Hyqmet Zane: Një besë burrash për kauzën amanet të Çamërisë

 

Nuk ka parti çame, por ka një çështje çame si amanet i të parëve

NOA

Atmosfera e nderë e përplasjeve brenda politikës, kanë bërë mish mash këtë vend, e cila është në sinkron me heshtjen që ka shoqëruar opinionin publik për problemin që kanë shqiptarët e Çamërisë në Shqipëri: një atrofizim të çështjes çame. E pazakontë për këtë popullatë që në mesin e shqiptarëve është dalluar për sinqeritet dhe bashkim, për urtësi dhe mirëkuptim. Nuk di se kush ka qenë më i interesuari për ta krijuar këtë situatë heshtje, por kjo më duket se i shkon për shtat Greqisë që ka “urdhëruar” qeverinë shqiptare që të mos zihet në gojë fjala “Çamëri” apo të diskutohet për çështjen çame sa edhe në tekset shkollore ata programuesit kanë bërë kujdesin e porosisë greke.

Janë 30- vjet që kanë shkuar dhe shqiptarët e Çamërisë në Shqipëri që kanë 77 vjet që kanë ardhur me rrobat e trupit, por me krenarinë dhe dinjitetin e njohur, me historinë dhe një flamur kuq e zi në gji, që erdhën me mendjen e shqiptarëve të vërtetë, po aq sa edhe me amanetin e të parëve se toka e Çamërisë është e jona gjersa të ekzistojë njerëzimi. Por në këto vitet e fundit ka një përpjekje për ta sfumuar apo nënshtruar shpirtin çam. Më keq akoma kur kjo vjen nga mosfunksionimi real i Shoqatës Çamëria, nga mosgjetja e rrugës së protagonizmit dhe bashkëbisedimit me popullatën çame në bazë dhe më tej akoma me mosbërjen e një Kuvendi të Çamërisë.

Nuk janë fjalë se dua të mërzis apo të bëj pis aktivitetet e atyre, që kanë marrë përsipër këtë situatë, por kjo është  e vërteta dhe që shihet dhe që ka lënë në një habi të madhe tek të mëdhenj e të vegjël, të gjithë ata që “e duan Çamërinë|” jo si emër, por si faktor për të gjetur zgjidhjen e një problemi që ka mbetur pezull. Se kujt i intereson kjo situatë, këtë nuk është vështirë t’ia vemë emrin, por Shoqata Çamëria nuk është një parti politike, që vepron si gjithë partitë e tjera politike në Shqipëri. Se Shoqata Çamëria nuk është “partia çame” që duan të na identifikojnë padrejtësisht.

Sepse shpesh ndëgjohet në media nga oratorë të ndryshëm togfjalëshi “partia çame”. Së fundi këtë e përmendi në një debat nga një deputet i interesuar për shkak të origjinës. Për çdo gjë që ka lidhje me Çamërinë dhe çështjen çame, u ndjeva keq nga thënia e atij togfjalëshi, sepse unë nuk besoj se ka një “parti çame”, por ka një kauzë të madhe për çështjen çame dhe këto nuk kanë lidhje me njera – tjetrën. Kauza e Çamërisë është tjetër gjë përballë “partisë  çame” që është tjetër gjë. E para i takon gjithë çamëve dhe atdhetarëve, kurse partia i takon një pjese që është sjellë dhe vazhdon si pjesë (part). E provuar kjo në këto vjet se partia pati qëllime punësimi dhe interesash private dhe mashtroi në emër të kauzës së Çamërisë.

Ndërkohë që po me këtë gjuhë që do ta quaja përulëse dhe jo të drejtë, por edhe fyese më shumë, përdoret nga oratorë të ndryshëm “komuniteti çam”, që së fundi e përmendi një deputet i PS në një emision televiziv dhe që me ndërhyrjen time u korrigjua. Ne, pasardhësit të prindërve dhe gjyshërve tanë, që erdhën nga Çamëria jemi shqiptarë të Çamërisë dhe nuk përbëjmë komunitet. E them këtë se komunitete janë romët dhe egjyptianët, janë pakica maqedonase apo malazeze në Shqipëri. Nuk mund t’i thuhet një popullate rreth 300 mijë komunitet, sepse ne jemi shqiptarë Çamërie, siç janë shqiptarë Kosove apo shqiptarë Maqedonie e Mali të Zi etj.

Trashëgimisht jemi pjesë e së tërës që e ka emrin “komb shqiptar” që u ndamë në 6 pjesë padrejtësisht nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913. Kjo është e ditur botërisht dhe, me gjithë përpjekjet manipuluese apo shoviniste ndaj kombit shqiptar, ajo që bie në sy sot më shumë është tendenca për të shmangur emrin “Çamëri dhe çështjen apo problemin çam” dhe për këtë kanë përgjegjësinë e tyre ata që në kohë dhe hapësirë kanë drejtuar këtë vend duke pasur patriotizëm për sytë e botës dhe jo real dhe me përmbajtje.

Është fakt që PDIU është rrjedhojë e bashkimit të ekzistencës  së dy partive – PDI dhe PDU që drejtoheshin nga Tahir Muhedini dhe Shpëtim Idrizi, si mundësi përfaqësimi politik në Parlament për popullatën çame në Shqipëri dhe që mendohej se do të ishin përfaqësueset e denjë që do të trajtonin politikisht problemin çam. U bashkuan të dy partitë me shumë fjalë dhe skena e prapaskena që njera bëntë ndaj tjetrës, ku viktima do të ishte PDI që, edhe pse e para, pati shkopinj nën rrota nga ata interesaxhinjtë që përbënë PDU. E megjithë atë u pranua me mendjen e mirë se do ishte një bashkim i vlerave të potencialeve intelektuale dhe me mbështetjen e atyre që e donin Çamërinë dhe zgjidhjen e këtij problemi. Pati edhe një përfaqësim të mirë në parlament më 2013 me 5 deputetë që u mendua se do të ishin :”muskëtjerët” e kauzës së Çamërisë. Dhe kaq !

