78-vjetori i krijimit të batalionit të parë partizan të Myzeqesë

531
Sigal

Numri i myzeqarëve në luftë arriti në 3400 partizanë, nga të cilët 253 ranë dëshmorë

 

(!943-2921)

 Pranverë e vitit 1943. Konferenca e Pezës kishte hedhur idenë e bashkimit të popullit pa dallim feje, ideje e krahine në luftë pa kompromis kundër fashizmit. Kudo u ngritën çetat partizane. Më 26 dhjetor 1942 në Myzeqe në fshatin Kolonjë, u ngrit çeta e parë partizane. U krijua mundësia e formacioneve më të mëdha luftarake. 78 vjet më parë, më 20 prill 1943, në zemër të Myzeqesë në fshatin Mërtish formohet batalioni i parë partizan i Myzeqesë. U mblodhën tek pylli i Rrapi Qoses në lëndinë. Pjesëmarrësit këndonin këngë partizane. Ky fshat e mbështeti plotësisht LANÇ. Ata ishin atdhetarë, patriotë dhe kishin në zemër dashurinë për një Shqipëri të lirë. Partizanët bënë betimin përpara flamurit kombëtar. Batalioni kishte mbi 300 luftëtarë dhe u nda në 4 çeta. Komandanti i batalionit u zgjodh myzeqari trim e guximtar nga Karbunara, Rrahman Uruçi, dhe zëvendës Irakli Bozo nga Kolonja, komisar Muharrem Rukia. Çeta e parë udhëhiqej nga Neim Kuçi e komisar Xhoxhi Robo, e dyta nga Koli Bozo e komisar Miti Bozo dhe e fundit nga Halim Xheka e komisar Hasan Gina. Formimi i batalionit alarmoi ballistët, sidomos Isa Toskën, ndaj filluan raprezaljet duke djegur shtëpi e vrarë myzeqarë të pafajshëm. Përleshjen e parë batalioni e bëri më 25.4.1943 kundër italianëve e bandës së Isa Toskës në Ardenicë. Isa Toska në shenjë hakmarrje e dogji Kolonjën e vrau barbarisht Vasil Bozon, Petro Bozon, Pasho Zotën, etj. Tre ditë më vonë më 28.4.1943 u zhvillua beteja më e ashpër në Karbunarë që vazhdoi gjer në 3 muaj. Bashkë me partizanët u bashkua edhe populli i Karbunarës, duke i shkaktuar armikut mjaft të vrarë dhe dëme në municione luftarake. Në këtë betejë ra dhe dëshmori i parë i batalionit Mexhit Çela. Batalioni luftoi edhe në Pezë kundër forcave italiane duke u shkaktuar atyre mjaft të vdekur e të plagosur.

