100 -vjetori i gazetës kombëtare “DRITA” të Veli Hashorvës
E para gazetë në gjuhën shqipe në Gjirokastër
Ilir Lluri
Kur dhe shkronjat ishin plumba…
Që prej kohës që shqiptarët u vendosën përpara faktit, “pa gjuhë të shkruar nuk ka komb”, lufta për lirinë e vendit, eci paralelisht me luftën për mbrojtjen dhe shkrimin e gjuhës shqipe. Ishte kjo arsyeja që të mësuarit e shkronjave shqipe në kohën e Perandorisë Osmane quhej krim dhe ndëshkohej rrëndë. Historia e trojeve të coptuara shqiptare, ka plot shembuj se si u ndëshkuan të gjithë ata atdhetarë, krimi i vetëm i të cilëve ishte, dashuria për gjuhën e nënës. A nuk u rrah dhe u burgos rilindasi Koto Hoxhi ? Por ngjarja që i dha përmasa krejt të reja luftës për mbrojtjen e gjuhës shqipe, ishte pa dyshim vrasja e Papa Kristo Negovanit në Shkurt të 1905-ës. Ajo çoi në formimin e Komitetit të Fshehtë të Manastirit nga Bajo Topulli 115 vjet më parë. Pas kësaj, personalitetet e mëvonshme të Rilindjes sonë Kombëtare, ndryshe nga Koto Hoxhi, e Papa Kristo Negovani, filluan të shfaqen sa me tipare mësuesish e dijetarësh, po aq edhe me tipare luftëtarësh. Kjo kohë vjen e sintetizuar në shprehjen e njohur; “trima të pushkës e të penës”. Është kjo arsyeja që shkrimet e para në shtypin që botohej jashtë vendit, kishin natyrën e thirrjes ose kushtrimit që i drejtohej popullit, për tu ngritur në këmbë për lirinë kombëtare dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe. I tillë ishte shkrimi që Çerçiz Topulli nisi nga malet, për gazetën “Shpresa e Shqipërisë” në 1907-ën. Se sa afër ishin plumbat e pushkës me shkronjat e gjuhës shqipe, e tregon më së miri aktiviteti i çetës së tij, ku fishekët dhe abetaret qëndronin së bashku në çantën që luftëtarët mbanin në krah. Kronikani dhe luftëtari i saj, Mihal Grameno në një anë të brezit mbante koburen e në tjetrën anë, penën e bojën. Këtë “rit” e ruajtën edhe anëtarët e çetave gjirokastrite, kur ato hynë në qytet në prag të Shpalljes së Pavarësisë së vendit. Në grykën e pushkës, shumë nga luftëtarët kishin vendosur bishtin e penës së shkrimit. Një prej atyre luftëtarëve që u mblodhën për të festuar në oborrin e Shkollës së Parë Shqipe të qytetit, “LIRIA”, ishte edhe anëtari i çetës “Studenti” të Selanikut, Veli Hashorva. Po rruga drejt lirisë ishte ende e gjatë. Tetë vjet pas Shpalljes së Pavarësisë, ai do ta përsëriste “ritin” domethënës, të bashkërrugëtimit të pushkës me penën. I kthyer nga emigrimi i gjatë në SH.B.A, Veliu botoi në vendlindje gazetën e parë në gjuhën shqipe, gazetën kombëtare “DRITA”. Ngjarja ndodhi ndërkohë që qyteti vijonte të ishte i pushtuar. Kjo ishte hera e parë që gjuha shqipe, triumfonte përpara armëve. Në 24 Prill në Gjirokastër mbritën vullnetarët e “Vatrës” dhe qyteti në mënyrë të paqtë kaloi në duart e vendasve. Por vetëm dy muaj më vonë, ai do t’i rikthehej “ritit” të shenjtë, “pushkë e penë”. Në 9 Qershor 1920 së bashku me vullnetarët e Gjirokastrës u nis në mbrojtje të Vlorës, duke u kthyer kështu në një nga reporterët e parë të luftës në Shqipëri. Tashmë u mbush një shekull nga koha kur atdhetarët dhe bashkëqytetarët tanë gjirokastritë, fituan lirinë e qytetit dhe lirinë e gjuhës shqipe. Është kjo aryseja pse viti 2020, është viti i kremtimit të dy ngjarjeve të mëdha:
100-vjetorit të ardhjes së Vatranëve në Gjirokastër
100-vjetorit të gazetës “DRITA”
Por viti 2020 shënon njëkohësisht edhe 45-vjetorin e vdekjes së botuesit të gazetës “DRITA”.
Kjo tokë është e atyre që janë mbi, dhe nën dhe! – shkruante 100 vjet më parë Veli Hashorva.