Gjithçka më pas ishin shfaqje e interesave të secilit nga deputetët që u shkërmoq më 2017 dhe sot më 2021 jemi më të përçarë se kurrë. I vetmi që e përfaqësoi genocidin e Çamërisë me tragjedinë e familjes së madhe që u masakruan 27 burra dhe gra më 27 qershor 1944, ishte Tahir Muhedini më 2014 në Parlament. Të tjerët bënë retorikë politike dhe mirë bënë. Kemi “parti çame” që, tanimë, nuk di se kë përfaqëson, se unë që jam intelektual çam jo vetëm nuk e kam gjetur veten, me gjithë kontributet që kam dhënë, por më shumë se kaq, jam anatemuar si “ekstremist i djathtë” që nuk meritoja të isha në rradhët e këtyre politikanëve nëse mund të quheshin të tillë, edhe pse as vetë nuk dija se çfarë veprash ekstremiste kisha bërë si i djathtë, në një kohë që nuk më kishin dhënë as kartën e identitetit të anëtarësisë në PD. Por edhe shumë intelektualë të tjerë më tituj shkencorë janë gjenduar të pa përfaqësuar edhe pse ata janë potencialisht kontributorë me vepra për çështjen çame. Bile më keq akoma profesorë me tituj e vepra shkencore u mënjanuan dhe u fyen nga ai që e quante veten lidership i PDIU-së. Ajo pjesë e interesuar për të qenë në Parlament si deputetë nga çamët që na përmendin në media, janë me mandate deputeti, por edhe nuk janë se janë në dy parti të ndryshme dhe kundërshtare me njera – tjetrën.

Unë do të besoj se secili që ka marrë mandatin me forcat e veta dhe sot ndodhet në Parlament ka një meritë të madhe se në fund të fundit ka një përfaqësim. 3 deputetë janë në PS si përfaqësim nga popullata çame dhe 3 të tjerë janë në PDIU përmes koalicionit me PD. Por për çështjen kombëtare të shqiptarëve të Çamërisë në asnjë program nuk flitet, pale të pretendosh se do mendojnë për zgjidhjen e kësaj kauze me rëndësi të madhe dhe jetike për ata që e ndjejnë veten çamë.

U mundova të pyesja për deputetët e rinj në PS me origjinë çame dhe më thanë se edhe Orlando Rakipi, djalë i ri dhe me një hapësirë përfaqësimi si një gjak i ri çam, më dha kënaqësi se është gjaku im. Po edhe deputetja nga Vlora Teuta Rama është një zonjë e mirë dhe që kanë integritet. M’u bë qejfi, sepse zonjën Tatjana Pirron (Nurçe) e njoh personalisht dhe trashëgimisht për vlerat e familjes që përfaqëson. Ndërkohë që njoh përfaqësimin e Shpëtim Idrizit dhe Mesila Doda që për mua nuk përbëjnë vlerë në trajtimin e çështjes çame dhe këtë e kanë treguar me mungesën e veprave në shërbim të çështjes, porse nuk mund të them këto fjalë për atë djalin nga Fieri, Nustret Abdullai  që mban siglën PDIU dhe që më kanë thënë fjalë shumë pozitive.

Do pyesja që ata 3 deputetet që janë në listat e PS mund të quhen të “partisë çame”, meqë kështu i prezantonin në kohën e fushatës që kemi edhe nga ana e çamëve? Them që jo, sepse ata me moralin e  tyre do përfaqësojnë partinë, që i ka bërë deputetë dhe ajo parti nuk lejon instrumentalizmin e çështjes çame. Porse edhe 3 deputetët e PDIU nuk do mund të jenë të përfshirë në kauzën e Çamërisë se ata kanë humbur terrenin me sfumimin e Shoqatës Çamëria dhe krijimin e precedentëve të emërimit të komanduar të kryetarëve nga partia PDIU të atyre që pëlqehen nga kryetari.

Por, edhe mungesa e përfaqësimit të Shoqatës Çamëria në vite dhe mos disiplinimi i kësaj Shoqate, por lënia nën trysninë e partisë dhe diktatin e njëshit, që bën si do, flet të njejtat fjalë dhe “ku ishe – asgjëkundi, çfarë bëre – asgjë”, nuk janë punë, që i duhen shqiptarëve të Çamërisë në gjithë mozaikun e politikës shqiptare. Është kjo arsyeja që kërkohet një riformatim jo për të vendosur një emër, por për të venë në vend dinjitetin e përfaqësimit dhe nxitjen e zgjidhjes së  problemit çam. Ky riformatim nuk mund të drejtohet nga “partia çame” inekzistente në vepra, por nga vetë çamët në çdo qytet ku janë ata, duke pasur si udhërrëfyes mendjen dhe trurin e intelektualëve çamë tanimë të përfaqësuar në Akademinë e Studimeve për Çamërinë si  vlerë e bashkimit dhe jo e përçarjes ku mund të bëhen pjesë edhe deputetët që janë tek PS dhe ata që janë tek PD apo edhe PDIU. Koha është e jona dhe jo e atyre që janë interesaxhinj dhe fshihen pas siglave dhe që bëjnë vetëm bla-bla. Është koha optimale  e një bese burrash për të bërë kauzën eÇamërisë.