Sakih Çeka, “Dëshmor i Atdheut”, “Mësues i Popullit”, “Qytetar Nderi” & “Nderi i Qarkut” Elbasan
Demokracia në Shqipëri i ka fillesat e veta që në fillim të viteve ’20 se atë e dëshiruan personalitetet e arsimit kombëtar ku në Elbasan u hodhën bazat. Jo vetëm Normalja dhe Elbasani i mirënjohur për vlerat atdhetare dhe demokratike, por edhe Kongresi i Lushnjes i dhanë Shqipërisë modelin e përparimit, që më pas u kthye në diktaturë dhe sot nëpërkëmbet nga pasardhësit e diktaturës. Njeri nga ata personalitete, që jetoi, u shkollua, punoi dhe dha kontrinute të konsiderushme demokratike është edhe Salih Iljaz Çeka nga Filati i Çamërisë.
Figurat e kombit nuk mund te harrohen, nëse vërtet duam që të kemi memorje historike mbarëkombëtare. Ndoshta për një realitet të tillë flet edhe një postulat i një latini të lashtë që ka thënë “O kombe, ruani të mëdhenjtë se përmes tyre do t’ju njohë e ardhmja”.
Është rasti të themi se në panteonin e figurave që ka Elbasani dhe Shqipëria, një vend të veçantë zë edhe Sali Çeka, “Mësuesi i Popullit”, “Dëshmor i Kombit”,, “Qytetar Nderi i Elbasanit” dhe “Nderi i Qarkut Elbasan”. Nuk janë pak vlerësime që iu dhanë gjatë kohës pas vrasjes së tij më 1 shkurt 1925 në fshatin Selvias të komunës së Klosit në krahinën e Sulovës së Elbasanit. Por duhet thënë që në fillim se vlerësimet më të mëdha për këtë demokrat europian e japin sot edhe pas 97 -vjetësh njerëz, që janë gjallë dhe e njohin mirë historinë e kombit, se figura e Sali Çekës është figura e njeriut që në të 34 vjetët e jetës së tij, bëri emër dhe histori, u bë faktor i luftës për demokraci edhe pse në kundërshtim me frymën obskurantiste të kohës.
Jeta e shkurtër e këtij mësuesi shembullor, që mbaroi studimet e larta në Institutin Pedagogjik në Bezanson të Francës, është e mbushur me një aktivitet të gjatë në një nga qytetet si Elbasani, që e priti si mësues, e respektoi si njeri, e nderoi si demokrat, ku edhe vetë Sali Çeka gjeti strehën familjare në familjen e nderuar qytetare të Ibrahim Dedej.
Ka qenë çereku i parë i shekullit XX, që në skenën e teatrit të madh të Shqipërisë, luheshin drama të mëdha dhe Salih Çeka zuri një vend nderi në këtë skenar në shërbim të arsimit kombëtar. Njëherazi ai zuri një vend nderi edhe në biografinë e Çamërisë dhe eskluzivisht të Filatit si një ekzistencë e atij realiteti të madh. Këtë fakt Salih Çeka nuk e harroi kurrë se ishte biri i Filatit: banorët e të cilit e mbajtën me para në studimet e tij në Francë.
Ato që janë shkruar e thënë për këtë njeri janë pjesë e vlerësimeve, që duhet t’u bëhet bijve të kombit që kanë kontribute dhe i kanë dhënë shoqërisë shqiptare mësime të vlefshme. Edhe pse kanë kaluar 97 vjet nga vrasja mizore e këtij shqiptari, kjo nuk do të thotë aspak që në një ditë përkujtimi të mos ketë asnjë njeri apo shoqatë, të mos ketë asnjë historian apo pedagog historie, të mos ketë asnjë pushtetar apo ata që pretendojnë se kanë merita për këtë vend, të mos kenë mendjen në vend e të mos nderojnë këtë figurë potenciale në ato vite kur ndodhnin ndryshimet e mëdha në historinë e kombit shqiptar.
Shtroj pyetjen se si është e mundur që për këtë mësues dhe drejtor të Normales, për këtë kryeinspektor të Ministrisë së Arsimit të kohës dhe botues të Revistës Pedagogjike dhe gazetës “Ku vemi ?”, por me rëndësi është të themi edhe deputet si përfaqësues i Sulovës së Ebasanit në Kongresin e Lushnjes dhe sekretar i këtij kongresi ,që të mos bëhet asnjë nderim, qoftë edhe formal në një ditë të hidhur të jetës së tij? Nëse një i ri, nxënës apo student universiteti do të pyeste se cili ka qenë ky Salih Çeka që duhet nderuar kaq shumë, menjëherë do t’i jepja përgjigjen se cili është ai.
