Historia tronditëse e ish- portierit të kombëtares shqiptare

218
Sigal

Ekskluzive për “Telegraf” me ish- diplomatin Spartak Topollaj/ Ju rrëfej ngjarjen tronditëse të ish- portierit Xhakomino Pozelli që u shpall Kampion i Ballkanit në vitin 1946. Persekutimi i familjes së kunatit, burgosja dhe vdekja e mistershme e tij në burgun e Burrelit, pas refuzimit që e motra i bëri joshjes së Enverit. Rikthimi i ish-portierit, pas viteve ’90, takimi me shokët e vjetër dhe kërkimi i eshtrave të kunatit. Ja dokumenti ekskluziv

Pse meriton të kujtohet dhe të nderohet në 100 Vjetorin e lindjes së tij, legjenda e Ballkaniadës Xhakomino Pozelli ynë!

Spartak Topollaj

Diplomat

( “Pas pak vjen një zotëri, që gati i mbahej fryma. Jam Drejtori. Më quajnë Spartak Topollaj dhe jam shumë i nderuar t’iu mirëpres në Hotelin tonë! Është një burrë rreth të dyzetave, i gjatë, i drejtë, esmér, me vështrim miqësor “…)

Fragment nga faqet e para të librit Brenga ime Shqiptare, apo Kthim në Vendin e Shqiponjave , të autorit Aldo Renato Xhuzepe Terruzi.

Edhe pse ajo i tregoi se sapo ishte fejuar me Renato Terrusin, një financier i aftë banke, italian dinjitoz dhe i pashëm , Enver Hoxha, këmbëngul ta joshë Aurelian , madje duke mashtruar, teksa i thotë, se po bëhej gati të nisej për studime në Francë, dhe i dhuron si kujtim, edhe një libër “100 pamje të Parisit”, me dedikim:

Është disi e çuditshme, për të mos thënë e pabesueshme, që pjesa më e madhe e shqiptarëve, nuk e njohin kush ishte dhe cila qe jeta mes gëzimeve dhe dramës së Xhakomino Pozellit, legjendës së portës të Përfaqësueses së Shqipërisë, Kampione e Ballkanit në Futboll, më 1946!

Shoku Komandant , Gjeneral -Koloneli i pa shkollë dhe i vetëgraduar, që s’ia kish bërë kurrë bam në Luftë, Enver Hoxha pas refuzimit të vajzës, u kujtua se i kish ardhur dita të hakmerrej, ashtu si dinte vetëm ai të bënte !Urdhëroi të arrestohej bashkëshorti i saj superkorrekt , nën dyshimin se mund të ishte agjent i SIMI-t dhe duhej të kish bërë shkelje me financat dhe thesarin në Bankë

Familja italiane Pozelli, ishte vendosur në Selanik e më pas në  Ishullin Korfuz të Greqisë, aty diku nga fillimi i shekullit XX, ku punonin si nëpunës në një Bankë Italiane.

Çifti Pozelli, pati dy fëmijë Aurelian, vajzën e lindur më 1912 dhe Xhakominon, djalin e lindur më 22 Korrik 1922, pikërisht në Selanik.

Nga fundi i viteve njëzet, Pozellët transferohen në Shqipëri, konkretisht në Gjirokastër, ku Qeveria e Zogut, kish pranuar hapjen e një Banke Italiane Krediti dhe ku ata, kishin gjetur mikpritjen dhe qytetarinë e banorëve vendas në qytetin e gurtë, të përshkruar si rrallë kush vite më vonë nga Kadareja ynë i madh, në romanin unikal “Kronikë në Gur”!

Por kjo mikpritje dhe jeta e qetë e kësaj familje, që nuk ndiheshin aspak të huaj në Gjirokastër, u trazua papritmas, kur Aurelia e bukur , një Greta Garbo Gustafsson e vërtetë, që sapo kish mbushur të 18 -at, u njoh më 1930- ën, me një grup të rinjsh të qytetit, mes të cilëve, duke përfituar edhe nga pamja karizmatike dhe aftësia për të aktruar e mashtruar, shquante Enver Halil Hoxha .

