Vllaznia reagon për dhunën ndaj gjyqtarit: Policia të rikthehet në stadiume

422
Sigal

Vllaznia e Shkodrës, që për herë të parë në këtë sezon luan në kategorinë inferiore, ka mbajtur qëndrim zyrtar në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit shkodran, Eldorian Hamiti, në sfidën Kamza-Laçi 1-1.

Klubi kuqeblu mbështet kërkesën e FSHF-së për kthimin e policisë në stadiume, si e vetmja mënyrë për të shmangur të tilla akte në impiantet sportive.

“KF Vllaznia, si pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit shqiptar, nuk mund të pajtohet kurrsesi me aktet e dhunës që po vërehen javët e fundit në futbollin shqiptar. Në veçanti, KF Vllaznia dënon dhunën e ushtuar ndaj arbitrit në ndeshjen e vlefshme për Kategorinë Superiore, Kamza- Laçi.

Njëkohësisht, mbështesim kërkesën e FSHF-së për rikthimin e Policisë së Shtetit sërish në stadiume, sepse duke parë kushtet ku ndodhet Shqipëria, vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet mbarëvajtja e futbollit shqiptar”, ka shkruar klubi shkodran.