Hyqmet Zane: Një kujtesë e domsdoshme pas 60-vjetësh për të ashtuquajturin “Grupi Çam”

804
Sigal

Flasin djemtë e të ekzekutuarve, Rajmond dhe Hektor Sejko, Ilir Demi dhe Shkëlqim Ademi

Një kujtesë e domosdoshme pas 60- vjetësh për të ashtuquajturin “grupi çam”

Nga Hyqmet Zane

Edhe pas 60 -vjetësh, emrat Sejko dhe Demi, mbeten viktimat e sigurimit të shtetit të diktaturës që ende kanë mbetur të fajshëm edhe pse pa asnjë faj dhe pa varr, të vrarë, të poshtëruar, të gjymtuar, të depersonalizuar  dhe që morën me vete enigmën e një gjëme që nuk ka të krahasuar. Ishte ora 10 e ditës së enjte të atij 28 korriku 1960, kur një lukuni sigurimsash të mirëtrajnuar për krime kundër njeriut, arrestuan dhe bënë atë mënxyrë kriminale ndaj elitës intelektuale dhe atdhetare të komunitetit çam siç njihen Teme dhe Taho Sejko, Tahir Demi, Shaban Ademi, Avdul Resuli dhe Sami Murati, Ali Xhelo dhe Jonuz Purrizo, Adem Osmani dhe Asllan Veliu etj.

Për këtë të ashtuquajturin “grupi çam” me etiketimin “tradhëtarë” dhe me plot epitete të tjera, tërësisht të pavërteta dhe të instrumentalizuar në bodrumet e sigurimit të shtetit sipas modeleve të stalinizmit që u zbatua me sukses të plotë në Shqipëri, janë thënë e stërthënë të gjitha të vërtetat. Mediat e shkruara dhe televizionet në Shqipëri, përmes analistëve të respektuar si Ferdinant Dervishi dhe Kastriot Dervishi, Dashnor Kaloçi apo prof.dr. Emine Sadiku, (e para që ka shkruar më 1991 për këtë grua), por edhe përmes shumë të tjerëve që protagonistëve të kohës  si Rrahman Parllaku dhe vetë dëshmitarit grek Kosta Fili, si dhe të tjerëve që kanë pasur dëshirën e mirë të zbulojnë momentet e atyre ngjarjeve të habitshme, gjithçka ka marrë vulën e së drejtës.

Unë si gazetar dhe pjesëtar i komunitetit çam kam shkruar herë pas herë për këto ngjarje që na prishën rrjedhën e jetës me dinjitetin njerëzor dhe kam marrë konfirmimin e saktësisë së shkrimeve. Por në këtë përvjetor të 60-të do të doja t’u referohesha pasardhësve, djemve të këtyre viktimave që i kam takuar dhe diskutuar personalisht për atë çka ndodhi 60 -vjet më parë dhe se si e përjetojnë pas 60- vjetësh. Janë të dhimbshme, por të nevojshme se ata dhe familjarët e tyre vuajtën pasojat e atij genocidi komunist për komunitetin çam, pas genocidit grek më 1944.

Rajmond Sejko, djali i madh i Teme Sejkos

Po luaja me letra me Sokolin, (vëllain) kur në shtëpi hynë dy persona të veshur me kostume gri dhe kasketa në kokë. Nuk i njohëm, por pas pak dëgjuam klithmën e mamasë dhe kuptuam që diçka e keqe kishte ndodhur. Vrapuam të merrnim vesh çfarë kishte ndodhur, por oficerët e sigurimit nuk na lanë të futeshim në dhomën ku ishte mamaja dhe gjyshërit, se ata kishin filluar kontrollin e shtëpisë.

Pas një ore oficerët ikën dhe ne hynë në dhomë, ku pamë mamanë që ishte e shokuar, nuk fliste. Gjyshja na nxori jashtë nga dhoma dhe na dha mandatin. Ne u shokuam, por ishim të vegjël dhe nuk kuptonim tamam çfarë kishte ndodhur. Mamaja nuk foli deri të nesërmen. Ajo na tha edhe një herë për arrestmin e babit, por ishte e pamundur që ne ta kuptonim.

