Frank Shkreli: Lidhja e Prizrenit- Frymëzim për brezat

463
Sigal

Trojet shqiptare “nuk janë një shportë me fiq”, për t’ua shpëndarë miqve peshqesh

Frank Shkreli

Ish Drejtor i VOA-s për Euro Azinë

Sipas një numri burimesh historike, Kuvendi Kombëtar i Lidhjes  së Prizrenit u hap më 10 qershor 1878, por jo të gjithë pjesëmarrësit e krahinave shqiptare që duhej të ishin aty, mundën të arrinin në kohë. Sipas historianëve, nga ata që mungonin ditën e pare, ishin delegatët  e  vilajetit  të Shkodrës,  nisjen e të cilëve  e kishin penguar intrigat  e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti  i Janinës, arritën vetëm dy delegatë, njëri nga të cilët ishte Abdyl Frashëri, pasi të tjerët  ishin ende në udhëtim.  Si rrjedhim,  nuk dihet numri i saktë  i delegatëve që morën pjesë ditën e hapjes së Kuvendit  të  Përgjithshëm të Lidhjes  së  Prizrenit.

Thuhet  se në hapjen e Kuvendit morën pjesë rreth 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës, sipas burimeve.  Ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë  e agallarë, tregtarë  e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë. Shënohen emra të njohur personalitesh të shquara politike të së kaluarës, por edhe emra të rinj që po hynin në jetën politike  të vendit, figura që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër  Perandorisë  Osmane, ose që kishin luftuar prej kohësh kundër ushtrive të vendeve fqinje ballkanike.  Objektivi  kryesor i pjesëmarësve në Kuvendin e  Lidhjes mbarë Shqiptare të Prizrenit, ishte përpilimi i një platforme politike  me kërkesat  e shqiptarëve, që do duhej  t’i paraqitej  Fuqive të Mëdha,  para se fillonte  punimet  Kongresi i Berlinit,  disa ditë më vonë.

 

Në këtë përvjetor, po e kujtojmë këtë ngjarje të madhe historike për Kombin Shqiptar, si dhe pjesëmarrsit në atë Kuvend mbarë-kombëtar – me përvujtëri, modesti dhe me respektin  më të madh  për burrat e Kombit të Lidhjes së Prizrenit – me ndihmën e Poetit  të Kombit, At  Gjergj Fishtës, i cili  i ka kushtuar Lidhjes së  Prizrenit, Këngën e IX –të të veprës së tij madhështore, “Lahuta e Malcisë”.  Në këtë poemë,  Fishta fton Zanën e maleve, që së bashku me ‘të,,  të këndojë në “Lahutë”, ngjarjen historike të shqiptarëve, që është  Lidhja e Prizrenit. Ai e fillon vjershën me thirrjen  e Ali Pashë Gucisë, “Fill  me dalun në Prizren, për me ngreh aty kuvend, e si motit për Atdhe, me lidhë besë me lidhun fe”.  Ali  Pashë Gucia qet  kushtrimin anë e mbanë trojeve shqiptare për të mbledhur në Prizren, burrat më në shenjë, “Krenët e Shqyptarisë”, të Gegërisë dhe Toskërisë.  Duke iu përgjigjur  kushtrimit  të Ali Pashë Gucisë, turren kreshnikët e Kombit në qytetin zëmadh  të  shqiptarëve:

M’ato maje të Prizrenit

Ku kanë ndejun rend pas rendit

Me Ali Pashën në krye të vendit…

…Ai nuk asht, more lum vasha

Tjetërkush veç se Ali Pasha

Që për të drejta të Shqyptarisë

Vet ia jep zjarmin shtëpisë,

E s’i dhimben nanë as djal:

Për to jetën vet e falë.

