Gjikë Kurtiqi: Mirënjohje Sadije Agollit dhe penës së Dritëroit

463
Sigal

Ikja e Sadijes dy vjet pas Dritëroit ishte e papritur dhe e parakohshme. Jo vetëm se nuk e kishte kohën për të ikur nga kjo jetë, por kishte detyrë për të plotësonte e përjetonte veprën e Dritëroit. E kush më mirë se ajo që i njihte çdo nerv dhe qelizë, shkrimtarit dhe bashkëshortit të saj të shquar, mund ta bënte këtë detyrë?

Veprat e mëdha që ka shkruar Dritëroi gjatë më shumë se gjysmë shekulli dhe që hyjnë në fondin më të shquar të letrave shqipe, vërtet kanë emrin e Dritëroit, por ato kanë dhe një “bashkautor”, Sadijen. Ajo ka qenë për më shumë se gjysmë shekulli lexuesja e parë, redaktorja e parë dhe kritikja e parë e veprave që ka shkruar Dritëroi pas viteve ‘70. Ajo e njihte më mirë se askush se cili ishte Dritëroi. E deshi pambarimisht, e vlerësoi dhe e adhuroi si askush tjetër në këtë botë! Duket ishte kjo dashuri që ndikoi në bashkimin e tyre tani dy vjet më pas. Ndjente mungesën Dritëroi për Sadijen apo ndjente mungesën e Dritëroit Sadija? U prehshin në paqe të dy këta njerëz të mrekullueshëm!

Unë e kam njohur Sadije Agollin, shoqen e pandarë të jetës së Dritëroit, nga afër që në vitet ’70 kur filluam bashkë punën si gazetarë në redaksinë e gazetës “Mësuesi” në Ministrinë e Arsimit. Qemë kolegë të një zyre, ndaj dhe kam pasur dhe ruaj për të një respekt e konsideratë të veçantë, sepse kam njohur nga afër vlerat e saj të shumta njerëzore, shoqërore, familjare, krijuese dhe intelektuale, ishte një shoqe e admirueshme në të gjitha aspektet. Sadija e donte marrëzisht bashkëshortin e saj të shquar. Sadija lindi 76 vjet më parë në Shkodër. Ishte bijë e një familje nga më të nderuarat dhe më të shquarat të Shkodrës. Familje liridashëse e arsimdashëse. Me vlerat e saj u rrit dhe u edukua Sadija. Si një vajzë me talent letrar erdhi në Tiranë për të vazhduar studimet e larta për gjuhë dhe letërsi shqipe. Që kur ishte studente lexonte dhe vlerësonte poezitë, fejtonet dhe shkrimet e Dritëroit, gazetar në “Zërin e Popullit”, që bënin jehonë në rrethet letrare. Ajo dashuroi në fillim krijimtarinë dhe më pas autorin e tyre. Ata u bashkuan dhe krijuan një familje model, lindën Elonën dhe më pas Artanin, dy fëmijë të shkëlqyer, por së bashku me fëmijët lindën, rritën e forcuan çdo ditë e më shumë një dashuri që i unifikoi dhe i bëri një e të pandarë.

Dhe Dritëroi shkruante për Sadijen:
“Prej teje asgjë s’më ka ndarë.
Kam bredhur dete dhe vende
Dhe çfarë s’kam parë!
Në dhoma hotelesh në botë
Jastëkët më sillnin veç erën tënde…
Në rrugë qytetesh me miliona shkëndija
Shikoja dhe thosha me vete:
Sadija…”

Dhe bashkë do të prehen në përjetësi. E vetmja kritikë që mund t’i bëjmë sot Dritëroit, që s’e kemi kritikuar kurrë, është: “Shumë shpejt e more pranë Sadijen Dritëro!”

Gjikë Kurtiqi