Pas disa ditëve shkuam në Vlorë. Kur hymë në shtëpi pamë që çdo gjë ishte në  dysheme. Rrëmuja ishte aq e madhe sa vetëm vandalët e sigurimit mund të bënin një gjë të tillë.Në atë moment unë arrita të kuptoj që punët ishin shumë keq për ne.

Ishte fillimi i shtatorit. Unë u ktheva nga shkolla gjeta në shtëpi  3 a 4 oficerë dhe 2 civilë nga këshilli i lagjes. Po bëhej konfiskimi i pasurisë. Na lanë robat e trupit dhe të gjithë të tjerat me cope, p.sh. një lugë, një pirun, një dyshek, një batanijë etj. Pas kësaj erdhi largimi nga shtëpia, na futen në një dhomë përdhese dhe në një koridor ku jetonin edhe 3 familje të tjera me një banjë për të gjithë. Po të mos ishin gjyshërit nga mamaja, nuk e imagjinoj dot se si do të kishim përfunduar. Gjyshi kishte 4000 lekë të atëhershëm pension me të cilin do ushqeheshin 5 vetë duke paguar qiranë dhe dritat. Nuk ishin të pakta netët që flinim edhe pa ngrënë darkë.

Para 10 vjetëve kam dhënë një intervistë me një gazetar te gazeta “Panorama”. Ishte hera e parë që unë fola për mamanë time. I thashë që do ta shkruash siç po ta them unë. Dua që ta lexoj atë që do të botosh. Ai shkroi ashtu siç deshi dhe unë nuk ia aprovova. Megjithatë ai e botoi siç deshi.

Ironia e fatit është se mamaja ime, kur ishte 12 a 13 vjeç shpërndante traktet komuniste. Në shkurt 1975, ajo shkroi fletore për historinë e familjes dhe për Sokolin, si e tortuan dhe e pushkatuan  23 vjeç djalin e vogël të familjes, pa bërë asnjë gjë. Në orën 5 të mëngjesit të datës 21 shkurt 1975, u gjet e vdekur në oborin e pallatit ku ne banonim në Berat. Unë jam arrestuar rreth ores 8 të mëngjesit.

Kjo është e vërteta dhe jo ajo që është shkruar nëpër gazetat shqiptare, që ajo vrau veten sepse unë u arrestova. Sigurimi nuk kishte plane për të më arrestuar, por do të na internonin të gjithëve përfshi gjyshin  me gjyshen nga fundi i shkurtit 1975”.

Hektor Sejko, djali i Taho Sejkos, vëllai i madh i Temes

“E kujtoj si një djalë 14 -vjeçar që duke luajtur në oborrin e shtëpisë sime në Shkodër, shikoj 4 persona njeri prej tyre kishte një biçikletë që, pasi la biçikletën, shoqëroi ata tre të tjerët dhe u ngjitën në shkallët e shtëpisë. Unë shfrytëzova rastin, mora biçikletën dhe u nisa në drejtim të parkut të automjeteve. Shoh aty një grup njerëzish që jepnin e merrnin me njeri-tjetrin. Shkëputet njëri prej tyre dhe më thotë- “Të lutem Hektor, shko në shtëpi, e mos rri këtu”. Kjo kërkesë jo bindëse më la në atë dilemën e asaj që unë nuk kisha bërë ndonjë gjë, se nuk dija çfarë kishte ndodhur.