I mahnitur nga bukuria, eleganca dhe zgjuarsia e saj, Enveri, që sapo kish mbaruar Liceun e famshëm Francez të Korçës, me sponsorizimin e parreshtur të Profesor Bahri Omarit, personalitet demokrat i KONARÉ-së, njëkohësisht bashkëshort i motrës së madhe të tij, Fahiresë, njihet , afrohet dhe synon të keqinterpretojë sinqeritetin rinor dhe miqësinë e saj, me një vetëkënaqësi dhe delir protagonizmi e madhështie, që më vonë do i kthehet në paranojë !

Edhe pse ajo i tregoi se sapo ishte fejuar me Renato Terrusin, një financier i aftë banke, italian dinjitoz dhe i pashëm , Enver Hoxha, këmbëngul ta joshë Aurelian , madje duke mashtruar, teksa i thotë, se po bëhej gati të nisej për studime në Francë, dhe i dhuron si kujtim,  edhe një libër “100 pamje të Parisit”, me dedikim , të cilin e mbyll, pa pikë turpi  me gënjeshtrën  : Enver Hoxha, student në Mjekësi ?!

Shqipëria e vogël, por me futbollistë të talentuar, që dhanë shpirtin në fushë, ia doli të shpallej Kampione e Ballkanit nga Xhakomino.

Siç dihet , atij i doli bursa për Shkenca Natyrore ( Biologji ), në Monpelié, fakultet të cilin nuk e mbaroi kurrë, madje në katër vitet e atyshme, dhá  gjithsej vetëm pesë provime ?!

Vajti në Paris e më pas në Bruksel, ku dështoi me sukses të plotë, të merrte ndonjë diplomë për Histori apo Drejtësi, u punësua si Sekretar në Konsullatën Shqiptare, në Belgjikë, mashtroi e përvetësoi pará nga Konsulli dhe u kthye në Shqipëri më 1936.

I fyer nga refuzimi kategorik i Aurelias, ky bukurosh i lyer me gjalpë ( apo me brilantinë ), guxon ta kërcënojë dhe shantazhojë atë dhe familjen e saj, e cila, pas kësaj, kërkoi transferim, që iu miratua dhe kështu ata u vendosën në Vlorë, gjithnjë në Bankën Italiane .

Edhe në Vlorën e bukur të Pavarësisë, ata gjetën të njëjtën mikpritje dhe bujari!

Edhe pse vite të trazuara lufte ata ruajtën korrektesën në punë, e shoqëri mes vlonjatëve të mirë! Ndërkohë që Aurelia martohet me të fejuarin Xhuzepe Renato Terruzin, Xhakomino, që sapo i kish kaluar të 20 -at, po shfaqte talentin e tij si portier me një skuadër të improvizuar futbolli të italianëve në qytetin bregdetar !

Shpejt ai, iu ra në sy drejtuesve dhe teknikëve vendas, për cilësitë dhe nuhatjen në mbrojtjen e portës, ndaj dhe i propozuan të luante me skuadrën e tyre “Flamurtari”!

Ai pranoi menjëherë dhe u aktivizua,  si titullar dhe  si gardian i portës vlonjate! Bëri miq të shumtë nga sportistët apo djemtë e familjeve të njohura të fisnikërisë atdhetare, demokrate e intelektuale të Vlorës dhe mijra sportdashës deshën si të ishte vlonjat i lindur dhe e adhuronin !

Dukej se me kalimin e muaj uniforma te “Flamurtari”, po i rrinte e ngushtë, ndaj iu përgjigj pa mëdyshje ftesës së Sportklub Tiranës, për të mbrojtur portën e kryeqytetasve, me të cilët u miqësis shpejt, veçanërisht me tironsin 24 karatësh Xhavid Demneri !!

Lufta sapo kish mbaruar dhe, Aurelia dinjitoze dhe e bukur, ishte martuar dhe sapo kish lindur djalin e vetëm, Aldon!

