Gëzim Prengzi: Patriotizmi i Shpend Bali Bisheva nga Gjakova

640
Sigal

Dy vjet në shtëpinë e tij nuk është kremtuar asnjë festë, pasi vite me radhë B. Curri ishte strehuar aty

Intensifikimi i lëvizjes për pavarësi gjatë vitit 1912 mori hov të madh, patriotët dhe ideatorët e kësaj lëvizjeje në Kosovë e Malësi, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri bënë një punë të madhe në popull në drejtim të bashkimit në luftë kundër pushtuesit. Strehë e takimeve të tyre me prijësit popullorë  ishin kulla e Shpend Balisë në Margegaj, Shaban Binakut në Bujan e Niman Sylës.

SHPEND  BALI  BISHEVA NË ALTAR TË PATRIOTIZMIT TË  MALËSISË  SË GJAKOVËS.

Nga: Gëzim Prengzi

Fshati Margegaj i Malësisë së Gjakovës, (Tropojë) është shquar në çdo kohë për mençuri, besë e bujari, strehë e sigurt për patriotët e shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kullat e këtij fshati u kthyen në fortesa për luftëtarët e lirisë si Bajram Curri, Haxhi Zeka,Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Sadik Rama i Gjurgjevikut etj. Ndër këto kulla, më të njohurat janë ato të Maxhun Nimanit dhe Bali Arifit, e më pas e birit të tij, Shpend Bali Bisheva, i cili është edhe objekt i këtij shkrimi.

Shpend Bali Bisheva, i gëzoi dhe fitoi tiparet më të mira të truallit të tij.

I ati, Bali Arifi lindi në vitin 1830, në vitet kur po merre udhë  Rilindja  Kombëtare Shqiptare. Në traditën patriotike të vendlindjes, që në moshën 32 –vjeçare, mori pjesë në kryengritjen e Krasniqes në vitin 1862,  kundër Maxhar Pashës,  të udhëhequr  nga Binak Alia, Shaqir Curri e Sokol Rama, ku forcat osmane u thyen, duke lënë rreth 1500 të vrarë e të mbytur në lumin Valbona. Bali Arifi mori pjesë në beteja e kuvende të rëndësishme që kanë lënë gjurmë në memorien historike si, në Aksionin e Gjakovës shtator 1878, në mbrojtje të Plavës e Gucisë 1879-1880, në luftimet për marrjen e Shkupit 188, në betejat e Shtimje-Slivovës prill 1881, gjithashtu mori pjesë në kuvende të rëndësishme të vilajetit të Kosovës në 1889 e 1904, te Verrat e Llukës. Në udhën e këtij patriotizmi eci edhe i vëllai, Zmajl Arifi, i cili u pushkatua vetë i tetë te Ura e Kolgecajve nga malazezët me 1915. Në këtë truall, e në këtë kullë, lindi e u formua si atdhetar, i biri i Bali Arifit, Shpend Bali Bisheva.

Shpend Balia erdhi në jetë në vjeshtën e vitit 1865.

