Frank Shkreli: Revista “Life” nderon dhe kujton Nënë Terezën në 25-vjetorin e shkuarjes në Amshim

154
Sigal

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

“Me gjak, unë jam shqiptare…”

Për disa ditë bota, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po kujtohet jeta dhe veprimtaria e Nënë Terezës në 25-vjetorin e shkuarjes së saj në amshim (5 shtator, 1997). Edhe këtu në Amerikë po organizohen përkujtime dhe simpoziume të ndryshëm në kujtim të këtij përvjetori, si për shembull simpoziumi që do të mbahet në Universitetin Katolik në Washington DC dhe shumë të tjera, si ky, anë e mbanë Amerikës.

Edhe media amerikane në përgjithësi duket se nuk do e qesë në harresë këtë përvjetor dhe kujtimin e Nënë Terezës, kësaj bije krenare të Kombit Shqiptar. Më ra në sy sot në mëngjes një botim i posaçëm i revistës së njohur amerikane, historike dhe me vlerë, “LIFE”, që ka vazhduar të botohet – me formate të ndryshme – që nga viti 1883 e deri në ditët e sotme. Kjo revistë prestigjoze amerikane e njohur, botërisht, i kushton ekskluzivisht një numër të posaçëm jetës dhe veprimtarisë së Nënë Terezës – në 25-vjetorin e ndarjes së saj nga kjo jetë.

Siç dihet, Nënë Tereza ka jetuar dhe vepruar në periudhën e medias së shkruar, vizive dhe në prag të revolucionit teknologjik të informacionit. Për të janë shkruar dhe botuar mijëra artikuj e libra. Janë prodhuar filma dhe programe televizive të panumërt, dedikuar jetës dhe veprimtarisë së Nënë Terezës në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës. Nënë Tereza ishte ndër 5-6 veta në botë që kishin marrë titullin qytetar nderi i Amerikës. E dashur nga media amerikane, megjithëse nganjëherë nuk mungonin as kritikat ndaj saj për shumicën e amerikanëve, përfshirë median si dhe përfaqësuesit më me influencë dhe të fuqishmit më të lartë të politikës amerikane, Nëna Terezë pasqyronte dhe shpërndante dashurinë dhe dinjitetin për çdo krijesë njerëzore, pa dallim, përfshirë edhe të varfërit e më të varfërve të botës.

“E djeshmja ka shkuar. E nesërmja nuk ka ardhur ende. Kemi vetëm të sotmen, Prandaj, le të fillojmë”… (NënëTereza)