Por, s’ishte e thënë të gëzohej gjatë! “Ai”  nuk mund ta harronte  e aq më tepër ta falte, kurrë refuzimin kategorik të Aurelias dhe tani, shoku Komandant, Gjeneral -Kolonel i pa shkollë dhe i vetëgraduar, që s’ia kish bërë kurrë bam në Luftë, Enver Hoxha, u kujtua se i kish ardhur dita të hakmerrej  ashtu si dinte vetëm ai të bënte!

Urdhëroi të arrestohej bashkëshorti i saj superkorrekt , nën dyshimin se mund të ishte agjent i SIMI-t dhe duhej të kish bërë shkelje me financat dhe thesarin në Bankë !

As njëra dhe as tjetra akuzë nuk qëndronin, e nuk u vërtetuan asnjëherë, e megjithatë, edhe pse askush nga vlonjatët burra e trima të besës, nuk dëshmuan kundër, dënimi i tij ishte paracaktuar, burgim i gjatë dhe i rëndë në famëkeqin burg politik, në skëterrën e Burrelit!

Aurelia, ashtu krenare dhe dinjitoze, nuk iu drejtua kurrë “Atij”, e jo më t’i lutej t’ia falte bashkëshortin e shtrenjtë e të dashur të saj ?!

Krenare Aurelia, me Aldon e vogël në krah dhe çantat me ushqime, merrte dy herë në muaj rrugët mizerabël,  ku dihej se mungonin edhe mjetet e transportit, për të takuar Xhuzepen në Burgun e Burrelit, nën vëzhgimin shpesh të  policëve dhe oficerëve syskuqur, gjysmë të dehur, e të babëzitur për gjithçka.

Erdhi viti 1946, kur Shqipëria do të organizonte Ballkaniadën e Parë, Futboll dhe Atletikë në Tiranë nga 6 – 13 tetor, në Stadiumin “Qemal Stafa”, ndërtuar mbi 95 % prej italianëve, por që kurrë nuk u kuptua pse iu vu ky emër i djaloshit idealist , vrarë apo ( i vetëvrarë ) më 5 Maj 1942, në rrethana që kurrë nuk patën një sqarim shterues dhe u mbuluan nga tisi i dyshimeve dhe misterit e enigmave tipike enveriane.

 

Sidoqë të ishte, Shqipëria e vogël, por me futbollistë të talentuar, që dhanë shpirtin në fushë, ia doli të shpallej Kampione e Ballkanit, edhe pse në këtë veprimtari të madhe të fill pasluftës kishin përballë, Përfaqsuesen e njohur Jugosllave, si edhe Rumaninë e Bullgarinë!

Pozelli ( që me marifetet alla shqiptarçe, iu shndërrua mbiemri në Buzali ), Tahiri, Kavaja, Fakja, Vathi, Biçaku, Demneri, Boriçi, Mirashi, Parapani, Gjinali, Spahiu, Llambi, Teliti, Fagu etj, ngadhnjyen bindshëm mbi kundërshtarët, pa mohuar edhe rolin e madh të trajnerit jugosllav, serbit Ljubisha Broçiç ( 1911-1995 ), që mbërriti deri dhe trajner i Barcelonës së madhe më vonë!

Ndërkohë, pa dijeninë e të motrës, Aurelias, dhe duke përfituar nga euforia e krijuar nga udhëheqja, që quante fitoren në Ballkaniadë si meritë të vetēn dhe njohja e miqësia qysh  në shkollë në Korfuz, me Nako Spirun, Xhakomino i bindur në pafajsinë e kunatit, i kërkon atij të ndërhyjë për ta falur!

Nako, i mençur dhe me bon sens siç ishte, i premton se do të bënte ç’të ishte e mundur! Por nuk mbërriti ta shpëtojë dot jo vetëm atë , por as edhe veten, se në nëntor 1947 u gjet i (vetë) vrarë me dy plumba,  në zyrën e Kiço Ngjelës.

Me urdhër të Hoxhës dhe katilit Koçi Xoxe, nuk u lejua ta shihte ende pa i dalë shpirti në spital , as e fejuara e tij , Liri Belishova , edhe pse ajo vetë ishte pjesë e Udhëheqjes më të lartë komuniste.