Pas batalionit të parë u krijuan edhe batalione të tjera, të cilat çuan në krijimin e formacionit më të madh luftarak më 19.9.1943 të grupit partizan të Myzeqesë, që u bë në fshatin Ngurrëz, me një efektiv prej 830 partizanësh. Grupi zhvilloi aksione luftarake në Divjakë, Karbunarë, Libofshë, Ardenicë, Qafa e Sqepurit, Kuçovë, Ura e Kuçit, në malet me dëborë të Skraparit, Gor-Oparit, e deri në Vishegrad të Jugosllavisë. Vetëm nga zona Këmishtaj-Gradishtë morën pjesë në LANÇ mbi 100 partizanë, kurse numri i myzeqarëve në luftë arriti në 3400 partizanë, nga të cilët 253 ranë dëshmorë për lirinë e Atdheut. Kujtojmë e nderojmë me krenari familje të tjera që ndihmuan luftën si familjet e Kozma Cikos, Rrapi Qoses, Jorgji Mekës, Lami Velos, Adnan Thomai, Nasi Cauli, Jorgji Ndoni, Gjergj Mileti, Stefan Naço, Peti e Loni Rrushi, Rexhep Sakajeva, Tafil Doga, etj, të cilat dhuruan gjithçka për lirinë e Shqipërisë. Xhoxhi Robo, në kujtimet e veta thekson: “Bëmë një takim midis forcave partizane e atyre balliste në shtëpinë e Jorgji Ndonit në Mertish. Në takim merrnin pjesë Spiro Moisiu, Pipi Bakalli, Xhoxhi Robo e Irakli Bozo. Do të fliste Spiro Moisiu pasi e njihte mirë situatën. Isa Toska erdhi me “çetën” prej 25 vetësh, por në takim, sipas kushteve që ishin, u futën 4 veta. Spiro Moisiu u kërkoi bashkëpunim në luftë kundër pushtuesit. Për çudi, Isai pranoi, por shumë shpejt vazhdoi rrugën e tradhtisë, të terrorit në të gjitha fshatrat e Myzeqesë. Partizanët myzeqarë u rreshtuan në disa brigade partizane. Kujtojmë e nderojmë me krenari ata që flijuan jetën e tyre “për një botë të re”, dëshmorët e batalionit Jani Sotir Dhima, Sotir Jani Cauli, Petro Rushi, Mihal Nako, Mihal Gjyrgji, Bajram Darko, Tafil Doga, Jovan Kondakçiu, etj. Kujtojmë, nderojmë e vlerësojmë veprën e tyre, partizanë që luftuan në Cermenicë të Gorë-Oparit në Korç, ku ranë dëshmorë: Mihal Jano, Miti Zako, Vasil Gjoka, Abedin Dardha, Vangjel Gjeçi, Muhamet Kurti, Thoma Kopaçe. Në nderim të tyre atje ngrihet lapidari me një mbishkrim tepër domethënës: “O ju korçarë e patriot,/ kur të shkoni në Myzeqe,/ u thoni nënave të mos qajnë,/ dëshmorët ranë për vatan e atdhe”. Kujtojmë me respekt e admirim aktin heroik të luftëtarit sypatrembur partizanin Gjergj Kondakçiu, të cilit iu mbaruan fishekët e për të mos rënë në duart e armikut hidhet nga shkëmbi dhe shoku i tij i luftës nga Cermenica shkroi këto vargje: “Për kutjim të gjakut tuaj,/ o dëshmorë të lirisë,/ këtë vjershë po shkruaj,/ t’ja lë kujtim rinisë…”…”Ranë gjashtë si petrita,/ gjoks më gjoks siç luftuan, /I shtati kur nuk kishte më fishekë,/u hodh nga shkëmbi, nuk u dorzua”.

Ky ishte historiku i këtij batalioni me luftëtarë trima, që shkroi faqe lavdie e heroizmi në historinë e Shqipërisë.

 

Në Mërtish, në zemër të Myzeqesë …

Ishte 20 prill i vitit 1943 atë ditë kur u formua Batalioni i Parë Partizan i Myzeqesë, mu në zemër të Myzeqesë, në fshatin Mërtish, fshat që shquhej për tradita patriotike dhe që garantonte plotësisht formimin e kësaj njësie partizane. Se ishte luftë. Dhe rrethanat ishin të vështira. Nuk kishin kaluar as katër muaj nga krijimi i çetës së parë partizane të Myzeqesë, (26 dhjetor 1942 në Kolonjë) dhe armiku i mbante sytë katër e pushkën ngrehur për ta zhdukur Ç etën, pasi i kishte sjellë dëme dhe parandjente se do të rritej. Por ajo jo vetëm që nuk u zhduk, por u rrit e u bë batalion… Lufta zjente ngado. Armiku përgjonte nga të gjitha anët. Tashmë LANÇ kishte marrë formë të organizuar dhe populli gjithandej po bashkohej pa dallim feje, krahine e ideje për Ç lirimin e Shqipërisë nga pushtuesit fashistë dhe tradhtarët e vendit.

