Prof. Selman Sheme: Konispoli dhe historiku i flotës angleze në Korfuz

262
Sigal

-Flota angleze që qëndroi në Korfuz në vitet 1815-1864, pra afërsisht 50 vjet, furnizohej me prodhime blegtorale dhe bujqësore, veçanërisht me mish, nga zona e Konispolit.

Pas vitit 1990, me hapjen e disa vëndeve të Ballkanit dhe krijimin e realiteteve të reja gjeopolitike, janë krijuar hapësira të përbashketa ekonomie, shoqërore e kulturore, shpesh informale dhe të parregullta që quhen “Zona ndërfaqësore”si zona interference midis dinamikave të shoqërive fqinje. Pavarësisht se këto vënde kanë nivele të ndryshme zhvillimi, problematika të ndryshme shoqërore dhe statuse ndërkombëtare të ndryshme, sejcila nga këto shoqëri ndodhet në një farë kuptimi në “periferi” të tjetrës dhe nuk mund të zhvillohen pa një sistem makrorajonal interferencash.

Në këtë kumtesë do të trajtojmë dhe analizojmë potencialin e trashgimisë natyrore dhe kulturore te gjeohapësirës së Konispolit, procesin historik të zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe të ndarjes shoqërore të punës, si dhe perspektivën e bashkëpunimit  ndërkufitar si një alternativë e integrimit të qëndrueshëm.

 Traditat në fushën e zhvillimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare rajonale dhe ndërkrahinore

Bashkia e Koniospolit është një gjeohapësirë me tradita të hershme në zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik, shoqëror dhe kulturor në Shqipërinë e Poshtme. Resurset natyrore-klimatiko-tokësore dhe ato humane kanë krijuar kushte optimale për jetën dhe aktivitetin ekonomiko-shoqëror qysh në prehistori dhe antikitet.

Deri në vitin 1912 Konispoli bënte pjesë në kazanë e Filatit të sanxhakut të Janinës. Në periudhën osmane kjo zonë ishte një nyje e rëndësishme tregtare në marrëdhëniet e shkëmbimit të mallrave në gjeohapësirën Janinë-Filat-Korfuz-Delvinë-Gjirokastër.

Për shkak të afërsisë gjeografike marrëdhëniet tregtare kanë qënë intensive veçanërisht me Korfuzin, që për banorët e ishullit kanë qënë jetike. Studiuesi gjerman Hans Fraidler shkruan se “. . . nuk mundet me jetue në Korfuz pa hyrë në marrëdhënie me bregun karshi”. Flota angleze që qëndroi në Korfuz në vitet 1815-1864, pra afërsisht 50 vjet, furnizohej me prodhime blegtorale dhe bujqësore, veçanërisht me mish, nga zona e Konispolit. Banorët e Konispolit, natyrshëm kishin lidhje të ngushta gjaku, gjuhe e gjeografie, pra lidhje farefisnore, martesore dhe ekonomiko-shoqërore kryesisht me Filatin dhe banorët e fshatrave më të afërm të Çamërisë si: Sajadhën, Koskën, Lopsin, Shulashin, Shqefarin, Spatarin, Varfanjin, Galbaqin etj. Ndërsa me fshatrat në veri, në të djathtë të lumit Pavlla kishin marrëdhënie fisnore, martesore dhe ekonomiko-shoqërore më të shpeshta me Pandalejmonin, Sopikun dhe me fshatrat në perëndim të Delvinës.

Tradicionalisht degët kryesore të ekonomisë ishin, bujqësia, blegtoria, tregtia dhe artizanati. Banorët e Konispolit merreshin edhe me vreshtari, olivikulturë, bletari, peshkim, me ekonominë pyjore etj.

Me lindjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve kapitaliste filluan të zhvillohen edhe shkëmbimet tregtare e rajonale dhe ndërrajonale. Pazari i Konispolit filloi të ndërtohej që nga shekulli XVIII-të dhe morri formën e plotë në vitet ’30 të shekullit XX. Ai ishte tipik mesjetar dhe i ngjashëm me atë të Filatit, Delvinës dhe Gjirokastrës. Nga gjeohapësira e Konispolit eksportoheshin prodhime bujqësore, blegtorale por edhe artizanale, si kostume shqiptare, velenxa, flokate, mëndafsh, katran, valanidh, etj. Tregjet kryesore kanë qënë ato greke, turke, italiane, spanjolle, angleze etj. Në import vendin kryesor e zinin prodhimet industriale të përpunuara dhe ato koloniale si veshje, pëlhura, prodhime manifakturiale, medikamente mjekësore etj.