Ironia më e madhe me Nakon, që u vetëvra si Mehmet Shehu më dhjetor 1981, ishte se Hoxha, e dënoi dhe rehabilitoi atë disa herë, ndërkohë që Mehmet Shehu mbeti i pari në Listën e Poliagjentëve dhe Hoxha vetë siç del tani , mbetej tē ishte i fundit në listēn e vigjilentëve !

Ndërkohë, e bukura krenare Aurelia, me Aldon e vogël në krah dhe çantat me ushqime, merrte dy herë në muaj rrugët mizerabël, ku dihej se mungonin edhe mjetet e transportit, për të takuar Xhuzepen në Burgun e Burrelit, nën vëzhgimin shpesh të policëve dhe oficerëve syskuqur, gjysmë të dehur, e të babëzitur për gjithçka!

Kjo histori vazhdoi gati mbi tre vjet, deri sa një ditē, i ndërgjegjshëm se ishte i pafajshēm dhe se dikush do t’i thërriste arsyes, do ta lironin nga burgu, si edhe duke kuptuar se ç’hiqte Aurelia me djalin, i kërkoi asaj në mënyrë ultimative, të mos vinte më në burg dhe bashkë me familjen, përfshi Xhakominon, të ktheheshin në Itali, përndryshe, nëse një ditë polici do e njoftonte, se ka ardhur gruaja të të takojë, ai do t’i jepte fund jetës me vetëvrasje.

Përballë këtyre dy alternativave ultimative, si grua me mend dhe dinjitet, plus instinkti për të shpëtuar djalin, dhe me shpresë të paktën te ZOTI , se si i pafajshëm, bashkëshorti i saj një ditë do të lirohej, e do të kthehej në vendin e tij pranë familjes, zgjodhi variantin e parë, atë të kthimit të të gjithëve në Itali!

Xhuzepen, jo vetēm nuk e liruan, por rreth tre vite pas ikjes së tyre, më 1952, u mësua,  se ai kish ndërruar jetë në burg, gjoja i sēmurë, edhe pse ishte me trup atleti, i shëndetshëm, e i pasëmurur kurrë, madje i fuqishëm si një burrë, që sapo i kish mbushur të 50 –at!

Duke njohur mirë Kryekriminelin më të madh shqiptar të të gjitha kohërave, që vrau me gjyq dhe pa gjyq 6000 burra dhe 500 gra, si edhe burgosi e internoi dhjetra mijra të tjerë, është me vend të besohet, se si paranoiak i përkryer dhe hakmarrës i pamëshirshëm që ishte, ai siç kish bërë rëndom qysh gjatë Luftës e deri sa edhe vdiq, me shumë nga të afërmit, miqtë, shokët dhe bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorēt më të ngushtë, të ketë urdhëruar, eleminimin fizik me metoda “shkencore”, nga ndonjë mjek i tipit më famëkeq nazist, ekstremist , si Dr. Josef Mengelé i Aushvicit!…

Dhe ja, 45 vite më pas, Xhakomino Pozelli me nipin, djalin e motrës pra, Aurelias, Aldo  Xhuzepe Renato Terruzin, rikthehen në Shqipëri, ku sapo ishte shembur regjimi diktatorial dhe kishte fituar Demokracia!

Këtu fillon pjesa e dytë e kësaj historie , të denjë për roman kadaréan, apo film Hollyëood-ian !

I porsa emëruar Shef i Pritjeve Qeveritare dhe Diplomatike në Hotel Dajti, fill pas vendosjes së pushtetit demokratik, shpesh ndodhesha në pozitë të vështirë për sistemimin, apo akomodimin e delegacioneve të shumta, nga Institucionet Ndërkombētare, që po vërshonin çdo ditë e më tepër në Shqipërinë e pas diktaturës, ku siç dihet, mungesa e hoteleve dhe restoranteve ishte një plagë e trashëguar nga regjimi mjeran e karikaturë dhe të gjithë Ambasadat, ashtu si edhe institucionet tona, donin me çdo kusht Hotel Dajtin!

