Dhurata Çupi: Mbyllin shkollat, shpërngulin popullin

296
Sigal

Dhurata ÇUPI: Kyçin dyert e shkollave dhe detyrojnë shqiptarët të braktisin vendin

Prej 7 vitesh vetëm në Qarkun e Dibrës janë mbyllur mbi 30 shkolla dhe kjo situatë nuk ka të ndalur, madje edhe me vendime të pabazuara, që nuk lidhen me numrin e nxënësve. Drejtoria Arsimore ka marrë vendimin t’i vendosë drynin shkollës së Zerqanit, në të cilën mësojnë dhjetra nxënës nga cikli i ulët deri te ai i mesëm. Shqetësimi është legjitim për prindërit dhe fëmijët, pasi u është kërkuar të regjistrohen në Bulqizë, 30 minuta me makinë larg, dhe të mendosh që dimri nuk është i butë në këto zona. Përveç kostos dhe shqetësimit për largësinë, me këtë veprim arbitrar, banorëve  të kësaj zone po iu mohohet lidhja e fortë për vite me radhë që ata kanë me arsimin. Shkollës së Zerqanit,  e cila ka nxjerrë me dhjetra figura të rëndësishme lokale e kombëtare, po i vihet kyçi. Ky veprim është i papranueshëm. Shkollimi i fëmijëve dhe brezave duhet  të jetë përparësi dhe jo pengesë, duhet të jetë mundësi dhe jo stërmundim për prindërit dhe nxënësit. Ju bëj thirrje autoriteteve arsimore në Dibër, por edhe Ministres së Arsimit, të shohin përparësitë për të mirën e nxënësve dhe jo të bëjnë të kundërtën. Fëmijët e Zerqanit e kanë shkollën e tyre, aty ku kanë studiuar prindërit e gjyshërit e tyre. Asnjë vendim i nxituar nuk mund t’ua mohojë këtë mundësi.