Në poemën e tij, “Lidhja e Prizrenit”,  Fishta  përmend disa prej krerëve shqiptarë më në zë të asaj kohe, pjesëmarrës në kuvend dhe u këndon atyre si grup i dalluar dhe i zgjedhur ndër shqiptarët e asaj kohe dhe hapësire  shqiptare:

 

“Jo që ka aty burra të tjerë,

Bajraktarë, Krenë e Beglerë

Që për fjalë e për urti

Për trimni, për bujari

Nuk ia lëshojnë vendin kurrkuej

As në Shqipni as ndër të huej…”

 

Ndër  pjesëmarrësit e njohur në Kuvendin e Lidhjs  së Prizrenit, në  poemën kushtuar Lidhjes  së Prizrenit,  Fishta i dedikon  disa  rreshta  Vat Marashit, bajraktarit  të  fisit të Shkrelit:

“E njaj tjetri ma përtej

Me ata dy mustakë të mëdhej

Me i prekë m’shoq që ka për bri vedi,

Ai nuk ashtë, jo Diomedi,

Por ashtë Bajraktari i Shkrelit,

Si njaj pyrgu m’ball të kështjellit,

Që s’e tremb as topi as shpata,

E i thonë emnit Marash Vata…”

 

Në  Epopenë  Kombëtare  të  Fishtës,  “Ora e bardhë e Shqipënisë”,  i  shef  krerët e  Shqiptarisë, “Trima në za, burra me nderë”,  të mbledhur aty në Prizren – nga mrizet e lartësive të  malit  më  të lartë, Lubotenit,  ku e  Mira  ka  ndejën  e vet , ndërsa  gëzohet  dhe thërret  Zanën e Sharit –

                                  “Në gjuhë të ambël të Shqyptarit,

                                   Thirrë i paska Zanës së Sharit”, dhe e pyet nëse i njihte ata burra të rreshtuar në Kuvendin e Prizrenit. Zana, disi e habitur para asaj pamjeje madhështore  të  homeridëve  të rinj, kujton  se Shqiptarët  e mbledhur aty, mund të jenë  Akejt e vjetër që dikur  kishin  “kallur”  Trojën  ose, ndoshta, mund të ishin Dardanët. Ban buzën në gaz  Ora e Maleve  dhe  i shpjegon  Zanës  motër,  se ata nuk ishin:

                                     “As Akejë, as s’janë dardanë,

                                      as vigaj, as katallaj”,

Por ishin pjesëmarrësit heronj shqiptarë, ndër ta: Ali Pasha, Marash Vata, Abdyl Frashëri, Prenk Bib Doda, Toptani, Zogolli, Gjetë Gegë Shllaku, Çun Mula, Mar’ Lula, Dod Preçi, Vrioni, Deralla, Shan Deda, Abdullah Dreni…

Ndërsa Abdyl Frashërit, At Gjergj Fishta i jep atij  një vend  të  veçantë  duke portretizuar  atë  kështu në poemën e tij kushtuar  Lidhjes së Prizrenit:

 

                            “A e she’ ‘i herë njat burrë zeshkan,
Me kollçikë e me fistan,
Që m’ a ka synin si zhgjeta,
Që m’ i bajn t’ gjith t’u ngjatjeta,
E që folka ashtû pa u zé,
Herë tue mâtë, mandej tue pré:
Që prandej njat fjalë që e flet,
Mbreti as Krajli nuk i a shklet:
Pse edhè e tij bujare
Permendë âsht n’ tokë Shqyptare
Për kah pupla e për kah dija,
Pá të cilat s’ rron Shqypnija?
Ai âsht trimi Frashër Begu,
Që gjithkund, ku e qiti shtegu,
I la naâm aj Toskënís,
Faqe t’ bardhë i la Shqypnís.”