Si një shembull i “jetës pas vdekjes”, 100 vjetori i gazetës ‘DRITA’ na sjell pranë emrin e misionarit, luftëtarit-gazetar, Veli Hashorva. Ai luftoi për lirinë e Atdheut dhe lirinë e gjuhës shqipe. Luftoi për kombin. Kjo luftë e kontribut i vyer e rendisin atë ndër patriotët më të flaktë të kësaj toke, ndër ata që njihen ndryshe: “patriotë të pushkës dhe penës”. Në historinë tonë kombëtare kështu njihet e përcaktohet edhe vetë qyteti ynë: “Gjirokastra e pushkës dhe e penës”. Këtë titull vlerësues ajo e fitoi në ato momente të historisë sonë kombëtare; Kur… dhe shkronjat, ishin plumba.
“DRITA”, gazeta që u mbars në Amerikë dhe lindi në Gjirokastër
Rastësia ka vendin e vet në jetë, por lindja e gazetës “DRITA” të Veli Hashorvës në 27 Mars të 1920, nuk ishte një e tillë. Botuesi i saj do të deklaronte se : – gazeta “DRITA” u mbars në Amerikë dhe lindi në Gjirokastër. Pas një eksperience të vogël të fituar nga botimi i një gazete me emrin ‘VIOSA’, në Amerikë, Veli Hashorva mbriti në Shqipëri në kohën e saj më kritike, kur rrezikohej tërësia e saj territoriale. Ai u kthye me ëndrrën dhe dëshirën që Shqipëria dhe veçanërisht qyteti i tij i lindjes të kishte një gazetë në gjuhën shqipe. Por rrethanat e kohës për të cilën flasim dëshmojnë që pasioni i tij shkonte përtej një dëshire thjesht individuale. Si pjesë e Federatës Vatra, aktiviteti i Veli Hashorvës është në të vërtetë aktiviteti i mirëfilltë i një misionari. Në 24 Prill në qytet do të mbrinin vullnetarët e Federatës “Vatra. Kjo ishte hera e parë që pushteti lokal kalonte në dorën e vendasve. Në 15 Maj ai bashkë me vullnetarët Gjirokastritë shkoi në Tepelenë. Ndërkohë që nisjen drejt frontit të luftës në Vlorë ai e njoftoi përmes një shënimi të lënë në gazetën “DRITA” me titullin “Lamtumirë”.
- Sot po shkoj me vullnetarët e Gjirokastrës për në fushën e luftës, në fushën e shenjtë përpara Vlorës, me shpresë se do të kthehemi përsëri triumfalisht. Ish e pamundur për mua të mbetesha këtu duarlidhur, kur shokët venë turma-turma të luftojnë për atdhe, për Vlorën e shenjtë.
Lufta bëhet në Vlorë, një italian kërkon duel në Gjirokastër
Në numrin 14 të gazetës “DRITA” të datës 17 Korrik 1920 ishte botuar një artikull ku thuhej : – Mufit Beu na ka lënë bela një italian i cili ndodhet në Libohovë si agronom dhe shërben si nëpunës shqiptar, në një kohë që vëllezërit tanë janë duke u vrarë me italianët në Vlorë. Pyesëm, pse të mbahet ky njeri ? Pas dhjetë ditësh italiani i Libohovës, z. Graciano u shfaq në kollonat e gazetës “OMONIA” me një kobure në dorë duke bërë thirrje për duel. Në numrin 16 të datës 31 Korrik, Veli Hashorva i jep këtë përgjigje sfidantit : – Po të ishe kaq trim sa të guxoje të na propozoje neve duelo, nuk do të rrije në Libohovë duke ruajtur lopët. Si Italian që je duhej që sot të ndodheshe në Vlorë e të duelosh me ndonjë top, se koburja është shumë e vogël në dorën e armikut tonë.
Veli Harshova, Misionari
Veli Hashorva lindi në lagjen “Varrosh” të qytetit të Gjirokastrës në 4 mars 1892. Megjithëse në moshë të vogël 16 vjecare, ai u bë një nga mbështetësit e çeljes së shkollës së parë shqipe të Gjirokastrës në vitin 1908, dhe hapjes së të parit klub patriotik, “Drita” në 5 Dhjetor të po atij viti. Në 1909, atë e gjejmë në grupin e parë teatral të qytetit që interpretoi në gjuhën shqipe dramën “BESA” të Sami Frashërit. Në prag të Pavarësisë ai braktisi studimet e larta në Universitetin e Stambollit dhe u bashkua me çetën “Studenti” të Selanikut për të luftuar dhe për t’ju bashkuar luftës së patriotëve shqiptarë. Çeta e komanduar nga Dervish Hima e shtriu aktivitetin në Jugun e Shqipërisë. Pas pushtimit grek të Gjirokastrës në 1913, ai detyrohet të emigrojë në SH.B.A. Për aktivitetin e tij të dendur politik në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë së Jugut, dhe i njohur si Fanolist, ai u kërcënua me vdekje nga armiqtë e kohës. Këto kërcënime arritën kulmin pas ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut. Në kushte të tilla Veli Hashorva ndërpreu botimin e gazetës “DRITA” ashtu si edhe një pjesë tjetër e inteligjencës së vendit u detyrua të largohet drejt Turqisë. Ky ishte emigrimi i tij i dytë, emigrimi pa kthim. U nda nga jeta në Turqi në vitin 1975.