Kthehem në shtëpi dhe pamja që më doli para syve ishte se, duke përjashtuar zotin e biçikletës që ishte kryetari i këshillit të lagjes, të tjerët po kontrollonin në mënyrë të imtësishme të gjithë shtëpinë. Mora vesh atë që kishte ndodhur, im atë Taho ishte arrestuar, dhe ata kishin ardhur dhe po bënin detyrën e tyre të kontrollit. Pas kontrollit u ulën dhe bënë një listë të gjatë të të gjithë sendeve të shtëpisë. Nëna ime qante mes asaj zallamahie të madhe dhe situate aq kaotike. Ai që drejtonte grupin e oficerëve të sigurimit, ishte nënkryetari i degës Hysen Hoxhati, shok i babait tim. Në prezencën time i tha sime mëje: – “na beso, kemi detyrë të keqe që na detyrojnë të vemi edhe aty ku nuk dëshirojmë të shkojmë”.

-Pas 60- vjetësh çfarë mendon për atë që ndodhi me të ashtuquajturin “grupi çam” ?

-Kam vetëm një mendim, ata ishin viktima dhe nëpërmjet viktimizimit të tyre shteti viktimizoi një pjesë njerëzish të pafajshëm, thjesht pse ishin nga krahina e Çamërisë. Ajo që për mua është shumë e rëndësishme, 4 pjesëtarët e familjes Sejko të dënuar, janë pa varr”.

Ilir Demi, djali i Tahir Demi

“Isha në shtëpi me gjyshen, nënën e mamasë, e motra e Mustafa Matohitit. Arrestimi i babait ishte bërë në Komitetin Ekzekutiv, ku ai ishte kryetar i tij prej 8 -vjetësh. Nëna ime ishte në punë dhe erdhi menjëherë në shtëpi. Pas saj erdhën edhe sigurimsat e degës së punëve të brendshme dhe të ministrisë së brendshme Mihallaq Ziçishti, zv/ ministër dhe Shim Kolla, kryetari degës si dhe një grup tjetër që i shoqëronte. Unë isha i vogël, 9 -vjeç dhe nuk i njihja se çfarë ishin ata.

Ushtruan kontroll në tërë shtëpinë, shqepën dyshek e jorgan, i kthyen të gjitha përmbys. Vura re që morën një automatik gjerman që babai e kishte si trofe të luftës dhe pistoletën personale që ai kishte.

Ditët e tjera ishin me andrralla të mëdha për nënën time se unë nuk kuptoja asgjë. Pas një jave na larguan nga shtëpia ku ishim dhe na çuan në një shtëpi në një lagje tjetër. Nënën e shkëputën nga puna dhe e çuan punëtore në grumbullim. Ndërsa gjyshen erdhi dhe e mori i biri i saj, Rustemi, daja im, erdhi nga kampi i pionierëve ku ishte me pushime edhe Pëllumbi, vëllai i madh si dhe motra  e vogël, Teuta që ishte tek njerëzit tanë në Tiranë. U mblodhëm bashkë në një fatkeqësi që nuk po e merrnim vesh se çfarë ishte, çfarë kishte ngjarë. Babai nuk erdhi më në shtëpi.

Që nga ajo kohë nuk e pashë më babain në këtë jetë. Edhe sot nuk e dimë se ku i ka eshtrat. Nuk kemi lënë vend pa kërkuar sipas dëshmive të atyre që kishin dijeni, por asnjherë nuk gjetëm eshtrat e tyre.

Në fillim ndjemë peshën ekonomike se ishim të vegjël se nuk kuptonim gjë, por graudalisht, duke u rritur, po kuptonim pozitën tonë politike ne shoqërinë ku jetonim. Sa mbaroi gjyqi më 31 maj 1961 dhe pas pushkatimit të babait, na internuan në 18 qershor në qytetin e Fierit në një lagje periferike në një banesë që vetëm banesë për të jetuar nejrëz nuk ishte.

U privuam nga gjithçka, na distanconin nga kushdo. Provuam mbi shpatullat tona luftën e egër të klasave që vazhdoi deri në vitin 1990.

Ndjej keqardhje për të gjithë kontributet që dha fisi i Dematëve dhe shumë fiseve të tjera në luftën antifashiste  për çlirimin e e atdheut dhe për krenarinë e të qenurit shqiptarë.

