptare

1926
Sigal

Prof. As. Dr. Kujtim Kapllani

Shumë është diskutuar për rolin e akademik A. Kostallarit në përcaktimin e standardit të gjuhës së njësuar shqipe. Të gjithë kanë gabuar: në vitin 1954 është botuar Fjalori i gjuhës shqipe nga Cipo, Çabej, Domi, Krajni, Myderizi. Thuajse të gjithë bartës të ligjërimit geg. Fjalori duket sikur të jetë botuar në vitin 1972, menjëherë pas Kongresit të Drejtshkrimit.

E gjithë puna është paraprirë nga Kongresi i Manastirit, nga Komisia Letrare e Shkodrës. Në vitin 1952 është organizuar konferenca e parë shkencore për drejtshkrimin e gjuhës shqipe. A. Kostallari ishte student në Universitetin “Lomonosov“ në Moskë. Në vitin 1967 studiuesit A. Kostallari, M. Domi, E. Çabej dhe E. Lafe hartuan një projekt që u diskutua për 5 vjet. Në vitin 1968 u organizua Simpoziumi madhështor i Prishtinës, i cili vendosi të zbatonte në të gjitha institucionet dhe letrat shqipe trajtën e atij Projekti me moton “një komb, një gjuhë e përbashkët e njësuar“. A. Kostallari përpunoi parimet shkencore, por mbeten themelvënëse qëndrimet e palëkundura të profesorëve I. Ajeti, A. Hadri, R. Qose e shumë intelektualëve të tjerë.

Si autoritet me formim brilant shkencor, radhitet ndër shqiptarët më të kulturuar të të gjitha kohëve, i denjë të radhitet ndërmjet S. Frashërit dhe H. Tahsimit. Për arritje të dorës së parë është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë, dy herë me “Çmimin e Republikës” të Klasit të Parë; “Mësues i Popullit»; “Doctor honoris causa” në shkencat filologjike dhe “Magjistër i arteve të lira” i Universitetit të Goteborgut (Suedi) për punën e tij në fushën e gjuhësisë, sidomos, të teorisë së gjuhës letrare – çmimi i parë në historinë e personaliteteve shqiptare! Ka qenë anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i presidiumit të saj.

Më 1960 e zgjodhën anëtar të Komitetit Ndërkombëtar të Shkencave Onomastike (CIOS). Më 1963 u zgjodh anëtar i Komitetit të Organizatës Ndërkombëtare të Studimeve për Evropën Juglindore (AIESEE). Më 1974 profesorët H. Inalçik (turk) dhe Konduraqi (rumun); e propozuan për kryetar të këtij Komiteti; por nga ndërprerja e marrëdhënieve me disa vende; Ministria e Jashtme dhe Akademia gjetën një përgjigje për ta shmangur! Kështu ai mbeti anëtar i Byrosë e, për disa vjet, nënkryetar i tij. Ishte anëtar i redaksisë së “Atlasit të Gjuhëve të Evropës”.

Vepra shkencore kolektive, pra si bashkautor a redaktor përgjegjës i rreth 40 fjalorëve shpjegues e terminologjikë, i fjalorëve dy-e më shumë- gjuhësh; arrin rreth 40-50 mijë faqe.

Krijimtaria shkencore tërësisht vetjake është përmbledhur në 5 vëllime. Për herë të parë (në vitin 1959) ai e trajtoi gjuhën si sistem dhe gjuhën letrare si sistem sistemesh. Ky ndryshim është si ai ndërmjet neandertalit dhe homo sapiens-it në shkencat e natyrës. Gjuhës letrare kombëtare i kushtoi frymëzimin e tij, dijenitë e tij, kohën dhe jetën e tij! Me Kongresin e Drejtshkrimit, me Kartotekën e Leksikut të Shqipes dhe Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe u hodhën themelet e pazhbëshmërisë së kombit shqiptar.

Fushat kryesore të veprimtarisë shkencore të Kostallarit janë leksikologjia e leksikografia, formimi i fjalëve dhe onomastika; ku shquhet specialisti i rrallë jo vetëm i fjalëformimit e analizave leksikologjike, por edhe leksikografi i dorës së parë. Befason që student në Moskë, si bashkautor i një fjalori të vogël shqip-rusisht , si autor i një shkrimi për problemet themelore të gjuhësisë shqiptare dhe si redaktor i “Fjalorit rusisht-shqip” me 25 mijë fjalë (1954).

