Sefer Pasha: Incidenti me delenxhinë e Llogorasë do të tregohet në kafenetë e Parisit

558
Sigal

Këndi i vëzhgimit

Menuja thoshte 2 mijë racioni, pronari faturoi 3 mijë për racion. Njëri nga turistët më tha në vesh se i kishte dalë fjala e gruas, e cila nuk kishte pranuar të vinte në Shqipëri.

Eqerem Bej Vlora i ftuar në një stan në Llogora. kur mbaroi dreka  nxjerr flori për të paguar qingjin e pjekur. I zoti i stanit i thotë : – O bej! – Unë nuk jam dyqanxhi nuk shes

Pas një udhëtimi romantik me dy turistë francezë në një nga lokalet e Qafës së Llogorasë u ulëm që të hamë drekë. Gjatë udhëtimit nga Saranda francezët nuk e lënë mendimin të binte në tokë. U mahnitën me Butrintin. Një qytet magjik nga më fantastikët në planet, që qe ndërtuar në disa hektarë tokë. E pabesueshme. Shumë pikëpyetje. Gjatë bregut të detit u thashë miqve francezë se në lokalet e Parkut Kombëtar të Llogorasë gatuhet mish në hell dhe është të lëpish duart. U tregova gjithashtu këngën:

Nuk e dua mishin -ë,

po fillin e brinjës -ë,

se i ngjan të ëmës -ë/.

Lokali ishte me pamje nga pyjet dhe deti. Kamarieri që solli menynë na tha se nuk kishte mish keci në hell. Tregëtonin mish të pjekur në saç. I binda miqtë se ishte afërsisht e njëjta gjë. Përveç sallatrave e djathërave porositëm dhe një racion me mish keci. Çmimi në menu ishte njëzetë mijë lekë. Sa erdhi tava me mish keci e pjekur në saç të dy turistët u zhgënjyen. Mishi qe cazë i djegur dhe tava qe mbushur me yndyrë. Unë si lab çoç blova, kurse francezët sa e prekën me dorë. Ata porositën gjalp të freskët mali siç ja bëri reklamën kamarieri. Por kur kamarieri e solli gjalpin ai nuk ishte as sa një çerek racioni. Francezët rrudhën vetullat. Ik peshoje i thashë kamarierit. Kjo ishte krisja e parë. Nuk e zgjata më tutje. Për ta ndriçuar pakëz atmosferën u thashë miqve të largët se këtu në Qafën e Llogorasë kishte kaluar Cezari. Miqtë filluan diskutimin. Më kërkuan udhën e saktë. Dhe tema rreth Cezarit u zgjat. Ata hidhnin në ekran pamje nga Llogoraja që qe rrezikuar nga zjarret e Gadishullit të Karaburunit. Erdhi kamarieri. Ai solli faturën. Racionin e mishit të kecit e kishte vënë tridhjetë mijë lekë. Jo, i thanë njëzëri turistët francezë. Në menu shkruhet njëzetë mijë lekë. Kaq paguajmë. Kamarieri ngriti zërin. Erdhi pronari me dy – tre të tjerë. Ai tha se nuk e kishin ndërruar menunë. Kjo që ua ka dhënë kamarieri është e javës që kaloi. Çmimi është tridhjetë mijë lekë. Kaq do të paguani,- tha ai kërcënueshëm. Turistët e panë njëri – tjetrin në sy të trembur. Njëri nga turistët më tha në vesh se i kishte dalë fjala gruas së tij. Ajo nuk kishte pranuar të vinte në Shqipëri. Kishte lexuar se Shqipëria është vend i pasigurt për të huajt. Unë u thashë miqve që të ishin të qetë. U ngrita dhe pagova aq sa më tha “hajduti i Qafës së Llogorasë”. Kur pagova thashë me mërmërimë: – “Qeni bir qeni! Llogoraja është Park Kombëtar. Këtu s’duhet të ketë asnjë kasolle. Llogoraja është pasuri e gjithë shqiptarëve. Dhe nisa të recitoj një poezi të Majakovskit. Ai i thotë një maskarai si të qe pronari i këtij lokali në Llogora se biftekët që ha t’u bëfshin gërshërë e të prefshin zorrët. Ndërrova temë. Nisa t’u tregoj turistëve francezë se Labëria është vend me tradita. Dhe u rrëfeva një ndodhi me një filozof nga Vlora. Quhej Eqerem Bej Vlora. E kishin ftuar në një stan këtu në Llogora. I zoti i stanit i shtroi një qingj në hell. Kur mbaroi dreka filozofi Eqerem Bej Vlora nxjer flori për të paguar qingjin e pjekur. I zoti i stanit i thotë : – O bej! – Unë nuk jam dyqanxhi. Dera e stanit tim është e hapur edhe për arinjtë e malit. Unë arinjëve u shtroi për ditë në një sofër guri që dhe ata të ushqehen. U larguam nga lokali pa u përshëndetur me pronarin që rrinte tek dera si cub pa pikë turpi.  Turistët këmbëngulën që të ndiqnim udhën nga kishte zbritur Cezari për në Orikum. Njëri nga turistët, i cili e pa që unë u trishtova me sjelljen e pronarit të lokalit filloi të bëjë humor: – “Kur Cezari qeshte, Pompej qante”. Do ta denancoj veprimin e këtij maskarai thashë unë. Jo, kundërshtoi njëri nga turistët, që jepte leksone në disa universitete të Evropës. Ai citoi Hemniguejn, i cili thotë: – “Një xhentelmen s’ka kurrë njohje me një delenxhi”. Ne këtu u përplasëm aksidentalisht. Kur të kalojmë motin tjetër nuk e kthejmë kokën nga lokali i këtij zuzari. Nëpër kafenetë e Parisit do kemi ç’të tregojmë. Nuk ka pyll pa derra thoni  ju në Shqipëri, por e themi edhe ne në Francë. Ky delenxhiu sherrxhi që ngjan me personazhet e Hemiguejt në fund të fundit është një gjilpërë në një mullar me kashtë. Në Francë nuk ka zëmërim, qoftë dhe publik, që të mos shuhet në krye të gjashtë muajve. Do durojmë gjashtë muaj. Mbase pas gjashtë muajsh ky dallaverexhiu i këllirave të Llogorasë do të ketë rënë në darën e SPAKU –t. Një proverb francez thotë se “macja i lejon miut një farë lirie, por jo përtej kthetrave të saj”.  Asnjë lakuriq nate s’mund t’i qëndroj agimit.