Në kuadrin e ndarjes shoqërore të punës , specializimit dhe shkëmbimit në zhvillimet ekonomiko-tregtare të Shqipërisë së poshtme një rol të rëndësishëm kanë luajtur panairet që zhvilloheshin pranë qyteteve , manastireve, kishave etj. Deri në fillim të shekullit XX panairet që zhvilloheshin në Filat, Janinë, Delvinë dhe Sorone luajtën rol të rëndësishëm në shkëmbimin e mallrave. Ato ishin një nevojë ekonomike dhe forma më e përshtatshme e shkëmbimit të mallrave në rrugën e krijimit të tregut mbarëkombëtar. Tregun e brendshëm dhe të jashtëm e furnizonin tregtarët profesonistë.

Në specializimin dhe shkëmbimin e mallrave rol të rëndësishëm kanë luajtur arteriet kryesore rrugore, detare dhe tokësore. Në brigjet e detit Jon, në afërsi të Konispolit funksiononin portet detare si Sajadha, Shën Todhri, Paganeja, Ftelia dhe Butrinti. Nga këto porte eksportoheshin mallra kryesisht bujqësore e blegtorale në Korfuz, por edhe në Raguzë , Ankona, Vendik etj.

Me vendimet e Komisionit përfundimtar të kufijve të Shqipërisë me Greqinë në vitin 1923, nën trysninë greke u bë një padrejtësi e madhe veçanërisht për Konispolin. Në vend që kufiri të shkonte nga mali i Nartës e të binte drejt e në det, ai gjarpëron drejt Qafës së Botës-Orlë-Stillos, duke i privuar të drejtën e daljes në det konispolatëve, në një kohë që Konispoli nuk është më larg se tre kilometra nga deti. Zonën bregdetare konispolatët që në lashtësi e kanë pasur si portën detare të rëndësishmë për lidhjen me Europën dhe Botën.

Edhe në gjysmën e parë të shekullit XX Konispoli mbeti një nyje e rëndësishme tregtare për lidhjet ekonomike të Shqipërisë së Poshtme. Hani i Bellos dhe hani i Qafës së Hanit kanë qënë stacione tranzite ku qëndronin karvanet e tregtarëve, që lëviznin nga Çamëria në Labëri dhe anasjelltas.

Vendosja e kufirit shqiptaro-grek ne vitin 1923 dhe marrja e zonës bregdetare Shen Todhër-Stillo ndanë arbitrarisht hapësirën e komunikimit, tregjet tradicionale dhe ekosistemet natyrore. Për rrjedhojë territoret kufitare mbetën në periferi të zhvillimeve ekonomike krahinore dhe kombëtare. Këto zona reflektojnë prapambetje në raport me rajonet qendrore dhe perëndimore, rezonanca e të cilëve ka qënë e dobët dhe e papërfillshme në periferi.

Deri në vitin 1990 vendet kufitare me Shqipërinë, ish Jugosllavia dhe Greqia aplikonin dy modele ekonomik; vetëadministrimin jugosllav, një sistem hibrid i ekonomisë socialiste dhe modelin e ekonomisë së tregut, që aplikohej në Greqi. Veçoritë specifike gjeografike dhe strukturat ekonomike të prapambetura në zonat kufitare nuk favorizonin shkëmbimet tregtare të brendshme dhe ato jashtë vendit. Një nga këto veçori ishte popullsia e vogël në numër në qendrat e banuara.