Urimet për botimin e gazetës “DRITA” në 27 Mars 1920
Njeriu i merr urimet nga shokët, gazeta “Drita” nga patriotët që çmojnë punën e saj
Në emër të popullit të Gjinokastrës që kam nderin të përfaqësoj, ju uroj përparimin dhe fatbardhësinë e “DRITËS”, për të cilën qyteti jonë ka patur nevojë prej shumë kohësh, dhe më tepër në këto kohërat e fundit që bisedohet fati i saj.
Kryetar i Bashkisë Javer Hurshiti
U bëfshi prijësit e parë për zgjerimin e përhapjen e gazetarizmit në atdheun tonë të dashur.
Thoma Papapano
Një gazetë kombëtare në Gjirokastër
E përgëzojmë nisiatorin nga zemra për veprën e shkëlqyer që po ngre sot, dhe jemi të sigurtë që DRITA nën drejtimin e atdhetarit Veli Hashorva do të mundë të përmbushë qëllimin e saj të shenjtë dhe përkëtej kufive të saj. I lumtë !
Redaksia Gazeta “DIELLI” SH.B.A
100- vjetori i titullit “Nderi i qytetit” në Gjirokastër
Veli Hashorva nderohet në vendlindjen e tij
Pas fitores së Luftës së Vlorës, Bashkia Gjirokastër nën drejtimin e kryetarit të saj Javer Hurshiti i dha titullin “Nderi i Qytetit”, Qazim Koculit, gjeneralit të kryengritësve të Vlorës. Ky ishte i pari titull Nderi i dhënë nga Bashkia 100 vjet më parë. Një shekull më vonë në kuadër të 100- vjetorit të Gazetës “DRITA”, Këshilli Bashkiak Gjirokastër i akordoi Veli Hashorvës titullin “Qytetar Nderi”, ndërkohë që kryetari i Bashkisë z. Flamur Golemi me propozim të Unionit të Gazetarëve Gjirokastër, akordoi titullin “Mirënjohja” për gazetarët Sedat Braja, Kristo Ndriço, Violeta Duri, Violeta Kutra,(Gudha),Ëngjëll Fino, Petrit Beqiri dhe Aleksandër Çipa. Ceremonia e dorëzimit të titujve u zhvillua pranë shkollës “DRITA” aty ku 100 vjet më parë Veli Hashorva prezantoi para qytetarëve gjirokastritë gazetën e tij.
Rikthimi i gazetës “DRITA”
Numrin e parë të gazetës ‘DRITA’ 100 vjet më parë Veli Hashorva ja dha avokatit Vasil Dilo, i cili botonte gazetën në gjuhën greke “Omonia – Konkordia”. Edhe në kujtim të ditës jubilare të botimit të Gazetës “DRITA” të Veli Hashorvës, ashtu si dikur, u shpërnda gazeta e realizuar nga sektori i Trashëgimisë së Bashkisë Gjirokastër, me titullin: 100 vjet “DRITA”. Numrin e parë të gazetës, kryetari i Unionit të Gazetarëve Gjirokastër, ja dorëzoi kryetarit të Unionit të gazetarëve Shqiptarë, z. Aleksandër Çipa. Kjo është një nga organizatat kryesore në vend që mbron të drejtat e gazetarëve. Të mos harrojmë që Veli Hashorva u largua nga Shqipëria i kërcënuar me jetë, duke mbetur kështu një ndër gazetarët e parë të dhunuar në Shqipëri.
Një titull nderi do të mbajë emrin e korrespodentit-luftëtar “Veli Hashorva”
Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për veprën e këtij intelektuali të rrallë në fushën e gazetarisë Kombëtare dhe lokale, Unioni i Gazetarëve Gjirokastër në kuadër të 100- vjetorit të botimit të gazetës së tij, “DRITA”, miratoi titullin “Veli Hashorva”. Ky titull i cili do të nisë rrugëtimin në ditën e shtypit 2021, ju dedikohet botuesve dhe gazetarëve me aktivitet të spikatur në këtë fushë, jo vetëm në Gjirokastër, por edhe në Shqipëri.