Frank Shkreli: Të gjithë për Kongresmenin Eliot Engel

406
Sigal

Apel nga ish- Drejtori i VOA-s për Euro Azinë, Frank Shkreli: ” Miku njihet në ditë të vështirë”.Elopt Engel, është njëri prej demokratëve më të fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe mbetet i vetmi ligjvënës që njeh dhe mbështet interesat kombëtare shqiptare

“Miku i mirë njihet në ditë të vështirë”

Nga Frank Shkreli

Ish Drejtor i VOAs për Euro Azinë

Thonë se miku i mirë njihet në ditë të vështirë.  Në ditët më të vështira, Kongresmeni demokrat nga Nju Jorku, Z. Eliot Engel,  ka qenë dhe vazhdon të jetë mik shumë i mirë i shqiptarëve për një kohë të gjatë.  Për aq gjatë, në të vërtetë,  sa shpeshëherë e pyes veten, se si nuk u lodh ky ligjvënës amerikan me ne  dhe me gomarllëqet tona shqiptare, me konflikte politike midis partive dhe udhëheqësve të këtyre partive shqiptare, me korrupsionin, me shkeljet e lirive bazë të njeriut, përfshirë  lirinë e medias, dështimit të ndërtimit  të një shteti ligjor, dhe të tjera halle që, kryesisht, shqiptarët po ia shkaktojnë vetvetes këta  30-vjetët e kaluara.  Lista është shumë e gjatë e problemeve që po pengojnë seriozisht  shtet-formimin, duke detyruar shqiptarët të largohen masivisht nga trojet e veta, si nga Kosova, ashtu edhe nga Shqipëria.  Kurdoherë që politikanët  shqiptarë  vizitojnë  Washingtonin, nuk largohen kurrë pa u ndaluar tek miku i shqiptarëve,  Kongresmeni  Eliot Engel, për t’u konsultuar me të dhe për të marrë edhe fotografi, pasi ata janë të vetëdijshëm për popullaritetin  e Z. Eliot Engel  në radhët e shqiptarëve, anë e mbanë trojeve tona, si njëri prej mbështetësve më të vendosur dhe parimorë, që kemi pasur ndonjëherë në Washington. Po, po, kemi pasur edhe mbështetës të tjerë të njohur të politikës amerikane,  nga presidentë  e senatorë e deri tek kongresmenë gjatë viteve, kontributin e të cilëve për të drejtat e shqiptarëve,  kur shqiptarët ishin në orën më të zezë të historisë së tyre, unë dhe të tjerë, jemi përpjekur  t’a vemë në dukje, nga koha në kohë.  Shumë prej tyre janë larguar nga politika për  arsye moshe, disa kanë ndërruar jetë, e disa të tjerë  kanë humbur  interesin e tyre të dikurshëm  për çështjet  shqiptare, qoftë për mungesë të aktivizimit  të komunitetit  shqiptaro-amerikan, qoftë se pse ndoshta konsiderojnë se Shqipëria, është e lirë nga komunizmi dhe Kosova është çliruar nga okupimi serb dhe sot gëzon pavarësinë dhe si përfundim,  nuk kanë më nevojë për një angazhim si dikur.  Por, mund të them me bindje të thellë, se si asnjë tjetër politikan amerikan,  megjithë qëllimet e mira të tyre dhe punës së tyre të mirë në favor të shqiptarëve gjatë viteve,  nuk ishte si Kongresmeni Eliot Engel,  i cili e ka trajtuar çështjen shqiptare me seriozitetin  më të madh, si një kauzë morale, politike, kombëtare dhe ndërkombëtare  të tijën , si një çështje e dinjitetit njerëzor. Për më tepër, Eliot Engel,  njëri prej demokratëve më të fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara,  mbetet sot pothuaj i vetmi ligjvënës  amerikan,  si njohës i mirë i problemeve shqiptare në Ballkan dhe mbështetës i vendosur  i interesave kombëtare shqiptare,  në pozitën e tij të lartë si Kryetar  i Komisionit të fuqishëm të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme.  Në këtë kapacitet, ai vazhdon të jetë i angazhuar me punët shqiptare dhe nuk demoralizohet nga politikat dhe të bëmat dhe të pa bërat e kësaj klase politike shqiptare të dështuar, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, por mbetet  gjithnjë optimist, për një të ardhme më të ndritur për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.Në këto kohë të turbullta kombëtare dhe ndërkombëtare, Eliot Engel ka thënë se “Shtetet e Bashkuara janë më të forta në skenën globale, kur ne zhvillojmë një politikë të jashtme të rrënjosur në vlerat thelbësore amerikane – në mbështetjen për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.”  Një kampion i vërtetë i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, Eliot Engel ka qëndruar dhe vazhdon të jetë pranë shqiptarëve kudo dhe gjithmonë, bazuar në këto parime të politikës së jashtme amerikane. Por, sot, Kongresmeni Eliot Engel, ka nevojë më shumë se kurrë, për mbështejen e miqëve të tij shqiptarë-amerikanë,  sidomos të atyre  shqiptarëve që jetojnë e punojnë dhe që kanë të drejtë vote si anëtarë të Partisë Demokrate në zgjedhjet paraprake në distriktin e tij elektoral, më 23 qershor 2020.  Z. Engel  ka nevojë urgjente për  votën e secilit shqiptar  e shqiptare me të drejtë vote në distriktin electoral, për anëtar Kongresi.  Kurrë mos mendoni se vota jote është vetëm një votë dhe si e tillë nuk ka rëndësi.  Sot miku ynë i madh, Eliot Engel, gjendet  përballë  një dite të vështirë në jetën e tij politike dhe ka nevojë  për ne, si individë dhe si komunitet shqiptar -amerikan, sepse ia kemi borxh, për të gjitha ato që ka bërë për ne, gjatë 30-viteve të tij në Kongresin e Shteteve të Bashkua dhe jashtë tij!