Kemi një zhgënjim se nuk kuptuam pse ndodhi e gjithë ajo gjëmë, por edhe që sot e kësaj dite nuk ka dalë zyrtarisht që ata ishin të pafajshëm, ndonëse tani janë haprur të gjitha dosjet dhe pafajësia e tyre është konfirmuar”.

Shkëlqim Ademi, djali i Shaban Ademit

“Nuk kisha mbushur as 9 vjeç, kur po kthehesha në shtëpinë tonë në Elbasan. Sapo isha kthyer nga një ekskursion me shokët e shkollës dhe pashë një tufë oficerësh sigurimi dhe policie që kishin rrethuar shtëpinë tonë në lagjen Kala. Kur hyra në oborr i pashë oficerët duke thyer dyert dhe dritaret e dhomave. Ata silleshin me një egërsi të paparë dhe duke shtyrë me forcë gjyshin tim të moshuar, Refatin. Si qen të tërbuar, sytë e tyre të skuqur, ishin të etur për gjak. S’lanë vrimë pa kontrolluar, gjithashtu edhe në tavan, sikur në shtëpinë tonë fshihej ndonjë sekret atomik! Sjellja e tyre brutale na tmerroi, jo vetëm ne fëmijëve, por edhe nënën tonë dhe gjyshërit e moshuar. Ata bastisën të gjitha dhomat për të gjetur, sipas tyre, materiale kompromentuese dhe konfiskuan çdo gjë. Sot pas 60 -vjetëve, ato fytyra çnjerëzore më janë ngulitur në kujtesë.
Më vonë, në verën e vitit 1961, gjyshja mësoi se babain tim e kishin tortuar, pasi pa rrobat e tërhequra nga burgu ishin të përlyera me gjak. Gjyshi im, ditë më pas, mësoi nga avokati Mexhit Kokalari se urdhëri i sistemit shqiptar-vrasës ish zbatuar. Edhe pse nuk kishte asnjë provë fajësie, regjimi e kish dënuar tim atë me vdekje, pas një gjyqi farsë me dyer të mbyllura, duke vulosur kështu aktin e 2-të të dramës së familjes sime.
Pas dënimit të babait na internuan familjarisht në Kurbnesh të Mirditës. Akti i 3-të i dramës ishte përgatitur për ne. Ende e kam vendimin e posaçëm nga Komisioni i Internim Dëbimeve të firmosur me bojë gjaku nga Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Bilbil Klosi, Aranit Çela, e Shuaip Panariti. Si për çudi, familja jonë ishte e vetmja familje që, ndryshe nga familjet e tjera çame që u internuan në Shqipërinë e mesme, u izolua në atë vend malor në një zonë të thellë e të ftohtë të Mirditës. Vite më pas, gjyshi im vdiq në internim, me maraz pa e parë djalin e tij të vetëm. Ato ditë nuk do t’i harroj sa të jem gjallë.
Rrjedhimisht, pashë se me kushtet që na kishin krijuar, regjimi kërkonte shfarosjen tonë si familje. Ato ngjarje të mallkuara nuk më ndahen as sot. Jam i bindur se proceset gjyqësore të atyre viteve ndaj atdhetarëve të Çamërisë së kolonizuar nga grekët, ishin një intrigë e kurdisur nga agjentura greke, për të eliminuar edhe ata shqiptarë që u kishin shpëtuar kthetrave greke. Por ne mbijetuam.
Rreth 60- vjet kemi kërkuar dhe kërkojmë vazhdimisht eshtrat e babait deri në organet më të larta, por më kot. Dosjet ende janë të mbyllura dhe të cunguara. Na thonë do t’i gjejmë.  Në ministri, në drejtori burgjesh, shoqatat e ish-të persekutuarve, në parlament, e ku nuk  kam kërkuar?! Qeveritë shqiptare rreth 30 vjet na thonë se po punojnë, përfshi këtu edhe Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). Por, ende grupit “komplotist çam” nuk i është bërë rehabilitimi e shfajësimi i plotë nga organet gjyqësore dhe ekzekutive të shtetit shqiptar. Por më kot, se xhelatët komunistë dhe pasardhësit e tyre nuk i tregojnë vendet ku i kanë kryer krimet e tyre”.