 

Fishta përcjell  në poemën e tij  mbi Kuvendin e Lidhjes  së  Prizrenit  se, ndërsa Ora dhe Zana bisedojnë me njëra -tjetrën,  Abdyl Frashëri hap Kuvendin dhe flet me një gojtari  të  shquar, si i përket derës së  tij letrare,  mbi vjetërsinë  e fisit shqiptar, kulturën e lashtë të tij,  trimërinë e qëndresën gjatë shekujve, dashurinë për Atdhe dhe për luftërat  e racës shqiptare për të ruajtur  pavarësinë.  Abdyl Frashëri  vazhdon fjalën e tij  duke bërë  thirrje për  daljen  zot  të  trojeve shqiptare të sakatuara, për shpëtimin e tokave  shqiptare, Hotit, Grudës e Plavë e Gucisë  nga Mali i Zi.  Ndërsa  Bajraktari  i Shalës, Mar’ Lula, në interpretimin e At Gjergj Fishtës, i thotë Kuvendit  se për të dhe për shqiptarët mbarë, si shkjau, si turku, janë armiq  të njëjtë.  Në fund, sipas vjershëtarit  të “Lahutës së Malcis”, Ali Pashë Gucia,  propozon që nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,  t’i dërgohej  një letër Fuqive të Mëdha të asaj kohe dhe mbretit në Stamboll  – “Të shtatë  krajlave dhe  Mbretit të Stambollës”, duke theksuar  se trojet  shqiptare  nuk janë as të italianëve,  as  të ‘hinglizvet,  as e francezëvet’,  as të gjermanëvet  e as e sllavëve, grekëve dhe as otomanëve, këndon Fishta. Ai ka përfunduar vjershën e tij kushtuar  Lidhjes së Prizrenit, se Mbretit të Stambollit, i cili “do t’ia falë  Shkodër e Malci”, Knjazit  të  Malit të Zi,  t’i thuhet se  Shqipëria nuk “ashtë një shportë me fiq”, për  t’ua shpëndarë  miqve  peshqesh:

                                “Por ashtë toka e t’Parvet tanë,

                                  Asht Atdheu, po, i Skanderbegut…

                                 Prandej s’ka as Krajl as Mbret

                                 Që ket tokë e falë a e shet…”

A ka sot burra Shqiptaria, që të frymëzohen nga burrat e Kuvendit Mbarëshqiptar të  Prizrenit që – mbi të gjitha – të mbrojnë interesat kombëtare  dhe të  mos shesin, as mos të falin  tokat dhe  interesat  kombëtare  të shqiptarëve, përfshirë edhe ato ekonomike, për interesa  afatshkurtëra  personale e partiake?  Në këtë udhëkryq  të historisë së  Shqiptarëve dhe në këtë  përvjetor  të Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit, nga do t’ia mbajnë udhëheqësit e sotëm shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë. Si e kanë ndër mend të dalin nga ky qorrsokak  në të cilin  e katandisur Kombin?  Nga do ta drejtojnë  këta sot timonin e fatit  të Kombit? Drejt një rruge pa krye, që çon në greminë, në të cilën duket  se, me konfliktet  aktuale  politiko-ekonomike,  ata janë  nisur sot,  – apo do të frymëzohen nga bashkimi i burrave të  Lidhjes  së Prizrenit,  duke hequr dorë nga dallimet  e  theksuara  politike dhe  ekonomike drejt  horizonteve  të  reja për shqiptarët, duke rënë dakort për një platformë të re modern  mbarëkombëtare, në përputhje me nevojat  dhe interesat madhore të Kombit në shekullin 21-të.  Një prej kërkesave  të Lidhjes së Prizrenit  ishte  edhe shpallja e një  Bese  të përgjithëshme,  në bazë të cilës duhej të pushonin menjëherë  të gjitha  konfliktet,  që  çonin  në  hakmarrje  midis banorëve  të krahinave  të përfaqësuara  në  Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit.  A jeni ju gati, të deklaroni  një  paqe  politike  midis  jush, e  të lidheni  besa-besë, si  burrat e Kuvendit  dikur, që nam e nder  t’i  leni  vetes  dhe Shqipërisë?!