Ka ardhur koha që shqiptarët t’i gjenden pranë dhe të ndihmojnë mikun e tyre Eliot Engel-in, në ditën e tij të vështirë.  Me 23 qershor, mbahen votimet paraprake për të zgjedhur kanditatin e Partisë  Demokrate për Kongres, i cili do të përballet me kandidatin republican, në nëntor.  Kandidati demokrat që do zgjidhet këtë të martë, qoftë Z. Engel, qoftë kundërshtari i tij demokrat do jetë i sigurt, se do fitojë zgjedhjet e nëntorit,  kundër kandidatit republikan,  pasi ky distrikt zgjedhor  banohet me një  përqindje dërmuese demokratësh.  Kështuqë, votimet ditën e martë janë  kritike për  Z. Engel.  Analistët thonë,  se për herë të parë në 30-vjet, (Kongresmeni Engel është zgjedhur  në Kongres për herë të pare, në vitin 1989),  Z. Engel gjendet  përballë sfiduesit më  serioz të karierës  së tij politike nga radhët e Partisë Demokrate.  Kundërshtari i tij është afrikano -amerikani  44-vjeçar,  Jamaal Boëman,  një drejtor shkolle të mesme, i cili ka siguruar mbështetjen e krahut të majtë  ekstrem të Partisë Demokrate, përfshirë Senatorin Bernie Sanders, Senatores Elizabeth Ëarren, kongresmenes Alexandra Ocasio-Cortez dhe të tjerë,  madje ai ka siguruar  edhe mbështetjen e gazetës së madhe të Nju Jorkut, “The Neë York Times”.  Mbështetjen  për  Kongresmenin  Eliot Engel, lajmeve të fundit, e kanë shpallur tanimë, ish-senatorja dhe ish-kandidatja për president, Hillary Clinton, Senatori aktual demokrat i Neë Yorkut, Chuck Schumer dhe të tjerë.  Sipas një sondazhi  të ditëve të fundit, kundërshtari i Z.Engel,  udhëheq  tani për tani, me 10 për qind (41-31) ndërsa,  27 për qind e votuesve, mbeten ende të pavendosur se për cilin kandidat do të votojnë të martën më 23 qershor.Shqiptaro-amerikanët  me të drejtë vote, që jetojnë e punojnë në këtë distrikt elektroal,  mund të bëjnë ndryshimin e këtyre numrave, me qëllim që të sjellin Kongresistin  Eliot Engel, edhe për një mandat tjetër  në  Kongresin e Shteteteve të Bashkuara.  Shqiptarët, kudo qofshin kanë ende nevojë për angazhimin e tij të mëtejshëm me çeshtjet dhe kauzat tona, të cilat ai i ka promovuar dhe i ka mbështetur si asnjë tjetër ligjvënës në Ëashington.  Duhet të jemi të vetëdijshëm se nëqoftëse humb Kongresisti Engel në këto zgjedhje, shqiptarët do të humbasin shumë si komunitet këtu në Amerikë, por do ta pësojnë keq, edhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në përgjithësi, marrëdhëniet me Shqipërinë dhe me Kosovën në veçanti.  Nuk do të ketë më një zë në  Kongresin amerikan që t’i thotë kësaj administrate, ose një tjetre nesër,  ndal! kur punët nuk shkojnë në interes të shqiptarëve!  Jam i sigurt, se Tiranës dhe Prishtinës zyrtare,  nuk ua “ndinë” kjo situatë,  për të përdorur një shprehje popullore, sepse janë të “nxanë” me punë shumë më me rëndësi:  për karrige e pushtet për vete dhe për partitë e tyre.  Më kujtohet kur isha Drejtor i NACC-ut në vitin 2005, grupi i çështjeve  shqiptare  në Kongres, themeluar nga Eliot Engel, me kolegë të tij, kishte më shumë se dy dyzina anëtarë, gjysma republikanë, gjysma demokratë dhe shumë mbështetës  të  tjerë. Sot, edhe nëqoftëse ekziston ky grup, ekziston si emër, vetëm sa për sy e faqe. Me humbjen e mundëshme të Z. Engel,  “larg o Zot!” – thoni lamtumirë  grupit të çështjeve shqiptare, sado i vogël dhe i pa influencë që të jetë aktualisht.  Lutemi që Z. Engel të fitojë edhe në këto zgjedhje, se përndryshe, shqiptarëve u humb zëri i fundit me rëndësi në Ëashington.  Duke votuar Kongresmenin Eliot Engel,  ju, jo vetëm votoni për të dërguar në Ëashington  edhe për një mandat tjetër një mbështetës  të sprovuar  të çështjeve shqiptare dhe një mbështetës  i fortë i  komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe për të ndaluar shkuarjen në Kongres, të një ultra majtisti socialist, i tipit të Senatorit Sanders,  sepse kush fiton të martën në atë distrikt zgjedhor,  fiton edhe zgjedhjet e përgjithshme  në nëntor, pasi ajo zonë është me shumicë dërmuese demokrate.