Dobësia ekonomike e zonave kufitare si Konispoli ishte rrjedhojë e situatës gjeopolitike në Europën Juglindore. Trysnia e brendshme dhe kërcënimi ushtarak nga jugu e lindja ishin motive psikologjike në depopullimin dhe gjendjen ekonomike të zonave kufitare. Në gjysmën e dytë të shek XX zonat periferike ndërkufitare mbetën të militarizuara dhe të pazhvilluara. Nga ana tjetër vërehet një zhvillim i biodiversitetit dhe për pasojë u krijua një gjeohapësire që u quajt “Brezi i gjelbër” i Europës. Gjeohapësira: Liqeni i Prespës, Kolonjë, Konicë, Konispol, Filat etj, është pjesë e segmentit Ballkanik të “Brezit të gjelbër”. Në këto rrethana, faktorët gjeografik, politik, ekonomik e social e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin ndërkufitar për të valizuar më mirë resurset natyrore e humane të zonave periferike.

Bashkëpunimi ndërkufitar, sfidë (mundësi) për integrimin e qëndrueshëm rajonal.

 Sfida e zhvillimit rajonal dhe subrajonal, funksionimi i ekonomisë së tregut dhe integrimi  europian e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin ndërkufitarë, veçanrisht në vëndet e Ballkanit Perndimorë.

Forma më e njohur dhe më e suksesshme e institucionalizimit të bashkëpunimit ndërkufitar është Eurorajoni. Eurorajoni është një nga tipet e zonave kufitare të Bashkimit Europian në të cilat barrierat kufitare nuk pengojnë flukset bashkëpunimin ndërkufitar dhe integrimin social-ekonomik të zonave ndërkufitare. Strategjia e përbashkët e zhvillimit territorial shprehet në krijimin e një strukture legale të bashkëpunimit të bizneseve, bashkëpunimit ndërmjet universiteteve , institucioneve shkencore , sektorit të kulturës etj. Bashkëpunimi ndërkufitar në një mjedis me kufij të hapur midis Shqipërisë dhe Greqisë nga Prespa ne gjirin e Prevezës do të mbështeste procesin e krijimit të një Eurorajoni në këtë gjeohapsirë periferike të këtyre vëndeve. Në këtë proces integrues të bashkëpunimit ndër-rajonal do të ridimensionohej Ndarja Ndërkombëtare Gjeografike e Punës, specializimi dhe shkëmbimi ndër-rajonal ekonomik shoqëror e kulturor.

Pas ndryshimeve politike në vitet `90, midis Shqipërisë e Greqisë ka filluar bashkëpunimi në drejtim të krijimit të zonave ndërkufitare, bazuar në trashëgiminë e zhvillimin e zonës së “Brezit të Gjelbër”dhe ekosistemeve të përbashkëta.

Që në vitin 2016 Bashkimi Europian ka planifikuar financimin për bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Autoritetet shqiptare dhe ato greke kanë hartuar një program të përbashkët për bashkëpunimin ndërkufitar. Zona ndërkufitare përfituese e këtij projekti shtrihet nga deti Jon në liqenin e Prespës dhe përfshijnë njësitë rajonale; Grebene, Follorinë, Kostur, Thesproti, Janinë, Artë, Prevezë, ishujt e Jonianit në Greqi dhe qarkun e Vlorës, Gjirokastrës, Korçës dhe Beratit në Shqipëri.

Programi IPA mes Shqipërisë dhe Greqisë është hartuar në kuadrin e strategjisë dhjetë vjeçare të zhvillimit të BE-së  “Europa 2020”, për një rritje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”. Kjo strategji fokusohet në katër shtylla tematike; rritja e rëndësisë detare, lidhjet rajonale, mbrojtja dhe përmirësimi i cilësisë së mjedisit, rritja e aktivitetit ekonomik rajonal.

Marrëdhëniet do të konsistojnë në rritjen e kapaciteteve infrastrukturore në zonën ndërkufitare, në menaxhimin e transportit, ujit dhe mbetjeve, rritjen e efikasitetit të mbrojtjes së mjedisit dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore, menaxhimit të katastrofave natyrore etj. Marrëveshja parashikon ruajtjen e resurseve natyrore e kulturore si një parakusht për zhvillimin e turizmit në zonën ndërkufitare për të mbështetur sipërmarrjen, zhvillimin e bizneseve dhe konkurencën.

