Ballina Aktualitet Hani me dy porta ose moteli me orë i Yuri-t

Hani me dy porta ose moteli me orë i Yuri-t

774
Sigal

Kur Rudina Hajdari po mundohej me 133 fjalët që zotëron të tregonte se të gjithë shqiptarët besojnë tek idetë e saj reformuese, “opozitarët” i mbushën telefonat e gazetarëve me mesazhe që të vinin nëpër studio dhe të shpalosnin idetë.

Teksa Edi Rama i “lutej” Lulzim Bashës të gjenin një tjetër zgjidhje, pellazgu Kujtim Gjuzi shpjegonte nga makina e tij se nuk e zë korona, meqë ha mjaltë çdo mëngjes.

Yuri Kim ndoshta nuk e di se dikur Haxhi Qamili shpallte: “Sa të kem Shijakun dhe Kavajën nuk pyes as për Francën, as për Anglinë!”. Këtë shpallje bëri dhe sundimtari mjekërrbardhë i këtij vendi dje, kur po na mbushte mendjen që sa të ketë Edmond Stojkun nuk do t’ia dijë për Oliver Varhelyi-n.

Për të plotësuar gjithë mozaikun e kësaj estrade amatore nuk do të qe çudi që zoti Borchard të ulej me korifenjtë “opozitarë”, duke marrë me vete gishtin që i ka mbetur përpjetë.

Në fakt, 27.al shkroi para pak ditësh se Edi Rama po kërkon që me këta karagjozë gjysëm analfabetë të prapsojë një marrëveshje, e cila nuk i jep mundësinë të fitojë zgjedhjet në tavolinë, siç i ndodhi në vitin 2017 apo në ato palo vendoret.

Diskutimi për listat e hapura a të mbyllura që e përdor si viagër intelektuale Endri Shabani me Ralfin është Gozhda e Nastradinit. Askush nuk e ka shpresën tek to, përderisa edhe këto lista të hapura do i shkruajë kryetari i partisë që më shumë se kurrë në këtë rast do të niset nga “të fortët” që mbledhin vota dhe aspak nga “profesorët” që janë ende në moshën e pubertetit.

Çështja qëndron se koalicionet e mundin qeverinë. Prandaj, Edi Rama mund të japë gjithçka, vetëm të futet dhe një herë në zgjedhje tek e tek, se pastaj “tërmetet” e tij sa këtu, sa atje me koktejlin e banditëve dhe ardvelinjve ia heqin litarin nga fyti.

Por, meqë “opozitarët” e Kuvendit i gjeti tek fundi i listës si mbetjet e letrës higjenike te boshti prej kartoni, po kërkon ta ndajë këtë hall me Lulin ose Luli Bashën si e thërret ambasadorja.

Nëse kjo komedi do të shkonte drejt një fundi të lumtur Yuri Kim duhet ta hapte sërish shtëpinë, por kësaj here për kërpëratën dhe sarhoshët që i mbajnë gocat me uiski në vend të ujit. Vetëm kështu mund të arrijë mendja e pazhvilluar e shqiptarëve të kuptojë se si Rudina e ka nënshkruar marrëveshjen, por nuk e voton në Kuvend. Vetëm kështu ambasadorja apo ish-polici, Soreca do e mësojnë dhe shijojnë shprehjen e famshme të Shqipërisë së Mesme: “As të …, as të lëshon”.

Pas disa takimesh të këtilla frymëzuese Yuri Kim do e kuptojë më në fund sesa shumë është dëmtuar ekonomia shqiptare nga pandemia, e cila ka mbyllur motelet me orë, sepse në kaq muaj vetëm rezidenca e saj ia doli të punojë për ata që janë dashnorë të çarçafëve të përdorur.

Nga 27.al