Sipas studiuesit Ahmet Mehmeti që jo pak herë është prononcuar për padrejtësitë ndaj komunitetit çam, shprehet kështu për këtë ngjarje të asaj kohe dhe sot pas 60- vjetësh : “Në kohën kur po transmetohej në Radio Tirana gjyqi për të ashtuquajturin “Grupi i Teme Sejkos” kam qenë në vitin e fundit të shkollës 7-vjeçare. Sheshi qendror në qendër të qytetit te Cërrikut ishte mbushur plot e përplot me njerëz që ndiqnin trasnsmetimin radiofonik drejtpërdrejtë nga altoparlantët. Rreth katërmbedhjetvjeçar atëhere, si fëmijë i një familjeje refugjate të përzënë nga Çamëria me zjarr e hekur, me gjyshin të masakruar nga racistët grekë, po përjetoja një tmerr të vërtetë. Megjithëse i vogël, gjatë gjithë kohës së transmetimit mendoja “Si mund të ndodhë që këta njerëz që po akuzoheshin dhe që njiheshin nga prindët e mij si elita e luftëtarëve të lirisë të tradhëtonin vendin e tyre! E pabesueshme!”

Kurse sot, në shekullin e XXI ende shteti shqiptar, anëtar i NATO-s, nuk është bërë i gjallë të zbardhë të vërtetën e masakrës së diktaturës enveriste ndaj njerëzve të pafajshëm që u sakrifikuan për hir të lojërave politike te Sigurimit famëkeq, për interesa të poshtra të një klike antikombëtare. Kur do të zbardhet e vërteta? Deri kur???!!!”.

Epilog

Shumë grupe “armiqësore” ekzekutoi Enver Hoxha me armën e sigurimit të shtetit gjatë qeverisjes së tij si model serbo–stalinist, por i ashtuquajturi “grupi çam” ishte katërcipërisht më i madhi me 63 të arrestuar, me 11 të pushkatuar, 12 të vdekur në burgje, me rreth 1250 vite burgim. Por më shumë se kaq, ishte një hakmarrje tipike si ajo greke më 27 qershor 1944, ku nuk mungoi poshtërimi  i një komuniteti të madh në numër dhe po aq i madh edhe depersonalizimin klasor dhe shoqëror, vuajtje të parrëfyera, këndvështrime politike nga më çnjerëzore, jo vetëm për familjet e atyre që u dënuan dhe që i shkatërruan në çdo drejtim. Një fajësi fatkeqësisht që mbeti si e përjetshme për shqiptarët e Çamërisë, nga shqiptarët e Shqipërisë që drejtonin vendin, edhe pse komuniteti çam ka një kontribut të rëndësishëm me pjesëmarrjen e tij në luftën antifashiste dhe që  nuk e meritonin këtë përfundim.

Do të doja të citoja një personalitet si John O. Iatrides që duket e njeh mirë situatën dhe pasojat e dhimbjeve që i shkaktohen një popullate, kur shprehet se: “Nga të gjitha fatkeqësitë që mund ta gjejnë një Komb, asgjë nuk është më tragjike dhe me kaq pasoja të pashlyeshme për një kohë të gjatë, se sa një luftë civile. Përtej humbjeve njerëzore e materiale, lufta civile shkakton plagë  përvëluese të padukshme, që përshkojnë kujtesën e përbashkët dhe deformojnë logjikën e shoqërisë, për shumë e shumë kohë edhe mbasi kanë ndaluar vrasjet”. Vërtet, regjimi stalinist me luftën e klasave krijoi idolin e një luftë civile e një klase kundër një populate, që nuk kishte asnjë faj, por që pati aq shumë padrejtësi si në Çamëri nga Greqia, ashtu edhe në Shqipëri nga një ditkaturë antinjerëzore.