Fotot më poshtë janë nga udhëtimi i një delegacioni të Këshillit  Kombëtar  Shqiptaro-Amerikan KKSHA) në trojet shqiptare, nga data 2 deri 10 Korrik, 2005, (kur autori ishte Drejtor i (KKSHA) – me Kongresistin Eliot Engel,  dhe me disa anëtarë  të bordit  të  KKSHA-s, përfshirë aktivistët e njohur  të komunitetit  dhe të çështjeve kombëtare, Harry Bajraktari dhe Rrustem Gecaj,  si dhe disa përfaqësues  të komunitetit shqiptaro-amerikan nga  Nju Jorku dhe Detroiti.  Unë jam dëshmitar i shumë veprave madhore të Z. Engel  në favor të shqiptarëve, por kjo vizitë në trojet shqiptare,  është vetëm një shembull i angazhimit  të pa kursyer të  Z. Eliot Engel, për çështjet  shqiptare,  në përgjithësi, atëherë dhe sot.  Ky pra është momenti për të treguar se komuniteti shqiptaro-amerikan,  është mirënjohës dhe i denjë i kësaj mbështetjeje  prej tri dekadash, për çështjet shqiptare, duke dalë masivisht në votime, për të hedhur votën në favor të kandidaturës së  Z. Eliot Engel, në zgjedhjet e ditës së martë, edhe për një mandat tjetër.  Gjëja më e vogël që mund të bëjnë shqiptarët në distriktin e tij elektoral, për t’i thënë, “Thank You, Congressman Engel”, për të gjithë ndihmën dhe kujdesin që kini treguar për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për shqiptarët në përgjithësi, gjatë tre dekadave të kaluara, është që të dilni e të votoni për Kongresistin Eliot Engel,  ditën e martë më 23 qershor – njërin prej 10 demokratëve  më  efektivë në  Kongresin  amerikan, sipas  universitetit  Virxhinia dhe universitetit  Vanderbilt.

Mos ta presim në besë mikun tonë të madh, në këtë ditë të vështirë për të, kur ka nevojë për ne.