Pak fjalë nga orgjina dhe aktiviteti
Sali Çeka është publicist, demokrat, veprimtar i arsimit kombëtar, që lindi në qytetin e Filatit të Çamërisë më 20 gusht 1892 në një familje atdhetarësh. Arsimin fillor e kreu në vendlindje ; arsimin e mesëm në gjimnazin e Janinës më 1911. Në 1913 kreu Institutin Pedagogjik 2-vjeçar të Bezansonit në Francë dhe në korrik 1913 vihet në dispozicion të Qeverisë Kombëtare të Vlorës dhe më 27 shtator 1913 emërohet mësues në Normalen e Elbasanit, ku jep lëndët e pedagogjisë, psikologjisë dhe logjikës.
Që nga ajo kohë, Salih Çeka kreu detyra të rëndësishme :
– Drejtor dhe inspektor i arsimit në Berat – 1916.
– Mësues në Normalen e Elbasanit – 1917.
– Sekretar në kryesi të kabinetit që doli nga Kongresi Kombëtar i Lushnjes – 1920.
– Anëtar i Komisisë Arsimore – 1920.
– Drejtor i shkollës Normale të Elbasanit – 1921.
– Kryeinspektor i arsimit në Elbasan – 1922.
– Inspektor i përgjithshëm në Elbasan – 1922 dhe inspektor i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit në Tiranë – 1923.
\Salih Çeka ka marrë pjesë në Kongresin Kombëtar të Lushnjes si deputet i Sulovës të qarkut të Elbasanit. Gjatë fushatës së zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese në dhjetor 1923, ishte anëtar i grupit politik “As i pashës, as i beut”. Pikpamjet e tij politike e shoqërore i shpalos në gazetën “Ku vemi ?” që e drejtoi dhe e botoi vetë nga numri i parë i saj më 12 janar 1924 e deri në nr. 20, më 19 tetor 1924.
Kujtesa për këtë njeri me vlera të papërsërtshme për kohën dhe për moshën që kishte, shkojnë tek ato parime bazë të ndërtimit të shkollës së re shqiptare, Salih Çeka i ka shprehur në “Revistën pedagogjike”, të cilën ai e drejtoi nga numri i parë shtator 1922 deri në nr.11, në korrik 1923. Salih Çeka luftoi që arsimi fillor të ishte i detyrueshëm e të drejtohej nga shteti, të ishte i përgjithshëm, falas dhe i barabartë për djemtë dhe vajzat, si dhe të ishte laik. Në faqet e gazetës “Ku vemi ?” e të “Revistës pedagogjike”, si dhe në Kongreset Arsimore Kombëtare të viteve 1922 e 1924, që u mbajtën në Tiranë, Salih Çeka ka zhvilluar një polemikë të gjerë duke mbrojtur laicizmin e shkollës shqiptare.
Për fatin e tij të keq, por edhe për të keqen e kombit për të cilin ai luftoi me pendë, më 1 shkurt 1925 vritet në fshatin Selvias të krahinës së Sulovës së Elbasanit nga reaksioni feudal dhe forcat obskurantiste të kohës.
Pos mortum
Çfarë duhet më shumë që t’i bëhen nderime një njeriu që sa jetoi e mbushi jetën e tij me shërbime ndaj të ardhmes së kombit, kurse lapidarit të tij në vendin ku edhe është vrarë, ia kanë vjedhur mermerin shkollës që i kanë venë emrin, nuk i kanë vënë një bust nderimi, a thua se ka qenë ndonjë i persekutuar apo e ka kapur lufta e klasave apo se origjina e tij ishte nga Çamëria. 97 vjetori i vrasjes së Sali Çeka me këtë heshtje të pafalshme, është një nga ato turpe që po bëhen tashmë në këto kohët moderne. Vetëm po të ishte ndonjë pinjoll i atyre, që donte Enver Hoxha apo pjesëtar i Byrosë, ndoshta do të kishte një kënvështrim tjetër, siç bëhet me bijtë bastard të etërve dinakë.
Tre vajzat e tij, Ballkëze, Afërdita dhe Mentare, që nuk jetojnë më, kanë lënë një trashëgimi të mirë që flet për jetën e një njeriu që e lindi Folati i Çamërisë dhe e Trashëgoi Elbasani i Shqipërisë.
Demir Hoxha një nga nipat e tij të mëdhenj, në kujtimet e tij, që i kam marrë drejtpërdrejt nga goja e tij ka thënë se “Jeta e tij ishte një meteor që ndriçoi arsimin e kombit dhe u shua ashtu siç nuk e meritonte. Në Elbasan ai bëri histori dhe hyri në librin e nderit të qytetarëve që i kanë dhënë këtij vendi me punën dhe aftësitë e tyre intelektuale në një kohë obskurantiste, që kalonte Shqipëria e fillimshekullit XX. Unë jam krenar që jam nipi i tij i drejtpërdrejt, se ai mbeti i pavdekshëm për ne”.
Ndoshta nderi i Salih Çekës është edhe nderi i një krahine si Çamëria, historia e të cilës kujtohet për shkak të personaliteteve, që ka nxjerrë ajo tokë e lavdishme.
























