Eksperti Fadil Kepi/ Ligji i ri për pensionin suplementar dhe të parakohshëm për punonjësit e Policisë së Shetit, ambasadorëve, diplomatëve dhe punonjësve të Ministrisë së jashtme. Rillogaritja e pensionit dhe përfitimi i emigrantëve

785
Sigal

Përfitimi i pensionit suplementar për ambasadorët, diplomatët dhe punonjësit e Ministrisë së Jashtme. Dokumentet e nevojshme për emigrantët. Kushtet për të bërë sigurime si i vetëpunësuar në bujqësi dhe daljes në pension për nënat me shumë fëmijë

Përfitimi i pensionit suplementar e të parakohshëm dhe ripunësimi i punonjësve të Policisë së Shtetit

Dokumentet e nevojshme të pensionit për emigrantët

Pyetje

Zonja Prenda Ukcamaj nga Tropoja me banim në Belgjikë në një bisedë telefonike tha: Jam e datëlindjes 12 korrik 1954 dhe në Shqipëri kam punuar e siguruar 21 vjet infermiere. Para se të vija në Belgjikë familjarisht kam banuar në ish-Kombinatin e Tekstileve Tiranë. Pyes, kur i plotësoj kushtet për pension, dokumentet që duhen plotësuar, dhe procedurat që duhet të ndjek?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e keni plotësuar 60 vjeçe më 12 korrik 2014, dhe për pension të plotë duheshin 35 vjet punë të siguruara gjithsej në vendin tonë nga mosha 16 vjeçe. Me 21 vjet punë të siguruara që keni do të përfitoni pension të pjesshëm në masën 60% të pensionit të plotë. Meqenëse ju nuk i keni dorëzuar dokumentet për pension, ju rekomandoj sa më shpejt, kur të vini në Tiranë, ju ose një person tjetër i afërm i familjes tuaj të dërgojë në agjencinë e sigurimeve shoqërore në Kombinat këto dokumente: librezën tuaj të punës, fotokopjen e kartës së identitetit, vërtetimin e pagës bruto nga 1 janari i vitit 1994 deri ditën e fundit që keni punuar në vendin tonë, 2 copë fotografi (certifikatën e gjendjes familjare dhe atë të martesës sigurimet shoqërore e marrin vetë nga zyra e gjendjes civile në kombinat). Pensioni do t’ju paguhet nga dita që dorëzoni dokumentet e mësipërme në agjencinë e sigurimeve shoqërore, dhe jo nga dita që keni plotësuar moshën e pensioni 60 vjeçe. Nëse ju nuk do të bindeni me masën e pensionit, datën e fillimit etj., keni të drejtë t’i bëni ankesë me shkrim komisionit të ankimit në drejtorinë e sigurimeve shoqërore Tiranë, duke parashtruar pretendimet tuaja. Po të mos bindeni me përgjigjen zyrtare, bëni ankesë tjetër me postë rekomande komisionit qendror të ankimit në Institutin e Sigurimeve shoqërore në Tiranë dhe së fundmi drejtohuni Gjykatës Administrative.

Kushtet për të bërë sigurime si i vetëpunësuar në bujqësi

Pyetje

Në letrën që na ka dërguar z.Safet nga Tepelena me banim në Vlorë lexojmë: Më 27 korrik të këtij viti plotësoj moshën 65 vjeç. Kam marrë tokë sipas ligjit në Tepelenë dhe në fund të vitit 2003 kam ardhur me banim zyrtarisht në Vlorë. Nga 1 tetori i vitit 1993 deri në fund të vitit 2003 jam vetësiguruar në bujqësi në ASSH Tepelenë. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit, sa vite pune duhen për pension dhe a mund të vazhdoj të bej sigurime si i vetëpunësuar në bujqësi meqenëse jam pronar i tokës në Tepelenë?

Përgjigje

Mbështetur në vendimin e Qeverisë nr.1206, datë 11.12.2009, nga data 1.10.1993 deri më 30 prill 2004, personat që kanë marrë tokë sipas ligjit kanë pasur të drejtë të vetësigurohen si të vetëpunësuar në bujqësi pavarësisht se ku e kishin marrë tokën dhe ku banonin. Duke filluar nga data 1 maj 2004 e në vazhdim, meqenëse ju banoni zyrtarisht ne Vlorë dhe keni ndryshuar qarkun ku keni tokën në pronësi, nuk keni të drejtë të bëni sigurime si të vetëpunësuar në bujqësi, me përjashtim të rasteve kur në Vlorë keni blerë tokë ose keni marrë tokë me qira. Sqarime më të hollësishme mund të merrni zyrtarisht në DRSSH Vlorë.

Afatet e marrjes së pensioneve të pa tërhequra

Pyetje

Në mesazhin që na ka dërguar z. Ramazan Meko nga Korça lexojmë: Vëllai im, Asim Meko prej vitesh banon në Amerikë dhe ka rreth 30 muaj që nuk e ka marrë pensionin, prandaj është i interesuar të dijë, a ka afate për pagimin e pensionit?

Përgjigje

Bazuar në nenin 62 të ligjit të sigurimeve shoqërore, pensionet e njohura por të pa tërhequra, merren brenda 36 muajve të fundit. Gjatë kohës që pensionet nuk janë marrë sigurimet shoqërore e kanë shtuar pensionin e vëllait tuaj me përqindjet e caktuara nga Qeveria për rritjen apo indeksimin e pensioneve, sqaron specialisti Fadil Kepi. Edhe shpërblimi i vitit të ri, sipas vendimit të Qeverisë nr.732, datë 12.12.2018, botuar në fletoren zyrtare 176, ka filluar të shpërndahet nga data 17 dhjetor e vitit 2018 dhe i është shtuar shumës së pensionit të pa tërhequr. Për rastin tuaj dhe të gjithë pensionistëve të cilët nuk kanë mundësi ta marrin këtë vit mund ta tërheqin gjatë vitit 2019, bashkë me pensionet e muajve të tjerë të pa tërhequr.

Për më tepër lexoni “Telegraf”