Muzeu “SOLOMONI” po çelet në Berat…

1097
Nga: Sulo GOZHINA
BERAT – Një muze unik në Berat… I pari dhe i vetmi i llojit të tij, jo vetëm në Berat e në Shqipëri, por në mbarë hapësirën mbarëshqiptare. Është një muze me tematikë hebraike që ngërthen një hapësirë kohore 500-vjeçare, nga viti 1520 kur në Berat u vendosën 25 familjet e para hebreje, të ardhura nga Vlora, nga Italia, nga Spanja… Dhe këto 25 familje që përbënin një lagje, Mëhallën e hebrenjve do të punonin për ta ringritur Beratin e rrënuar nga pushtimi osman…

Ky muze ndalet edhe tek profili mitik i Sabbatai Zevit, tek varri i tij që kërkohet ende me ngulm, vendosmëri e bindje në Bilçë, tek reflekset apo motivet hebraike që i gjen gjithandej në këto treva, të gdhendura në gur e në dru, në porta e në dyer, në tavane apo kanate, në sahane apo tepsi, në filxhane apo sini. Por me theks të veçantë muzeu ndalet tek shpëtimi dhe strehimi i mbi 600 hebrenjve në kohën e Holokaustit, duke qenë Berati, kështu, qyteti që ka mbajtur barrën kryesore në këtë shpëtim, duke shpalosur për herë të parë në Berat listën e hebrenjve të shpëtuar, si dhe familjet e shtëpitë beratase që iu gjenden pranë në ato kohë të tmerrta.

Foto-fakte, faksimile dokumentesh, zbulime toponimish hebraike, kontributi i Kadri & Bektash e Kujtim Cakranit në shpëtimin e hebrenjve, do të shohësh e do të njihesh me historinë dramatike të Sarës, hebreje janinate që në rrethana dramatike do të vinte në Berat, sesi do të humbiste rrugës emrin e saj, por do të gjente e rigjente emrin e profetit Moisi, do të njihesh me fatin e hidhur të hebrejes Taisa Pisha-Batkina, do të takosh arsimimin e nxënësve hebrenj në një klasë, në një bankë me nxënës beratas, etj., etj. Autori i Muzeut “SOLOMONI” Berat, studiuesi Simon VRUSHO, njëkohësisht ideatori, përgjegjësi, administruesi apo edhe drejtuesi i Muzeut, shprehet: “Më në fund, pas 20 vjetësh, ia dolëm… Muzeu “SOLOMONI” në Berat po çelet… Pas disa ditësh do të bëhet ceremonia zyrtare e përurimit ku do të jenë Kryetari i Bashkisë të qytetit të Beratit, kryetari i Qarkut, Prefekti etj. Sikundër kanë konfirmuar pjesëmarrjen Rabini i Tiranës, Finman, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi etj.”

Vrusho vazhdon: “Ky nuk është muze total, ku gjasme jepet gjithçka, por është muze me profil të qartë individual dhe me metodologji të ofruar nga terreni, koha, gjurmët, faktet dhe dokumentet. Edhe konceptimi është disi ndryshe: Vizitori, shikuesi ndihet në mjediset e muzeut edhe si i shikuar, madje edhe si i pyetur… Ai del nga muzeu me një apel në mendje dhe me një emocion në pulsim…! Muzeu “SOLOMONI” Berat çelet, më 03 maj 2018, ditën e enjte, ora 10:00 paradite, por ai thuajse është hapur… Berat. Ruga “Mihal Komneni”, Nr. 3, në krye të rrugës që të çon në Kala… Madje vizitorët e parë kanë pozuar pranë stendave të muzeut dhe tashmë muzeu ka marrë rrugën e tij. 
Sigal