Lidhjet dhe miqësia me ambasadorët dhe diplomatët kryesorë, vinin duke u forcuar, por Rajerson, Daulong, Fëlers, Nesh, For dhe veçanërsht Foresti, ishin miqtë më të mirë!

Një paradite vjeshtore, Ambasadori Foresti dhe një nga diplomatët kryesorë, Pier Xhorxho Ramundo Orlando, më vijnë në zyrë dhe teksa porosita kafetë, duke e njohur vështirësinë e prenotimeve në Dajti, më kërkuan si nder, t’iu siguroja dy dhoma të mira për dy miq të tyre. As që diskutohet, iu thashë dhe mos m’a dini fare për nder, vetëm më thoni një emër, që t’ia përcjell recepsionit .

Pozelli, tha Ramundo !

Xhakomino? E pyeta unë.

Si mundet, ku e di ti?

Si nuk e ditkam unë, kush ishte heroi ynë i Ballkaniadës! Pastaj , nëna ime vlonjate, bijë e Agallinjve më ka treguar historinë e dhimbshme e tragjike të Aurelias, italianes, vajzës më të bukur të Vlorës , familja e së cilës, ishin njēkohēsisht miq me Kokoshët, Velajt, Haxhinjtë, Sharrajt, Agallinjtë, Vlorajt, Qemalët etj etj !

Sa e vogël pra ishte Bota !

Dhe kështu, i prita dhe bëra sa munda, t’i ndihmoj dajë e nip, në qëllimin e rikthmit të tyre, me një mall dhe brengë të madhe, se si do e gjenin Shqipërinë dhe miqtë e tyre pas 45 vitesh dhe nëse do mundnin t’i gjenin dhe t’i kthenin në Itali eshtrat e Xhuzepes!

Ajo që më bëri më shumë përshtypje dhe që do të më mbetet e pashlyer në mendjen time, është dashuria dhe sinqeriteti i tyre, ku dallonte qartë se ata kurrë nuk e identifikuan Shqipërinë dhe shqiptarët me regjimin kriminal të hakmarrësit diktator pervers, Enver Hoxhës, që iu kish shkaktuar tragjedinë e rëndë familjare të tyre!

Aldo, që e kujtonte si në mjegull të atin e burgosur, ishte rritur me tregimet e parreshtura të së ëmës dhe dajës,  për Shqipërinë dhe shqiptarët, që i kishin dashur aq shumë, por edhe me pengun e madh dhe brengën e thellë në shpirt, se eshtrat e të atit kishin mbetur diku aty , në baltën e kuqe , pranë Burgut të tmerrshëm politik të Burrelit.

I ishte betuar së ëmës, se edhe me ndihmën e dajës, do të bënin të pamundurën një ditë,  kur edhe  të rrëzohej diktatura, do të ktheheshin në Shqipëri, ta gjenin varrin e babait dhe eshtrat e tij, të preheshin në atdheun e vet, Itali!

Ende té né nuk kishin hyrë celularët, por unë me angazhimin më të madh, për t’ia plotësuar dëshirën Xhakominos, që mezi priste t’i takonte pas gati 45 vitesh miqtë e hershëm, i njoftova të gjithë ata që ishin gjallë dhe iu bëra ftesë për në Hotel Dajti, ku në rininë e tyre, sidomos pas fitores së Ballkaniadës, vinin shpesh !

Çfarë emocionesh, teksa u takuan si vëllezër të asaj dashurie të pastër si kristali,  apo si lotët në sytë e tyre .

Më pas vajtëm në Stadium , aty ku edhe ishin shpallur kampionë të Ballkanit, si edhe u pritëm nga Sekretarja e Shtetit Marieta Pronjari – Zaçe dhe Kryetari i KOSH, Jorgoni !

Djali i futbollistit dhe trajnerit të shquar, Xhavid Demneri, që nxorri breza futbollistësh  ndër më të mirët, gazetari i mirënjohur e pasionant, Fatmiri, i mori një intervistë të gjatë Pozellit, që shprehej me një modesti të admirueshme për vehten, e plot dashuri për miqtë e tij, të njohurit e shumtë dhe sportdashësit!