I ati, Bali Arifi që në vitet e para të fëmijërisë së Shpendit e dërgoi atë në familjen e patriotit të shquar Haxhi Zeka në Pejë,  me kërkesën e këtij të fundit, ku qëndroi për 5 -vjet. Gjatë qëndrimit aty,  Shpendi qysh i vogël, u frymëzua nga përpjekjet e Haxhi Zekës e Bajram Currit për organizimin e një kuvendi kombëtar, për të mbrojtur të drejtat e kombësisë shqiptare. Shpend Balia i formuar si patriot, merr pjesë përkrah malësorëve e prijësve popullorë në kryengritjet e viteve 1909-1910, kundër ekspeditave  të Xhavit Pashës, në Qafë të Morinës, në qershor 1910 merr pjesë në kryengritjen e udhëhequr  nga Shaban Binaku, Abdullah Hoxha, Zeqir Halili e Niman Syla kundër ekspeditës  së Turgut Pashës. Intensifikimi i lëvizjes për pavarësi gjatë vitit 1912, mori hov të madh, patriotët dhe ideatorët e kësaj lëvizjeje në Kosovë e Malësi, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri bënë një punë të madhe në popull në drejtim të bashkimit në luftë kundër pushtuesit. Strehë e takimeve të tyre me prijësit popullorë ishin kulla e Shpend Balisë në Margegaj, Shaban Binakut në Bujan e Niman Sylës. Në prill 1912 Shpend Balia me shumë malësorë merr pjesë në luftimet kundër xhonturqve në Qafë të Prushit, ndërsa me 21 prill nga shtëpia e tij për në kuvendin e Junikut, Bajram Curri, Isa Boletini, Hasan Prishtina duke u bashkuar gjatë rrugës me prijësit e Malësisë, Niman Syla, Halil Brahimi, Zeqir Halili,të cilët në Junik lidhën besën të gjithë krerët e Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit për organizimin e kryengritjes së përgjithshme për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane. Në fillim të nëntorit 1912 Shpend Balia merr pjesë në mbrojtje të Plavës e Gucisë,e më pas në Shpalljen e Pavarësisë me përfaqësuesit e Malësisë së Gjakovës. Gjatë viteve 1913-1915, kur Malësia sulmohet nga forcat malazeze, Shpend Balia ishte në radhët e para të rezistencës, në këto luftime bien tetë luftëtarë me ta, edhe xhaxhai i tij, Zmajl Arifi. Me çeljen e shkollës fillore në Bujan në janar 1923 me mësues Mane Shaqen, dhe vendosja e saj në mars në Kolgecaj, si konvikt për nxënësit e ardhur nga zonat e largëta, shërbyen kullat e Shpend Balisë, Badhec Hajdarit e Sali Manit. Nga shtatori 1923 e deri në qershor 1924, Bajram Curri bashkë me mbështetësit e tij u përqendruan si shumë herë të tjera në Margegaj, e kryesisht  te Shpend Balia, ku dhe bisedohej për fillimin e kryengritjes së qershorit 1924. Dhe pikërisht këtu, te kulla e Shpend Balisë, forcat kryengritëse të Malësisë të udhëhequra nga Bajram Curri të mbledhur në vendin e quajtur  “Gurët e Bali Arifit”, u nisën në drejtim të Krumës, kur B.Curri shkrepi nagantin duke ju drejtuar kryengritësve: “Na koftë për hajr”. Këtë e ka përjetësuar edhe kënga popullore: “Pushka e parë thonë, ku ka krisë, Bash tu gurët e Shpend Balisë…”. Vrasja e Bajram Currit më 29 mars 1925,  preku pa masë gjithë popullin, por për Shpend Balinë e familjen e tij u shndërrua në ditë zie. Dy vjet në shtëpinë e tij, nuk është kremtuar asnjë festë, pasi vite me radhë, B.Curri ishte strehuar aty. Edhe pas vdekjes së Bac Bajramit, familja e Shpend Balisë ishte nën survejimin e zogistëve, megjithatë ajo vazhdoi të ishte streha e Azem e Shote Galicës e Tafil Boletinit, i cili shkruan në kujtimet e veta:

“Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, Shpend Balia ishte i moshuar për të dalë në luftë me armë, por shtëpia e tij u bë strehë e rëndësishme e Luftës. Ai u ftua për të marrë pjesë në Konferencën e Bujanit, por mosha dhe shëndeti nuk e mundësuan. Pas çlirimit, familja e Shpend Balisë mori pjesë në aksionet për ndërtimin e Atdheut dhe duke ndihmuar për ndërtimit e veprave ujitëse të zonës. Shpend Bali Bisheva ndërroi jetë me 1957 në moshën 92 vjeçare duke lënë pas emrin e mirë që Malësia e Kosova do e kujtojnë gjithmonë me respekt e mirënjohje. Pasardhësit e këtij trualli,Din Imeri me djemtë e tij Shpendin e Gëzimin, gjithnjë rrezatojnë vlera që sigurojnë vazhdimësinë.