Prandaj u zgjodh fshati Mërtish, ku lufta kishte mbështetjen dhe përkrahjen e fshatarëve patriotë, që dhanë gjithçka të domosdoshme për të ndihmuar partizanët e këtij batalioni dhe dinin të ruanin sekretin. Fshati ishte larg territoreve ku armiku kishte një farë mbështetje në sajë të mbështetjen e përkrahjen së ballistëve e spiunëve. Aty në Mërtish e fshatrave përqark ishin të shumta bazat partizane. Ishin ato që kishin strehuar dhe mbajtur me ushqime partizanët e drejtuesit e LANÇ si familjet Kozma Ciko, Andon Thomani, Qorrajt, Caulët, Jorgji Maha, Jorgji Ndoni, Lami Velo, Loni Dema, Llik Petro, Stefan Naço, Taqi e Loni Rushi etj..

Komandanti i Batalionit u zgjodh Rrahman Uruçi nga Karbunara e komisar Muharrem Rukia. Batalioni u nda në kompani. Kompanitë u udhëhoqën nga Komandant Irakli Bozo e komisar Vilson Ahmeti, Naim Kuçi e Xhoxhi Robo, Koli Bozo dhe Skënder Libohova nga Sefedin Arrëza e komisar Miti Bozo, Halim Xheka e Hasan Gina. Në mbasditen e 20 prillit partizanët bënë betimin para flamurit dhe u shpërndanë në familjet fshatare. Formimi i Batalionit shënonte një ngjarje të madhe që tregoi se myzeqarët nuk i duronin dot robërinë e pushtuesve fashistë.

Fillimisht Batalioni ushtroi veprimtari në zonën e Fiersheganit, të Libofshës, Divjakën, Ardenicën, Çukasit, Skrapar etj. Krijimi i batalionit i tërboi armiqtë, të cilët filluan vrasjet, raprezaljet etj.. Dogjën Kolonjën e u vranë fshatarët Vasil e Petro Bozo, Rexho Zoto etj.

 

Box

E veçanta

 

U formua, mbi bazën e çetës partizane «Myzeqeja». Veprimet kryesore luftarake të bataiionit qenë: thyerja e sulmeve të forcave italiane më 20.5.1943 gjatë operacionit ndëshkimor që ato ndërmorën për të shkatërruar bazën e lëvizjes NÇ në Karbunarë. Armiku u kundërsulmua në befasi dhe u detyrua të tërhiqej në Lushnjë; një njësit i batalionit hyri natën në qytet dhe çarmatosi rojat e Financës. Në fillim të qershorit 1943 dy çeta të batalionit sulmuan natën forcat italiane në qytetin e Lushnjës, duke shkaktuar panik në radhët e tyre; më 10 qershor shkoi në ndihmë të forcave partizane të Pezës, që luftonin për të thyer operacionin e fashistëve italianë (shih Operacioni i fashistëve italianë në Pezë) më 26 qershor sulmoi në befasi garnizonin italian në fshatin Ardenicë, ku ishte vendosur edhe një çetë mercenare, armiqtë u tërhoqën të shpartalluar në rajonin e fortifikuar në manastirin e Ardenicës, por forcat e batalionit i sulmuan edhe aty, cluke i shkaktuar dhjetëra të vrarë e të plagosur. B.P. «Myzeqeja» më 20 shtator u rreshtua në Grupin I të Myzeqesë. Gjatë Mësymjes së përgjithshme armike të dimrit 1943-1944 (shih) batalioni u tërhoq nga zona e Myzeqesë në Skrapar e në Tomorricë dhe, pasi u riplotësua, u kthye përsëri në zonën e Myzeqesë në prill 1944, në përbërje të Grupit të Myzeqesë. Në muajin gusht u rreshtua në Br.XVI S.

 

Mihal GJINI, mësues historie