Ky bashkëpunim ndërkufitar mund dhe duhet të mbështesë procesin e krijimit të një “Eurorajoni” në këtë gjeohapësirë periferike midis të dy vendeve.

Në këtë zonë periferike ndërkufitare ndodhet gjeohapësira e Konispolit, e cila ka qënë dhe mbetet një nyje tranzite e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar midis veriut dhe jugut të Eurorajonit të pritshëm të detit Jon.

Bazuar në veçoritë e kushteve natyroro-klimatike-tokësore, sipërfaqes së limituar të tokës bujqësore, traditave historike të zhvillimit ekonomik, pasurise me vlera “konsumi”të etno-kulturës, kulturës materiale, shoqërore dhe artistike. Ekonomia në Bashkinë e Konispolit mund dhe duhet të orientohet dhe organizohet me përparësi në dy drejtime kryesore:

1.Në ngritjen, organizimin dhe zhvillimin vertikal, në formën e një “Klasteri” te”Lokalitetit turistik ndërkufitar” të Konispolit, si pjesë integrale e Distriktit të industrisë së turizmit të Sarandës.

2.Në ngritjen, organizimin dhe formësimin e “Klasterit” potencial të mandarinës në Xarrë, si alternativë e kordinimit e integrimit vertikal, hapësinor ndërkufitar nga imputet që aktualisht .sigurohen në qarkun e Thesprotisë, në autputin dhe marketingun, që organizohet nga operator perëndimor.

Gjeohapësirë me një potencial të spikatur të resurseve turistike.

E gjithë gjeohapësira ndërkufitare Sarandë-Konispol-Filat-Gumenicë integrohet mbi potencialin natyror e kulturor të krijuar ndër shekuj gjatë brigjeve të detit Jon, i cili përbën bërthamën e identitetit në Rajon. Ky rajon ndërkufitar ka një diversitet të larmishëm të peizazhit natyror si peizazhe detare e bregdetare të pasur me gjire, gadishuj, limane, plazhe, laguna, kordone litural, bregdet spektakolar akumulativ dhe abraziv, peizazhe fushore e kodrinore, por edhe malore, që në dy shtetet kufitare oferta natyrore është e ngjashme dhe që historikisht ka krijuar vlera të një trashëgimie etno-kulturore materiale e shpirtërore që favorizojnë zhvillimin e turizmit.

Pozita gjeografike e këtij rajoni ndërkufitar ka rëndësi të madhe gjeoekonomike, gjeopolitike dhe strategjike pasi ndodhet në udhëkryqet për lëvizjet drejt jugut dhe lidhjen e Shqipërisë me Greqinë kontinentale, ishullin e Korfuzit, por edhe me Italinë e Jugut e Mesdheun. Në këtë rajon ka filluar ndërtimi i “Koridorit të Kaltër” Adriatiko-Jonian. Në jug kalon autostrada (magjistrali) “Egnatia Odos” Gumenicë-Janinë–Selanik, e cila është ndërtuar kohët e fundit, magjistrali bregdetar Sarandë- Gumenicë- Prevezë, Artë dhe arteri tradicional Janinë-Konicë-Korçë-Manastir-Shkup. Kjo infrastrukturë do të nxisë veprimtaritë e biznesit e të turizmit dhe do të favorizojë integrimin e Konispolit në proceset e bashkëpunimit ndërkufitar dhe të formësimit të “Eurorajonit të Detit Jon”

Gjeohapësira e Konispolit në këtë rajon bregdetar është e pasur me një potencial të spikatur të resurseve natyrore të përsëritshme e të papërsëritshme. Ajo ka një mjedis natyror dhe antropogjen, ekologjikisht të pastër me disa vlera autentike dhe arkaike të krijuara nga njeriu, bukuritë dhe natyraliteti i të cilave favorizojnë zhvillimin e “Distriktit të industrisë së turizmit”. Ajo është e pasur me gjeomonumente, hidromonumente, biodiversitet të larmishëm dhe trashëgimi të kulturës materiale, shpirtërore, shoqërore artistike me vlera për “konsum” turistik, disa prej të cilave janë:

Peizazi urban i qytetit, pika turistike e Buarit, bregdeti Jonian gjatë kepit Stillo, peizazhi karstik i Saraqine-Milesë i pasur me dolina, polje, lapieze, forma endokarstike dhe me një biodiversitet mesdhetar të larmishëm, lugina gjeomorfologjike e lumit Pavëll e pasur me burime, ujvara, pragje e kanione, gryka e Bogazit, Cuka e Ajtojt, etj. Në përgjithësi mjedisi natyror ofron mundësi për organizimin dhe zhvillimin e turizmit të gjelbër, turizmit për aventurë, turizmit balnearë, atij shkencor, etj.