Me shkrimet për “Fjalorin e gjuhës shqipe” , “Parimet për hartimin e fjalorit shpjegues të gjuhës së sotme shqipe” dhe një numër studimesh të tjera u përpunua teoria e leksikografisë shqiptare. Kështu mundën të hartohen fjalorët shpjegues të gjuhës shqipe (1980, 1984, 2002, 2006).

Punimet “Rreth studimeve onomastike në lëmin e shqipes”, “Eposi heroik shqiptar dhe vlerat e tij gjuhësore” e studimet letrare me shumë prurje vetjake – “Figura e Skënderbeut në letërsinë botërore”, “Një vepër e panjohur poetike e Franc Nopçës” do të mbeten të pa tejkaluara për disa dhjetëvjeçarë. Vendin e Heroit Kombëtar në letërsinë botërore e argumenton duke e parë Skënderbeun si kampion i lirisë. Figura e tij do të rrojë si figurë historike dhe si figurë letrare, përderisa në botë të ketë “popuj që luftojnë për të fituar e për të mbrojtur lirinë kundër grabitësve të saj”.

Një cikël më vete formojnë studimet për gjuhën e autorëve të vjetër, si Matrënga e Bogdani; krahas studimeve kushtuar J. De Radës, Xhuvanit, Çabejt e Ali Hadrit.

Vërtet çudi që kjo pasuri kombëtare, e daktilografuar për t’u botuar në dy vëllime që në gjallje të autorit, nuk dihet ende ku përfundoi!!! Prandaj puna për ta mbledhur, sistemuar e paraqitur për botim përbën një sfidë më vete. Për 5 vjet në Bibliotekën Kombëtare skedova, fotokopjova, klasifikova dhe radhita gjithçka nga viti 1945 deri në vitin 1999. Nga e bija, z. Irinë, mora edhe 13-14 dosje të davaritura të profesorit. Krijimtaria u klasifikua në tre zëra: në fushën e gjuhës letrare kombëtare, për leksikun e fjalëformimin dhe çështje të filologjisë shqiptare.

Prof. dr. R. Memushaj mori përsipër redaktimin; kurse profesorët E. Lafe dhe Q. Murati recencën. Ndërkaq përfundova monografinë për prof. Kostallarin, mblodha dhe radhita nekrologjitë e gjithë shkrimet për të dhe iu drejtova njerëzve më në zë të shpreheshin për krijimtarinë e prof. Kostallarit. Iu drejtova sërish prof. Memushajt: “Merre dhe gjej ku e ka syrin pleshti!”. Kjo punë është kryer nën recencën e përditshme të profesorëve Xh. Lloshi dhe E. Lafe.

Me prof. Memushajn në vitit 2018 botuam edhe vëllimin VI, ku përfshihen leksionet për gjuhësinë e përgjithshme, për leksikun e fjalëformimin dhe për gjuhën letrare kombëtare. Në të gjitha universitetet shqiptare i japin leksionet e tij, por askush nuk ia përmend emrin!

Kjo punë 10-vjeçare u ideua dhe u përfundua nga qëllime fisnike, pra tërësisht falas; nga të gjithë studiuesit – për të mos pasur një tjetër HUMBËS TË MADH në Ballkan.

Mirënjohje deri në frymën e fundit profesorëve R. Memushaj, E. Lafe, Q. Murati e Xh. Lloshi; pa talentin e të cilëve kjo vepër nuk do të arrinte nivelin që meriton.

Mirënjohje edhe atyre që bashkëpunuan për vëllimin V, sepse i besuan projektit tim dhe e pasuruan atë; duke filluar me akademik R. Qosja e prof. A. Vinca në Prishtinë, akademikët A. Puto e L. Omari në Tiranë; profesorët A. Belushi në Itali e R. Përnaska (Doctuerd’État) në Paris etj.

Mirënjohje për Këshillin Botues dhe akademikun M. Korkuti, që e vlerësuan me objektivitet shkencor botimin e veprës së akademikut A. Kostallari.  Një dëshirë e prof. A. Belushit (83-vjeçar), prift katolik me ritet greko-bizantine – në Frashineto, Itali e Jugut: Më kërkon te t’i njoftoja ditën kur do të përurohej vepra e prof. Kostallarit, se do të shkonte në të gjitha katundet arbëreshe të mblidhte lule dhe “do të kumbisej në varrin e A. Kostallarit!” Kostallari e kishte ftuar në Kongresin e Drejtshkrimit dhe, pasi kishte marrë miratimin, i kishte dërguar biletën.