Konispoli përbën një thesar të pasur me objekte arkeologjike, kulturore e historike si: Shpella e Shën Marisë në Bogaz, Shpella e Kreshmoit, stacioni prehistorik i Xarrës, qyteti antik i Cukës së Ajtoit, gurorja antike në Shkallë, stacioni arkeplogjik tumular në Dishat etj. Në veprat e artit të aplikuar në shekuj me vlera etno-kulturore autentike bëjnë pjesë edhe kalatë. Pozicioni gjeografik, strategjik i Konispolit në disa kodra dhe ekspozuar në një hapësirë të madhe nga veriu dhe perëndimi, që kontrollojnë luginën e Vardharit deri në ujrat e detit Jon kanë kushtëzuar edhe ndërtimin e disa kalave. Deri në ditët tona ruhen gjurmët e themeleve të tre kalave si: kalasë së Buarit, Qafës së Pazarit dhe kalasë së Bregut të Kocit. Përballë qytetit të Konispolit, në kreshtën e kodrës së Nartës gjendet një kala tjetër mesjetare, ndërsa në afërsi të Vivarit ngrihet kalaja e Ali Pashë Tepelenës.

Në Konispol ruhen shtatë banesa monumentale kulturore në lagjen Shehat. Edhe motivet ambientale që paraqesin hapësirat rurale të Bashkisë së Konispolit përbëjnë një potencial turistik me një gamë të gjërë. Bazën e tij e përbëjnë jeta bujqësore-blegtorale dhe prodhimet e saj, pasuria ndërtimore dhe organizimi urban i vendbanimeve, koncentrike, lineare dhe të fragmentuar, kultura folklorike, elementët arkaik të fshatit, e folmja arkaike e gjuhës shqipe apo nëndialekti Çam (çamërishtja), që përbën një pasuri me vlera kombëtare, etj.

Mjediset antropogjene të vjetra me aspektet e tyre urbane, historiko-kulturore, dëshmitë etno-kulturore e artistike të kultivuara estetikisht ose në gjëndjen e tyre primitive, arkeologjia kulinare etj. motivojnë efekte të larta turistike.

Bazuar në këto produkte Bashkia e Konispolit mund të shndërrohet në një Rajon Turistik pritës, i organizuar për qëllime rekreative. Turizmi në këtë zonë kufitare me Greqinë mund dhe duhet të organizohet në formën e një “Klasteri” me një strukturë vertikale dhe horizontale të bizneseve, që të integrojë edhe imputet e rajonit të Thesprotisë (Filat, Gumenicë e më gjerë)

Në jug të Konispolit, në zonën ndërkufitare me Greqinë ndodhen disa atraksione turistike si Limani i Sajadhës, peizazhi bregdetar i Karavastarit, delta e lumit Kalam, kanionet e Ozdinës, shkalla e Zorianit dhe Ura natyrore e Djallit në luginën e Kalamasë, qytetet antike të Gumanit, Ozdinës, Mihalarit në rrethinat e Filatit, ndërsa më në jug kalaja dhe parku arkeologjik “Honote” në Gumenicë.

Në veri të rajonit ndërkufitar ndodhet Parku Kombëtar i Butrintit dhe brënda tij Parku Arkeologjik. Atraksionet turistike të kësaj gjeohapsire mund dhe duhet të integrohen në paketën turistike të Butrintit.

Pas ndryshimeve politike të viteve ’90, midis Shqipërisë dhe Greqisë ka nisur bashkëpunimi në drejtim të krijimit të zonave ndërkufitare, bazuar në trashëgiminë e zonës së brezit të gjelbër dhe ekosistemeve të përbashkëta